Sporti Shqiptar dhe “Mbreti” i tij Futbolli, sot kërkojnë punë për progres

1590
Nga Prof. Dr. Mehmet Spahiu
KËNDVËSHTRIM/ Një “sugjerim i vogël” për një “problematikë të madhe” dhe situata aktuale në topkëmbën shqiptare 
Në përgjithësi, sporti shqiptar po mbijeton me shumë halle e vështirësi, ku dominon varfëria financiare, infrastruktura skandaloze, gara kombëtare nëpër ambiente të cilat janë më afër vendeve në zhvillim, sesa Evropës. Falë pasionit të sportistëve, të trajnerëve pasionantë e të përkushtuar si dhe drejtuesve të federatave sportive të cilët me përkushtim dhe këmbëngulje, mbajnë në këmbë sportin shqiptar dhe identifikojnë Shqipërinë si shtet që di të ballafaqohet në arenën evropiane e botërore. Me këtë varfëri ekonomike që mbizotëron në sport, sportistët nuk arrijnë të përmbushin nevojat e tyre më elementare, e jo më të mendojnë se mund të përfitojnë diçka nga sporti në këmbim të kontributit të tyre disa vjeçar.

Financat e garantuara dhe shtrirja gjeografike e futbollit 
Në këtë situatë ekonomike që kalon sporti ynë, ndoshta duhet të kthehemi para viteve ’90-të, ku në këmbim të arritjeve sportive jepeshin fletë lavdërimi, apo medalje prej llamarine “Sulmues i RPSSH” që ishin “made” nga “Konsumi i Gjerë”. Jemi në kohën e duhur të kujtojmë humorin shkodran, kur fituesit të një gare i dhanë fletë lavdërimi, dhe ai u përgjigj: “Faleminers. Nuk ma hanë fmija!”.

Pra, sporti kërkon mbështetje serioze financiare dhe për këtë duhet menduar seriozisht për të hartuar amendamente të posaçme në ligjin për sportin, nëpërmjet të cilave të rriten interesat e kompanive të fuqishme private për të financuar në sport. Pa një mbështetje të fuqishme dhe të garantuar financiarisht, sporti shqiptar do të shkojë drejt agonisë.

Që nuk të dëgjon njeri, këtë e di. 
Që nuk kujtohet kurrkush për ta mbështetur sportin, edhe këtë e di. 
Që jemi të gatshëm për të bërë ndonjë foto me sportistët medalistë, edhe këtë e di shumë mirë. Por që unë si njeri i sportit, duhet ta shpreh atë që kam brenda vetes, këtë e ndjej si detyrë.

Duhet veçuar futbolli. Ai mbretëron.
Tek futbolli shihen interesa të mëdha, investime, të drejta televizive, reklama, menaxhim futbollistësh e shumë burime të tjera financiare. Nuk duhen lënë pa përmendur lotot, apo bastet sportive, të cilat herë në të zezë dhe herë në të bardhë, e ndjekin futbollin këmba këmbës. Për vitin 2017, futbolli parakaloi nëpër 365 ditë, që ishin ditë të lodhshme, të mundimshme, me plot sakrifica e stres. Veprimtaria e futbollit është shtrirë në të gjithë territorin shqiptar, duke filluar nga Kategoria Superiore e deri tek ato të moshave më të vogla.

