Superliga e Shqipërisë fillon të premten

97
Të premten, nesër nis edicioni i ri në Superligën e Shqipërisë në futboll, me ndeshjen në mes Partizanit nga Tirana dhe Laçit, e cila fillon në orën 20.00. Nëse dikush kishte ende ndonjë dyshim se kampionati I fundit ishte më i miri i pas viteve 90, suksesi i Skënderbeut në Champions League duhet të ketë mbyllur cdo diskutim. Futbolli shqiptar është tanimë një realitet pozitiv, ku investohen shuma të konsiderueshme, ku drejtojnë trajnerë të kualifikuar dhe u jepet besim, ku luajnë futbollistë cilësorë dhe ku po bëhen përpjekje për funksionimin e klubeve në mënyrën më institucionale, me një infrastrukture të mirë, me gjykime gjithnjë e më korrekte, me më pak fenomene negative dhe me një interes të shtuar nga ana e opionionit sportive. Të gjitha këto do të duhet të jenë një bazë e rëndësishme për të ndërtuar një të ardhme edhe më të mirë dhe kampionati I ri është një provë e rëndësishme për rrugën që do të ndjekë futbolli ynë. Pritshmëritë për të janë maksimale, përgatitjet e konkurrentëve serioze, por edhe dyshimet nuk mungojnë.
Pritshmëritë janë maksimale, pasi për herë të parë në garë do të kemi një skuadër që luan në fazën e grupeve të një kompeticioni madhor në kontinent dhe me siguri do të shërbejë si model për tu imituar nga rivalët dhe në të njëjtën kohë vetë Skënderbeu do të provojë të bëjë rolin e lokomotivës për të gjitha skuadrat e tjera. Por në të njëjtën kohë ruajtja e këtij statusi nuk do të jetë aspak I lehtë për kampionët tanë, pasi rivaliteti pritet të jetë sërish tipari dallues i këtij kompeticioni me Kukësin, Partizani, Tiranën, Laçi dhe Flamurtarin të gatshëm për të përfituar. Dhe nëse besoni se me kaq mbyllet gjithçka gaboheni, pasi në logjikën e kampionatit ku çdo ndeshje vlen tre pikë, llogaritë do të duhet të bëhen edhe me Vllazninë, Teutën, Bylisin dhe Tërbunin. Për shkak të problemeve me kantieret e krijuara në shumë stadiume, starti nuk pritet të ketë shkëlqimin e merituar, por me siguri do të jetë një kampionat i luftuar, emocionues, dhe shumë, shumë i bukur.