Sulejman Demollari: “T’i kthejmë dinjitetin futbollit tonë”

628
Sigal

 Ish-trajneri i Kombëtares: “Në Europë kemi shumë rrugë për të bërë përpara. Sivjet ishim një zhgënjim!”

 Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Sulejman Demollari, tha për gazetën “Telegraf” se, ndihej plotësisht i zhgënjyer nga paraqitja e dobët e katër skuadrave shqiptare në Europë. “Një zhgënjim total. Është në një farë mënyre dhe reflektim i cilësisë së kampionatit tonë. Kemi shumë rrugë për të bërë përpara”, – tha Demollari për gazetën “Telegraf” përpara nisjes me ekipin kombëtar U-17 në një turne ndërkombëtar në Rumani. Demollari, i cili ka luajtur në Shqipëri me Dinamon e Tiranës dhe në Rumani me Dinamon e Bukureshtit, ka qenë një nga sportistët më të dalluar shqiptarë në aktivitet ndërkombëtare me klubet.

 Zoti Sulejman Demollari, eliminimi i shpejtë i katër skuadrave shqiptare që morrën pjesë në dy kompeticionet europiane, në Ligën e Kampioneve (Skënderbeu) dhe në Ligën e Europës (Tirana, Flamurtari dhe Teuta), nuk ka la një shije të mirë në opioninin publik sportiv. Cili është vlerësimi juaj?

Ishte për këdo një zhgënjim i madh. Skuadrat tona bënë një paraqitje aspak dinjitoze. Edhe pse Skënderbeu apo Tirana, e fituan nga një ndeshje kundër Debrecenit dhe Grevenmakerit, nuk e arritën dot të dëshmonin në ndeshjet e kthimit, të gjithë potencialin e tyre, apo dhe karakteristikat e tyre futbollistike. Tirana nuk arriti të dëshmojë grintën apo agresivitetin, që e ka karakterizuar gjithmonë atë. Bënë ndeshje shumë të vakët.

Në ndeshjet në transfertë, ekipet tona pësuan humbje të thella duke pësuar 17 gola në total: Teuta humbi 6-1 me gjeorgjianët e Metalurgit, Tirana 5-0 me norvegjezët e Alesundit, si dhe Flamurtari dhe Skënderbeu nga 3-0, respektivisht me hungarezët e Honvedit dhe Debrecenit. Përse kaq të dobët jashtë fushe, ka të bëjë me përvojën e ekipeve tona?

Edhe kjo mund të ndikojë. Skuadrat shqiptare nuk është se kanë pasur ndonjë traditë të shkëlqyer në ndeshjet jashtë fushe, sidomos në vitet e fundit. Nuk kemi pasur ndeshje shumë të mira apo të mira, gjithmonë kemi qëndruar në këto nivele. Kuptohet, kjo vjen nga niveli i skuadrave tona, por dhe i vetë lojtarëve, apo përgjithësisht edhe i kampionatit tonë.

Demollari, duket se ka një kontrast të dukshëm midias nivelit të ndeshjeve që paraqet Kombëtarja A shqiptare me atë të skuadrave tona në kompeticionet europiane. Cili është gjykimi juaj?

Ky është një konkluzion i drejtë. Nuk duhet të harrojmë faktin se, në Kombëtare thirren lojtarët më të mirë, dhe për më tepër që shumica e tyre luajnë jashtë, pra kanë më shumë përvojë ndërkombëtare. Problemi i cilësisë së dobët, që tregojnë ekipet shqiptare në Europë ka të bëjë edhe me nivelin e kampionatit tonë.

Ju keni qenë një nga lojtarët më të mirë të huaj që kanë luajtur në Rumani, ndërkohë që në Shqipëri nuk mund të pretendojmë se kanë ardhur futbollistë cilësorë. Madje në merkaton e kësaj vere po shohim gjithmonë e më pak të huaj që blihen nga klubet tona. Sipas jush, kjo ka të bëjë me politika të reja të klubeve, për t’u bazuar te lojtarët shqiptarë, apo për shkak të kufizimit të numrit të tyre deri në pesë të huaj për çdo skuadër?

