Sul Demollari: “Edhe unë besoj!”

753
Sigal

Ish-kapiteni i Dinamos dhe ish-trajneri i Kombëtares: “I kemi mundësitë të fitojmë me Norvegjinë”

Ish-kapiteni i Dinamos dhe i Kombëtares, më vonë dhe trajneri i Kuqezinjve, Sulejman Demollari, tha se “Shqipëria i ka të gjitha  mundësitë për të fituar me Norvegjinë”. “Slogani i kësaj ndeshje, nga stafi teknik, lojtarët dhe tifozeria shqiptare është: “Unë besoj!” Dhe unë bashkohem me të. Kam bindjen se do të fitojmë”, – tha Demollari për gazetën “Telegraf”. Sulejman Demollari ka dy herë kampion me Dinamon dhe dy Kupa Shqipërie me këtë skuadër, dy herë shënuesi më i mirë i kampionateve shqiptare. Një herë kampion me Dinamon e Bukureshtit. Në-100 vjetorin e klubit rumun zgjidhet si i huaji më i mirë.. Kampioni i erës moderne në futboll. Është një prej arkitektëve të kalimit të skuadrës Shpresa në vitin 1984 ku kemi eliminuar Gjermaninë “Demo” ka qenë trajner i skuadrës kombëtare të Shqipërisë, ndërkohë që sot është punonjës në sektorin e moshave në federatën e futbollit. Ai është gjashtë herë fituesi i anketës së gazetës “Sporti Popullor”, si lojtari i vitit 1983, 1985, 1991, 1992, 1993, 1994. “Sula” ka luajtur 45 ndeshje me përfaqësuesen e Shqipërisë, ndërsa ka qenë dhe kapiteni i ekipit “Shpresa”, që arriti të ishte midis tetë ekipeve më të mira të Europës në vitin 1985. Demollari e veshi fanellën e Kombëtares në moshën 19-vjeçare, në një ndeshje kundër Irlandës së Veriut (27 prill 1983) dhe për një periudhë 13-vjeçare përfaqësoi Shqipërinë, deri në ndeshjen e fundit kundër Bullgarisë (7 tetor 1995). Golin e tij të vetëm me Kombëtaren e shënoi në humbjen 3-1 kundër Lituanisë, në Vilnis, më 14 prill 1993 (trajner Bejkush Birçe). Më rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit, Demollari u përfshi në një listë të privilegjuar “10 sportistët e shekullit” së bashku edhe legjendat Panajot Pano, Loro Boriçi, Riza Lushta, Refik Resmja, Ela Tase, Ymer Pampuri, Pavlina Evro dhe Elisabeta Karabolli.

 – Demollari, Kombëtarja shqiptare do të përballet pas pak ditësh me Norvegjinë, (7 qershor). Si e konsideroni këtë takim?

– Shumë të rëndësishëm. Slogani i kësaj ndeshje, nga stafi teknik, lojtarët dhe tifozeria shqiptare është: “Unë besoj!” Dhe unë bashkohem me të. Jam i bindur se, të gjithë futbollistët e Kombëtares janë të vetëdijshëm se çfarë të gjithë presin prej tyre.

– Pas pesë ndeshjesh jemi në vend të dytë, me dy pikë më shumë se Norvegjia dhe dy pikë më pak se Zvicra e vendit të parë. Sa afër mund të duket Brazili?

– Është një moment deciziv në ecurinë e Kombëtares, në këto eliminatore. Shpresojmë të arrijmë maksimumin në këto eliminatore dhe të arrijmë në finalet e Botërorit. Duhet një përkushtim maksimal. Jemi në një moment kulminant të fushatës.

– Sa mund të ndikojnë pozitivisht apo negativisht emocionet në atë takim?

– Kjo ndeshje ka shumë emocione për lojtarët, por unë personalisht do të doja që ajo të merrej si ndeshja e radhës. Nëse ne do të dalim edhe me një barazim, unë do ta konsideroja si një sukses.

– Fitorja në Oslo ishte disi befasuese, teksa tani në Tiranë, duket se fitorja është një detyrim. Ju si do ta vlerësonit?

