Starova: “Kukësi ‘pa vizë’ në Europë!”

491
Sigal

Drejtori sportiv i kuksianëve tregon “formulën” e sezonit të jashtëzakonshëm: “Investime dhe seriozitet”

Sulejman Starova është i pajisur me dhuntinë, për të pasur sukses kudo që të punojë dhe në çfarëdo roli që të ketë në një klub apo skuadër. Kampion dhe fitues Kupe si lojtar me Partizanin, kampion si trajner me Partizanin dhe Tiranën, nënkampion si drejtor sportiv me Teutën, dhe mesa duket do ta arrijë këtë dhe me Kukësin. “Sula”, tashmë në rolin e drejtorit sportiv të Kukësit, tregon për gazetën “Telegraf”, për sezonin e jashtëzakonshëm të skuadrës kuksiane, që nga debutuese e Kategorisë Superiore, tani është shndërruar në ekipin e 15-të shqiptar që merr pjesë në Europë. Starova vlerësoi investimet serioze të presidencës së Kukësit, me në krye biznesmenin Safet Gjici, si dhe punën serioze të treshes së trajnerëve shkodranë të udhëhequr nga Armando Cungu, por dhe kontributin e lojtarëve.

 – Zoti Starova, skuadra e Kukësit, në të cilin ju kryeni rolin e drejtorit sportiv, ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm në vitin e parë të saj në Kategorinë Superiore, duke siguruar në vend në Ligën e Europës. Cila është formula e suksesit?

– Së pari, ju falënderoj për ftesën për të ndarë me gazetën “Telegraf”, suksesin e skuadrës së Kukësit. Klubi ka qenë i qartë në strategjinë e tij, duke filluar nga dy sezonet paraardhëse, ku nga Kategoria e Dytë u ngjit në të Parën dhe më pas në Kategorinë Superiore. Një rol të veçantë ka Bashkia e Kukësit që, me në zotin Hasan Halilaj, që ka punuar me zgjuarsi për të afruar disa nga biznesmenët më të suksesshëm, përfshirë Ram Gecin, Safet Gjicin, Bashkim Gjokën dhe Flamur Hoxhën. Geci ishte presidenti i skuadrës kur ajo ishte në Kategorinë e Dytë dhe të Parë dhe u ngjit në Superligë. Këtë sezon, i pari në Kategorinë Superiore i Kukësit, president është Safet Gjici, një biznesmen shumë i njohur dhe dashamirës i jashtëzakonshëm i futbollit. Zëvendëspresidentë janë Bashkim Gjoka dhe Flamur Hoxha. Presidenca e re filloi punën paralelisht, duke ndërtuar stadiumin e ri, ndërsa stafi teknik me në krye Armando Cungun ndërtoi grupin e lojtarëve. Unë u emërova drejtor sportiv, detyrë të cilën e pranova me kënaqësi. Me dy fjalë do ta përkufizoja formulën e suksesit tonë: “investime serioze, punë serioze”.

– Duke pasur parasysh faktin se, Kukësi debutonte për herë të parë në Superligë, por dhe faktorin gjeografik, sa e vështirë ishte të ndërtoje skuadrën?

 – Skuadrën e ndërtuam në kohë relativisht rekord, nga e para. Pavarësisht se, financat e klubit ishin të mëdha nuk ishte e lehtë që të bindje lojtarët, sidomos ata cilësorë dhe fitues trofesh. Ishim të qartë në nevojat tona, në tre repartet e skuadrës: mbrojtje, përfshirë këtu edhe portierin; mesfushën dhe sulmin. Sulmuesi Gerhard Progni ishte nga blerjet e para, ndërsa më pas firmosën kapiteni Rrahman Hallaçi, mesfushori me shumë përvojë Igli Allmuça, mbrojtësi i spikatur Julian Brahja, por dhe dy kosovarët Yll Hoxha dhe Besar Hysolli. Edhe portieri Argent Halilaj është ndër më të mirët në Shqipëri. Nuk duhet të harrojmë dhe firmosjen me sulmuesin serb Lazar Popoviç, i cili rezultoi një blerje efikas, pasi ai është dhe shënuesi më i mirë i ekipit dhe realizuesi i dytë më i mirë në kampionat. Argjentinasi Malarkane ka dalë kampion në Shqipëri. Pra, me pak fjalë erdhën në skuadër lojtarë me mentalitet fituesi. Sigurisht, projekti që pati presidenca më në krye presidentin Safet Gjici ishte serioz dhe real, i mbështetur në financa të shëndosha dhe të garantuara.