Personalisht mbështes mendimin, që futbolli ynë ka nevojë për lojtarët e huaj, pasi kjo ndodh në çdo kampionat në botë, dhe nuk janë të paktë futbollistët shqiptarë që luajnë në Europë, e tani madje dhe në SHBA, Iran, apo deri në Korenë e Jugut, në rastin e Sokol Cikalleshit. Por, jam për atë që lojtarët e huaj duhet të jenë dukshëm më cilësorë, pasi vetëm kështu ata mund të kontribuojnë në futbollin tonë. Deri tani kemi parë pak të tillë. Pjesa më e madhe ka qenë thuajse në nivelin apo poshtë futbollistëve cilësorë shqiptarë.

Kategoria Superiore ndodhet në ethet e merkatos verore, kur kanë mbetur diçka më shumë se 20 ditë nga nisja e sezonit 2012-2013. Si e vlerësoni atë?

I kam ndjekur me shumë kujdes të gjitha lëvizjet që kanë kryer të 14 skuadrat e Superligës, afrimet dhe largimet e lojtarëve. Klubet janë munduar të sjellin ata lojtarë që kanë ideuar trajnerët e skuadrave, për të ndërtuar organika sipas mundësive financiare dhe objektivave që kanë ekipet, dhe këtu futen edhe lojtarët e huaj.

Në përfundim të këtij sezoni do të bien direkt 4 skuadra. A do ta bëjë më konkurrues dhe më cilësor kampionatin?

Pa asnjë dyshim. Gjithsesi, mendoj se ekipet që janë më të organizuara do të jenë ato që do të synojnë trofetë, kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, si dhe pjesëmarrjen në Europë. Pjesa tjetër do të luftojë fort për të shmangur rënien direkte.

 Kombëtarja U-17, turne ndërkombëtar në Rumani

 Kombëtarja U-17 e futbollit do të marrë pjesë në një turne ndërkombëtar miqësor, që do të zhvillohet nga datat 6-10 gusht në Rumani “Janë katër ekipe që do të marrin pjesë në këtë turne, ku përveç Rumanisë vendase dhe Shqipërisë, janë dhe Turqia dhe Belgjika”, – tha Sulejman Demollari, i cili do të shoqërojë skuadrën kombëtare të drejtuar nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç. “Ekipi ynë do të niset, më 3 gusht, ndërsa ndeshjet do t’i zhvillojë më 6, 8 dhe 10 gusht. Do të marrin pjesë lojtarë të vitlindjes 1996”. Këto ndeshje, sipas Demollarit, do të shërbejnë për të përgatitur sa më mirë kualifikueset e Euro 2013-s për moshat U-17, në tetor 2012. “Mendoj se është një test i mirë për trajnerin Xhemal Mustedenagiç dhe lojtarët”. Ndeshjet do të luhen në Bukuresht, në kompleksin e ekipeve kombëtare të Rumanisë. Kombëtarja U-17 edicioni e fundit të Kampionatit Europian arriti të kualifikohej në Elite Round, një sukses ky që është arritur vetëm tri herë në historinë e kësaj përfaqësueseje. Miqësoret e fundit të Kombëtares U-17 janë ato kundër Sllovenisë dhe Bullgarisë, në shkurt të këtij viti.

 “Sula”, kapiteni i të gjitha kombëtareve

 Sulejman Demollari numëron 45 ndeshje me ekipin Kombëtar të futbollit, të luajtura në një periudhë 12-vjeçare, 1982-1995, ku ka shënuar edhe një gol. Ai ka qenë kapiten i të gjitha ekipeve kombëtare, nga ai U-17, U-19, U-21 dhe deri te ekipi Kombëtar A”. Demo është  2 herë kampion i Shqipërisë me Dinamon (1985–1986, 1989–1990), dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë (1985–1986, 1989–1990) dhe një herë fitues i Supërkupës së Shqipërisë (1990). Sula është gjashtë herë fituesi i anketës së gazetës “Sporti Popullor”, si lojtari i vitit 1983, 1985, 1991, 1992, 1993, 1994. Legjenda blu ka dalë kampion me Dinamon e Bukureshtit (1991-1992) dhe  vlerësohet edhe si lojtari më i mirë i huaj që ka luajtur në Rumani.