Shtimi i numrit të skuadrave të elitës, në mbrojtje të futbollit
Për një panoramë të përmbledhur, si fillim duhet thënë diçka për Federatën Shqiptare të Futbollit. Pa dashur të bëj një analizë të FSHF-së, them se ka vend për një sugjerim. Është mirë që në formulën e Kampionatit të Kategorisë Superiore, të shtohen dy skuadra të tjera, në mënyrë që të sigurojmë një mbrojtje sportive për skuadrat elitare, duke pasur parasysh se në kampionatin e kaluar u thye “Monumenti i Futbollit Shqiptar”, SK Tirana, e cila ishte e vetmja skuadër shqiptare që nuk kishte zbritur ndonjëherë një kategori më poshtë. Por, kjo ndodhi. Dhe në rast se do të shpëtonte prej rënies nga kategoria SK Tirana, këtë fat të zi do ta kishte djepi i futbollit shqiptar, SK Vllaznia. Çdo sportdashës që ndjek sado pak futbollin, nuk ndjen asnjë kënaqësi dhe nuk sheh asgjë të këndshme, dhe rritja e numrit të skuadrave bën atë që skuadrat më modeste, nga vit në vit për rënien nga kategoria, të ndërrojnë vendet me njëra tjetrën.
Nuk e dimë a e ka pasur ndonjëherë futbolli shqiptar luksin dhe infrastrukturën e duhur që në kategorinë më të lartë sportive në futboll (Kategoria e Parë, sot Kategoria Superiore), të kenë marrë pjesë 31 klube sportive si: Tirana (17 Nëntori), Partizani, Dinamo, Skënderbeu (Korçë), Vllaznia (Shkodër), Flamurtari (Vlorë), Teuta (Lokomotiva), (Durrës), Elbasani (Labinoti), Tomorri (Berat), Naftëtari (Qyteti Stalin), sot Kuçovë, Apolonia (Fier), Traktori (Lushnja), Shkumbini (Peqin), Erzeni (Shijak), Besa (Kavajë), Besëlidhja (Lezhë), 31 Korriku (Burrel), Korabi (Peshkopi), Tërbuni (Pukë), Përparimi (Kukës), Industriali (Laçi), Bylis (Ballsh), Dajti (Kamëz), Kastrioti (Krujë), Luftëtari (Gjirokastër), Shkëndija (Tiranë), Butrinti (Sarandë), Egnatia (Rrogozhinë), Iliria (Fushë Krujë), Tekstal (Kombinati i Tekstileve “Stalin”), Albpetroli (Patos), . Sa më sipër, janë cituar emërtesat e mëparshme dhe të sotme të klubeve sportive, e pikërisht këtë privilegj, disa skuadra modeste e kanë përfituar falë mundësisë që u ka krijuar formula e kampionatit.

Kombëtarja është krenari, por vazhdimësia duhet ruajtur
Pavarësisht se i përket një periudhe të mëparshme, duhet sjellë në kujtesë si krenari për futbollin shqiptar, ekipi ynë Kombëtar, i cili ka shënuar arritjen më të madhe në të gjithë historinë e futbollit tonë, atë të pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian të Futbollit, madje me një fitore në grup. Për vitin që lamë pas, pritshmëritë për ekipin kombëtar ishin më të mëdha. Kjo nuk do të thotë se duhet të bëjmë vlerësim me nota negative, por duhet të shpresojmë për një paraqitje dinjitoze të ekipit tonë kombëtar me objektivin që ai të kualifikohet në grup për të marrë pjesë në Kampionatin e ardhshëm Botëror të futbollit.
Më shumë vëmendje te futbolli i fëmijëve dhe të rinjtë 
Që të shpresosh për të korra, sigurisht që më parë duhet të kesh mbjellë. E kësisoj nuk mund të flasim për të ardhme dhe për shpresa, pa kthyer vëmendjen tek futbolli i të rinjve e deri tek moshat më të vogla. Vetëm ata që i ndjekin dhe i shohin veprimtaritë e të rinjve dhe moshave të vogla, janë në gjendje të kuptojnë se sa talente ka nëpër fushat tona sportive. Është e pa imagjinueshme se çfarë pasioni dhe përkushtimi kanë vetë të rinjtë dhe fëmijët, dhe po kaq mahnitëse është mbështetja e prindërve të tyre, për të cilët duhet thënë se aq orë sa humbin të rinjtë dhe fëmijët nëpër fushat stërvitore, po aq orë janë prezent me mbështetjen e tyre prindërit e këtyre fëmijëve, të cilët duhen admiruar. E pra, këto talente, kjo kohë e humbur, ky përkushtim, kjo lodhje sistematike po nuk gjeti mbështetjen e duhur nga institucionet përkatëse, janë të destinuara të falimentojnë. Ne shpresojmë, madje duhet thënë se u kërkojmë autoriteteve përkatëse, të mbështesin fuqimisht këto talente dhe këtë përkushtim sportist-prind në mënyrë që të garantojmë një të ardhme me futbollistë të një niveli më të lartë.
Me këto pak rreshta, nuk mund të pasqyrohen 365 ditët në sport, por ato sjellin sadopak në vëmendje problematikat, që në pamje mund të duken të vogla, por në thelb janë domethënëse
Sigal