Stavri Nica: Fitorja me Partizanin e merituar, jemi skuadër për gjashtë vendet e para

Nga Agron KAJA

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i skuadrës së Laçit, analizon fitoren e javës së parë, vazhdimësinë e shikon në kreun e renditjes

Para ndeshjes me Partizanin, e kishit menduar një rezultat të tillë, fitore 2-0?
Tashmë kemi ditë që e kemi kaluar atë fitore, por ajo do të mbetet si një start shumë pozitiv për Laçin. Sinqerisht ju them se, në Tiranë erdhëm të paktën për një barazim, ndërkohë që fitorja ishte rezultat i këmbënguljes, seriozitet e besimit që tregoi skuadra gjatë lojës.

Është kjo fitore edhe pjesë e merkatos së verës që kryet në skuadrën tuaj?
Gjatë merkatos, te Laçi janë afruar lojtarë shumë të mirë. Dy javë stërvitje kanë, dhe atyre iu duhet edhe pak kohë që të ambientohen me pjesën tjetër të grupit. Rëndësi ka që, e gjithë skuadra ka një gjendje të mirë fizike, natyrisht edhe psikologjike, çka e bën edhe më të fortë besimin në synimet tona.

Si ndeshja e parë zyrtare e sezonit të ri, çfarë konkluzioni keni për fitoren ndaj Partizanit?
Konkluzioni im si trajner është se, në fitoren me Partizanin, skuadra ishte e disiplinuar në lojë dhe funksionoi mirë në fazat mbrojtëse. Kishim probleme me sulmin, pasi na mungonin sulmuesit për këtë takim, dhe ju përgjigjëm lojës së Partizanit me kundërsulme të shpejta. 

Si e shikoni në tërësi, këtë start të Kategorisë Superiore 2017-2018?
Si në çdo sezon të kaluar, edhe ky që sapo nisi ka ngërçet e veta, ka edhe fat për skuadra të veçanta. Deri sa të përshtaten skuadrat dhe të vijnë në formën e tyre optimale, mendoj se nuk do të mungojnë edhe rezultatet surprizë, kartonët, e detaje të tjera që janë pjesë e lojës.

Nesër (sot) keni ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Sopotin, do të ndikojë ajo për ndeshjen e javës së dytë të Superiores, me Luftëtarin?
Absolutisht jo, sepse ne i kemi mundësitë që të luajmë mirë në ndeshjen e Kupës, dhe aty të shohim ndonjë mundësi rikuperimi për ndeshjen me Luftëtarin. Nuk e nënvleftësojmë Sopotin, por se nëpërmjet lojës me të do të shikojmë një përmirësim të skuadrës sonë.

Cilat janë synimet e Laçit për sezonin e ri futbollistik?
Mendimi im si trajner është që, ta çoj Laçin si pretendent i trofeut, duke qenë në gjashtë skuadrat e para. Mundësitë janë, duhet vetëm punë në vazhdimësi, njëherësh edhe rezultate. Me Laçin, unë asnjëherë nuk kam punuar për mbijetesë, edhe pse në sezonin e kaluar ishim në atë zonë, por unë e morra skuadrën shumë vonë.

E keni një ide, se cila skuadër mund të jetë më pretendente për titullin kampion?
Për një trajner, mendoj se është e vështirë ta përcaktojë një skuadër kampione, por edhe skuadrën që do të zbresë, sepse ne i kemi të gjithë kundërshtarë dhe rivalë. Ndaj këtë do ja lija vazhdimësisë së kampionatit, duke përforcuar urimin që Laçi të renditet në gjashtë skuadrat e para.

Konkluzioni im si trajner është se, në fitoren me Partizanin, skuadra ishte e disiplinuar në lojë dhe funksionoi mirë në fazat mbrojtëse. Kishim probleme me sulmin, pasi na mungonin sulmuesit për këtë takim, dhe ju përgjigjëm lojës së Partizanit me kundërsulme të shpejta 

Rezultatet-Java e parë
Të shtunën, 9 shtator 2017 
Kukësi-Kamza 1-0
Skënderbe-Flamurtar 2-0
Teuta-Luftëtari 2-1
Të dielën, 10 shtator 2017 
Lushnja-Vllaznia 0-2
Partizani-Laçi 0-2 

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Laçi 1 3
2. Skënderbeu 1 3
3.Vllaznia 1 3
4.Teuta 1 3
5.Kukësi 1 3 
6. Luftëtari 1 0
7.Kamza 1 0
8.Flamurtari 1 0
9.Lushnja 1 0
10.Partizani 1 0
Ndeshjet-Java e dytë
Datë 16 shtator 2017 
Flamurtari-Lushnja 19:00
Datë 17 shtator 2017 
Laçi-Luftëtari 16:00
Vllaznia-Teuta 19:00
Datë 18 shtator 2017 
Kamza-Skënderbeu 16:00
Partizani-Kukësi 19:00