Sulejman Mema: Duka ka sukses në krye të FSHF-së, në garë të kishte një kandidat nga sporti

673
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti e trajneri i Tiranës e Partizanit, ja këndvështrimi i tij për situatën e futbollit shqiptar
Si drejtues i Shoqatës Rajonale të Futbollit në Tiranë, i ndjek ndeshjet e të gjitha kategorive që kap kjo shoqatë?
Natyrisht që po, sepse ky është më shumë një detyrim profesional. Ndaj e racionoj kohën, për të ndjekur sa më shumë ndeshje të skuadrave që aderojnë në Shoqatën Rajonale të Tiranës. Kur gjej mundësi e kohë, shoh edhe ndonjë ndeshje tjetër.

Në Kategorinë Superiore sot, nga skuadrat e kryeqytetit është vetëm Partizani, si ndjeheni ju, kur në kohën tuaj luanin tre skuadra, të tria pretendente?
Ka qenë tjetër kohë, e natyrisht që të tria skuadrat e kryeqytetit: Tirana, Partizani e Dinamo, ishin pjesë e Superiores (atëherë Kategoria e Parë). Sot jemi në sistem tjetër ku së bashku me jetën e qytetarëve, ndryshim kanë pësuar edhe skuadrat sportive, në veçanti ato të futbollit në Tiranë.

Disa skuadra të Kategorisë Superiore janë stërvitur në Antalia të Turqisë, me përgatitjet, merkaton e miqësoret, ka qenë kjo një ngarkesë e madhe fizike?
Për mendimin tim, faza përgatitore më e mirë është ajo që zhvillohet në stinën e verës, ndërkohë që gjatë janarit, skuadrat bëjnë ndonjë riparim nisu nga mangësitë që kanë vrejtur gjatë gjysmës së parë. Nga sa kam ndjekur, them se ngarkesat që trajnerët u kanë dhënë skuadrave, kanë qenë normale e të përballueshme: Stërvitje-merkato-miqësore.

Njëherësh, futbolli shqiptar është në muajin e fushatës për zgjedhjet e Presidentit dhe të KE të FSHF-së, cili është këndvështrimi juaj?
Është krijuar një situatë që ndoshta nuk do të ishte menduar të sillej e tillë në këtë atmosferë zgjedhore, për mënyrën se si po zhvillohet kjo fushatë. Zgjedhja e Presidentit të ri të FSHF-së ka futur në garë presidentin aktual, një politikan karriere dhe një qytetar. Dy të parët e kanë nisur lojën mediatikisht, dhe mes tyre ka shumë të veçanta.

Kandidati për këtë post, deputeti Bashkim Fino, ju ka quajtur ditë më parë si mik, mos është kjo një krahëmarrje e tij për t’ju marrë votën në Asamble?
Unë nuk dua ta mendoj kështu, por edhe nëse e ka këtë qëllim, është e drejta e tij të mendojë si ti vijë. Finon e kam njohur para vitit 1997, në një ndeshje të Tiranës me Luftëtarin në Gjirokastër, ai ishte kryetar i Bashkisë. Në një rast, ai ka qenë ndërmjetës për një incident që ka ndodhur, dhe për mënyrën se si manovroi, mu duke njeri me kulturë. Kjo nuk ka absolutisht ndikim për atë çka ai përfaqëson në këtë fushatë.

Njëherësh, prej Finos e disa personave të tjerë, mediatikisht janë sulmuar shoqatat e futbollit në disa zona të Shqipërisë, sipas jush, si është e vërteta e krijimit të tyre?
Ky është një sulm dashakeq për futbollin, sepse këto shoqata nuk janë krijuar kur Armand Duka u zgjodh për herë të parë President i FSHF-së më 5 mars 2002. Në vitin 1996, unë së bashku me Bujar Lubanin e disa të tjerë, kemi marrë pjesë në një trajnim në Itali, pikërisht për të parë funksionimin atje të këtyre shoqatave. Madje shkuam edhe në Gjermani, ku në të tilla shoqata punon edhe Vogst, Shtilike apo Shumaker. Ishte modeli më i mirë që ne e morëm dhe e aplikuam që atëherë.

Dhe çfarë të keqe paska që këto funksionojnë sipas modeleve të shteteve me futboll më të përparuar se sa Shqipëria?
Këtë të keqe e dinë ata që po i sulmojnë sot, por sulmet e tyre nuk u drejtohen shoqatave, veçse emrave që i drejtojnë ato në çdo zonë. Kësisoj, sulmet kërkojnë që të shpërndajnë ndonjë votë në interesin e tyre, ndaj duken si atipikë për sa flasin e shpifin.

Duke i vënë përballë dy kandidatët Duka dhe Fino, pa nënvleftësuar edhe kandidatin e tretë, Shpëtim Hala, ju si e mendoni rivalitetin mes tyre në Asamblenë e 7 shkurtit?
Se çfarë rivaliteti do të ketë më 7 shkurt kur të zhvillohet Asambleja, kjo po duket që në këto ditë, periudhë që e quajnë fushatë, por mua nuk më tingëllon mirë, sepse merr nuanca politike. Rivalitet ka pasur gjithmonë në çdo Asamble, e rëndësishme është që komuniteti i futbollit të bëjë zgjedhje të pa imponuar, të dijë të ndajë politikën nga futbolli.

Në mendimin tuaj, cilin nga këta dy kandidatë do të preferonit në postin e Presidentit të FSHF-së?
Kemi dy kandidatë: Së pari Armand Duka që ka sukses në krye të FSHF-së në katër mandatet që e drejton. Kemi edhe një politikan karriere, i cili mendon se, sikundër i është dhënë mundësia të drejtojë në nivelet shtetërore e partiake, të hyjë edhe te futbolli. Unë do të preferoja kandidatë nga biznesi e nga futbolli, nga politika nuk mendoj që futbolli të përfitojë.

Vota është e fshehtë, po juaja do të shkojë për futbollin që duhet, apo për futbollin e politikës?
Votën do t’ia jap atij që ka platformën më të mirë. Deri tani, presidenti aktual i federatës, për mua, është i suksesshëm në drejtim. E përsëris se, ndoshta duhet të kishte një njeri nga sporti për të garuar, jo nga politika, pasi me mbështetjen e politikës, nuk shkon mirë kjo punë. Mos harrojmë se UEFA është e ndjeshme kur ka ndërhyrje të politikës për lojën dhe rregullin strikt për zgjedhjet që ata kërkojnë.
Nuk më pëlqen që të jetë njeri i politikës dhe i mbështetur prej politikës. Edhe vite më përpara, në vitin 1996, kur ka pasur probleme politika me FSHF-në, normalisht që ka fituar futbolli. UEFA është e ndjeshme kur ka ndërhyrje të politikës për lojën dhe rregullin strikt për zgjedhjet që ata kërkojnë.
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 17-të
Të premten, 26 janar 2018 
Kamza-Laçi 14:00
Teuta-Lushnja 14:00
Luftëtari-Skënderbeu 14:00
Flamurtari-Partizani 17:00
Vllaznia-Kukësi 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 16 37
2.Flamurtari 16 28
3.Laçi 16 27
4.Kukësi 16 25
5.Partizani 16 24
6.Kamza 16 23
7.Luftëtari 16 19
8.Teuta 16 15
9.Vllaznia 16 15
10.Lushnja 16 8
Sigal