Sulejman Demollarit:Nga nofka “Platinija” i Shqipërisë, te miqësia me djalin e Kadri Hazbiut

956
Sigal

Ish-kapiteni i Dinamos dhe ish-trajneri i Kombëtares midis “10 sportistëve shqiptarë të shekullit”

Ish-kapiteni i Dinamos dhe i Kombëtares, më vonë dhe trajneri i Kuqezinjve, Sulejman Demollari, u përzgjodh ndër “10 sportistët e shekullit”, një anketë e organizuar nga gazeta më e vjetër sportive në Shqipëri, “Sporti Shqiptar”. Në përzgjedhjen e “10 shekullorëve” votoi dhe gazeta “Telegraf”. Demollari u përfshi në një listë të privilegjuar së bashku edhe legjendat Panajot Pano, Loro Boriçi, Riza Lushta, Refik Resmja, Ela Tase, Ymer Pampuri, Pavlina Evro dhe Elisabeta Karabolli. Gazeta “Telegraf” bisedoi me Sulejman Demollarin, të vetmin futbollist të gjallë, nga list a me “pesë yjet” e topkëmbës. “Sula” ka luajtur 45 ndeshje me përfaqësuesen e Shqipërisë, ndërsa ka qenë dhe kapiteni i ekipit “Shpresa”, që arriti të ishte midis tetë ekipeve më të mira të Europës në vitin 1985.

 – Sulejman Demollari, jeni përzgjedhur midis 10 sportistëve më të mirë shqiptarë të shekullit. Çdo të thotë kjo për Sulën?

– Është vërtet një kënaqësi e madhe të jesh pjesë e asaj liste të zgjedhur, pra midis atyre emrave më të mëdhenj, të famshëm dhe që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për sportin tonë dhe futbollin në veçanti, gjatë 100 viteve si shtet shqiptar. Është më shumë si një vlerësim, kur të cilësojnë si një nga dhjetë sportistët më të mirë të shekullit. Gjithsesi, Shqipëria ka nxjerrë shumë sportistë që mund ta meritonin të ishin në atë listë të përzgjedhur.

 – Ndër “10 sportistët e shekullit” ishin dhe yjet e futbollit  shqiptar, si Panajot Pano, Loro Boriçi, Riza Lushta, Refik Resmja. Një vlerësim që merr përmase me të vërtetë të mëdha, apo jo?

 – Të jesh midis emrave të tillë si Panajot Pano, Loro Boriçi, Riza Lushta, Refik Resmja, është një privilegj i madh për çdo futbollist. Por, në listën e përzgjedhur nga specialistët, gazetarët sportive, lexuesit online të gazetës “Sporti Shqiptar”, ishin dhe emra të tillë si volejbollistja e shkëlqyer, Ela Tase, kampioni i botës në peshëngritje, Ymer Pampuri, apo atletja Pavlina Evro, kampionia e Europës në qitje, Elisbeta Karabolli.

 – Shumë dashuri për nga sportadhësit, por dhe nga njerëzit e medias. Si do ta komentonte Demo?

 – Unë do ta vlerësoja si një respekt, ndaj një punë të bërë me shume seriozitet dhe profesionalizëm. Por, unë dua ta ndaj këtë vlerësim me të gjitha ata, që kanë ndikuar në formimin tim, duke filluar nga trajnerët e moshave, ekipit të Dinamos, dhe deri tek ata të ekipeve kombëtare. Kanë meritë të gjithë bashkëlojtarët e e mi në skuadrën e Dinamos, të brezit tim. Kjo më bën të ndihem i lumtur për këtë anketë të veçantë.

 – Sulë, le të kthehemi te Demollari fëmijë. Pra, në prekjet e para të topit. Si filloi kjo dashuri e madhe?

 – Si çdo fëmijë, edhe unë e kam filluar nga futbolli i lagjeve, pra i rrugicave. Por, unë pata fatin që në kohën time ishin krijuar klasat sportive, në hapat e parë të mi si futbollist, dhe për këtë meritë kanë dhe trajnerët e parë të mi, Thoma Diamanti dhe Albert Oroshi, dy teknikë shumë pasionantë. Nga shkolla ime, “Alqi Kondi”, sot “Pjetër Budi”, ka dalë thuajse një ekip Kombëtar i tërë, që nga Vasillaq Zëri, Petrit Dibra, Albert Minga, Arjan Bimo, Artur Lekbello, etj,. Duke kaluar vitet u ingranova te ekipet zinxhir të klubit Dinamo, tek të para të rinjtë, të rinjtë dhe deri tek ekipi i parë.

 – Ju keni qenë kapiteni i të gjitha ekipeve kombëtare të Shqipërisë, përfshirë Shpresat dhe Kombëtaren e madhe. Një statistikë për t’u pasur zili?

