Sulejman Starova: Skuadra nuk ka dhënë më të mirën, ndaj klubi po punon për kompletimin e saj

139
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i Partizanit, ja situata në gjysmën e parë të sezonit dhe puna për arritjen e synimeve në pjesën e mbetur
Këto ditë pas mbylljes së gjysmës së parë të sezonit, ndjeheni i plotësuar në stolin e Partizanit?
Ju e dini se sa e madhe është skuadra e Partizanit në futbollin shqiptar, dhe që ta drejtosh atë, sot është, jo vetëm një detyrim profesional, por edhe respekt ndaj historisë së tij. Ndaj mbi çdo rezultat që është arritur nën drejtimin tim, unë ndjehem i vlerësuar dhe i respektuar në këtë skuadër.

Në shtatë javët që ju e drejtuat Partizanin, çfarë ndryshoi te skuadra?
Së pari, mendoj se ndryshoi mentaliteti i fituesit, që kishte humbur në ndeshjet e mëparshme. Skuadra u bë më kompakte dhe më e besueshme për mundësitë e forcat aktuale që ka. Më pas, në skuadër nuk mundën të kishin vend futbollistë pa gjendje fizike dhe të pamotivuar për bluzën e Partizanit.

Nga Partizani janë larguar disa lojtarë që erdhën me shumë bujë në merkaton e verës, pse ndodhi kështu?
Gjithçka ka ndodhur me largimin e lojtarëve nuk është pjesë e imja, por vetëm e klubit. Ata e panë situatën më konkretisht, e vlerësuan me profesionalizëm dhe morën masat e duhura. Që të mos i shërbesh skuadrës, nuk ke pse të kacavirresh pas emrit të saj.

Gjithsesi, Edgar Çani është deklaruar nga klubi se nuk do të largohet, ju e mendoni të vlefshëm për Partizanin dhe synimit e tij në këtë pjesë të mbetur të sezonit?
Të gjitha lëvizjet në skuadër organizohen e drejtohen nga klubi. Drejtuesit e kanë menduar se ai vlen për skuadrën tonë, dhe për vitin tjetër që do vetëm pak ditë të vijë, ai është deklaruar i gatshëm. Por gjithçka do të vlerësohet vetëm në fushën e lojës.

Nisur nga problematika që skuadra shfaqi në gjysmën e parë të sezonit, çfarë keni menduar për gjysmën e dytë?
Kjo është edhe periudha më e ngjeshur dhe më problematike për organizim, sepse nuk mund të kompletosh e përgatitësh skuadrën në një kohë të shkurtër, për objektiva madhorë që janë Kampionati dhe Kupa e Shqipërisë. Por, gjithçka ka marrë rrugën e duhur nga drejtuesit e klubit, dhe unë jam optimist për një ndryshim të madh cilësor të skuadrës.

“Ethet” e merkatos së janarit, ku ju kanë përqendruar?
Klubi po punon për ta kompletuar skuadrën në dy-tre reparte, por me lojtarë cilësorë. Duke qenë pjesë e drejtuesve, unë besoj se ata do të bëjnë më të mirën në këtë periudhë, për të sjellë në skuadër lojtarë me eksperiencë, që të bëjnë diferencën me të tjerët.

Keni menduar që të zhvilloni një periudhë 10 ditore në Turqi, sa vlen kjo në këtë periudhë?
Vlen shumë, sepse gjatë kësaj kohe në Turqi në datat 8-18 janar, do të kemi mundësinë që edhe të kompletohemi me lojtarë të rinj dhe të shohim formën e tyre, por edhe të korrigjojmë mangësi që skuadra i shfaqi në gjysmën e parë të këtij sezoni.

Në gjysmën tjetër të sezonit, kujt i druheni për arritjen e synimeve tuaja: Rivalëve, gjyqtarëve apo konjukturave?
Të gjithëve, dhe asnjërit. Kur them të gjithëve, kam parasysh se unë jam trajneri i Partizanit, skuadër që nuk hyn në pazare e konjuktura. Rivalëve nuk i druhemi, por i vlerësojmë të gjithë, ndërsa për arbitrat nuk kam ndrojtje. Kam vetëm një këshillë, që të arbitrojnë me profesionalizëm e të pandikuar nga konjukturat që mund të shfaqen.

Dhe Partizani do të mbetet ende në synimet që kishte në fillimin e këtij sezoni?
Natyrisht që po, sepse kjo nuk është skuadër e ndërtuar për të kaluar radhën në Kategorinë Superiore. Një skuadër e madhe si Partizani, në çdo sezon i synon të gjithë trofetë e tij, dhe kështu mendojmë se do të jemi brenda më të mirës së mundshme.
Lajmi i mirë, Ademi: Vllaznia merr pagat dhe shitet në prill
Dje, pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, edhe nën cilësinë e Presidentit të FK “Vllaznia, ka bërë me dije se shitja e aksioneve të klubit do të nisë në muajin prill. Ky është një lajm i mirë për këtë skuadër që po vuan nga financat, ndërkohë që ish-presidenti Valter Fushaj ka shprehur interesin për të marrë drejtimin e skuadrës, dhe në muajin prill pritet fillimi i negociatave të tij me Bashkinë Shkodër. Ndërkohë që më parë në këtë mbledhje, u miratua edhe fondi, por që ky buxhet duhet të marrë firmën e Prefektit të Shkodrës, e më pas do të derdhet në thesar. Kjo procedurë kërkon një afat kohor, kështu që futbollistët e Vllaznisë duhet të presin edhe pak kohë për të marrë pagat e prapambetura.
Ndeshjet-Java e 17-të 
Datë 20 janar 2018
Vllaznia-Kukësi 14:00
Luftëtari-Skënderbeu 14:00
Partizani-Flamurtari 14:00
Teuta-Lushnja 14:00
Kamza-Laçi 14:00

RENDITJA 
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5. Partizani 16 24
6. Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8. Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8