Super Sadiku e çon Luganon në vendin e parë

541
Sigal

Dopjetë në fitoren 4-1 kundër Vohlen, në Challenge League të Zvicrës. Katër gola në dy ndeshje

Kur Lugano vendosi të investonte te Armando Sadiku një shumë të madhe eurosh për të blerë kartonin e tij, e dinte fare mirë se sulmuesi elbasanas ishte një makinë golash. E kishte vërtetuar me golat e pafund me ish-skuadrën e tij, po të kategorisë së dytë zvicerane, Lokarnos. Tani është Lugano, ajo që po shijon golat e lojtarit të Kombëtares A shqiptare, i cili sezonin e kaluar fitoi “Këpucën e Artë” të kategorisë së dytë zvicerane. Pas dy golave të Sadikut në ndeshjen e parë të tij me fanellën e Luganos, në fitoren 4-0 kundër Biel-Biene, Armando shënoi një tjetër dopjetë, kësaj radhe ndaj Vohlen, në fitoren 4-1 të ekipit të tij. Sulmuesi 21-vjeçar shënoi golin e parë në minutën e 12-të, për ta dyfishuar rezultuar rezultatin tetë minuta më vonë, në të 20’. Një tjetër shqiptar është autori i golit të tretë, Gëzim Shalaj, ky i fundit shënoi në minutën e 35-të, me një supergjuajtje nga rreth 30 metra. Si Sadiku, ashtu dhe Shalaj, u ngjitën secili në kuotën e katër golave, duke qenë ata realizuesit më të mirë të skuadrës së tyre, Luganos, që në portë ka një tjetër shqiptar, Pajtim Badallin. Goleada e Luganos u kompletua me rrjetën e realizuar nga Botani në minutën e 73-të. Për Vohlen shënoi golin e vetëm Ianu, ndërkohë që miqtë humbën dhe një penallti.

 ODISE ROSHI – Mesfushori i FSV Frankfurtit, Odise Roshi. Skuadra e anësorit të Kombëtares shqiptare fitoi 2-1 me SG Sonnenhof Grosaspah (Liga Rajonale), po në raundin e dytë të Kupës së Gjermanisë. “Raketa” fierake luajti gjatë gjithë takimit, ndërkohë që sulmuesi durrsak Edmond Kapllani nuk u aktivizua. Me SG Sonnenhof Grosaspah luajtën kosovarët Shqipërim Binakaj dhe Shaban Ismaili.

 AGOLLI-TELI – Kharabag i Admir Telit dhe Ansi Agollit regjistroi një fitore të bujshme 6-1 në transfertë kundër Sumqayrt, në ndeshjen e vlefshme për javën e 3-të të kampionatit azerbajxhanas. Mesfushori Ansi Agolli dha asistin e golit të parë të Kharabagut, të realizuar nga Riçard në minutën e 14-të, ky i fundit shënoi me një veprim akrobatik. Golat e tjerë u shënuan nga Sadiqov (21’) me penallti, Muaremin (59’ dhe 63’), Jusifov (90’)

 ARMANDO VAJUSHI – Sulmuesi shkodran luajti si titullar në barazimin 1-1 të Liteks Loveçit të tij, në transfertën me Lokomotivën e Plovdivit. Vajushi u zëvendësua në minutën e 69-të nga Cvetanov, ndërkohë që shpesh herë ishte i rrezikshëm në vijën e parë. Milanov shënoi i pari për Liteksin në minutën e 45-të, por Petrov barazoi për Lokomotivën në të 50’.

 BEKIM BALAJ – Sparta e Pragës fitoi 3-1 kundër Çeske Budojevice, në ndeshjen e vlefshme për javën e 4-t të kampionat çek, por sulmuesi shkodran qëndroi gjatë gjithë kohës në bankinë. Balaj, i cili u transferua gjatë kësaj vere në Çeki, për shumën e 70 mijë eurove, ka shënuar një gol deri tani, pikërisht në fitoren 4-1 në transfertë kundër Slovackos.

 JAHMIR HYKA – Luzerni i Jahmir Hykës është në krizë të thellë rezultatesh në kampionatin maksimal zviceran. Skuadra e shqiptarit humbi në shtëpi 2-0 me Grasshopersit. Hyka luajti si zëvendësues nga minuta e 46-të. Për Lucernin kjo ishte humbja e tretë në gjashtë ndeshje, duke zënë vendin e parafundit. Me Grashopersin luajnë katër kosovarë: Amir Abrashi, Taulant Xhaka, Orhan Mustafi dhe Mërgim Brahimi, ky i fundit është kontingjent i Kombëtares U-21 shqiptare. Me Lucernën luan Hekuran Kryeziu.