 – Është diçka pikante në karrierën e një futbollisti. Është një kulm për një lojtar, kur ai luan për të gjitha ekipet kombëtare, duke filluar nga Të Rinjtë, Shpresat, Olimpike dhe Kombëtaren A, dhe në të gjitha këto ekipe kam qenë dhe kapiten skuadre. Kam qenë kapiten si te Dinamoja e Tiranës dhe te Dinamoja e Bukureshtit. Kjo më bën vërtet të lumtur. Për mua ka qenë vërtet një karrierë e bukur.

 – Në nëntor të vitit 1990 keni pozuar me një fanellë të Kombëtares së Francës, diçka e pazakonshme për kohën. Si ndodhi?

 – Gjithçka ndodhi para ndeshjes me Francën, një takim për eliminatoret e Euro 2012, më saktë më 17 nëntor 1990. Gazetarët francezë, mesa duket kishin marrë lejë diku, dhe ata më propozuan ta vishja për të pozuar për ta. Në fakt, të vishje bluzën e Francës me “katër asa”, siç e quanim ne, ishte e veçantë dhe për opinionin, apo për ndeshjen që ishte.

 – Ju keni një karrierë të gjatë futbollistike, gati 20-vjeçare, çfarë mbani mend si më pikanten?

 – Momentet më kulmore janë ato me ekipi Kombëtar, që është dhe maksimumi për një futbollist. Kam dalë gjashtë herë si futbollisti i vitit në vendin tonë, në bazë të anketave të organizuara nga “Sporti Shqiptar’. Kam qenë golashënues i njohur në Shqipëri, por dhe në Rumani; kam fituar kampionate në Shqipëri, por dhe në Rumani, por dhe Kupa të Shqipërisë. Mendoj se, kam bërë një karrierë të plotë dhe të kënaqshme për një futbollist.

 – Ju kanë krahasuar me lojtarë të mëdhenj, jo vetëm shqiptarë. Me kë të kanë krahasuar më shpesh?

 – Kam marrë shumë epitete nga specialistët apo tifozët. Gjithsesi, për mua më i rëndësishmi ishte fakti që më krahasoni një hije e Mishel Platinisë. Nuk ka vlerësim më të madh, pasi Platinija e ka fituar tri herë “Topin e Artë” dhe mbetet një nga futbollistët më të mëdhenj në botë.

 – Ju kanë konsideruar si futbollistin më të mirë të huaj që ka luajtur në Rumani, një vend me futboll shumë të zhvilluar. Sa ju ka emocionuar?

 – Mua më dha mundësia në moshën e dytë time si futbollist, pasi dihej që para viteve 1990 Shqipëria ishte e mbyllur. Dinamo e Bukureshtit ishte një ekip elitar i kampionatit rumun, dhe që kishte arritur deri në gjysmëfinalen e Kupave të Europës. Ishte një kampionat shumë i vështirë dhe tepër i fortë, boll të kujtojmë se rivale ishte Steaua e Bukureshtit, dikur kampione e Europës në vitin 1986. Dhe në Rumani lashë diçka të bukur të vlerave të futbollit shqiptar.

 – Demo, ju keni qenë pjesë e Shpresave kur ato dolën në tetë më të mirat e Europës. A e kujtoni shpesh atë moment?

 – Po, pa dyshim. Kanë qenë vitet 1980, kur në edhe ëndërruam për të shkuar në Botërorin e Meksikës, pas rezultateve të bukura në barazimin 2-2 në Poloni, fitorja 2-0 me Belgjikën në Tiranë, barazimi me Greqinë në “Qemal Stafa”. Ishim një brez shumë i mirë, pasi ne arritëm të dilnim dhe në tetë ekipet më të mira të Europës për Shpresat, duke u eliminuar nga Italia. Dua të përmend këtu emra të tillë si Mirel Josa, Sokol Kushta, Adnand Ocelli, Hysen Zmijani, Agim Canaj, Fatbardhe Jera, etj,. Ishte një brez që, kishim luajtur shumë kohë bashkë, dhe kjo të jep rezultate.

 – Emocionet kur ekzekutohet himni Kombëtar para tifozëve në “Qemal Stafa”, natyrshëm që krijon emocione, me këngën që dëgjohet nga të gjithë. Por, kur e keni dëgjuar atë në stadiumet e huaja me shiritin e kapitenit në krah, çfarë emocionesh keni ndjerë?

