Superliga, “abonim 1-0”, Kukësi i rikthehet kreut falë Vllaznisë

531
Sigal

Dje u mbyll një javë e çuditshme e kampionatit më elitar të futbollit në Shqipëri. Çudia dje qëndroi në rezultatet e arritura, ku patëm katër fitore të skuadrave vendase dhe një fitore e skuadrës mike, e të gjitha këto fitore i përkisnin rezultatit minimal 1-0. sikur ta kishin bërë me fjalë, të gjitha skuadrat nuk shkuan më shumë sesa një gol, në çdo ndeshje, por secili nga golat e shënuar ka pasur vlerë të veçantë, sepse pikët që u morën dhe ato që u lanë, i dhanë një tjetër dritë dhe renditje tabelës së skuadrave. Falë fitores së djeshme, Kukësi u kthye në krye të tabelës, por kjo erdhi edhe në bazë të rezultatit të ndeshjes mes Vllaznisë dhe Partizanit, ku shkodranët vazhdojnë të hedhin hapa të sigurt këto kohë, ku me dje, numëruan edhe të pestën fitore radhazi duke u bërë kështu skuadra më e ekuilibruar gjatë kësaj kohe. Në këto ndeshje humben terren si Partizani edhe Tirana, që u mundën mbi të gjitha nga entuziazmi i kundërshtarëve. Në ndeshjen Partizani-Vllaznia, përveç fitores së merituar të shkodranëve, bën bujë edhe humbja e dytë rresht e Partizanit, duke e vënë disi në pikëpyetje atë ecurinë pozitive të ndeshjeve më përpara. Tani “demat” ndodhen në vendin e tretë, me dy pikë më pak se Kukësi i vendit të parë dhe më pikë të barabarta me vendin e dytë që e  mban Skënderbeu. Ndërkohë që Vllaznia ngjit pozicionet, duke lënë pas vetes Flamurtarin e vendit të 7-të, për tu vënë në ndjekje të vendit të 5-të, Laçit, duke parë që këta të fundit kanë vetëm një pikë më shumë. Ndeshja tjetër e orës 16:00 ishte ajo mes Skënderbeut dhe Flamurtarit, ku u pa mbi të gjitha një futbolli i bukur, në atë triumf minimal të korçarëve. Me stadiumin e mbushur plot, korçarët u dukën shumë të motivuar për të arritur fitoren e bashkë me fitoren morën edhe një renditje të re në kampionat, diçka që aktualisht i bën të ëndërrojnë për jo vetëm “kampionen e dimrit”. Në ndeshjet e tjera të orës 13:00 u panë si fituese të gjitha skuadrat pritëse. Ndeshja më e rëndësishme e këtij orari ishte padyshim Kukësi-Tirana, që përfundoi me një fitore të merituar të lojtarëve vendas, edhe pse vetëm me një gol të shënuar. Në fakt ishte e pritshme që kjo ndeshje do të ishte emocionuese, për vetë peshën që mbante ku luanin bashkë dy skuadra që pretendimet për titull i kanë shfaqur që në fillim të sezonin dhe vazhdojnë akoma ti mbajnë. Ndeshja e djeshme foli në fakt më shumë për vendasit që të motivuar siç ishin, falë edhe stadiumit të mbushur plot, arritën që ta kalonin këtë pengesë të “lartë” siç është Tirana. Në dy ndeshjet e radhës, Kukësi do të ndeshet me Flamurtarin dhe Vllazninë, që çdo ditë e më shumë po vendos pretendime të forta, duke thënë se viti kalendarik i ka ruajtur edhe dy ndeshje të tjera shumë të forta, e sigurisht që fitorja është objektivi kryesor. Ndeshja e djeshme u zhvillua kryesisht në dy kampe, ku Kukësi mbrohej dhe kundërsulmonte, falë edhe golit të shpejtë në minutën e 4-t, ndërsa Tirana sulmonte por pa qenë të qartë në këtë fazë, sidomos në pjesën e dytë që nuk ishin fare të qartë në sulm. Kjo fitore e dërgoi Kukësin në kuotën e 35 pikëve ndërkohë që Tirana qëndron në 32 pikë, duke humbur terren ndaj kundërshtarëve. Takimi tjetër mes Teutës dhe Apolonisë u nda po ashtu 1-0 ku durrsakët u kthyen më në fund tek fitorja, fitore që e mori kundër një kundërshtari të drejtpërdrejtë për të mos rënë nga kategoria si Apolonia. Në avantazh të Teutës është sigurisht fitorja që arriti dje por edhe humbja e Elbasanit ndaj Laçit, po me rezultatin 1-0. Në bazë të këtyre dy rezultateve, duket se si Elbasani edhe Apolonia i thonë “lamtumirë” superiores, pasi secila ka nga 9 pikë, ndërkohë që kundërshtarja më e afërt, Teuta, ka 16 pikë. Duke parë formën e skuadrave por edhe pikëzimin e tyre, duket pothuaj e pamundur që diçka të ndryshojë në vitin e ardhshëm për dy vendet e fundit. Kjo javë ishte një nga më të bukurat e kampionatit, ku u vu re para së gjithash se fjala e fundit do edhe shumë për tu thënë, pavarësisht se është kapur gjysma e kampionatit. Dita e djeshme, tregoi edhe një herë potencialin në rritje të Vllaznisë, që pa frikë mund të thuhet se po e rivendos veten në pozita të forta, deri edhe favorite, falë formës së jashtëzakonshme që po gëzon por edhe grupit shumë të mirë të lojtarëve që ka. Në fakt asnjë nga skuadrat nuk do të ketë kohë në dispozicion që të mendojë qoftë fitoret apo humbjet e kësaj jave, pasi pas vetëm dy ditësh, pra të shtunën, do të luhen ndeshjet e javës së 18-të.

