Superliga luan javën e shtatë nën ndikimin e dueleve

523
Sigal

Sot thonë fjalën e tyre Partizani-Flamurtari dhe Skënderbeu-Tirana

Sot thuhet fjala e parë e Superligës për skuadrën që mund të shpallet kampione në fund të këtij sezoni. Edhe pse është akoma shumë herët për të folur për kampionen e Shqipërisë, aktualisht këto katër skuadra ta imponojnë idenë e të shpallurit kampion, që nga Partizani, Flamurtari, Tirana e deri tek Skënderbeu kampione në fuqi. Ndeshja hapëse e ditës së sotme do të jetë ajo në “Qemal Stafa” mes Partizanit dhe Flamurtarit, dy skuadra që janë në barazi të plotë pikësh dhe që fitoren e kanë të detyrueshme për të qëndruar përsëri në krye. Partizani deri më tani është skuadra më e qëndrueshme nga të katërta skuadra që përballen nesër, pasi loja e “demave” ka ardhur gjithmonë e më në rritje, sidomos në repartin e mbrojtjes që deri më tani po shkëlqen. Pritet që trajneri Duro ta rreshtojë skuadrën ashtu si në ndeshjen ndaj Tiranës, pasi futbollistët kryesorë nuk janë aktivizuar të gjithë në ndeshjen ndaj Ilirisë në Kupë këtë të mërkurë. Nga ana tjetër Flamurtari është përsëri mes pretendenteve, ashtu si vitet e shkuara, por deri më tani ky grup nuk ka arritur të përçojë atë saktësinë në fitore që mendohej se e zotëronin në fillim të sezonit. Vlonjatët kanë në përbërje një grup shumë të mirë lojtarësh, por aktualisht po vuajnë në bashkëpunimin për të pasur rezultate të qëndrueshme. Ashtu si Partizani, edhe Flamurtari luajti në Kupë por e gjeti veten në një barazim 0-0 ndaj Kamzës, barazim që u quajt nga vlonjatët si humbje përqendrimi për shkak të ndeshjes me Partizanin. Ndeshja tjetër e ditës së sotme, ajo mes Skënderbeut dhe Tiranës vë përballë dy skuadrat që aktualisht në kampionat kanë ngecur dhe të dyja në të njëjtën pikë: sulmi. Trajneri i Skënderbeut, Josa, u shpreh se nuk e bind skuadra aktualisht, dhe sidomos pjesa e sulmit që nuk ka treguar potencial, duke shënuar vetëm 5 gola në gjashtë ndeshje, shumë pak krahasuar me vjet për kampionët e Shqipërisë. Por edhe Tirana, sidomos në këto dy ndeshjet e fundit ka treguar se po çalon në tërësi si skuadër duke mos e gjetur rrugën e fitores në këto dy ndeshjet e fundit. Skënderbeu në fakt duket edhe më i karrikuar se Tirana, sidomos pas fitores me goleadë që bëri në Kupë, pavarësisht se luante ndaj një skuadre të kategorive inferiore, ndërkohë që do të mbajnë vëmendjen edhe ndaj ndeshjes që luhet në Tiranë për të shtuar ‘forcat’ në rast se ju jepet mundësia për ti kaluar kundërshtarët në renditje. Ndërkohë që vëmendja nesër do të përqendrohet në Laç për ndeshjen Laçi-Vllaznia, dy skuadra që ndodhen në vendin e 6-të dhe të 8-të të renditjes me shkodranët që kanë një pikë më shumë se laçianët. Në rast fitoreje të Vllaznisë do të shkonte në kuotën e 11 pikëve dhe duke parë ecurinë e shkodranëve në ndeshjet e fundit, duhet marrë seriozisht për kampionatin edhe pse e nisi në një mënyrë shumë të keqe si përgatitjen para kampionatit ashtu edhe vetë kampionatin. Ndërkohë që Laçi po tregon çdo ditë e më shumë se di të fitojë ndaj skuadrave që tregojnë potencial dhe shfaqen të vështira për tu mundur, ashtu siç ndodhi me Tiranën apo edhe me Flamurtarin javën që kaloi. Ndeshja tjetër, ajo mes Kukësi-Teuta paraqet interes të madh për palët, pasi kuksianët do të luftojnë vetëm për të fituar, edhe për renditjen por edhe për faktin se luajnë në fushën e tyre dhe një humbje e dytë, pas asaj me Partizanin, do ua vështirësonte shumë pozitat verilindorëve. Nga ana tjetër, Teuta tregoi një nivel të lartë loje në ndeshjen me Skënderbeun, që e fitoi 2-0, dhe ka potencialin për ta rrezikuar seriozisht Kukësin. Takimi i fundit i javës do të jetë mes dy vendeve të fundit në renditje, Elbasani-Apolonia. Një ndeshje që i jep mundësinë Elbasanit të marrë fitoren e parë të sezonit duke qenë se do ndeshet me skuadrën që i gjendet më afër në renditje dhe në cilësi. Në fakt edhe kjo do jetë një ndeshje e vështirë për tu parashikuar pasi si Elbasani edhe Apolonia, pavarësisht rezultateve, kanë treguar se mund tu nxjerrin probleme skuadrave të tjera. Kujtojmë që kampionati nuk do të luhet javën që vjen për shkak të ndeshjes së Kombëtares tonë, kështu që java e tetë do të luhet në datat 18/19 tetor.