– Serioziteti i Kukësit u vu re qysh në fazën përgatitore, madje duke sjellë edhe risi…

– Po, kjo është e vërtetë. Në një kohë që në Kukës punohej intesivisht për ngritjen e stadiumit të ri, për të plotësuar kushtet dhe parametrat e vendosura nga Federata Shqiptare e Futbollit, presidenca vendosi të stërvitej në Tiranë kundrejt marrjes me qira të fushave stërvitore të Dinamos. U bë e detyrueshme dreka për lojtarët, madje duke aplikuar edhe penalitete me gjoba për ata që nuk do të ishin të pranishëm. Kjo për disa arsye, duke filluar nga krijimi i një atmosfere familjare brenda skuadrës, disiplinës së grupit, ndërkohë që gatuhej sipas rekomandimit të stafit mjekësor më të mirë në Shqipëri, mjekëve të njohur Pertef dhe Perli Rusi. Për ta mbyllur, i bëmë me shumë seriozitet gjërat e vogla për të arritur gjërat e mëdha me fillimin e kampionatit.

– Debutimi i Kukësit ishte e një kuriozitet për të gjithë, kjo dhe nga deklarimet e herë pas hershme të drejtuesve se, ata kishin ndërtuar një skuadër jo për mbijetesë por, për të kapur një vend në Europë. Kukësi e pësoi humbjen e parë pas 11 javësh kampionat. Cilat ishin sipas jush, motivet e kësaj paraqitje cilësore?

– Janë shumë faktorë që, vendosin në një ndeshje futbolli, pasi nuk ka rëndësi ku luhet në Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë apo kudo qoftë. Në dhjetë ndeshjet e para, ne arritëm katër fitore dhe gjashtë barazime, ku spikat padyshim ajo 2-1 me Tiranën në “Qemal Stafa’, apo dhe barazimet me Vllazninë dhe Teutën në Kukës. Pra, nuk e provuam shijen e humbjes, çka e rriti shumë besimin e skuadrës. Nuk duhet të harrojmë dhe faktin se, stadiumi i Kukësit është i veçantë, pasi fusha nuk është me bar natyral, por me bar artificial. Për hir të së vërtetës, lojtarët nuk ishin dhe shumë të ambientuar, kështu që nuk do ta quaja çudi edhe ndonjë dështim të mundshëm. Fitorja e parë, ajo kundër Bylisit, na çliroi psikologjikisht. Gjatë kësaj kohe, ne e kishim përsëritur shpesh se kemi ndërtuar një skuadër jo për mbijetesë, por për në Europë. E kemi bërë me një qëllim të caktuar, për të ngulitur në mendjen e lojtarëve se jeni ndërtuar për të luajtur në Europë. Kemi fituar disa ndeshje me rezultat të thellës, ku spikat ai 6-1 me Flamurtarin në Kukës.

– Kukësi shkaktoi një surprizë të madhe, kur eliminoi në turin e dytë të Kupës, Tiranën, 24 herë kampione të vendit dhe 15 herë fituese të Kupës. A ishte fitimi i Kupës ndër objektivat e fillimsezonit të Kukësit?

– Për të qenë i sinqertë, Kupa e Shqipërisë nuk ishte në synimet tona, pasi e gjithë vëmendja jonë ishte në kampionat, pra për të qenë në tre vendet e para të Superligës. Fati e solli që, ne të përballeshim me Tiranën dhe kur e eliminuam atë, atëherë Kupa u përfshi në prioritet tona. Ai kualifikim me Tiranën na riti moralin, dhe menjëherë pas ndeshjeve në Kupë ne fituam me Tiranën edhe në kampionat. Fituam tri herë ndaj Tiranës në këtë sezon, s’është pak. Gjithsesi, në Kupë u eliminuam në gjysmëfinale, ku mbërritëm për herë të parë në histori.

– Humbja e parë në kampionat erdhi në javën e 11-të, pikërisht me Flamurtarin në Vlorë…

– Po, ishte një humbje disi e hidhur, pasi për hir të së vërtetës luajtëm mirë në Vlorë, ashtu si në ndeshjen e humbur po me Skënderbeun në Korçë. Dy sfida shumë të vështira, por më duhet të theksoj se, me të gjithë konkurrentët e këtij sezoni kemi luajtur si të barabartë.

– Tashmë në vend të dytë, kur ka mbetur edhe një javë nga përfundimi i sezonit dhe një biletë e prerë në Ligën e Europës, duke qenë skuadra e 15-të shqiptare që merr pjesë në Europës. Objektiva të realizuara apo jo?