 – Këto janë ndjenja që, vetëm një njeri që e ka përjetuar mund ta përshkruajë atë. Janë emocione të jashtëzakonshme, kur dëgjon himnin e vendit tënd në një shtet të huaj. Karikohesh në mënyrë të jashtëzakonshme. Në kohën tonë, kur dhe nuk kishim përfitime materiale, kur luajë për flamur nuk mund të kishte kënaqësi më të madhe. Ndjenja e kombit të bënte që të jepje maksimumin në fushë.

 – Çmimi yt është dhe një respekt për të gjithë lojtarët e Dinamos…

 – Po, sigurisht. Unë kam pasur fatin të luaj me emra të mëdhenj te Dinamo, duke filluar nga trajnerët me të cilët unë kam luajtur: Saimir Dauti, Shyqyri Rreli, Bejkush Birçe, Bahri Ishkën, por dhe bashkëlojtarët, duke filluar nga Ilir Përnaska, Muhedin Targaj, Shyqyri Ballgjini, Halit Gega, Agron Hazbiu, Andrea Marko, duke ardhur edhe te brezi i fundit i imi, me Pjerin Nogën, Naun Koven, Eduard Abazin, Rudi Vatën, Foto Strakoshën. Të gjithë këta kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm tek mua.

 – Ju përmendët emrin e Agron Hazbiut, apo Agron Dautaj, siç njihej në ambientin sportiv, djali i vetëvrarë i ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut. Si ishte ai si futbollist?

 – Unë kam luajtur me Dautajn gjatë dy viteve të para të miat te Dinamo. Ishte një mbrojtës shumë energjik dhe një djalë me shumë karakter. Agroni hynte gjithmonë në fushë, për të fituar. Ishte një djalë me shumë ego. E mbaj mend si një djalë tepër korrekt. Ishte një me të vërtetë një futbollist profesionist.

10 sportistët e shekullit

 Panajot Pano

1957-1960 Tirana (28 ndeshje 8 gola); 1960-1975 Partizani (210 ndeshje 144 gola 1963-1973). Me kombëtaren 28 ndeshje 3 gola. I zgjedhur si “Futbollisti i Artë” nga Shqipëria, me rastin e 50-vjetorit të UEFA-s. Nëse do shkosh dhe do vizitosh muzeun e UEFA-s në Nion emri i parë që të bie ne sy është ai Panajot Panos, përkrah emrave të tillë si Joahn Krojf, Franc Bekenbauer, Oleg Blohin, Ferenc Pushkash. Është autori i golit të parë zyrtar në një ndeshje kualifikuese (1-0 në Tiranë kundër Danimarkës në vitin 1964). Ndahet nga jeta në Amerikë në Xheksonvil (Florida) në 19 janar të vitit 2010.

 Loro Boriçi

Karriera: 1937-1941 me Vllazninë 1941-1943 Lacio (Itali) 1945-1946 (Vllaznia) 1946-1956 (Partizani). Pak pas kapitullimit të Italisë, rikthehet në Shqipëri, ku luan me skuadrën e tij të zemrës, Vllazninë. Shpallet dy herë kampion me Vllazninë (1945, 1946) më pas inkuadrohet tek Partizani, ku fiton tre tituj resht. Në vitet 1945-1957 është futbollist i kombëtares, ku zhvillon 24 ndeshje, duke realizuar 6 gola. Është shënuesi më i mirë e njëkohësisht edhe kapiteni i skuadrës në trofeun e parë dhe të vetëm shqiptar, Ballkaniandën e famshme të vitit 1946. Ndahet nga jeta në Tiranë në 25 prill 1984.

 Riza Lushta

1934-1939 Tirana; 1939-1940 Bari; 1940-1945-Juventus 1945-1954 ndryshon 8 skuadra, për ta mbyllur me amatorët e Rapallo Ruentes Mund dhe duhet konsideruar një futbollistët me më shumë karrierë në arenën ndërkombëtare. Nga Mitrovica shpërngulet në Tiranë. Luan për 5 sezone me bardheblutë, ku po kaq herë fiton titullin kampion, për tu larguar në vitin 1940 në Itali me Barin. Vetëm një sezon me Barin dhe kalon menjëherë tek Juventus, skuadër, e cila e bëri akoma më të famshëm. Në moshën 80-vjeçare shuhet në Torino.

 Agim Fagu

Kampioni absolut dhe mbase më i madhi i sportit shqiptar. Kush ka qenë në moshë dhe kush është gjallë sot, ende nuk do ta harrojë dot ndeshjen Partizani-Oransoda luajtur në Tiranë. Në atë ditë dhjetori, ku kishte vetëm dy pikësh, Agim Fagu realizon 48 pikë dhe ndeshja kundër kampionëve të Italisë përfundon në barazim 73-73. Po këtë vit zgjidhet edhe si basketbollisti më i mirë në dhjetëshen e Evropës. Nën drejtimin e tij Partizani, skuadra me 33 trofe u bë e famshme edhe në Evropë.

