Sulejman Mema: “Tiranën po e drejtojnë të paaftët”

598
Sigal

Ish-trajneri bardheblu analizon për “Telegraf” sezonin: “Ta bëjmë futbollin më të besueshëm”

 Sulejman Memës i dhemb shumë ajo që po përjeton Tirana gjatë këtij sezoni futbollistik, skuadra ku ka fituar tituj kampion: dy si lojtar (1981-1982, 1984-1985) dhe dy në rolin e trajnerit (1995-1996 dhe 1998-1999). Ish-mesfushori i Kombëtares vlerësohet në ambientin sportiv për integritetin e tij si një nga drejtuesit administrativë më të zotë që, ka pasur klubi bardheblu. Për gazetën “Telegraf”, Mema tha: “Më vjen keq për Tiranën që, është katandisur në këtë pikë. Është një skuadër pa një shtyllë kurrizore të mirë. Ka qenë më shumë e fokusuar midis debateve shterpë dhe fjalëve boshe. Kam përshtypjen se, çalon më shumë te drejtimi”. Sipas trajnerit të njohur, Skënderbeu është dhe skaudra që ka bindur plotësisht: “Pati një vazhdimësi nga kampionati i kaluar, ku dhe fitoi titullin, dhe këtë e reflektoi edhe në këtë pjesë të parë të sezonit. Sigurisht, që ka dhe futbollistë më cilësorë. Ka një angazhim total nga presidenca e klubit”. Në lidhje me dyshimet për trukimin e ndeshjeve, Mema tha: “Është e turpshme për futbollin shqiptar, nëse ndeshjet do të rezultonin të trukuara. Duhet të gjendet sa më shpejt një zgjidhje, për ta bërë futbollin tonë sa më të pastër dhe sa më të besueshëm”.

  – Zoti Mema, sezoni futbollistik shqiptar mbylli fazën e parë, ku në Kategorinë Superiore, spikati Skënderbeu, ndërsa në atë të Parë, Lushnja. Si do ta vlerësonit?

 – Nuk mund ta konsideroj një sezon cilësor, pasi shumë skuadra kanë shfaqur luhatje të madhe në vazhdimësinë e tyre. Sipas gjykimit tim, diferencën e bëri Skënderbeu, që u shpall me meritë dhe “kampion i dimrit”. Është një klub më i organizuar se rivalët e tij, është një skuadër më solide dhe serioze. Pati një vazhdimësi nga kampionati i kaluar, ku dhe fitoi titullin, dhe këtë e reflektoi edhe në këtë pjesë të parë të sezonit. Sigurisht, që ka dhe futbollistë më cilësorë. Ka një angazhim total nga presidenca e klubit, dhe kësaj i shtoj edhe ambientin e kulturuar. Nëse kjo do të ishte dhe në rrethet e tjera të vendit, pa dyshim që do të rritej edhe cilësia në futboll. Për Kategorinë e Parë, Lushnja është duke bërë një sezon të mirë, dhe një paraqitje të mirë po bëjnë edhe skuadrat që e ndjekin atë, Mamurrasi dhe Partizani. Prisja më shumë nga Dinamo.

 – Edhe pse një skuadër debutuese në Superligë, Kukësi bëri një paraqitje të mirë: vendi i pestë dhe në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Cili është mendimi juaj për performancën e kuksianëve?

 – Kukësi është një skuadër simpatike, jo ende shumë cilësore, por që jep maksimumin në fushë. Unë mendoj se, ka marrë atë që ka merituar. Investimet financiare të kryera, përfshirë dhe stadiumin e ri, drejtuesit e skuadrës që, kanë eksperiencë të mirë në kampionatin shqiptar bën të mundur që të jetë në ato nivele.

 – Një nga skuadrat që ka zhgënjyer më shumë është Tirana, ish-ekipi ku keni milituar si futbollist dhe keni drejtuar si trajner. Përse ka ndodhur kjo?

 – Më vjen keq për Tiranën që, është katandisur në këtë pikë. Është një skuadër pa një shtyllë kurrizore të mirë. Ka qenë më shumë e fokusuar midis debateve shterpë dhe fjalëve boshe. Kam përshtypjen se, çalon më shumë te drejtimi, pasi një drejtim jo korrekt i skuadrës dhe implikimi i drejtuesve me lojtarët, gjykoj se e kanë çuar këtë klub të madh në atë gjendje. Janë të paaftë dhe po e degjenerojnë në atë derexhe klubin. Nuk dëshiroj të përmend emra, pasi i dinë të gjithë tashmë.

  – Ju përmendët faktin e një drejtimi jo profesional të Tiranës. Cilat janë argumentet tuaja?

