“SportMediaset”: De Biasi drejt stolit të Italisë

524
“Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi po i ngjit me shpejtësi pozicionet në garën për të drejtuar stolin e Italisë pas largimit të Antonio Contes”. Lajmi sensacional publikohet nga “SportMediaset” që zbulon disa detaje interesante dhe bën një analizë të situatës aktuale në ambjentet e Federatës Italiane të Futbollit që është vënë në punë për të gjetur sa më parë një trajner për Kombëtaren e Kaltër. Sipas faqes së internetit, De Biasi është takuar me kreun e Federatës Italiane, Carlo Tavecchio në datën 7 Mars në qëndrën stërvitore të Covercianos me rastin e ceremonisë së çmimit “Pankina e Artë”. Pas këtij takimi, Tavecchio ka nisur punën duke e parë De Biasin si një alternativë të mundshme për stolin e Italisë, madje kandidaturën e tij e mbështet fuqishëm edhe presidenti i Lega Pro, Pasquale Gravina.
Është pikërisht ky i fundit që po lobon për rikthimin e De Biasit në Itali, madje ai synon që bashkë me trajnerin kuqezi, në stafin drejtues të të kaltërve të afrohet edhe ndihmësi i tij, Paolo Tramezzani. “Kontakti i fundit mes De Biasit dhe drejtuesve më të lartë të federatës u sinjalizua disa ditë më parë por gjithsesi rruga drejt Kombëtares së Italisë mbetet ende e gjatë sepse Tavecchio do të zhvillojë një takim edhe me Fabio Capellon. Nëse takimi me ish trajnerin e Rusisë nuk shkon sipas parashikimeve, De Biasi do ta ketë rrugën të hapur edhe pse duhet të marrë parasysh një tjetër kandidaturë, atë të Gianpiero Ventura-s”, shkruan ndër të tjera “SportMediaset”
Sigal