Sportistja shqiptare që shkëlqen në SHBA

127
Klodeta Gjini 


Florie Mema Bici ose më thjesht për mua Lola ose Loli me përkëdheli… ka përfaqësuar Shqipërinë dikur. Çfarë kujton nga ajo periudhë?

Jeta ima ka qenë dhe vazhdon të jetë e lidhur me sportin, pikërisht me atletikën. Pas një stërvitje disa vjeçare arrita rezultate të nivelit kombëtar, duke marre pjese ne kampionatet dhe garat kombëtare. Kam përfaqësuar Mjeshtrinë Sportive Durrës, kur isha nxënëse. Them se rezultatet e mia kanë qenë të kënaqshme në 100m, 200m dhe 400m. Jam klasifikuar në tre me të mirat me rezultatet që kisha si ne Kampionate Kombëtare ashtu edhe ne Kupat e Republikës, Kupën Kristo Isak, Kupën e Ushtrisë etj. Kam marr pjesë gjithashtu në 2 Spartakiada Kombëtare të 4 -ën dhe të 5-ën. Arrita të isha pjesëtare e ekipit kombëtar të atletikës, gjë që ka dha mundësinë të përjetoja emocione të mëdha, që në moshe të vogël. Vetëm 15 vjeçare arrita të kem rezultate, që nuk i kisha ëndërruar ndonjëherë. Karriera ime sportive mund të përshkruhet me disa prej rezultateve të mëposhtme: 

Tiranë: 15-17 prill 1981 200m 25″2/10 vendin e parë, 400m 57″5/10 vendin e parë 

10-12 qershor 1982 200m 25″4/10 vendin e parë 400m 57″3/10 vendin e parë

Tetor 1984, Spartakiada Kombëtare 200m 25″ 5/10 vendin e parë medalje të artë,100m 12″ 7/10 vendin e dytë medalje të argjendi

Maj 1985 200m 25″5/10 vendin e parë 400m 57″2/10 vendin e parë

Në spartakiadën e 6 isha pjesëmarrëse, por mosha bëri të vetën dhe rezultatet kishin një lloj rënie 200m 26/6 dhe 400m 57″7/10.
Korçë, 25-26 korrik 1983 200m 25″3/10 vendin e parë 400m 57″2/10 vendin e parë

30-31maj 1986 200m 25″2/10 vendin e parë 400m 57″5/10 vendin e parë 

Elbasan, 24-26 shtator 1984 200m 25″5/10 vendin e parë 400m 57″4/10 vendin e parë.

Garat në Shqipëri kishin të veçantat e tyre. Ato mbartnin pa dyshim një ngarkese fizike dhe psikologjike. Duhej të shkoja në shkollë, më pas stërvitja dhe studimi. Pas mbarimit të shkollës isha në marrëdhënie pune, impenjimi në shtëpi dhe stërvitja. Mendoj se ka qenë këmbëngulja ime se bashku me punën e palodhur të trajnerëve që më kanë ndjekur, Alex Leka gjatë kohës që isha nxënëse në Mjeshtërinë Sportive dhe Gjergji Poloska me pas në klubin e Labinotit që më kane çuar në arritjen e rezultateve të mësipërme. Ata për mua ishin trajnerë, por kane luajtur edhe rolin e prindërve me një fjalë mësues-trajnerë. 

Garat ndërkombëtare i keni filluar bashkë me të rinjtë. Si ndihej Lola nga përgatitja psikologjike atëherë? Çfarë ndjente?

Emocione shumë të mëdha kam ndjerë në veprimtaritë e organizuara jashtë vendit. Atëherë isha shumë e re, nuk e njihnim jetën jashtë Shqipërisë. Ndryshimi midis vendit tonë dhe vendeve të tjera ishte i dukshëm. Ishte krejt ndryshe, por megjithatë ne si ekip kemi përfaqësuar denjësisht vendin tonë edhe pse pa eksperiencë dhe me një presion psikologjik të lartë për vlerat që duhet të tregonim, si nga ana sportive ashtu edhe politike. I paharruar është për mua takimi miqësor dypalësh midis Shqipërisë dhe Turqisë. Në takimin e kthimit në Korçë thyem rekordin kombëtar në stafetën 4x100m dhe 4x400m. Kënaqësia ishte e jashtëzakonshme. Takime të tjera mbresëlënëse kanë qenë takimi miqësor me Ekipin e Kosovës, më 1980, në Selanik të Greqisë në Ballkaniadën Juniores në 1980 dhe një vit më vonë në Pleven të Bullgarisë, përsëri në Ballkaniadën Juniores. Mendoj se rezultatet e arritura kanë qenë të kënaqshme. Është e vështirë të përcaktosh dhe përshkruash emocionet që ndjen në një garë ndërkombëtare. Ti e di që ne kemi qenë një grup prej 4 apo 7 vetash që përfaqësonim vendin. Personalisht mendoj se ishte një vlerësim që më bëhej duke marrë pjesë, ishte shpërblim i rezultateve të arritura. Kur dilja ne stadium me veshjen e kombëtares nuk i ndjeja këmbët fare, sado që isha e vogël më dukej sikur isha në një ëndërr. Kjo gjë më jepte akoma më shumë shtytje për rezultate akoma me të larta.

