Sporti drejt së ardhmes, po merr një dimension global

229
Nga Safiola ÇARÇANI
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE/ Në Universitetin e Sporteve, ky event mblodhi së bashku 72 pjesëmarrës nga Ballkani 
Universiteti i Sporteve të Tiranës organizoi dhe mirëpriti në datat 3 dhe 4 nëntor 2017, Konferencën e Dytë Ndërkombëtare në Shkencat Sportive: “Sporti drejt së ardhmes”. Kjo konferencë erdhi si domosdoshmëri pas shumë aktiviteteve kërkimore që tani po marrin një dimension global, e ku duhet të diskutoheshin qasjet pozitive ndaj nxitjes së praktikave më të mira të integritetit të hulumtimit, duke bashkëpunuar fuqishëm me partnerët tanë në fushën e shkencave sportive. Ishin rreth 72 pjesëmarrës nga gjithë vendet e Ballkanit, duke e bërë konferencën e të vetmit universitet sporti në Shqipëri, vërtet ndërkombëtare, në të cilën të gjitha prezantimet u realizuan në gjuhën angleze. E organizuar në 5 seksione, të cilat u moderuan nga lektorët e huaj të ftuar, si dhe nga lektorët e Universitetit të Sporteve të Tiranës, fushat kryesore ku u përqendruan të gjitha punimet shkencore ishin: trajnimi dhe performance, aktiviteti fizik dhe shëndeti, legjislacioni dhe menaxhimi i sportit. Gjithashtu, kjo konferencë ishte dhe një mundësi për të diskutuar pikat kryesore të politikave dhe strategjive të kërkimit shkencor dhe një inkurajim për të gjithë studiuesit e rinjtë shkencave sportive. Qëllimi i kësaj konference ishte promovimi i kualitetit të edukimit fizik (përfshirë shëndetin, lëvizjen në lidhje me aktivitetin fizik, rekreacionin), gjithashtu dhe sporti veçanërisht në shkollat dhe institucionet e tjera arsimore, duke theksuar rëndësinë e ushtrimeve fizike ditore dhe duke përmirësuar metodat për të jetuar shëndetshëm gjatë gjithë jetës. Kjo konferencë siguroi një vitrinë për të gjitha zhvillimet në fushën e aktivitetit fizik dhe sportit, duke mësuar dhe ndarë eksperiencat dhe leksionet më të mira me njëri-tjetrin. Aktiviteti Fizik ka një rol të rëndësishëm në përmirësimin e jetës së njerëzve, dhe për këtë arsye kërkimi shkencor po rritet shpejt. Universiteti i Sporteve të Tiranës po jep kontributin e tij, por është e rëndësishme gjithashtu që në këto aktivitete të ketë edhe partnerë në Ballkan dhe Evropë.
Kjo konferencë ishte dhe një mundësi për të diskutuar pikat kryesore të politikave dhe strategjive të kërkimit shkencor dhe një inkurajim për të gjithë studiuesit e rinj të shkencave sportive