Sot

Partizani 17:00 Flamurtari

Skënderbeu 20:00 Tirana

Nesër

Laçi 13:00 Vllaznia

Kukësi 13:00 Teuta

Elbasani 13:00 Apolonia

Nr Skuadra Nd F B H P
1 FK Tirana 6 3 2 1 11
2 KF Flamurtari 6 3 2 1 11
3 KF Partizani 6 3 2 1 11
4 KF Skënderbeu 6 3 1 2 10
5 KF Kukësi 6 3 1 2 10
6 KF Vllaznia 6 3 2 1 8
7 KF Teuta 6 2 1 3 7
8 KF Laçi 6 1 4 1 7
9 KF Apolonia 6 1 1 4 4
10 KF Elbasani 6 0 0 6 0

Premton se Qeveria do të investojë në stadium për ta shtruar me tartan pas ndeshjes

 Kryeministri Rama inspekton stadiumin “Elbasan Arena”

 Dje Kryeministri Rama ka bërë një inspektim në stadiumin “Elbasan Arena” në prag të inaugurimit, përpara ndeshjes me Danimarkën me 11 tetor nga ku dha edhe një deklaratë duke u shprehur: “Stadiumi do te jetë plotësisht gati për sfidën e 11 tetorit dhe pas ndeshjes me Danimarkën, qeveria shqiptare do të investojë për të shtruar pistën e “Elbasan Arena” me tartan për t’u bërë një stadium olimpik dhe për t’i shërbyer edhe atletikës”.

 Juve-Roma dhe Chelsea-Arsenal pushtojnë Europën

Nuk është e nevojshme që të presim Champions League-n që të shohim ndeshje të mëdha, pasi kampionatet europiane çdo javë na ofrojnë të tilla. E ashtu si gjithmonë, as këtë herë nuk mungojnë ndeshjet që bëjnë të flasin të gjithë sportdashësit. Këtë javë dallojnë mbi të gjitha dy ndeshje, një në Serie A, as më pak e as më shumë se Juventus-Roma dhe një në Premier League, derbi i Londrës, Chelsea-Arsenal. Juventus-Roma në fakt është ajka e kësaj jave, ndeshja që luhet për kreun e kampionatit, me dy skuadrat që janë me pikë të plota, por jo vetëm kaq, ato akoma nuk kanë pësuar asnjë humbje në kampionat dhe rivalizojnë që ditën e parë për titull. Në fakt kohë më parë, trajneri i Romës Garsia, u shpreh se kampionati italian nuk është një garë mes dy skuadrave,por në fakt me rezultatet e deritanishme duket së është, dhe se kush do hedhë një hap më shumë drejt titullit nga këto dy skuadra do vendoset në ndeshjen që do luajnë ndaj njëra tjetrës këtë të diele. Juventusi duket më i avantazhuar pasi luan në shtëpi, por gjithsesi ekziston mundësia e një “shoku” të vogël pas humbjes që pësuan ndaj Atletikos në Champions që është edhe humbja e parë e sezonit futbollistik për ta, ndërkohë që Roma mori një barazim të vyer ndaj Man.Cityt dhe e lejon të shohë me entuziazëm për transfertën në Torino dhe pse jo të sulmojë për fitore, pasi duket se pjekurinë si skuadër e kanë. Ndeshja tjetër e shënuar i përket kampionatit anglez, derbi i Londrës Chelsea-Arsenal. Ndeshje që luhet në pozita të favorshme për blutë e Londrës që udhëheqin kampionatin të vetëm ndërkohë që “topçinjtë” e gjejnë veten në vendin e katërt dhe në rast se fitojnë do e ngushtonin diferencën me tre pikë ndaj rivalëve të nesërm që janë edhe rivalët për titull. Përveç luftës që bëhet për titullin, duket se do bëhet edhe një “luftë” mes trajnerëve Mourinho dhe Venger, pasi tekniku i Arsenalit në 11 ndeshje të luajtura kundër Mourinhos, nuk ka arritur të fitojë asnjërën, dukë barazuar 5 dhe duke humbur 6, një nga të cilat ishte humbja e vjetshme 6-0, një katastrofë, siç e quajti edhe vetë Venger. Duke lënë pas këto dy ndeshje, kujtojmë që luhen edhe kampionatet e tjera ku bien në sy ndeshjet në Bundesliga të Bayer Leverkusen kundër Paderbornit të Alban Mehës dhe Bayern Munchen kundër Hannoverit, ndërsa në Spanjë Reali i Madridit ka ndeshjen në transfertë me Athletic Bilbao, ndeshje relativisht e vështirë për tu interpretuar në fushën e këtij kundërshtari. Pas kësaj jave, në të gjitha kampionatet europiane nuk do të luhet deri në datat 18/19 tetor për shkak të ndeshjeve të Përfaqësueseve për kualifikueset e Euro 2016.