– Më vjen mirë, pasi shtohet në traditë tjetër dhe e çmuar në historinë futbollistike të Kukësit. Partizani, Tirana, Dinamo, Flamurtari dhe Vllaznia kanë qenë skuadra tradicionale në pjesëmarrjen e tyre në Europë, ndërkohë që Teuta ka qenë vazhdimisht në dekadën e fundit. Nuk duhet të harrojmë se, në Europë kanë luajtur edhe Elbasani, Besa, Tomori, Apolonia, Albpetrol, Bylisi dhe Laçi. Tani shtohet edhe Kukësi.

 Kampioni i dyfishtë Starova

 Sulejman Starova bën pjesë në një elitë të ngushtë dhe të spikatur të njerëzve të futbollit shqiptar, pasi ai ka fituar tituj si lojtar dhe trajner. Sula fitoi si lojtar titullin kampion në sezonin 1980-1981, kur skuadrën e drejtonte Bejkush Birçe dhe përbëhej nga emra të tillë si, Safet Berisha, Perlat Musta, Kastriot Hysi, Arjan Ahmetaj, Ilir Lame, Genc Tomori, Ferid Rragami, Hasan Lika, Agim Murati. Starova fitoi titullin kampion si trajner me Partizanin, në sezonin 1992-1993 (atë edicion fitoi dhe Kupën), me lojtarë të tillë si Ilir Shulku, Shahin Berberi, Afrim Myftari, Sokol Meta, Artan Bani, Ylli Shehu, Ardian Zhupa, Alban Tafaj, etj. Sula ka fituar titullin kampion edhe me Tiranën në sezonin 2004-2005, duke pasur lojtarë të tillë si Blendi Nallbani, Rezart Dabulla, Devi Muka, Klodian Duro, Arjan Pisha, Egert Bakalli, Saimir Patushi, Altin Rraklli, etj.

 “Përse e zgjodha Kukësin”

 Sulejman Starova ka punuar me disa nga ekipet më të mëdha në Shqipëri, Partizanin, Tiranën, Teutën, ndërkohë që ka shpenzuar edhe gati shtatë vjet në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit. Po, përse dashuria për Kukësin është e veçantë për Starovën? “Në fakt, një sezon më parë unë isha drejtor sportiv te Teuta ku dolëm nënkampion dhe titullin e humbëm vetëm javët e fundit. Tirana më bëri një ofertë për të drejtuar skuadrën, Teuta dha “Ok”. Tirana e neglizhoi tratativën, ndërkohë që Kukësi më bëri një ofertë konkrete, ndërsa presidenti Gjici duke më paraqitur një projekt serioz dhe ambicioz. Jam një njeri që, i pëlqej sfidat dhe pranova”.

 Përforcime për Europën

 Pjesëmarrja në Ligën e Europës do të sjellë edhe një rikonfigurim të skuadrës, për të përballuar fushatën e parë ndërkombëtare. “Patjetër që, do të bëjmë formatim në skuadër, duke synuar ta bëjmë atë sa më cilësore. Do të afrojmë katër-pesë futbollistë të spikatur nga vendi dhe rajoni”, – tha Starova.

 Synojmë titullin kampion

Debutimi i Kukësit në Superligë rezultoi i suksesshëm. “Kjo ishte një përvojë e madhe për skuadrën, pasi viti i parë në Kategorinë Superiore kishte dhe riskun me vete. Ne guxuam dhe ia dolëm. Mund të ndryshojmë objektivat për sezonin e ardhshëm. Minimalja futja në Europë, maksimalja titulli” – tha drejtori sportiv.

Fushë, me bar artificial

 Stadiumi i Kukësit ka të veçantë fushën me bar artificial,

por edhe tifozerinë, pasi janë të pranishëm edhe tifozë kosovarë. “Kjo e zbukuron kjo atmosferën dhe i nxit lojtarët. Padyshim, që po. Është një gjë mjaft e bukur që, skuadra ndiqet gjerësisht edhe nga tifozë të shumtë kosovarë. Kukësi shkon shumë mirë me komshinjtë kosovarë”, – tha për gazetën Starova.

 Mundja, tradita e vjetër

 Dikur tradita e Kukësit ka qenë mundja, pavarësisht se futbolli ka qenë i dashur në Kukës. “Në fakt, – shpjegon Starova, – kjo ka ardhur edhe për shkak të një lloj izolimi gjeografik, pasi të vije në Kukës nga Tirana apo edhe më në Jug doje të paktën dhjetë orë, duke e penguar disi futbollin. Tani është shumë komode, pasi rruga është një bukuri më vete”.

 Efekti i serbit Popoviç

 Sulmuesi serb Lazar Popoviç mund të konsiderohet si një nga blerjet e suksesshme të Kukësit. Në fakt, ai ka shënuar 14 nga 45 gola e skuadrës, duke qenë ai realizuesi më i mirë.

