Stefo Shendi: Noti në Sarandë sport prioritar, kërkojmë përkrahje financiare

796
Nga Agron MEMA
DEKLARATA/ Flet për “Telegraf” trajneri i ekipit të notit “Butrinti”, optimist për situatën e notarëve, ka pretendime për klubin
Janë ditët pas suksesit që ekipi i notit “Butrinti” përsëriti traditën e rezultateve të larta dhe të thyerjes së rekordeve në garat kombëtare. Këto duken si sinjale të mira, në rikthimin e traditës së këtij sporti në Sarandë, dhe vetë trajneri Stefo Shendi, deklaron se në Kupën e Republikës, notarët sarandiotë e treguan realisht këtë ringritje. “Kanë qenë garat e Kupës së Republiks që u zhvilluan në fundin e muajit gusht te Akuadromi në Tiranë, në të cilat, ekipi i Butrintit shkëlqeu me rezultate dhe rekorde. Në këto gara të nivelit kombëtar, notarët tanë zunë 7 vende të para, në garat 50 m stil i lirë, 50, 100 dhe 200 m stil shpinë, 200 m stil delfin, 200m stil i lirë dhe 1500 m stil i lirë. Në këto gara spikatën notarët Justin Arapaj, Shaban Tërshalla, Ronaldo Serjani dhe Ened Bozgo, dhe krahas shtatë vendeve të para, u thyen edhe 3 rekorde kombëtare; dy për moshat nga Ronaldo Serjani dhe një rekord për të rritur në 200 m stil shpinë nga Justin Arapaj, rekord ky nga më të vjetrit i pathyer që nga viti 1985”, ishte kjo “rezymeja” që trajneri sarandiot rendit si pjesë të suksesit për këtë edicion që u mbyll pikërisht me garat e Kupës së Shqipërisë, dhe njëherësh, ai ngre edhe një shqetësim. “Këto rezultate u arritën falë përkushtimit individual të notarëve tanë, pa asnjë stimul, qoftë edhe moral nga bashkia, edhe pse notarët tanë thyenë rekorde e sollën trofe. Nisur nga kjo situatë, i bëj thirrje, qoftë Klubit Sportiv, ashtu edhe bashkisë së Sarandës, se do jetë në nderin e tyre që të miratojnë njëherë e përgjithmonë statusin e klubit të notit, për trajtimin me ushqim të sportistëve që kapin Kategorinë e Parë dhe Rekordet Kombëtare. Këto kanë vite që janë hequr, por edhe kur ishin në funksion, jepej 50 mijë lekë të vjetra në muaj. Edhe këtë stimul e hoqën, por edhe gjendja që notarët nuk e kanë një uniformë sportive ku të jetë edhe stema e bashkisë sonë, nuk ekziston”. Trajneri Shundi e quan këtë situatë të trashëguar, njëherësh edhe të painformuar për Bashkinë e Sarandës. “Kjo situatë është e trashëguar nga drejtuesit e mëparshëm të Bashkisë, nuk lindi sot, e ndoshta drejtuesit e Klubit nuk e informojnë Kryebashkiaken. Vite më parë, dhomat e zhveshjes së notarëve, një investim i Raiffeisen Bank, nuk funksionojnë, sepse aty nuk ka instalime elektrike dhe hidraulike, janë pa drita dhe ujë. Pra, nuk është faji i kryebashkiakes Koka, por i Klubit që nuk informon. Kjo situatë duhet të paraqitet dhe të zgjidhet urgjentisht”, sqaron trajneri Shendi, duke shtuar se ai ka besim tek përpjekjet që do të bëjë me këtë rast Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka. “Kam besim tek përpjekjet e kryebashkiakes, e cila është interesuar qysh tani para fillimit të punimeve të një investimi për Eko-Kampusin për ndërtimin e një pishine me përmasa dhe kushte bashkëkohore. Natyrisht që kjo do të varet edhe nga gjendja e buxhetit, pasi ndërtimi i saj arrin në 8 milionë euro. Interesimi është maksimal dhe kemi besim se do ta kemi një pishinë të tillë”. Ekipi i notit të “Butrintit” përbëhet aktualisht nga 50 notarë, nga të cilët përzgjidhen pjesëmarrësit në gara të niveleve të ndryshme, prej të cilëve rezultatet nuk kanë munguar. Nga notarët sarandiotë, stërvitja zhvillohet gjatë muajve të ngrohtë në zadrën verore, ndaj i kërkohen bashkisë investime në infrastrukturën e sportit të notit.
Kjo situatë është e trashëguar nga drejtuesit e mëparshëm të Bashkisë, nuk lindi sot, e ndoshta drejtuesit e Klubit nuk e informojnë Kryebashkiaken. Ka vite që, dhomat e zhveshjes së notarëve, një investim i Raiffeisen Bank, nuk funksionojnë, sepse aty nuk ka instalime elektrike dhe hidraulike, janë pa drita dhe ujë
REKORDET KOMBËTARE
NGA NOTARËT E BUTRINTIT
Në 200 m stil shpinë/ Meshkuj
Justin Arapaj-Butrinti 2.21.17
(Rekordi i vjetër ishte 2.21.40, dhe 
mbahej nga Ilir Ymeri i Vllaznisë 
që nga viti 1998)
Në100 m stil flutur/ Meshkuj (14 vjeç)
Renaldo Serjani-Butrinti 1.04.06
Në 50 m stil flutur/ Meshkuj (14 vjeç)
Renaldo Serjani-Butrinti 28.00
(13 vjeç, Për moshën e të Rinjve)
KUPA E SHQIPËRISË
Garat e fituara nga notarët e Butrintit
200 m stil i lirë/ Meshkuj
Shaban Tërshalla-Butrinti 2.14.60
50 m stil shpinë/ Meshkuj
Justin Arapaj-Butrinti 30.30
100 m stil shpinë/ Meshkuj
Justin Arapaj, Butrinti 1.05.64
50 m stil i lirë/ Meshkuj
Justin Arapaj, Butrint 25.35
200 stil flutur/ Meshkuj
Ronaldo Serjani-Butrint 2.27.65
200 m stil shpinë/ Meshkuj
Justin Arapaj, Butrinti 2.21.17
1500 m stil i lirë/ Meshkuj
Shaban Tërshalla, Butrinti 19.10.88
Sigal