Supergoditja e Partizanit, Emiljano Vile vishet i kuq

706
Sigal

Mesfushori i Kombëtares firmos për një vit me 15 herë kampionët e Shqipërisë. Sot, prezantimi zyrtar

Emiljano Vila është zyrtarisht lojtar i Partizanit. Klubi konfirmon goditjen e radhës në merkato duke përforcuar tashmë ndjeshëm organikën e skuadrës, që në këtë sezon do të synojë fitimin e të dy trofeve në vend. Akordi mes 26-vjeçarit dhe Klubit është arritur mesditën e sotme teksa është nënshkruar edhe kontrata 1- vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Pas eksperiencës tepër pozitive në kampionatin grek tek skuadra e Pas Janinës, Vila aktualisht edhe pjesëtar i ekipit tonë Përfaqësues rikthehet në Kategorinë Superiore me fanellën e Partizanit pas aventurave të mëparshme në vend me Teutën dhe Dinamon. Prezantimi i Emiljano Vilës do të zhvillohet sot në orën 10:00 në ambientet e klubit të kuq. Karriera

HISTORIA KUNDËR

Historia futbollistike e Emiljano Vilës lidhet ngushtësisht me Teutën e Partizanit. Futbollisti durrsak debutoi me Teutën pikërisht në një ndeshje kundër Partizanit, më 26 nëntor 2006, në një takim të zhvilluar në kryeqytet, kur Vila, atëherë 18 vjeç luajti si zëvendësues në vend të Bledar Mancakut. Goli i parë i tij erdhi ndeshjen e tetë të ri, pikërisht ndaj Luftëtarit, më 10 mars 2007, në një takim të fituar 3-0 nga ekipi durrsak. Pas paraqitjeve të mira më Teutën, shënoi 30 gola në 70 ndeshje gjatë katër sezoneve përfshirë ai nënshkroi një kontratë katërvjeçare me kampionen e Kroacisë, Dinamon e Zagrebit (19 qershor 2009), kjo edhe më ndërmjetësimin e ish-trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe. Ai u huazua më pas te Lokomotiva e Zagrebit, për t’u rikthyer në Shqipëri te Dinamo (2010-2011, 45 ndeshje, 15 gola). Më 30 qershor 2011, Vila së bashku edhe me mbrojtësin e Kombëtares, Andi Lila, nënshkruan me klubin grek PAS Janina, për të cilin luajti tre sezone në vitet 2001-2014, duke u aktivizuar në 27 ndeshje e shënuar shtatë gola. Tashmë, Vila rikthehet sërish në Shqipëri, por kësaj radhe me Partizanin.

ME KOMBËETAREN

Emiljano Vila veshi për herë të parë fanellën e Kombëtares A, gjatë një ndeshje miqësore me Gjeorgjinë në vitin 2009. Ai ka shënuar tre gola në 27 ndeshje. Goli i tij parë ndërkombëtar është shënuar kundër Qipros, në një miqësore të fituar 6-1 më 12 gusht 2009 (fitorja më e thellë e Shqipërisë). Vila ka shënuar edhe në fitoren 1-0 në miqësoren kundër Iranit në Stamboll (27 maj 2012), si dhe kundër San Marinos në fitoren 3-0, më 8 qershor 2014.

 SKEDA

Emiljano Vila

Dtl: 12 mars 1988 (age 26)

 Ekipet

2005–2009 Teuta 70 (30)

2009–2010 Dinamo Zagreb 0 (0)

2009 Lokomotiva Zagreb (huaz.) 6 (0)

2010–2011 Dinamo 45 (15)

2011–2014 PAS Janina 79 (8)

 Me Kombëtaren

2003–2004 Shqipëria U-17 1 (0)

2005–2006 Shqipëria U19 3 (1)

2007 Shqipëria U21 9 (0)

2009 Shqipëria A 27 (3

Miqësore U-19, Shqipëri-Kroaci

 Ekipi Kombëtar i Shqipërise U-19 do të luajë sot me Kroacinë e asaj moshe (11:00), ndërkohë që më 8 gusht do të ndeshet me Azerbajxhanin (17:00). Kuqezinjtë e drejtuar nga Trajneri Foto Strakosha do të zhvillojnë 2 takime miqësore, në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e Kampionatit Europian U-19. Strakosha ka thirrur 18 lojtarë, pjesa më e madhe të të cilëve luajnë jashtë.

Shumë pak nga Kapllani e Roshi

 FSV Frankurti i Edmond Kapllanit dhe Odise Roshit humbi 2-1 ndeshjen e parë të Bundesligës 2 me debutusit e Hajdenhajmit. Sulmuesi Kapllani e nisi si titullar (u zëvendësua në minutën e 66-të ) ndërsa mesfushori Roshi u fut në lojë si zëvendësues në minutën e 67-të. Të dy dhanë shumë pak në fushën e lojës, teksa Kapllani mori vlerësimin më të dobët nga revista sportive “Kicker”, nota 5.