 – Marrëdhëniet jo klasike të drejtuesve me lojtarët bënë të mundur edhe largimin e ish-trajnerit Artur Lekbello. Për të gjithë ata që, e njohin mirë ambientin, e them me bindje se pati një përputhje për ta abandonuar Lekbellon për të përshpejtuar largimin e tij. Unë mendoj se, Lekbello ishte një figurë sinjifikative e futbollit shqiptar, madje lojtar i Kombëtares, e për më tepër ishte dhe një nga ikonat e Tiranës, për të mos përmendur këtu si ishte një djalë me karakter. Pra, drejtuesit dhe lojtarët, me apo pa qëllim kontribuuan në largimin e Lekbellos. Mos harrojmë atë eliminim të turpshëm nga Kupa e Shqipërisë nga Kukësi, të nisur qysh me atë humbje të thellë 4-0 në ndeshjen e parë. Kupa e Shqipërisë ishte një nga objektivat e Tiranës.

 – Kontestimet janë shndërruar në normalitet në futbollin tonë…

 – Mund të jetë edhe kështu, por që të mos duash skuadrën tënde, kjo po ndodh vetëm te Tirana. U vendos një drejtues për të administruar klubin, ndërkohë që individë të tjerë të brendshëm u bënë palë me lojtarët për të shkarkuar një trajner të ri. Dhe këta janë ndër më të paguarit. Tirana ka bordin e saj, por njerëzit e tij nuk kanë qenë dakord me një nivel të caktuar pagash. Tani që, te Tirana ka probleme pagesash, drejtuesit nuk janë në gjendje t’u kërkojnë as llogari lojtarëve. Këta të fundit duhet ta ndjejnë më shumë përgjegjësinë. Mund të jenë djem të mirë, por si lojtarë nuk janë në gjendjen optimale.

 – Zoti Mema, para pak kohësh kompania ndërkombëtare e monitorimit të ndeshjeve, “Sportradar”, hodhi dyshime të forta mbi ndershmërinë e kampionatit tonë, duke e cilësuar atë si më të korruptuarin në botë. Cili është mendimi juaj?

 – Është e turpshme për futbollin shqiptar, nëse ndeshjet do të rezultonin të trukuara. Duhet të gjendet sa më shpejt një zgjidhje, për ta bërë futbollin tonë sa më të pastër dhe sa më të besueshëm.

 – Paraqitjet e klubeve shqiptarë në arenën europiane lënë shumë për të dëshiruar, përse ndodh kjo?

 – Klubet tona dështojnë pasi nuk janë të organizuara mirë për t’u bërë ballë ekipeve të tjera europiane, qysh në fazën eliminatore, dhe për më tepër, gjykoj unë, nuk përgatiten seriozisht.

KATEGORIA SUPERIORE

RENDITJA PAS FAZËS SË PARË

1    Skënderbeu      13   +19  33

2    Teuta           13   +3   23

3    Tirana          13   +5   22

4    Bylis           13   +6   21

5    Kukësi          13   +5   21

6    Laçi            13   +1   21

7    Flamurtari      13   +5   19

8    Vllaznia        13   +1   17

9    Besa            13   -2   16

10   Kastrioti       13   -7   15

11   Shkumbini       13   -7   12

12   Luftëtari       13   -6   11

13   Apolonia        13   -11  8

14   Tomori          13   -12  6

KATEGORIA E PARË

RENDITJA PAS FAZËS SË PARË

1    Lushnja         15   +16  36

2    Mamurrasi       15   +9   29

3    Partizani       15   +0   27

4    Pogradeci       15   +3   26

5    Tërbuni         15   +10  24

6    Iliria          15   +6   23

7    Butrinti        15   +2   22

8    Dinamo          15   +1   20

9    Burreli         15   +1   20

10   Elbasani        15   -7   17

11   Gramshi         15   -7   17

12   Ada             15   -3   15

13   Himara          15   -4   15

14   Besëlidhja      15   -4   14

15   Kamza           15   -8   14

16   Naftëtari       15   -15  7

KATEGORIA E DYTË

RENDITJA PAS FAZËS SË PARË

GRUPI A

1    Veleçiku        9    +12  22

2    Olimpiku        9    +6   17

3    Vora            9    +5   16

4    Turbina         9    -2   15

5    Sukthi          9    +5   13

6    Domosdova       9    +1   13

7    Luzi 2008       9    +0   13

8    Korabi          9    -4   12

9    Erzeni          9    -11  6

10   Egnatia         9    -12  1

GRUPI B

1    Tepelena        9    +16  25

2    Albpetrol       9    +19  24

3    Bilisht Sporti  9    +8   19

4    Delvina         9    +7   15

5    Sopoti          9    -2   12

6    Gramozi         9    -10  10

7    Memaliaj        9    -3   8

8    Skrapari        9    -11  8

9    Përmeti         9    -13  5

10   Këlcyra         9    -11  3

“Presidentët janë bërë  më ekspprtë se trajnerët”

