Sulejman Mema: Futbolli modern dhe skuadrat e elitës

1156
Sigal

Nga Agron KAJA

Në këndvështrimin e specialistit të futbollit, si e shikoni situatën e skuadrave të Superiores në këtë periudhë përgatitore?

Situata e çdo skuadre në këtë periudhë që lidhet me përgatitjet e merkaton për sezonin e ri, varet shumë për nga mënyra se si e ka kapur secila prej tyre këtë cikël. Skuadrat që morën pjesë dhe po vazhdojnë në Evropë, i kanë filluar përgatitjet e merkaton, të tjerat janë në proces.

Të gjitha skuadrat kanë deklaruar merkato, si është duke u zhvilluar ajo realisht?

Merkatua duhet të jetë shumë e besueshme, jo vetëm në anën faktike të saj, por edhe në atë financiare e sportive. Në testet e fundit, në prag të fillimit të sezonit të ri, do ti shohim vlerat e merkatos që ka bërë çdo skuadër në këtë sezon.

Për skuadrat që morën pjesë dhe vazhdojnë në turet e Evropës, do të jetë ngarkesë fizike kjo periudhë?

Ngarkesë krijohet, sepse përpos përgatitjeve, këto skuadra kanë zhvilluar edhe miqësore, e më pas ato zyrtare në Evropë. Por unë mendoj se ato e kanë eksperiencën e duhur që të alternojnë gjithçka, dhe nuk besoj se kjo përgatitje e tyre do të kthehet në lodhje gjatë garës.

E prisnit që Luftëtari të përflitej për trukim në dy ndeshjet me Ventspils të Letonisë?

Në këtë rast, unë kam përshtypjen e mosbesimit, edhe nëse do të jetë e vërtetë. Momentalisht  nuk duhet që t’i besojmë shumë aludimeve, e këtu rikujtoj dënimin e pamerituar të Skënderbeut. Sot u bë e modës që, për rezultate të papritura, skuadrave t’u vishet kostumi i trukimit.

Në tërësi, cilat skuadra i shikoni më të organizuara në këtë periudhë përgatitore?

Edhe për këtë përgjigje, unë do të prisja fillimin e Kampionatit. Madje me shumë interes, javën e 6-të kur edhe do të luhet “derbi” i kryeqytetit Tirana-Partizani. Gjithsesi, edhe skuadrat e tjera kanë bërë lëvizjet e tyre, të cilat më shumë kushtëzohen nga buxhetet që ato kanë.

Si ju duket fakti që, nga 10 skuadrat e Superiores, vetëm Tirana nuk e ka lëvizur trajnerin?

Tirana është skuadër e madhe, në histori dhe në realitet, edhe pse në një sezon luajti si inferiore në Kategorinë e Parë. Për trajnerët mendoj se edhe ata janë pjesë e informalitetit, sikundër edhe me ndonjë lojtar, për të cilët mësojmë për problemet e tyre vetëm kur mbyllet sezoni.

Nisur nga ky realitet, cili është “horoskopi” juaj për sezonin e ri 2018-2019?

Mendoj se do të jenë po ato skuadra në kryesim, sikundër në sezonin e kaluar, por këtu e shoh Tiranën shumë afër kryesimit, e më tej Flamurtarin me Teutën. Për mua, horoskopi anon nga ndeshje të bukura, Fair-play dhe me më shumë tifozë. Këtë e kërkon futbolli modern dhe ai profesionist.