– Fitorja në transfertë me Norvegjinë, i ka shtuar ato dyfish, pasi tani luhet para publikut tonë. Gjithsesi, emocionet të motivojnë në maksimum. Nuk duhet të nisemi nga mendimi se fituam në Norvegji dhe këtu do ta kemi më të lehtë. Norvegjia është një ekip me potencë në arenën europiane. Ajo do të vijë në Shqipëri, me një mobilizim dhe impenjim maksimal.

– Ekipi ynë do të ketë disa mungesa të rëndësishme, përfshirë dhe kapitenin Lorik Cana. Sa mund të ndikojnë ato?

– Mungesa e Lorik Canës, Andi Lilës, Odise Roshit, por edhe dëmtimi i Alban Mehës janë shumë të rëndësishme, pasi janë lojtarë bazë. Meha i dha impuls ekipit Kombëtar, mbi të gjitha fazës ofensive të lojës, plus goditjeve të tij që ishin për t’u vlerësuar. Jam i bindur se, trajneri De Biazi, gjatë këtyre ditëve do ta zgjidhë mësë miri këtë problem.

– Shumë emra të rinj në Kombëtare që, thirren për herë të parë: Kaçe, Basha, Abrashi, Berisha, Llullaku, Gjasula…

– E konsideroj si një gjë normale. Prurjet e reja janë vëzhguar nga stafi teknik, i cili dhe i ka vlerësuar si të nevojshëm për këtë ndeshje. Nëse do të fitojë ekipi Kombëtar, atëherë vlerësimi për trajnerin do të jetë maksimal.

– De Biazi e ka drejtuar në 12 ndeshje ekipin Kombëtar, ku ka arritur rezultate shumë të mira, më shumë fitore se kushdo tjetër.

– Kur erdhi trajneri De Biazi, të gjithë thoshin se do ta kishte shumë të vështire, pasi i duhet të rinovonte ekipin, pas largimit të emrave të tillë si Lala, Skela, Duro, apo ndonjë tjetër. Unë mendoj se, ai ia ka dalë ta kryejë plotësisht rinovimin dhe të marrë rezultatet e tij. Sot, pas një viti ne mendojmë se a mund të shkojmë në finale. Kjo është meritë e trajnerit, stafit, lojtarëve, por dhe Federatës që bën maksimumin në kujdesin e saj për ekipin Kombëtar. Ka gërshetuar përvojën më lojtarët e rinj që ka afruar.

– Demollari, ju keni qenë kapiteni i Kombëtares dhe një lojtar me 45 ndeshje ndërkombëtare. Në takime të tilla, si ky ndaj Norvegjisë, sa ndikon “pesha” e emocioneve?

– Patjetër që, ndeshja psikologjike e lojtarëve do të jetë e ngarkuar, pasi është vetë opinioni sportiv që pret një rezultat pozitiv, pra fitoren. E rëndësishme është që, trajneri De Biazi ka futur mentalitetin profesionist në ekip, dhe, secili lojtar e kupton atë. Janë lojtarë që stërviten në ekipe me tradita në futboll dhe kanë arritur në atë stad që, në ndeshje të tilla të jenë të përgatitur psikologjikisht.

– Si mund ta fitojmë ndeshjen me Norvegjinë, duke pasur një mbrojtje më kompaktë, një mesfushë më të ngjeshur, apo një linjë të parë me theks sulmues?

– Këtu nuk ka nevojë për receta. De Biazi e ka futur filozofinë taktike të tij. E gjithë skuadra mendon për mbrojtjen, dhe po kështu e gjithë skuadra mendon për sulmin. Kjo u duk edhe në ndeshjen ndaj Norvegjisë. Të gjithë vrapuan dhe u përkushtuan maksimalisht në lojë. Presing ndaj kundërshtarit, dhe veprime të shpejta ofensive. Mbi të gjitha lojtarët duhet të kenë pikën e maksimumit të tyre, te përqendrimi gjatë gjithë 90-minutëshit, pasi goli mund të vijë edhe në minutën e parë, por dhe në minutën e fundit. Mesa kam konstatuar, trajneri De Biazi ka punuar fort në këtë aspekt.

