Sukaj shpërthen më Sepehanin, “telegram” De Biazit nga Irani

526
Sigal

Sulmuesi shkodran ka shënuar nëntë gola me ekipin e tij, por trajneri i Kombëtares vazhdon ta injorojë

  Xhevair Sukaj shënoi një gol të artë në Iran, duke i dhënë një tjetër mesazh trajnerit të Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, pavarësisht se ky i fundit vazhdon të mos e marrë në konsideratë sulmuesin prodhimtar shkodran.

 REALIZIM PERFEKT – Sukaj realizoi në fitoren e ngushtë 1-0 të Sepehanit të tij, në transfertën kundër Rah Ahan, në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të kampionatit iranian (e prapambetur). Sulmuesi shkodran realizoi golin në minutën e 81-të. Sukaj zotëroi një top gjatë në kufijtë qendrorë të zonës së rreptësisë, shmangu mbulimin e dy mbrojtësve kundërshtarë, dhe goditi me gjakftohtësi në rrotullim e sipër, me të majtën, duek lëshuar një diagonale të pakapshme nga portieri kundërshtar, duke ngritur peshë jo vetëm tribunën me në kryetrajnerin Zlatko Kranjçar, por dhe ata tifozë së Sepehanit që kishin udhëtuar në stadiumin “Rah Ahan” të Teheranit.

 NËNTË GOLA – Për Sukajn ku ishte goli i nëntë në këtë sezon, duke qenë ai golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij, duke lënë pas iranianin Reza Mohamad Khalatbari (7 gola). Në renditjen e përgjithshme të golashënuesve të kampionatit iranian, Sukaj pozicionohet i katërti pas Rafkaheit (15 gola, Malavan), Karimit (10, Naft Teheran) dhe Salehit (10, Traktor Sazi). Në radhët e Sepehanit luan edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ervin Bulku. Pas kësaj fitoreje, Sepehan ndodhet në vendin e dytë me 47 pikë, dy më pak se Esteghlal i vendit të parë, 49 pikë. Xhevairi ndodhet në sezonin e tij të dytë në kampionatin iraanian. Ia vlen të kujtojmë se, sezonin e kaluar Sepehani dhe Sukaj u shpallën kampionë të Iranit.

  Kombëtarja e femrave seleksionon kandidatet

 Ditën e diel (17 shkurt), ekipi Kombëtar i femrave do të kryejë një grumbullim ku në seancën përgatitore do të marrin pjesë vetë, lojtarët kandidatë nga kampionatit shqiptar të futbollit. Ky grumbullim do të bëhet në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Botëror për femra. Shqipëria bën pjesë në grupin 1 paraeliminator, së bashku edhe Maltën, Luksemburgun dhe Letoninë. Ndeshjet zhvillohen në Maltë, në muajin prill. Kombëtarja shqiptare në futboll për femra deri tani ka arritur pesë fitore në po kaq miqësore të zhvilluara.

  Durrës, 330 fëmijë në sitën e përfaqësueses

 Në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” u zhvilluan seancat stërvitore të ekipeve përfaqësuese të zonës së Durrësit. Këto ekipe përfaqësuese janë të datëlindjes 2001 (rreth 80 fëmijë), 1999 (rreth 100 fëmijë) dhe 1997 (rreth 150 fëmijë). Në “sitë” kaluan rreth 330 fëmijë. Seleksionimet u bënë të mundur nga një grup trajnerësh të njohur të përzgjedhur nga FSHF-ja. Ekipet përfaqësuese rajonale përbehen nga 14 lojtarë dhe do të zhvillojnë çdo ditë të hënë stërvitje të drejtuar nga trajnerët të njohur të përzgjedhur nga FSHF-ja, përkatësisht për vitlindjen 1997 nga Vladimir Ajazaj; për vitlindjen 1999, nga Spartak Qose, për vitlindjen 2001, nga Mikel Furxhi.

