Sulejman Demollari: Me Spanjën, ndeshje e harruar, me Italinë, sfidë për ta fituar

618
Nga Agron KAJA
SHQIPËRI-ITALI/ Flet për “Telegraf” ish-kapiteni i Kombëtares sonë, vlerëson skuadrën për ndeshjen në Alikante, sot mendon rezultat pozitiv
Si e analizoni humbjen me Spanjën, normale apo të dobët?
Mendoj se ka qenë një ndeshje që është përcjellë nga emocione të mëdha prej skuadrës sonë. Duke i kujtuar të dyja pjesët, në të parën Spanja na vuri nën presion, dhe nuk u përballua mirë ky 45-minutash. Pas tre golave, ritmi i lojës së tyre ra, e për pasojë, skuadra jonë e ngriti shumë lojën, madje edhe duhet të kishte shënuar në dy apo tre raste.

Në 11 minuta lojë (16-27), pësuam tre gola, çfarë tregoi Kombëtarja jonë në këtë hapësirë loje?
Të pësosh tre gola në një kohë kaq të shkurtër kur ke përballë një ekip të madh si Spanja, mendoj se nuk e ke menaxhuar mirë lojën në raport me kundërshtarin. Në këto minuta, spanjollët treguan gjithçka nga vlerat e tyre, ndërsa për skuadrën tonë, emocionet ndaj kundërshtarit nuk e lanë të dilte në vlerat e saj.

Formacioni titullar që u nis ndeshja me Spanjën, ishte më i mirë i mundshëm, apo kishte të tjera alternativa?
Duke pasur disa mungesa, mendoj se ky ishte formacioni që trajneri Panuçi e mendon për edicionin e Evropianit. Dy-tre lojtarëve ai ju dha mundësinë që të tregonin vlerat e tyre për të qenë titullarë. Mendoj se nuk u paraqitën te, si Memolla ashtu edhe Balliu.

Kombëtarja humbi 3-0 me Spanjën, por çfarë fitoi ajo nga kjo sfidë?
Të luash me Spanjën, ke fituar një përvojë më shumë, dhe këtë besoj se edhe Kombëtarja jonë e morri. Edhe pse në ato minutat e golave që pësoi dukej si e dorëzuar, unë mendoj se luajti, por pa menaxhuar plotësisht presionin e kundërshtarit. Në pjesën e dytë Spanja e kishte të siguruar fitoren, ndaj edhe nuk u preokupua sikundër në të parën.

Sot është sfida tjetër, po me një Kampione Bote, është Italia në nivelin e Spanjës?
Në histori, edhe Italia është Kampione Bote, sikundër edhe Spanja, por në realitet mendoj se janë shumë më ndryshe, pasi Spanja mbetet më lart se ajo në këtë edicion të “Botërori 1018”. Italia nuk më ngroh shumë nga përbërja që ka, dhe lojërat që ka zhvilluar në këtë edicion.

Po trajneri Panuçi, çfarë duhet të ndryshojë për këtë sfidë, në formacion dhe në taktikën e lojës?
Natyrisht që ka shumë ndryshim nga ndeshja në Spanjë, me ndeshjen që do të luajmë në Shkodër me Italinë. Ndryshimi besoj se do të jetë në të gjitha repartet, pasi rikthehen nga pezullimi Mavraj, Kukeli e Roshi, të tre futbollistë bazë në Kombëtare. 

Nisur edhe nga situata jo fort e mirë e Italisë, mendoni një rezultat pozitiv sot në Shkodër?
Janë 90 minutat e fundit e këtij edicioni për Kombëtaren tonë, dhe aty duhet të gjejë realisht veten. Së pari duhet të kërkojë një lojë të mirë, të cilën e ka mundësi ta arrijë, e nëpërmjet saj edhe rezultatin pozitiv. Për mua, fitorja do të jetë objektivi primar, por edhe barazimi nuk është keq.

Përfundimisht, vendi i tretë është objektivi i arritur për Kombëtaren tonë në këto ndeshje kualifikuese të Grupit G?
Mendoj se po. Madje duke qenë në një grup me Spanjën dhe Italinë, vendi i tretë është një objektiv i kënaqshëm në këtë edicion. Vetëm në humbjen me Izraelin mund të them se gabuam, në të tjerat rezultatet kanë qenë të logjikshëm.
Janë 90 minutat e fundit e këtij edicioni për Kombëtaren tonë, dhe sot duhet të gjejë realisht veten. Së pari, duhet të kërkojë një lojë të mirë, të cilën e ka mundësi ta arrijë, e nëpërmjet saj edhe rezultatin pozitiv. Për mua, fitorja do të jetë objektivi primar, por edhe barazimi nuk është keq
1 ndeshje
Kualifikueset në grupe, për Shqipërinë mbyllen sot me ndeshjen ndaj Italisë në “Loro Boriçi”
Grupi G/ Ndeshjet e fundit
Sot, 9 tetor 2017
Shqipëri-Itali 20:45
Maqedoni-Litehshtein 20:45
Izrael-Spanjë 20:45
RENDITJA
Nr. Skuadra N P 
1.Spanjë 9 25
2.Itali 9 20
3.Shqipëri 9 13
4.Izrael 9 12
5.Maqedoni 9 8
6.Litehshtein 9 0
Sigal