Rezultatet e djeshme (Java e 17-të)

Partizani 0-1 Vllaznia

Skënderbeu 1-0 Flamurtari

Kukësi 1-0 Tirana

Teuta 1-0 Apolonia

Laçi 1-0 Elbasani

Takimet e javës së 18-të

Tirana-Teuta

Vllaznia-Skënderbeu

Apolonia-Laçi

Flamurtari-Kukësi

Elbasani-Partizani

Tërbuni nuk lëshon “pe” në grupin A, tek B-ja Sopoti i rikthehet përsëri kreut

 Java e 11-të e Kategorisë së Parë nuk rezervoi surpriza të shumta në të gjitha takimet e të dyja grupeve ku sidomos në grupin A, ecuria vazhdon të jetë në të njëjtën linjë, me tre kryesueset që nuk humbin ndeshjet dhe vazhdojnë të qëndrojnë afër njëra tjetrës. Dje bindi përsëri Tërbuni që mundi Kamzën me lehtësi 2-0, duke mos e vënë asnjëherë në diskutim forcën e vet. Kjo fitore i jep një tjetër shtysë përpara ku tregohet qartë disniveli i skuadrave në këtë grup. Nuk mbetet pas as Mamurrasi i vendit të dytë që mundi Burrelin 2-1, në një ndeshje që e menaxhuan shumë mirë, falë edhe golave të shënuar. Kjo fitore e lë përsëri Mamurrasin para Besëlidhjes me 1 pikë më shumë, e duket se këto dy skuadra do kenë shumë se çfarë ti thonë njëra-tjetrës në ndeshjet në vijim. Lezhjanët nga ana tjetër fituan ndaj Adës së Velipojës, në një ndeshje që nuk i munguan vështirësitë por që në fund ia doli që të merrte tre pikët me anë të rezultatit 3-2. Duket se Besëlidhja dalëngadalë po e rigjen formën, duke i hedhur pas rezultatet negative të javëve më përpara. Janë vetëm këto tre skuadra që bëjnë diferencën dhe duket se do të shkojnë deri në fund të këtij sezoni duke luftuar vetëm ndaj njëra-tjetrës, pa pasur presionin edhe të shtatë skuadrave të tjera. Ndërkohë ndryshon situata tek grupi B, ku edhe pas kaq javësh janë të shumta skuadrat që vazhdojnë të jenë akoma në “lojë” për titull, por aktualisht është Sopoti që prin dhe ju prish ëndrrat të tjerave. Duket se humbja 4-0 që pati ndaj Butrintit nuk ndikoi aspak negativisht, pasi dje arritën që të merrnin një fitore luksi ndaj Luftëtarit, fitore që për më tepër ju dha edhe kryesimin, falë edhe barazimit të Lushnjës. Sa i përket surprizave “negative”, këtë sigurohen ta bëjnë si Dinamo që nuk mori më shumë se një barazim me Naftëtarin, po ashtu edhe Butrinti që pas asaj fitoreje me Sopotin javën e shkuar, humbi dje 2-0 me Tomorin. Tjetër skuadër që ra dje, ishte edhe Lushnja që barazoi me Pogradecin, e në një farë mënyrë dolën që të dyja të “mundura”, pavarësisht se morën nga një pikë në takimin ndaj njëra-tjetrës. Edhe në Kategorinë e Parë, pritja nuk do të jetë shumë e madhe për ndeshjet e tjera, pasi të java e 12-të do të luhet pikërisht pas dy ditësh, me 20 dhjetor, ashtu si ndeshjet e Superligës.

Grupi A

BESA – KASTRIOTI               1-1
BESLIDHJA -ADA                  3-2
ILIRIA – VELICIKU                3-2
KAMZA – TERBUNI              0-2
BURRELI – MAMURRASI    1-2

Grupi B

BYLIS – SHKUMBINI                 3-0
SOPOTI – LUFTETARI              1-0
POGRADECI – LUSHNJA         0-0
NAFTËRARI – DINAMO            1-1
TOMORI – BUTRINTI                2-0

Parma me president shqiptar, Serie A “shqiptarizohet”

Prania e shumë shqiptarëve në Itali pak e nga pak ka filluar të vërë shenjat e veta edhe në botën e futbollit. Kjo vihet re më së shumti nga prania e madhe e futbollistëve shqiptarë që luajnë në këtë kampionat, por gjithashtu edhe nga roli drejtues i Igli Tares tek Lacio, që aktualisht gëzon titullin e drejtorit sportiv të këtij klubi. Nga dje, do të ketë vend edhe për një tjetër post të drejtuar nga shqiptarët, që do jetë as më pak e as më shumë sesa presidenti i ekipit të Parmës. Personi që do të marrë këtë postdo të jetë Petrit Doka, një shqiptar me shtetësi italiane që ka shprehur pëlqimin e tij për të qenë në krye të drejtimit të klubit. Mediat italiane në fakt kanë bërë me dije se me shumë mundësi, pas Dokajt të jetë Rezart Taçi që ka shprehur kohë më parë pëlqimin e tij për të qenë president i një klubi italian. Deri më tani, çdo gjë është ekskluzive vetëm nga mediat italiane, por pritet që çdo gjë të merret vesh ditën e premte, kur edhe do të bëhet zyrtarizimi i Petrit Dokaj si president.