 Paqe Kosovë-Serbi në Kukës

 Skuadra kuksiane ka në gjirin e saj dy lojtarë kosovarë, Yll Hoxhën dhe Behar Musollin, por nga ana tjetër edhe serbin Lazar Popoviç. Marrëdhëniet e tyre janë shumë miqësore.

 Të dyja skuadrat i kanë realizuar objektivat sezonalë

Festë e madhe në ndeshjen me Skënderbeun

 Ndeshja e fundit për këtë sezon e Kukësit është ajo kundër Skënderbeut që, mbërrin në “Zeqir Ymeri” me petkun e kampionit. ndeshja në “Zeqir Ymerit”. Ndeshja pritet të këtë më shumë ngjyra festive, pasi kuksianët tashmë kanë plotësuar një objektiv, ndoshta të pabesueshëm në fillim të sezonit, pasi u bënë skuadra e 15-të shqiptare që do të luajë në Europë. Kjo ndeshje pritet të ndiqet nga një numër rekord shikuesish, edhe për faktin se luan skuadra e vendit të parë, ndaj asaj të vendit të dytë. Kategoria Superiore do të luajë aktin e fundit të sezonit 2012-2013, një javë që mund të ketë më shumë karakter protokollar, kjo dhe për faktin se tashmë janë përcaktuar të gjitha verdiktet e Kampionatit të 74-t Kombëtar të Futbollit. Kështu, kampion është Skënderbeu (e fiton për të tretin vit rresht). Në Ligën e Europës do të shkojnë Kukësi (debutim historik) si dhe Teuta. Nga kategori ranë Shkumbini (pas 19 vjetësh pjesëmarrje në elitën e futbollit shqiptar), Luftëtari, Apolonia dhe Tomori. Ndeshjet e Flamurtarit kundër Apolonisë dhe Teutës kundër Tomorit priten të jenë sa për statistikë, pasi kundërshtarët e tyre kanë kohë qe i kanë dhënë lamtumirën Superligës. Tani ka mbetur vetëm për t’u përcaktuar se, kush do të jetë fituesi i Kupës i Shqipërisë në finalen Laçi-Bylis, me të dyja skuadrat që kanë shansin të hyjnë në histori si ekipi i dhjetë që e fiton këtë trofe, e shoqëruar kjo edhe me një biletë në Ligën e Europës.

NDESHJET E KUKËSIT

Faza e parë

Java 1     Kukësi-Luftëtari     1-1

Java 2     Kukësi-Vllaznia     0-0

Java 3     Apolonia-Kukësi     0-0

Java 4     Kukësi-Bylis        1-0

Java 5     Laçi-Kukësi         1-1

Java 6     Kukësi-Tomori       3-1

Java 7     Shkumbini-Kukësi     1-1

Java 8     Kukësi-Teuta         1-1

Java 9     Tirana-Kukësi        1-2

Java 10    Kukësi-Besa          3-0

Java 11    Flamurtari-Kukësi    2-0

Java 12    Kukësi-Kastrioti           3-1

Java 13    Skënderbeu-Kukësi    2-0

Faza e dytë

Java 14    Luftëtari-Kukësi     1-3

Java 15    Vllaznia-Kukësi      1-0

Java 16    Kukësi-Apolonia      1-0

Java 17    Bylis-Kukësi         3-0

Java 18    Kukësi-Laçi          2-1

Java 19    Tomori-Kukësi        2-5

Java 20    Kukësi-Shkumbini           5-1

Java 21    Teuta-Kukësi         1-1

Java 22    Kukësi-Tirana        2-1

Java 23    Besa-Kukësi          0-2

Java 24    Kukësi-Flamurtari    6-1

Java 25    Kastrioti-Kukësi     0-3

Java 26    Kukësi-Skënderbeu    11.05

Bilanci: 25 ndeshje, 14 fitore, 7 barazime, 4 humbje. Golaverazhi: 45-22 (+23). Pikë: 49. Vendi i dytë.

RENDITJA E SUPERLIGËS PARA JAVËS SË FUNDIT

1    Skënderbeu      25   +30  58

2    Kukësi          25   +23  49

3    Teuta           25   +11  48

4    Flamurtari      25   +16  45

5    Tirana          25   +7   42

6    Laçi            25   +1   37

7    Vllaznia        25   +2   35

8    Kastrioti       25   -8   34

9    Besa            25   -3   31

10   Bylis           25   +3   29

11   Shkumbini       25   -16  26

12   Luftëtari       25   -19  19

13   Tomori          25   -23  16

14   Apolonia        25   -24  12