– Çfarë mbani mend nga ndeshjet e tua, kur ka pasur një tension të këtillë?

– Po, padyshim që dhe unë i kam përjetuar këtë ngarkesë emocionale. Janë pikërisht eliminatoret e Botërorit 1986, kur pas ndeshjes së fituar me Belgjikën (2-0), shkuam në Greqi për të kapur një rezultat të mirë, por humbëm. Gjithsesi, lojtarët e sotëm luajnë shumë ndeshje dhe janë të çliruar psikologjikisht.

– Përpara se fitonit me Belgjikën, kishit barazuar 2-2 në Poloni. Thuajse e njëjta skemë si kjo tani me Norvegjinë, por me fitore në Oslo. A mund të ngremë ndonjë paralele?

– Ne të gjithë jemi shprehur, pas hedhjes së shortit se, jemi në një grup kur të gjithë mund t’i mundin të gjithë. Me të gjitha mund të fitohet, barazohet apo humbet. Dhe pesë ndeshjet e para e kanë treguar këtë. Humbëm me Islandën në Tiranë, që ishte e fundit në renditjen kur u hodh shorti, por fituam me Norvegjinë në Oslo, pra me të parën e grupit tonë në kohë që u përcaktuan grupet. Kjo na jep edhe mundësinë dhe dëshirën, për të arritur në finale.

– Atmosfera e nxehtë ka ndikuar për mirë në ekipin Kombëtar, po të kemi parasysh ndeshjen me Greqinë, kur ajo sapo ishte shpallur Kampione e Europës…

– Ne, si specialistë të futbollit, asnjëherë nuk mund të themi se do ta fitojmë ndeshjen, por me gjuhën tonë kemi të drejtë që të themi: do të hyjmë për fitore.

 Karrierë e mbushur me trofe

 Sulejman Demollari ka një karrierë të gjatë, gati 20-vjeçare, të mbushur plot me trofe. “Momentet më kulmore janë ato me ekipi Kombëtar, që është dhe maksimumi për një futbollist. Kam dalë gjashtë herë si futbollisti i vitit në vendin tonë, në bazë të anketave të organizuara nga “Sporti Shqiptar’. Kam qenë golashënues i njohur në Shqipëri, por dhe në Rumani; kam fituar kampionate në Shqipëri, por dhe në Rumani, por dhe Kupa të Shqipërisë. Mendoj se, kam bërë një karrierë të plotë dhe të kënaqshme për një futbollist”, – tha Demollari, i konsideruar isi “Platinija” i Shqipërisë.

 I huaji më mirë në Rumani 

Sula është konsideruar si, futbollisti më i mirë i huaj që ka luajtur në Rumani, një vend me futboll shumë të zhvilluar. “ Mua më dha mundësia në moshën e dytë time si futbollist, pasi dihej që para viteve 1990 Shqipëria ishte e mbyllur. Dinamo e Bukureshtit ishte një ekip elitar i kampionatit rumun, dhe që kishte arritur deri në gjysmëfinalen e Kupave të Europës. Ishte një kampionat shumë i vështirë dhe tepër i fortë, boll të kujtojmë se rivale ishte Steaua e Bukureshtit, dikur kampione e Europës në vitin 1986. Dhe në Rumani lashë diçka të bukur të vlerave të futbollit shqiptar”, – thotë “Demo”.

 Demollari me shokët eliminuan Gjermaninë e madhe në vitin 1983, por humbën me pas me Italinë e Mançinit

 “Shpresa, e 8-ta në Europë”

 Demollari ka qenë pjesë e Shpresave kur ato dolën në tetë më të mirat e Europës. Sula e kujton me shumë krenari atë moment: “Po, pa dyshim. Kanë qenë vitet 1980. Shpresa drejtohej nga Ramazan Rragami. Eliminuam në fazën e grupeve Gjermaninë (dy barazime 1-1) në vitin 1983 dhe u renditën midis tetë më të mirave në Europë të Kampionati Europian të Shpresave të vitit 1984, duke u eliminuar nga Italia (dy humbje 1-0). Na eliminoi Italia me Mançinin në fushë. Dua të përmend këtu emra të tillë si Mirel Josa, Sokol Kushta, Adnand Ocelli, Hysen Zmijani, Agim Canaj, Fatbardhe Jera, Skëndër Hodja, etj,. Ishte një brez që, kishim luajtur shumë kohë bashkë, dhe kjo të jep rezultate”.

