Superiorja një kampionat i fortë, si brenda dhe jashtë fushës

523
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi i Tiranës dhe i Kombëtares, ndjen keqardhje për bardheblutë dhe gjendjen aktuale të Kombëtares
Dy vite më parë bisedonim si futbollist, dy vite më pas je një ish, si ndjehet Elvis Sina në këtë pozicion?
Në fakt, gjurmët që kam lënë në futboll, më bëjnë të ndjehem krenar, pasi kudo që ndodhem, e shoh dhe e prek atë respekt, të cilin kur isha në fushë nuk e kisha menduar. Kur ju të medias më kërkoni intervista apo deklarime, kjo do të thotë që edhe tek ju kam lënë diçka të mirë nga futbolli im.
Këto vite pas lënies së futbollit, ku jeni “strehuar”, me apo pa futboll?
Në fakt, unë merrem me biznesin tim personal, dhe nga futbolli aktiv jam shkëputur. Për gati dy vite kam qenë Drejtor në Akademinë e futbollit të Tiranës, vite kur futbollin e pashë në një pozicion që e shikon atë si një menaxher drejtues.
Edhe pse fytyra juaj ju “tradhton” në këtë bisedë, nguroni të përgjigjeni nëse ju pyes për Tiranën?
Jo, absolutisht. Për deri sa pranova të bisedojmë së bashku për futbollin, unë nuk mund të jem përjashtues. Më vjen keq për situatën që po kalon Tirana, sepse është një vlerë e çmuar e futbollit shqiptar. Sa tituj e trofe ka Tirana, ndoshta mund të bëhen shumë skuadra së bashku dhe nuk i arrijnë. Gjithsesi, pas një viti në Kategorinë e Parë, do të gjenerojë për mirë dhe të shpresojmë të kemi një skuadër që ta ruajë atë emër të madh që ka në futboll.
Cilët ishin sipas jush faktorët që çuan në rënien e Tiranës në Kategorinë e Parë?
Në një analizë më të hollë e më gjakftohtë, do të thosha se ka shumë faktorë që e zbritën Tiranën në Kategorinë e Parë, si asnjëherë në historinë e saj. Por, marrëveshja me Kukësin ishte një llogari e gabuar nga klubi i Tiranës, i cili dha ndikimin negativ te skuadra. Duke shtuar edhe disa arbitrime të dobëta në dëm të Tiranës, në klub u krijuan situata jo të qëndrueshme me përfundimin e keq, rënien në Kategorinë e Parë.
Si një ish-futbollist i Tiranës, do ta përjetosh keq sezonin e saj në Kategorinë e Parë?
Historia kësisoj ka rënë, dhe më shumë kjo situatë duket si një njollë e zezë në historinë e skuadrës. Besoj se ata që do ta menaxhojnë skuadrën në këtë sezon në Kategorinë e Parë, do t’i marrin gjërat më seriozisht se ky sezon i dështuar që mbylli. 
Në përgjithësi, si e përshkruani Kategorinë Superiore të sezonit që sapo u mbyll?
Duke ju referuar situatës në përgjithësi, në 36 javë u luajt një kampionat i fortë, brenda dhe jashtë fushës. Mendoj se ishte një kampionat me shumë të papritura, me zbritjen e Tiranës në Kategorinë e Parë, apo edhe shpalljen Kampion të Kukësit, edhe pse më shumë e meritoi. Por, ajo tregoi edhe forcën e çdo skuadre për të përballuar një sezon të gjatë dhe të vështirë.
Ndoshta ka qenë i tillë edhe formati me 10 skuadra që solli të tilla të papritura?
Në fakt, unë nuk kam qenë dakord që Kategoria Superiore shqiptare të luhej me 10 skuadra, sepse mbi të gjitha, forca dhe aktualiteti i çdo skuadre nuk mundet të evidentohen plotësisht. Me 14 apo 16 skuadra, Kategoria Superiore do të ishte edhe më e fortë se sa sot, do të ishte më interesante, pasi do të luhej në një gjeografi më të zgjeruar, ku do të gjenin argëtimin dhe tifozerinë, qindra qytetarë të tjerë.
Si kanë ndikuar arbitrat në garën e Superiores 2016-2017?
Në përgjithësi, unë nuk jam shumë i kënaqur me arbitrat, sepse ka pasur shumë ndeshje që ata kanë qenë përcaktues me arbitrimet e dobëta të tyre. Kanë qenë njerëzore si gabime, apo kanë qenë me dashje, kjo kërkon më shumë hetim, por e pësoi Tirana në ndeshjen me Skënderbeun e Partizanin. Në përgjithësi, arbitrat nuk ishin në nivelin e kësaj kategorie në futbollin tonë.
