Stefan Çipa:“Sporti, një vlerë që po ia kthejmë qytetit”

510
Sigal

INTERVISTA/ Flet ekskluzivisht për “Telegraf”, Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa

Më 16 korrik përurohet zadra e notit në Sarandë, ku i ftuar është edhe Presidenti i Notit Shqiptar, Agim Çiraku

Kryebashkiaku i Sarandës, z.Stefan Çipa në një intervistë për gazetën “Telegraf”, flet për përpjekjet dhe investimet që bën kjo bashki nën drejtimin e tij për ngritjen e vlerave sportive të qytetit e në veçanti notit, traditë ku Saranda ka qenë për vite kampion kombëtar, madje me thyerje rekordesh, por tranzicioni preku edhe sportin e kështu edhe notin. I ardhur vet nga bota sportive si lojtar dhe trajner, z.Çipa tregon dhembshurinë ndaj sportit duke investuar dhe kthyer në identitet, këtë vlerë të çmuar të Sarandës. Investimet nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë në drejtim të infrastrukturës sportive të qytetit.

Zoti Çipa, në morinë e problematikave, me të cilat jeni përballur në këto dy vjet të qeverisjes së Sarandës, cila ka qenë vëmendja që ka marrë sporti?

Ju falënderoj edhe juve si gazetë, që i bëni vend trajtimit të kësaj teme në këtë intervistë me mua. Nuk e konsideroj një “dalje nga tema” të flasësh për sportet, sidomos në kulmin e sezonit veror, kur në një mënyrë apo në një tjetër, të gjithë bëhen nga pak sportivë që në veshje e deri në ushtrimin e sportit, siç është noti. “Kostumi” i Kryetarit të Bashkisë më ka dhënë një shans e mundësi për të provuar se unë kam qenë vetë një sportist e ushtrues sporti. E kam shfaqur këtë dashuri për sportet kur isha ende gjimnazist në Sarandë dhe u bëra pjesë e ekipit të volejbollit e deri tek bërja trajner i Kukësit, kur shërbeja atje në detyrën e ekonomistit. Shkurt, sportin e kam për zemër. Këtë dobësi besoj se ma dallojnë bashkëqytetarët e mi edhe në përpjekjet që bën Bashkia e Sarandës, për të vënë dorë në rizgjimin e sporteve që nuk janë atje, ku kanë qenë dhe për të shënuar ecje të admirueshme në sporte të tjera, deri tek “sporti i mendjes”, siç quhet shahu, e ku tradita ka qenë e papërfillshme. Nuk ka munguar mbështetja jonë as për tenisin, apo bilardon.

Duke qenë se dëshira nuk mjafton, a mund të flisni edhe për realizime të prekshme në fushë të sportit?

Sigurisht që, dëshira është njëra anë dhe mundësia për ta mbështetur është një anë tjetër. Por në Sarandë, të paktën në këto dy vjet që unë drejtoj Bashkinë e këtij qyteti, mendoj se këto dy anë i gjen të harmonizuara dhe të konkretizuara. Investimet e bëra nga qeverisja vendore janë të dukshme, edhe kur nuk përdor shifra lekësh të destinuara për të sjellë ndryshimin e pritur nga sportistët e familjet e tyre dhe nga sportdashësit. Mjafton të them se jemi nga bashkitë ku është investuar më shumë se kudo për zhvillimin e sportit. Pavarësisht nga sa janë realizuar të ardhurat vendore, investimet për sportet në asnjë situatë nuk kanë munguar. Vetëm për futbollin janë investuar 24 milionë lekë sivjet. Mendoj se, hapi i madh i rëndësishëm është bërë duke e kthyer Sarandën tek tradita e vet, në kuptim të terreneve sportive. Nuk duhet harruar se nga tërë ajo “liri pa kufi” në dekadën e parë të daljes nga periudha komuniste, të parat që e pësuan e u zunë për të ngritur lokale e banesa, ishin terrenet sportive. Për fatin e keq të të gjithëve e sidomos të brezit më të ri, ato u trajtuan si sheshe të gatshme ndërtimi dhe qyteti mbeti pothuaj pa asnjë të tillë. Pjesërisht i paprekur mbeti stadiumi i lojërave me dorë, që është një pjesë e historisë së Sarandës sportive, pasi atje dhe në zadrën e Plazhit të Ri, u vendos “shkëlqimi” i dy sporteve tona: volejbollit dhe notit.

Si keni menduar të ktheni “shkëlqimin” e notit në Sarandë?

Kam arsye të jem krenar, për atë që zadra e notit, ku nuk ishte vënë dorë për 50 vite me radhë, po merr pamje dhe funksione që i kanë patur ëndërr disa breza notarësh e mjaft “yje”, që i ka dhënë Saranda notit shqiptar në dekada me radhë. Ne nuk mund të pajtoheshim me realitetin që aktivitete madhore dhe kampionate të notit, të mos ndalonin në Sarandë për asnjë ditë të vetme, vetëm për mungesë të kushteve fizike, ndërkohë që tradita në përgatitjen e notarëve nuk është fikur, por është si një stafetë që vazhdon. Falë një investimi të përbashkët të Bashkisë me donatorin Raiffaiesen Bank, investim që shkon në 6.5 milionë lekë në total, pishina natyrale e notit në Sarandë po kthehet në një stadium të dëshiruar e të munguar, i cili do të përurohet pas disa ditësh, edhe në prani të Presidentit të Federatës së Notit Shqiptar, Agim Çiraku. Kam bindjen se me këtë investim serioz, Saranda do të jetë nga qytetet e kërkuara për të zhvilluar veprimtari kombëtare e ndërkombëtare të sporteve të ujit.

