Suela Mëhilli hyn në histori, sportistja e parë në Lojërat Dimërore

697
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, organizoi një ceremoni të veçantë për olimpistët kuqezi

Skiatorja Seula Mëhilli shkruan emrin e saj në historinë e Olimpizmit shqiptar, duke qenë sportistja e parë femër që merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Soçi 2014”, që do të zhvillohen në Rusi. Vetëm 20 vjeç dhe shumë e talentuar, Suela Mehilli jeton në malet e Piemontes që e vogël, kur në moshën 3-vjeçare, erdhi me familjen nga Shqipëria në kërkim të një jete të re.  Shqipëria do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike Dimërore për të tretën herë. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka vlerësuar praninë e sportistëve shqiptarë në këtë eveniment. Shqipëria në “Soçi 2014” do të përfaqësohet me dy skiatorë, Erjon Tolën dhe Suela Mëhillin. Lojërat Olipike Dimërore do të zhvillohen gjatë muajit shkurt në Soçi, një qytet në jugperëndim të Rusisë. Kjo është hera e parë që Shqipëri përfaqësohet me dy sportistë në olimpiadën dimërore. Në Soçi 2014 sportistët shqiptarë do të marrin pjesë në disiplinën slalom dhe slalom gjigand. Në këtë olimpiadë, më e kushtueshmja në histori, do të marrin pjesë më shumë se 2500 sportistë nga rreth 90 vende të botës.

 – Suela, je sportistja e parë femër që përfaqëson Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore “Soçi 2014” në Rusi, duke shkruar emrin tënd në historinë e olimpizmit shqiptar. Cili është komenti juaj?

– E di këtë fakt, dhe kjo më bën të lumtur e krenare njëkohësisht. Më vjen mirë, që jam unë e para femër sportiste që përfaqëson Shqipërinë në “Soçi 2014”.

– U pritët në një ceremoni zyrtare nga Presidenti i Republikës, Zoti Bujar Nishani, çfarë emocionet patët?

– Jam shumë krenare. Ishte një ceremoni që më bëri shumë të lumtur. Do të mundohem të bëj maksimumin, për të arritur rezultatet sa më të mira.

– Do të garosh në gara, slalomin gjigant (18 shkurt) dhe slalom (21 shkurt). Çfarë premton?

– Janë me të vërtetë gara që kanë rivalitet të madh, pasi marin pjesë skiatoret më të mira në botë, kështu që unë do të përpiqem të bëj më të mirën.

– Cili është modeli tënd si skiatore?

– Quhet Deborah Kompanjoni. Skiatore italiane shumë e mirë. Më pëlqen shumë dhe përpiqem t’i ngjaj asaj.

– Në Lojërat Olimpike “Soçi 2014” do të marrë pjesë edhe skiatori Erjon Tola, për të cilin kjo do të jetë hera e tretë. Sa ju ka ndihmuar ai me këshillat e tij?

– Dua ta falënderoj publikisht Erjonin. Ai ma ka ndihmuar shumë deri tani. Dua të falënderoj edhe familjen e tij, pasi më kanë qëndruar shumë afër. Për një sportiste të re kjo do të thotë shumë.

– Në garat që do të marrësh pjesë, cilat janë disa nga emrat e mëdhenj?

– Italiania Frankini. Është me të vërtetë shumë e fortë.

– Ju jetoni dhe stërviteni në Itali. Cili është trajneri juaj?

– Quhet Danilo Rubini, një trajner shumë i zoti, i cili më ka ndihmuar të jem në këtë nivel.

– Sa kohë keni që merreni me ski?

– Kam filluar shumë shpejt. Skitë më kanë pëlqyer, qysh kur kam qenë pesë vjeç. Qysh atëherë nuk u jam ndarë skive, duke bërë stërvitje çdo ditë. Në fakt, për dy vjet nuk u ushtrova në ski, pasi dëmtova gjurin gjatë ushtrimit të skive.

– Ku jeton në Itali?

– Afër Torinos, Prato Nevoso. Ka një traditë të mirë të skive. Qyteti është në mal. Sa dal nga shtëpia e kaloj në rrugë, aty është pista e skive. Ka shumë skiatorë italianë.

– A jeni pjesë e ndonjë ekipi?

– Po, unë stërvitem në një skuadër. Bëj stërvitje me ata. Sa mbaroj stërvitjen e skive, shkoj në palestër. Kjo është dita ime në sport.

Erjon Tola, flamurtari kuqezi

 Skiatori Erjon Tola do të jetë flamurmbajtësi i Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore “Soçi 2014”, që do të zhvillohen në Rusi gjatë muajit shkurt. Për të kjo do të jetë hera e tretë pas pas pjesëmarrjeve në “Torino 2016” (Itali) dhe “Vankuver 2010” (Kanada). Flamurin Tolës ia dorëzoi me një ceremoni zyrtare, Presidenti i Republikës, Zoti Bujar Nishani. Ekipi olimpik do të niset në datën 2 shkurt. Erjon Tola dhe Suela Mëhilli do të garojnë në disiplinat e slalomit dhe slalomit gjigant. Erjon Tola do të zbresë në pistë më 19 shkurt dhe më 22 shkurt,  kurse Mëhilli do të paraqitet më 18 shkurt dhe më 21 shkurt.

Edicioni i 22-të i Lojërave Olimpike Dimërore do të zhvillohen në Soçi të Rusisë në datat 7-23 shkurt 2014.

 – Erjon, kjo është hera e tretë që merrni pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore, duke qenë edhe flamurmbajtësi i Shqipërisë. Çfarë do të thotë për ju?

– Është një kënaqësi e veçantë për mua. Kam marrë pjesë në “Torino 2016” në Itali dhe “Vankuver 2010” në Kanada. Te jesh flamurmbajtës është një kënaqësi dhe një detyrim më shumë.

– Do të garoni në slalom gjigant dhe slalom. Cilat janë objektivat e tua?

– Janë dy gara shumë të vështirë, pasi në to marrin pjesë skiatorët më të mirë në botë. Unë kam bërë shumë gara kualifikuese. Sigurisht që, kam ambiciet e mia sportive. Jam përmirësuar gjithmonë e më shumë. Parashikoj rezultate të larta.

– Moti, kohët e fundit nuk ka qenë në favorin tuaj…

– Po, është e vërtetë. Ka qenë një mot i ngrohtë dhe kam anuluar pjesëmarrjen në disa gara, por gjithsesi, kalendari im është plot me gara si në Itali, Zvicër, Francë, etj. Problemi më i madh ka të bëjë me faktin që, në Rusi mungon bora për momentin, kështu që do të ketë borë artificiale, çka e rrit pak vështirësinë, pasi ajo kërkon temperatura në -7 gradë.

– Si e vlerëson skiatoren e re Suela Mëhillin?

– Ajo ka shumë talent. Ajo ka fatin që, unë mund t’i transmetoj përvojën time dhe ta këshilloj për të arritur rezultate sa më të larta.