 Flamurtari, sot fitore edhe për Fred Zijain

  Flamurtari do të luajë sot në Vlorë kundër Bylisit, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 14-të. Takimi do të nisë me një minutë heshtje në nderim të kujtimit të ish-futbollistit të njohur vlonjat, Alfred Zijai, të ndarë nga jeta vetëm pak ditë më parë. Ballshiotët janë shndërrruar në “mace të zezë” për vlonjatët, boll të kujtojmë faktin se, pas ndeshjeve me Bylisin, drejtuesit e Flamurtarit kanë shkarkuar dy trajnerë: Shkëlqim Muçën, pas barazimit 1-1 në kampionat (në javën e parë të fazës së dytë) dhe spanjollin Hulian Rubio, pas humbjes 1-0 në Kupën e Shqipërisë. Trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, paralajmëroi “djemtë” e tij për rëndësinë e ndeshjes, pasi kuqezinjtë synojnë një vend në Europë. Bylisi, qysh kur ka në drejtim trajnerin turk-kosovar Naxhi Shansoi nuk humbet prej gjashtë ndeshjesh, kështu që në “Flamurtari” pritet një ndeshje e fortë dhe interesante.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XIV

Sot, 14.02.13

Flamurtari-Bylis

Të premten, 08.02.13

Skënderbeu-Vllaznia 0-1

Të shtunën, 09.02.13

Besa-Laçi 1-2

Të dielën, 10.02.13

Luftëtari-Kukësi 1-3

Kastrioti-Tomori 4-1

Tirana-Tomori 1-0

Teuta-Shkumbini 3-0

1    Skënderbeu      14   +18  33

2    Teuta           14   +6   26

3    Tirana          14   +6   25

4    Kukësi          14   +7   24

5    Laçi            14   +2   24

6    Bylis           13   +6   21

7    Vllaznia        14   +2   20

8    Flamurtari      13   +5   19

9    Kastrioti       14   -4   18

10   Besa            14   -3   16

11   Shkumbini       14   -10  12

12   Luftëtari       14   -8   11

13   Apolonia        14   -14  8

14   Tomori          14   -13  6

  Real Madrid-Mançester, sfidë Murinjo-Ferguson

  E gjithë vëmendja e botës sportive do të jetë sot në “Santiago Bernabeu”, atje ku do të përplasen dy prej ekipeve më legjendare të futbollit europian dhe atij botëror: spanjollët e Realit të Madridit dhe anglezët e Mançesterit. Real Madrid është skuadra që e ka fituar më shumë Ligën e Kampioneve, 9 herë, ndërkohë që Mançester Junaitid synojnë ta fitojnë atë për herë të katërt. Hoze Murinnjo pohoi se, “etapa e ardhshme” e karrierës së tij do të jetë “rikthimi në Angli”. “Pas Realit të Madridit, në parim, etapa ime e ardhshme do të jetë rikthimi në Angli”, – zbuloi “Special One” gjatë konferencës së tij ën Madrid. Pas qëndrimit të te Çelsi midis viteve 2004-2007, trajneri portugez mesa duket nuk preferon të shkojë në Francë te PSG-ja. Mou nuk e konsideroi një dështim nëse ai nuk e fiton Ligën e Kampioneve. “Ka klube të mëdha dhe lojtarë të mëdhenj që nuk e kanë fituar kurrë, – tha ai. – Reali i Madridit dëshiron të fitojë për herë të dhjetë Ligën e Kampioneve dhe unë të tretën”. Murinjo tha se, lojtari më i mirë që ai ka stërvitur është Kristiano Ronaldo: “Ështëe një lojtar i një bote tjetër”. Ndeshja ka shumë sfida brenda saj, boll të kujtojmë se sulmuesi portugez i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, u ble për 94 milionë euro nga Mançester Junaitid. Përballë njëri-tjetrit do të jenë dhe dy trajnerë të njohur, dy miq të mirë, që e vlerësojnë në maksimum njëri-tjetrin: Hoze Murinjo dhe Sër Aleks Ferguson. Ka një duel të gjatë midis trajnerit të Realit dhe atij të Mançesterit. Dueli i tyre i parë si trajnerë të skuadrave respektove ishte Porto-Mancester UTD, në Ligën e Kampioneve të sezonit 2004-2005. Të dy trajnerët janë ballafaquar në 14 raste, me pesë barazime. Loja e tij e fundit ishte ajo e raundit të dytë të Champions-it të sezonit 2008-2009, kur fitonte Junajtid kundër Interit të Mourinjos. Rrugët e Hoze Mourinjos dhe Sër Aleks Fergusonit kryqëzohen përsëri katër vite pas takimit të tyre të fundit. Ajo u zhvillua në Ligën e Kampionëve 2008-2009, duke i buzëqeshur skocezit. Por, në bilancin e dueleve individuale, në mënyrë të qartë kryeson trajneri aktual i Realit të Madridit. Mou dhe Ferguson, si trajnerë janë përballur në total 14 herë. Gjashtë fiton për Murinjon, tre fitore për Fergusonin dhe pesë barazime.