Po presidentët e skuadrave, e kanë përfaqësuar denjësisht pozicionin e tyre në mbarëvajtjen e gjithë sezonit?
Së pari, presidentët e klubeve duhen falënderuar, sepse ata një pjesë të të ardhurave të bizneseve të tyre e kanë vënë në shërbim të skuadrave që financojnë, pra në shërbim të futbollit. Prej tyre ka pakënaqësi, të cilat më shumë kanë qenë objektive.
Jemi në muajin qershor, ku futbolli shqiptar fokusohet në merkato dhe në ndeshjet në Evropë, e mendoni të gjatë rrugën e katër skuadrave tona në këto kompeticione evropiane?
Kam përshtypjen se, të katër skuadrat tona do të kenë ecuri të mirë në Evropë. Këta le ta mendojnë në të mirën e tyre, të të ardhurave të tyre, por edhe në të mirën e futbollit tonë në tërësi.
Po për sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore, çfarë mendoni se duhet ndryshuar më parë?
Që nga FSHF-ja te klubet, duhet të mendojnë që të kenë ndryshime progresive në raport me sezonin e kaluar. Ndoshta më shumë vëmendje duhet treguar në organizimin e klubeve dhe të gjithë garës, në kualifikimin e shpërndarjen e arbitrave, dhe, kryesisht, duhet t’i jepet rëndësi krijimit të Ligës Profesioniste. Liga zgjidh shumë problematika që futbolli i mban mbi shpinë vit pas viti, ajo është hallka e duhur për futbollin tonë.
Në kreun dhe fundin e renditjes, ka qenë një rrugë e gjatë, ku do thosha se, në mesin e saj kishte shumë intriga. Nuk e mendoja këtë renditje, me Kukësin Kampion dhe Tiranën të zbritur në Kategorinë e Parë, ndaj them se lufta që bënë skuadrat për çka synonin, ka qenë shumë stresuese në anën sportive
Partizani në Evropë, luan në “Selman Stërmasi”, pa drita dhe në vapë!
Duke qenë një nga skuadrat më të mëdha të futbollit shqiptar, por njëherësh edhe njera nga skuadrat që nuk ka një stadium të vetin në përdorim, Partizani do ta nisë sezonin e ri me këtë problematikë. Kështu, me pjesëmarrjen në turin e parë paraeliminator të Ligës së Evropës, ndeshje të cilat luhen më 29 qershor dhe 6 korrik, me shumë mundësi të kuqtë do t’i zhvillojnë ndeshjet e para në Evropë në kryeqytet, dhe në stadiumin “Selman Stërmasi”. Kjo zgjedhje bën që të kushtëzohen në orarin e ndeshjeve, pasi në këtë stadium, takimet zyrtare në Evropë luhen pa dritat e projektorëve, pasi sistemi i ndriçimit nuk i plotëson kriteret për ndeshjet në Evropë. Në këto kushte, nëse Partizani do të vendosë që t’i luajë në kryeqytet ndeshjet e para të Ligës së Evropës, orari i zhvillimit të tyre do të jetë ora 17:00, ose 17:30, në mënyrë që takimi të zhvillohet me ndriçim natyral. Për këtë orar, problemi i vetëm mbeten temperaturat e larta, që mund të kushtëzojnë zhvillimin normal të sfidave. Në të kundërt, Partizani është i detyruar të shtegtojë drejt Elbasanit.
Në Korçë shfaqen kinezë, mendohen si aksionerë të rinj te Skënderbeu
Sezoni futbollistik 2016-2017, ka pak ditë që ka përfunduar, por në Korçë, veç merkatos në përforcimin cilësor të skuadrës së Skënderbeut, këto ditë ka pasur edhe një “skup” të ri. Nuk do të ishte çudi, nëse ditët në vijim do të vinte një konfirmim i mundshëm zyrtar nga klubi bardhekuq, për vetë faktin se, tri ditë më parë, presidenti i Skënderbeut Ardjan Takaj, është parë nën shoqërinë e disa miqve nga Kina, të cilët kanë vizituar fillimisht stadiumin “Skënderbeu” dhe më pas anekset e klubit dhe investimet e reja që po bën Bashkia në fusha dhe ambiente sportive. Vizita e tyre ka zgjatur disa orë në Korçë, dhe Takaj thuhet se u ka shpjeguar kinezëve gjithçka me hollësi. Burime pranë klubit korçar, bëjnë me dije se kryesia e tij është e interesuar për afrimin e aksionerëve të huaj, dhe kinezët kanë qenë ata që kanë shfaqur interes në këtë periudhë, ndaj nuk përjashtohet mundësia që, në rast akordi me ata që “eksploruan” Korçën, presidenti Takaj t’u japë një pjesë të aksioneve të klubit të Skënderbeut.
Sigal