 Në “10 sportistët e shekullit”

 Sula u votua nga një panel i madh gazetarësh dhe specialistësh, si një ndër “10 sportistët e shekullit”, së bashku edhe me yjet e tjerë të futbollit shqiptar, si Panajot Pano, Loro Boriçi, Riza Lushta, Refik Resmja. “Të jesh midis emrave të tillë si Panajot Pano, Loro Boriçi, Riza Lushta, Refik Resmja, është një privilegj i madh për çdo futbollist. Por, në listën e përzgjedhur nga specialistët, gazetarët sportive, lexuesit online të gazetës “Sporti Shqiptar”, ishin dhe emra të tillë si volejbollistja e shkëlqyer, Ela Tase, kampioni i botës në peshëngritje, Ymer Pampuri, apo atletja Pavlina Evro, kampionia e Europës në qitje, Elisabeta Karabolli”, – tha Sula.

 Kapiteni i të gjitha kombëtareve

 Demollari ka qenë kapiteni i të gjitha ekipeve kombëtare të Shqipërisë, përfshirë Shpresat dhe Kombëtaren e madhe. Një statistikë për t’u pasur zili. “Është diçka pikante në karrierën e një futbollisti. Është një kulm për një lojtar, kur ai luan për të gjitha ekipet kombëtare, duke filluar nga Të Rinjtë, Shpresat, Olimpike dhe Kombëtaren A, dhe në të gjitha këto ekipe kam qenë dhe kapiten skuadre. Kam qenë kapiten si te Dinamoja e Tiranës dhe te Dinamoja e Bukureshtit. Kjo më bën vërtet të lumtur. Për mua ka qenë vërtet një karrierë e bukur”.

 Himni, momenti më i magjishëm

 Ish-kapiteni i Shqipërisë thotë se, emocionet kur ekzekutohet himni Kombëtar para tifozëve në “Qemal Stafa”, natyrshëm që krijon emocione të mëdha, sidomos kur atë e dëgjon në stadiumet e huaja. “Këto janë ndjenja që, vetëm një njeri që e ka përjetuar mund ta përshkruajë atë. Janë emocione të jashtëzakonshme, kur dëgjon himnin e vendit tënd në një shtet të huaj. Karikohesh në mënyrë të jashtëzakonshme. Në kohën tonë, kur dhe nuk kishim përfitime materiale, kur luaj për flamur nuk mund të kishte kënaqësi më të madhe. Ndjenja e kombit të bënte që të jepje maksimumin në fushë”, – thotë Demollari, i cili kujton se, ai i personalisht e ka ndjerë maksimalisht.

  Bashkëkohës me Përnaskën dhe Strakoshën

 Sulejman Demollari i përket një brezi të artë të lojtarëve dinamovitë. “Kam pasur fatin të luaj me emra të mëdhenj te Dinamo, duke filluar nga trajnerët me të cilët unë kam luajtur: Saimir Dauti, Shyqyri Rreli, Bejkush Birçe, Bahri Ishkën, por dhe bashkëlojtarët, duke filluar nga Ilir Përnaska, Muhedin Targaj, Shyqyri Ballgjini, Halit Gega, Agron Hazbiu, Andrea Marko, duke ardhur edhe te brezi i fundit i imi, me Pjerin Nogën, Naun Koven, Eduard Abazin, Rudi Vatën, Foto Strakoshën. Të gjithë këta kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm”, – shton Sula, i cili ka ka dalë dy herë kampion me Dinamon dhe dy Kupa Shqipërie me këtë skuadër, dy herë shënuesi më i mirë i kampionateve shqiptare.