Trajneri i Mançester Junajtid i ka lëshuar sfidën. “Objektivi i Realit është Europa. Kanë bërë një start të dobët në kampionat, ndërsa me formën që po kalon Barcelona duket sikur titulli është vendosur. Objektivi primar i Zhozesë është pa dyshim Champions-i. Për ne mund të jetë e vështirë, sepse luftojmë në tri fronte, por Reali ka gjithë presionin e mundshëm, sepse luan sezonin. Prandaj na tremben. Për më tepër, ata do të luajnë ndeshjen e kthimit në kupë kundër Barcelonës një javë më vonë, më pas do të rikthehen në ‘Old Trafford’ të martën. Nuk kanë një kalendar të lehtë”, – tha trajneri i Junajtid. Kompanitë e basteve favorizojnë Realin e Madridit. Kështu koeficienti i fitores së spanjollëve në “Bernabeu” kuotohet 1.57, ndërsa ajo e një fitoreje të mundshme të anglezëve në Madrid me 5. UEFA ia ka besuar ndeshjen Real-Mançester gjyqtarit gjerman Feliks Brysh. Sot do të luhet edhe ndeshja tjetër Shahktar Donetsk-Borusia Dortmund.

 Juventus i madh në Skoci

 Juventusi, thuajse është i kualifikuar për në çerekfinalet, pas fitores së pastër 3-0 ndaj Sëlltikut në Skoci. Një takim i dominuar nga fillimi në fund nga kampionët e Italisë. Matri shënoi pa kaluar tri minuta lojë, ndërkohë që në pjesën e dytë, Marikizio (77’) dhe Vuçiniç (83’) vulosën triumfin bardhezi. Ndeshja e kthimit duket si një formalitet. Edhe Paris Sën Zhermeni fitoi ngushtë në transfertën me Valencian. Parizienët fituan 2-1, falë golave na Laveci (10’) dhe Pastore (43’). Golin e nderit, por ndoshta dhe të shpresës për spanjollët e shënoi Rami. Për t’u veçuar është kartoni i kuq i Zlatan Ibrahimoviçit, me sulmuesin suedez që do të mungojë në ndeshjen e kthimit në Paris.

LIGA E KAMPIONEVE

Faza e 1/16-ve

12 shkurt 2013

Sëlltik-Juventus                0-3

Arbitër: Malljenko (Spanjë)

Valencia-PSG             1-2

Arbitër: Taljavento (Itali)

13 shkurt 2013

Shahktar D.-B.Dortmund     20:45

Arbitër: Ueb (Angli)

Real Mad.-Mançester Jun.   20:45

Arbitër: Bryh (Gjermani)

  19 shkurt 2013

Porto-Malaga               20:45

Arsenal-Bajerni Munih      20:45

20 February 2013

Galatasaraj-Shalke         20:45

Milan -Barcelona           20:45

Lionel Mesi hyn në fjalorin spanjoll

 Përkufizimet ishin përdorur të gjitha. Në moshën 25-vjeçare ka fituar 4 Topa të Artë dhe gjithçka të imagjinueshme. Ka shënuar qindra gola në çdo aktivitet dhe nuk kishte më mbiemra. Në fjalor nuk kishte më fjalë për të treguar të gjithë klasin dhe magjitë që bën në fushë. Për këtë, Akademia Spanjolle ka krijuar një neologjizëm për Lionel Mesin. Për ta realizuar u krijua një sondazh në internet me tifozët e sulmuesit. Mes 600 fjalëve të propozuara, më e votuara ishte “inmessionante”, një mbiemër që natyrisht vlen vetëm për të. Përkufizimet do të gjenden në fjalor prej botimit të ardhshëm. Së pari fjala shërben si mbiemër për Messin, për stilin e tij unik të lojës dhe rritjen konstante në paraqitje. Termi mund të përdoret edhe si referim për lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave. Këtu ka ende vend për debat, por kjo më parë nuk kishte ndodhur për Pelen, Maradonën, Krujfin apo legjendat e tjera. Ai që ka hyrë më parë në fjalor ishte Zlatan Ibrahimovic. Në dhjetor të vitit të kaluar foljen “zlatanera” u përfshi në gjuhën suedeze. Në shqip ajo do të thotë “të dominosh” apo “të bësh diçka me forcë”.