Sot vazhdon pasionin tënd të atletikës, por në një disiplinë si ajo e gjysmë maratonës dhe maratonës. Si ndihet Lola psikologjikisht sot para gare?

Pas mbarimit të shkollës u emërova mësuese e edukimit fizik në rrethin e Elbasanit. Nuk u ndava asnjëherë nga veprimtaritë sportive. Nuk u shkëputa asnjëherë nga atletika. Nuk e kuptoja dot jetën larg këtij sporti. Kam ushtruar profesionin tim të mësueses së edukimit fizik ne qytetin e Elbasanit deri në 1997, vit që shënoi dhe një ndryshim ne jetën time, emigrimin në SHBA, në Houston, Teksas. Sot jam më e pjekur jo vetëm si person, atlete, por edhe jetesa jashtë bën të mos ndjej më presionin e dikurshëm. Sot ndjej vetëm peshën e përfaqësimit të Lolës. Garat më japin kënaqësi dhe ndjek rezultatin. Kam emocione, por janë krejt të ndryshme nga ai viteve të dikurshme. Ambienti nuk është me diçka e panjohur edhe pse qytetet janë të ndryshme. Kam eksperiencën e jetës jashtë dhe njoh mjaft mirë protokollin e garave. Për çdo gjë informohem vetë, nuk kam një përgjegjës ekipi mbi kokë.

I ke rënë Amerikës kryq e tërthor me maratona, diçka me tepër për momente të veçanta që ke përjetuar?

Sot vazhdoj të jetoj në SHBA, bashkë me familjen time, burrin dhe 2 djemtë. Jemi të dy në marrëdhënie pune dhe jam e kënaqur edhe për fëmijët. Djali i madh Kevin, 26 vjeç punon ne Production Department në Hollywood, kurse djali i vogël Donaldi, 21 vjeç studion në Universitet Inxhinier Nafte. Mbështetja që me ka dhënë bashkëshorti, Ymer Bici, të cilin e kam njohur në Elbasan në 1986, ka qenë një mbështetje absolute dhe nuk është bërë asnjëherë pengesë, por gjithmonë më ka shtyrë të mos ndahem nga pasioni im. Sot përveç tij më mbështesin edhe fëmijët në pasionin tim. Në 2009 fillova të marr pjesë në gjysmë maratonat. Fillimisht me garat që organizoheshin nga komuniteti apo shkollat. Më pas hopi cilësor ishte pjesëmarrja në gjysmë maratonën në Houston, Chevron. Tashmë kam marrë pjesë tetë herë aty. Në Austin po ashtu kam bërë 8 gjysmë maratona të tjera, me rezultatin me të mirë 1`47”. Çdo garë ka të veçantat e veta. Nuk mund të le pa përmendur ato në Dallas, San Antonio apo në Rockenroll. Gjashtë herë kam vrapuar në Sugarland dhe jam klasifikuar në vendin e dytë, vendin e tretë për moshën time. Nuk mungon në maratonat e mia as Hollivudi, ku kam bërë 3 gjysmë-maratona. Mendoj se kam akoma shumë për të bërë. Përpara një jave kam qenë në Divas në një gjysmë maratone në Galveston. Mendoj se është e vështirë në një intervistë të përshkruhen emocionet që ndjej. Kam dy ëndrra të hershme: maratonën e New Yorkut dhe të Bostonit. Jam kualifikuar për të marrë pjesë në të dyja. Akoma nuk e di se kur do t’ì realizoj këto ëndrra.

Si të duket sot, që ajo zgjedhje që ke bërë në moshë të hershme vazhdon të japë akoma kënaqësi. Jo vetëm sadisfaksion, por mbi të gjitha edhe shëndet?
Emocionet më të mëdha në moshë të re i kam pasur në Korçë, më 1983 në Kupën Kristo Isak. Zhvillohej gara e stafetës 4x400m dhe isha pothuajse 60m larg nga atletja e vendit të parë, të cilën arrita ta kap dhe ekipi të klasifikohet i pari. Gjithë stadiumi u ngrit në këmbë dhe duartrokiste. Ky moment me është ngulitur në mënyrë të pashlyeshme gjatë gjithë karrierës sime. Emocione të papërshkrueshme nga mikpritja korçare, jo vetëm në këtë garë, por sa herë ishim në Korçë. Një qytet i veçantë dhe i mrekullueshëm me mikpritjen e tij. Emocionet e sotshme janë ndryshe. Ndofta shumë persona kane dëshirë të vrapojnë, por emocionet e mia janë të veçanta, si ish sportistë kam ato ndjesitë dhe emocionet para garës që përjeton çdo sportist. Meditoj për garën që do të bëj dhe se si do të jetë rezultati, të cilin duhet ta përmirësoj. Stimulimi pozitiv, marrja me aktivitet aerobik që luan një rol të dobishëm për shëndetin sidomos për moshat mbi 40 bëjnë që të ndihem shumë e gjallë dhe mos ndjej peshën e viteve. Jam me fat që kam pasion atletikën dhe në këtë mënyrë pasioni gërshetohet dhe me gjendjen time fizike.