Ela Tase

Dy herë lojtarja më e mirë e Ballkanit (1878, 1982, kampione me Dinamon dhe tri herë në katërshen finaliste të Kupës së Kampioneve. Kur flitet për volejbollin e femrave askush nuk mund të mendojnë ndonjë emër tjetër përveç atij të Ela Tases. Në moshën 20-vjeçare në Ballkaniadë ajo fiton trofeun si lojtarja më e mirë, gjë të cilën ajo do ta përsëriste edhe 4 vjet më vonë. Kapitenia së bashku me një grup të jashtëzakonshëm dhe nën drejtimin e trajnerit Kreshnik Tartari do sillnin në erë të re volejbollin e femrave.

 Ymer Pampuri

Aftësitë e tij akrobatike ishin të jashtëzakonshme, por sidomos fuqia e duarve nuk mbeten pa rënë në sy të atyre që merreshin me peshëngritje. Me sugjerimin e Telat Agollit hyn në shtangë dhe në moshën 20 vjeçare merr pjesë në kampionatin ballkanik në Rumani, ku ngre 120 kilogram. 29 gusht 1972, në Olimpiadën e Mynihut ai së bashku më trajnerin e tij Zydi Mazreku bëjnë atë që se ka bërë asnjë deri më tani në Shqipëri. Pampuri ngre 127.5 kilogram, duke u renditur i pari. Mund të kish marrë medalje, por dëmtohet dhe në përfundim të turneut në të tri stilet renditet e nënti.

 Elisabeta Karabolli

Qitëse dhe fituese disa herë e anketës 10 sportistët më të mirë të vitit organizuar nga Gazeta “Sporti Shqiptar”. Vetëm 18 vjeç dhe Elisabeta shpallet kampione e Shqipërisë në garën e pistoletës. Një vit më vonë, pra në 1977 ajo siguron medaljen e bronzit në Romë. Në vitin 1979, në kampionatin evropian të zhvilluar në Frankfurt ajo në qitjen me pistoletë arrin medaljen artë, duke u bërë e para dhe e vetmja sportiste që sjell në vendin tonë një medalje ari. Një karrierë e shkëlqyer, e cila ka lënë mbresa te të gjithat ata që dashurojnë sportin.

 Refik Resmja

Është në dhjetësh  e shënuesve më të mirë në një sezon me 59 gola, përkrah Myler, Mesi e Kristiano Ronaldo që kanë shënuar më shumë. Në një sezon në 23 ndeshje ka realizuar 59 gola, që është mesatarja më e lartë e arritur në botë (1951), 7 herë shënuesi më i mirë i kampionateve shqiptare, 7 herë kampion kombëtar me Partizanin, 4 herë fitues i Kupës së Shqipërisë Të gjithë e kanë quajtur mbretin e golit e Refiku këtë gjë e ka merituar. Me kombëtaren ka luajtur pak, vetëm 5 takime e vetëm një gol, por do mbahet mend edhe si mjeshtri i roveshatës.

Pavlina Evro

E specializuar në garat e mesme 800 dhe 1500 Në vitin 1984 në mitingun e zhvilluar në Nicë vendos rekordin kombëtar shqiptar, i cili jeton që prej 26 vjetësh. Nuk është se kemi pasur shumë në këtë disiplinë, por Pavlina do mbetet nga më unikalet. Në Shqipëri mund të thyesh shumë rekorde, por ai i Pavlinës në vitin 1984 në Nicë të Francës do mbetet unikal. Një rekord i përmasave evropiane në një garë, e cila është nga më të bukurat në këtë disiplinë. Në gusht të vitit 1985, në mitingun e Oslos një prej më prestigjiozëve, ajo vendos kohën rekord prej 4.06.41. Më pas në vitin 1986 Evro vendos edhe rekordin e 3000 metrave.

 Sulejman Demollari

Lindur më 15 maj 1964, në Tiranë. Karriera: dy herë kampion me Dinamon dhe dy Kupa Shqipërie me këtë skuadër, dy herë shënuesi më i mirë i kampionateve shqiptare. Një herë kampion me Dinamon e Bukureshtit. Në-100 vjetorin e klubit rumun zgjidhet si i huaji më i mirë 6 herë është zgjedhur si futbollisti i vitit. Kampioni i erës moderne në futboll. Është një prej arkitektëve të kalimit të skuadrës Shpresa në vitin 1984 ku kemi eliminuar Gjermaninë “Demo” ka qenë trajner i skuadrës kombëtare të Shqipërisë, ndërkohë që sot është punonjës në sektorin e moshave në federatën e futbollit.