Shaqiri, te Liverpuli për 20 milionë euro

 Xherdan Shaqiri do të jetë lojtar i Liverpulit. Mediat angleze njoftuan se, tashmë marrëveshja është arritur mes gjigantit anglez dhe Bajernit të Munihut, për të paguar 20 milionë euro për shërbimet e shqiptarit. Portali britanik “CaughtOffside” shkruan se Liverpuli ka rënë dakord edhe për termat personalë të kontratës me Shaqirin dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i kësaj blerje. Sipas të njëjtit portal, dëshira e Shaqirit ka qenë që të qëndronte tek Bajerni i Munihut. Gjithsesi, pas një takimi me trajnerin Pep Guardiola, duket se ai nuk ka marrë garancinë për të qenë pjesë e skuadrës së parë të kampionëve të Gjermanisë. Shqiptari nga Gjilani i Kosovës, por që luan me Kombëtaren e Zvicrës, kishte një kontratë më Bajernin e Munihut deti në vitin 2016. Bosi i Liverpulit, Brendan Roxhers, e ka ndjekur Shaqirin prej muajsh dhe shprehu publikisht dëshirën për ta pasur në skuadrën e parë.

 Valencia kërkon Shkodran Mustafin

Valencia synon të sigurojë shërbimet e Shkodran Mustafit, lojtarit shqiptar të Kombëtares gjermane. Lajmin e dha revista gjermane “Kicker”, që citon burime nga klubi spanjoll. 22-vjeçari Mustafi doli Kampioni i Botës me Gjermaninë, duke zgjuar kështu interesimin e shumë klubeve të njohura europiane. Aktualisht, ai luan me Sampdorian në Serinë A. “Ai është një Kampion Bote, ne e njohim atë dhe për momentin ai është një alternativë, të cilin për momentin e kemi para syve tanë”, – tha trajneri i Valencias, Nuno Espirito Santo. Sipas gazetës spanjolle, “Superdeporte”, ndihmëtrajneri Roberto Ajala ndodhet aktualisht në Gjenova të Italisë për të trajtuar transferimin e mundshëm të Shkodran Mustafit.

  E gjithë Superliga jashtë Shqipërisë

 Shumë nga skuadrat e Kategorisë Superiore kanë zgjedhur destinacione të huaja, për të kryer fazën përmbyllëse të përgatitore në prag të sezonit të ri, që nis me finalen e Superkupës midis kampionit Skënderbeu dhe fituesit të Kupës së Shqipërisë, Flamurtarit (16 gusht).

PARTIZANI NË BULLGARI

Partizani vazhdon me intensitet përgatitjet në Bansko të Bullgarisë, atje ku po kryen pjesën e dytë të fazës përgatitore pas dyjavëshit të zhvilluar më parë në Mavrovë të Maqedonisë. Fitorja 2-0 me skuadrën e Superligës greke, Panserraikos, ishte sinjali që priste trajneri Shpëtim Duro. Partizani ka zhvilluar një merkato të fuqishme dhe vlerësohet si një nga ekipet pretedente për titull. Aventura e 15 herë kampionëve nis në sezonin e ri 2014-2015 me transfertën e vështirë të Laçit. Kurbinasit, të cilët arritën të kalonin një tur në Ligën e Europës, tashmë do të drejtohen nga Armando Cungu, pas largimit të Stavri Nicës.

KUKËSI-TIRANË NË MAQEDONI

Kukësi do ta vazhdojë fazën përgatitore në Ohër të Maqedonisë, ku ka qëndruar edhe para ndeshjeve të Europës. Skuadra mbërrit dje në vendin fqinj. Veriorët do të qëndrojnë në qytetin liqenor për rreth 12 ditë, ku trajneri Muça ka përgatitur një stërvitje të larmishme. Testin e parë Kukësi do ta zhvillojë përballë Tironës që gjithashtu ndodhet në Ohër. Shkëlqim Muça, ish-futbollisti dhe trajneri i Tiranës është emëruar pasues i Agim Canajt, pasi mban postin e drejtorit teknik. Afrimi i Hair Zeqirit si dhe ndonjë blerje tjetër cilësore e minutës së fundit e bindën 54-vjeçarin e bindën Muçën për ta marrë përsipër drejtimin e skuadrës përgjatë gjithë sezonit. Edhe Tirana ndodhet prej disa ditësh në Maqedoni.

LAÇI-TEUTA NË AUSTRI

Ekipi i Laçit nisi dje fazën përgatitore dyjavore drejt Austrisë me ndryshime të rëndësishme si në gjirin e skuadrës, por mbi të gjitha në drejtimin teknik. Një lëvizje e papritur ka qenë ajo e marrjes së drejtimit të skuadrës nga trajneri Armando Cungu pas largimit të Stavri Nicës. Trajneri shkodran që drejtoi Kukësin në aventurën e suksesshme në Europë verën e kaluar është nisur bashkë me skuadrën në Austri me një grup të përforcuar në momentet e fundit me dy lojtarë të tjerë, mesfushorin Semiran Cela dhe sulmuesin Lorenc Shehaj që janë bërë pjesë e Laçit vetëm pak momente para nisjes. Gjithashtu pas eksperiencës në Norvegji edhe Bilibashi është kthyer në Shqipëri për tu bashkuar me skuadrën kurbinase. Fundjavën e kaluar Laçi zyrtarizoi dhe firmat e portierit malazez Miroslav Vujadinoviç dhe kroatit Stipe Buljan që do të jenë pjesë e ekipit për sezonin 2014-2015. Pak ditë më parë, Teuta u kthye nga faza përgatitore e zhvilluar në Austri ku kreu edhe gjashtë ndeshje miqësore me ekipe të ndryshme nga Europa. Po, në Austri e kreu fazën përgatitore edhe kampioni Skënderbeu, përpara se ai të ndeshje me BATE Borisovin për turin e dytë të Ligës së Kampioneve.