E rrallë

Prindërit bëjnë tifo kundër djalit të tyre, Mërgim Mavrajt

Euforia e Grojther Frojthit të kapitenit shqiptar, Mërgim Mavraj, kur skuadra e sapo ngjitur në Bundesligë, mori një goditje të rëndë në paraqitjen e varfër në Kupën e Gjermanisë, në humbjen e 2-0 me Kikers Ofenbah, të Ligës së Tretë gjermane. Midis 7620 shikuesve ishin të pranishëm edhe prindërit e Mavrajt, që jetojnë në Ofenbah, pikërisht në qytetin e skuadrës që mundi djalin e tyre, duke qenë midis fansave të lumtur, duke përbërë lajm ën të gjithë Gjermaninë. Mërgim Mavraj, i cili të mërkurën luajti me Kombëtaren e Shqipërisë, në barazimin 0-0 në miqësoren me Moldavinë, duke folur për gazetën e njohur gjermane “Welt” tha: “Ne duhet ta fillojmë nga fillimi dhe të hedhim bazat sa më shpejt që të jetë e mundur”. Grojther luajti pa ide, duke qenë një zhgënjim, dhe këtë e pranoi dhe trajneri Mike Byskens: “Lojtarët e mi ishin jashtë forme”.

Alban Meha, gol në sytë e De Biazit

Mesfushori kosovar, Alban Meha, i cilësuar si një nga kandidatët e ekipit kombëtar, shënoi golin e vetëm për Padeborin, në humbjen 3-1 me Arminian e Bielefeldit, në takimin e vlefshëm për raundi e dytë të Kupës së Gjermanisë. Padeborni u eliminua. Ky ishte goli i tij tretë në këtë sezon, përfshirë dhe dy që ka realizuar në Bundesligë. Në tribunën “VIP” të “Shuko Arena”, në Bielefeld, ishte i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De  Biazi.  Te goli shkoi edhe kosovari Leutrim Neziraj, i cili realizoi golin e vetëm të ekipit të tij, Notingnen (Kategoria e katërt) në humbjen 6-1 me Hanoverin (ish-skuadrën e Altin Lalës), në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Gjermanisë.

ANGLI

Fitore “thriller” e Mançester Sitit

Mançester Siti e nisi mbrojtjen e titullit me një fitore të ngushtë 3-2, ndaj Sauthemptonit, debutuesit që arritën të kalojnë përkohësisht në avantazh 2-1, kur Stivën Dejvis shënoi në pjesën e dytë. Karlos Tevez shënoi i pari për Sitin në minutën e 40-të, por Riki Lambert (59’) dhe Stivën Dejvis (68’) i çuan shifrat në 1-2 në “Etihad Stadium”. Zëvendësuesi Edin Xheko (72’) dhe fantazisti francez Samir Nasri (80’) kompletuan fitoren e kampionëve të Anglisë. Në ndeshjen tjetër të ditës së diel, Çelsi mundi 2-0 Uiganin, me dy gola brenda shtatë minutave tw para: Ivanoviç (2’) dhe Lampard (7’, me penallti). Të shtunën, dy skuadrat e mëdha angleze që synojnë majat e Premier Ligës, Arsenal e Liverpuli, nuk e nisën mirë sezonin e ri. Topçinjtë kanë ndarë pikët në “Emirates” me Sunderlandin duke mbyllur ndeshjen pa gola. Të kuqtë e Liverpulit kanë pësuar disfatë duke u mundur nga Uest Bromuiç 3-0. Fitore të thellë ka shënuar Fulhamo që para tifozëve të vet turpëroi Noruiçinh me rezultatin 5-0. Me të njëjtin rezultat ka fituar edhe Suonsi që në transfertë mundi QPR-në. I rikthyer në Premier Ligë, Uest Hem e ka nisur me fitore edicionin e ri të garave, pasi që mundi Aston Vilën prej 1-0. Golin e vetëm për vendësit e shënoi Nolan. Të hënën do të luhet ndeshja midis Evertonit dhe Mançester Junaitid, ky me “Djajtë e kuq” do të debutojë blerja e re, Robin van Persi.