Për volejbollin e keni më të vështirë të ktheni emocionin e këtij sporti në Sarandë?

Ndoshta po, por ne për të vështirën jemi. Është edhe kjo një ndër sfidat e mia si kryetar bashkie. Lojërat me dorë janë edhe ato të dashura nga moshat rinore në Sarandë. Tradita e humbur në volejboll, na bëri që të kthejmë vëmendjen së pari në lirimin e terreneve të zapotuara. Në një aneks të stadiumit të lojërave me dorë, prej vitesh kishin hyrë tregtarët e veshjeve të përdorura. Sa herë kaloja andej, ndjeja një dhimbje që ata u kishin hyrë në pjesë sporteve dhe prodhonin jo pak ndotje për qytetin, në pjesën më prezantuese të tij me syrin e turisti të huaj, që vjen nga porti. Por, e kuptoni, bëhej fjalë për bukën e gojës të disa familjeve, ndoshta më të varfrat në qytet dhe nuk mund t’i hiqje me një të rënë të lapsit, me një firmë e vulë kryetari. Investuam për një mjedis të ri, më të pastër e më të përshtatshëm edhe për ata, pranë agjencisë së udhëtarëve, ku ka edhe më shumë lëvizje njerëzish, ndërkohë që, liruam truallin e tezgave, ku ngritëm dy terrene sportive të mrekullueshme, në dispozicion të të pasionuarve pas basketit. Më poshtë stadiumin e famshëm të volejbollit po e kthejmë në identitet. Na u desh e na duhet akoma të merremi me lëvizjen e ndonjë privati që bënte kafe e sufllaqe në shkallët e atij stadiumi, por do t’ia dalim, se jemi në pronën tonë dhe në pasurinë e qytetarëve.  Volejbollin dhe në përgjithësi lojërat me dorë i shoh të rilindura shumë shpejt, pasi të njëjtën rëndësi ne u kemi dhënë e u japim investimeve lokale për palestrat e shkollave, që shumë shpejt do të shtrihet kjo iniciativë edhe në gjimnazin e Sarandës, pasi trualli është i lirë në krah të ndërtesës. Gjithashtu, e shoh këtë rilindje edhe në punën e veçantë që bëhet, të mbështetur nga bashkia, për ngritjen dhe funksionimin e ekipeve zinxhir në këto sporte. Jam plot shpresë se do të gjejmë veten dhe historinë e brezave e nostalgjinë e tyre edhe në këto sporte.

Cila është ardhmëria e zhvillimeve që projektoni?

Shohim nga e ardhmja. Dhe kur them këtë, kam ndërmend gjithë atë punë që bëhet për ekipet e moshave. Kam rastin që të bëj një apel edhe për komunitetin sarandjot, që të ndryshojë mentalitet në raport me futbollin. Kudo ekipet e moshave mbahen duke investuar prindërit, ndërsa në Sarandë investitore është bashkia. Askush nga prindërit nuk e mban dorën për të paguar që fëmija të vazhdojë kurse të tjera, ndërsa për futbollin hezitohet. Ky është një handikap, pasi medoemos kërkohet të paguajë vetëm bashkia për aftësimin futbollistik të fëmijëve që marrin pjesë në ekipe zinxhir, që është me ndikim të drejtpërdrejtë në heqjen e fëmijëve të tyre nga veset e rrugës dhe me efekte në shëndetin e tyre. Apeli i dytë shkon për biznesin, i cili duhet të bëhet më i interesuar dhe të paktën partner në zhvillimet sportive që duam t’i japim së bashku qytetit. Do t’u kujtoja atyre se Himara, fqinje me ne dhe një qytet jo me pretendimet e atributet tona, ka dy sipërmarrës në futboll, ndërsa Bashkia e Sarandës është financuese e vetme.

Tani ka filluar të peshojë rëndë fanella e “Butrintit” në futboll

Pyetjes se me futbollin, besohet që jeni edhe më pranë, për shkak të funksionit si President ekipi, Çipa i përgjigjet: “Është një nga përgjegjësitë dhe kënaqësitë e mia, të ngre futbollin sarandjot atje, ku duan ta shohin sportdashësit, që janë të veçantë në mbështetjen e tyre. Në dy vjet është investuar më shumë se 100 milionë lekë në total. Përveç fushës me tapetin e blertë, që ekzistonte, kjo bashki u kujdes për të mos munguar ndriçimi stërvitor në stadium, si dhe për investimin për tribunën, dhomat e gjyqtarëve dhe të medias. Ekipi ka bërë gjithë përpjekjet për të qëndruar me dinjitet në kategorinë e parë. Unë do të thosha se tani ka filluar të peshojë rëndë fanella e “Butrintit” në futboll. Ne u gjendëm dy pikë larg ekipit të rrëzuar nga kategoria, por ndërkohë kjo na bëri të mobilizojmë çdo energji e të vëmë në veprim çdo rezervë për t’iu larguar vijës së rrezikut. Ne dhe sportdashësit kemi të drejtë të kemi kërkesa e pretendime më të larta. Në prag të nisjes së kampionatit ne dhe stafi teknik e lojtarët kemi formuluar objektivin që të jem ndër 4 ekipet e kreut të tabelës. Sigurisht me shumë punë cilësore dhe djersë të derdhur në fushën e stërvitjes.