Superkupa, “serenatë” korçare mes Championsit

544
U duk pak si gjatë me këto pushime pa futboll, të cilat kanë nisur që nga mesi i muajit maj e deri në mesin muajin gusht, pushime që dashamirësit i kanë lënë zyrtarisht pa futboll. Por tashmë pritja tre mujore morri fund dhe topkëmba shqiptare do të rikthehet në fushë me Superkupën e Shqipërisë, një event sportiv ky që në futbollin shqiptar ka nisur të funksionojë që nga viti 1989 ku skuadra e Dinamos me trajner Bejkush Birçen u bë skuadra që fitoi Superkupën e parë të futbollit në Shqipëri. Nga ky vit e deri më sot janë luajtur 21 takime për Superkupën, të cilën tradicionalisht e diskutojnë Kampionia me fituesen e Kupës së Shqipërisë. Për statistikë, le të kujtojmë se Superkupa e Shqipërisë është luajtur në 21 ndeshje, nuk është luajtur dy herë në vitet 1995 dhe 1997, ndërkohë që në tre raste nuk është luajtur pasi kanë qenë skuadra fituese të dyfishta Kampionat dhe Kupë (Partizani në vitin 1993 dhe Tirana 1996 dhe 1999). Ndërsa në 12 gushtin e vitit 2015 kjo Superkupë vjen me një atmosferë më shumë se entuziaste në futbollin tonë, si në planin Kombëtar ashtu edhe në atë ekipor për përfaqësimin dinjitoz në Europë. 

Pa i quajtur këto radhë si pjesë të një “tregimi” sportiv me Kombëtaren, e kemi thënë edhe këtu në gazetën “Telegraf” se tashmë krenaria është “mpleksur” edhe me synime që më parë ishin utopi, pse jo edhe si ëndrra që shuheshin në mëngjes herët. Gjithsesi, kjo është Kombëtarja shqiptare e 22-ta në renditjen botërore të FIFA-s, e për këtë veç krenarisë që jemi në mesin e më të mirëve, mbetemi edhe skuadra që tashmë shikohemi si pretendentë, jo më si inferiorë. Bukur, dhe në këtë linjë duket se po shkon edhe futbolli i skuadrave tona që përfaqësohen në Europë, ku Skënderbeu Kampion i Shqipërisë për sezonin 2014-2015 po bën histori në kalimin e tureve në Champions Leauge. Në këtë kompeticion të futbollit evropian korçarët kanë kaluar në fazën play-off, si asnjëherë tjetër nga skuadrat tona të futbollit dhe javën e ardhshme do të ndeshen me kampionen e Kroacisë, Dinamo e Zagrebit. Kjo është atmosfera, pse jo edhe ngarkesa që Skënderbeu Kampion mbart në vlerat e tij aktuale para ndeshjes së Superkupës Shqiptare, e cila do të luhet të mërkurën e 12 gushtit 2015 kundër Laçit si fitues i Kupës së Shqipërisë për sezonin e kaluar. Parë në këndvështrimin e gjendjes aktuale të të dyja skuadrave, për Skënderbeun kjo ndeshje e Superkupës së Shqipërisë mund të quhet sportivisht edhe si një “serenatë” korçare mes Championsit e startit të Superiores shqiptare, ndërsa për Laçin, më shumë se sa një dëshirë për ta fituar atë për herë të parë, kjo përballje ndoshta do të jetë edhe testi numër 1 i kolaudimit të skuadrës para startit të Kategorisë Superiore për sezonin e ri 2015-2016. Duke e zgjeruar këndvështrimin e dy skuadrave që do të diskutojnë fitimin e Superkupës së Shqipërisë 2015, nëse ato do ti vendosnim në “kandarin” e aktualitetit, Skënderbeun mund ta quajmë edhe si një “peshë më e rëndë” se sa Laçi në këtë përballje.

 Thënë më qartë, skuadra korçare duket favorite në përballjen e Superkupës së Shqipërisë 2015 ndaj skuadrës së Laçit, ku arësyeja më madhore është se Skënderbeu po kalon momente shumë pozitive në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që Laçi pas eliminimit që në Turin Paraeliminator të Europa Ligë nga Inter Baku, ende nuk është vënë në provën e skuadrës së re për sezonin e ri. Parë kështu, për Skënderbeun kjo përballje në Superkupë mbetet një konfirmim, ndërsa për Laçin do të jetë një kolaudim. Skënderbeu mbetet më favorit në këtë sfidë edhe për faktin se vjen si 2 herë fitues i Superkupës, njërën pikërisht ndaj Laçit, ndërsa skuadra laçiane pasi ka dështuar tri vite më parë me Skënderbeun, edhe në herën e dytë po me këtë skuadër ka provën për këtë trofe. Një ndeshje për tu parë, ku padyshim që interesimin e saj e rrit më shumë skuadra e Skënderbeut, e cila në këtë Superkupë vjen një javë para përballjes së parë me Dinamon e Zagrebit në Ligën e Kampioneve, Turi Play-off.
….
Për më tepër lexoni Gazetën Telegraf…
Sigal