 Sulejman Mema është një trajner karrierë dhe me eksperiencë të madhe, madje ka punuar edhe si drejtues në Sektorin e Garave të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që tani është drejtori i Shkollës Kombëtare të Fubollit, “Loro Boriçi”. I pyetur në lidhje me shkarkimin e shpeshtë të trajnerëve në kampionatin tonë, Mema tha: “Në gjykimin e parë, kjo varet nga ecuria e rezultateve të trajnerëve. Por, dua të theksoj një fakt se, tani presidentët janë bërë më ekspertë se trajnerët. Ligjin e bëjnë presidntët, kështu që trajnerëve u mbetet vetëm të vuajnë pasojat”. Kategoria Superiore gjatë 13 javëve të para ka parë dhjetë bankina të ndryshuara apo të rindryshuara, ku vetëm në javën e parë dhanë dorëheqjen, u shkarkuan apo refuzuan kontratën tre trajnerë: Hulian Rubio (refuzim kontrate me Tiranën); Përparim Daiu (i dorëhequr nga Laçi) dhe Shkëlqim Muça ( i shkarkuar nga Flamurtari). Në javën e dytë u shkarkua trajneri i Teutës, Hasan Lika. Odiseja e shkarkimeve dhe largimeve vazhdoi me pas me Stavri Nicën, që u vetëlargua në mënyrë enigmatike nga drejtim i Laçit. Java e 8-të mund të konsiderohet edhë si kryejava e largimeve: tre të tillë, Artan Mërgjyshi nga Kastrioti, për të vazhduar me Nevil Deden nga Luftëtari, Artur Lekbello nga Tirana, dhe i fundit në radhë është Ernest Gjoka nga Apolonia. Odiseja vazhdon me Tomorin, kur vetëlargohet Kristaq Mile në javën e 9-të, dhe një javë më pas dha dorëheqjen edhe Gugash Magani i Shkumbinit. Pas javës së 11-të ishte radha e Agim Canajt. Gjithsesj në këto 11 javë janë 20 trajnerë në 10 skuadra që kanë ndryshar. Vetëm 4 skuadra nuk i kanë ndryshuar trajnerët: Skënderbeu, Vllaznia, Kukësi dhe Besa. Gjithsej janë 24 trajnerë në 14 skuadra.

 Vlerësimi për trajnerin e Kombëtares

 “Xhani De Biazi po hedh bazat e një Kombëtareje cilësore”

 Nëntë ndeshje ndërkombëtare, katër zyrtare për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014” dhe pesë ndeshje miqësore, madje tre tepër të veçanta, pasi u përballëm me Katarin në Madrid, Iranin në Stamboll dhe Kamerunin në Gjenevë, ishin të mjaftueshme për t’i bërë një portret të plotë trajnerit italian, Xhani De Biazi, në vitin e tij të parë të punës në vendin tonë.   Në nëntë ndeshje, De Biazi koleksionoi katër fitore, dy barazime dhe tri humbje, çka e bën atë më të suksesshmin në se  çdo trajner tjetër i përfaqësueses në nëntë ndeshjet e para. “Gjykoj se, trajneri De Biazi po bën me të vërtetë një punë cilësore në Shqipëri. Ka evidentuar futbollistë të rinj me kualitet dhe ka hedhur një bazë të nevojshme për të ardhmen. Cilido trajner që, do ta pasojë De Biazin do ta ketë më të lehtë. Mendoj se, duhet ta administrojë mirë grupin e lojtarëve që ka në dispozicion. Është një trajner intelektual”. Trajneri italian i Shqipërisë, Xhani De Biazi, grumbulloi gjashtë pikë në katër ndeshjet e para të tij, në kualifikueset e Botërorit “Brazil 2014”, duke barazuar rekordin e mbajtur nga gjermani Hans-Peter Brigel, me këtë të fundit që i mori po gjashtë pikë në eliminatoret e Kampionatit Botëror 2006, finalet e të cilit u luajtën në Gjermani.  Kuqezinjtë e mbyllën këtë vit kalendarik me ndeshjen miqësore të 14 nëntorit kundër Kamerunit të Samuel Etosë, të cilën e barazuan 0-0 në Zvicër, ndërsa kanë marrë dy fitore në fushatën eliminatore të Grupit E, në start me Qipron, me rezultatin 3-1, dhe në ndeshjen e katërt me Slloveninë, me rezultatin 1-0. Skuadra e De Biazit ka humbur 2-0 me Zvicrën, në fushën e kësaj të fundit, dhe është mundur 2-1 nga Islanda, në “Qemal Stafa”. Në këtë mënyrë, kemi grumbulluar 6 pikë, që na pozicionojnë në vendin e tretë, me 6 pikë, aq sa ka edhe Islanda, por me golaverazh më të dobët se ne. Kualifikuesja e radhës e kuqezinjve do të luhet pikërisht ndaj Norvegjisë, në fushën e këtyre të fundit, më 22 mars 2013. Norvegjezët kanë 7 pikë nga katër ndeshjet e para.