Sporti/Analizë nga Moisi Dalipi

667
Sigal

Kosova bën histori,Shqipëria mbetet zhgënjim.Shqiptarëve u përdhoset Himni, Kosova motivohet me “Xhamadani vija-vija”.Tifozi i ekipit kosovar dhe deklarata e trajnerit Jurgen Kloop

Kosova bën histori, Shqipëria mbetet zhgënjim

E shtuna e këtij 7 Shtatori 2019 ka qenë dhe dita e veçantë për futbollin tonë mbarë kombëtar. Dhe merita i takon vetëm Kosovës dhe djemve të saj që me ndeshjen e fituar me rezultatin 2-1 ndaj Çekisë shkruan bukur historinë e tyre futbollistike. Dhe kur mendon se kjo skuadër e mbushur me talente të lindur dhe të rritur me një ndjenjë të madhe atdhedashurie që kanë plot 15 ndeshje ndërkombëtare që nuk njohin humbje natyrshëm ajo çfarë shkruante pas kësaj ndeshje trajneri i njohur gjerman Jurgen Klopp se “Nëse do më pyesni, se çfarë është futbolli, ju tregoj Kosovën” është jo vetëm për të gjitha sakrificat e bëra për ta ngritur futbollin kosovar nga e para, por dhe një e vërtetë e madhe. Dhe këtë gjë skuadra kombëtare e Kosovës e tregoi dhe në ballafaqimin me Çekinë në stadiumin me emrin simbol “Fadil Vokrri”. Kështu Kosova që nuk njeh humbje në rezultatet e saj që nga viti 2017 e shkroi historinë edhe në këtë ndeshje shumë të veçantë për të. E themi kështu, sepse me këtë fitore në ndeshjen e saj të katërt për grupin A ku bëjnë pjesë dhe Anglia, Bullgaria Çekia dhe Mali Zi, skuadra simpatike e Kosovës është vendosur bukur fort në vendin e dytë në grup me 8 pikë, vetëm një pikë më pak nga kryesuesja e grupit Anglia që nesër në mbrëmje e pret Kosovën në fushën e saj. Dhe duke u kthyer tek ndeshja Kosovë – Çeki prologu i saj vetëm pak orë përpara fillimit të saj ka sjellë dhe lajmin se policia kosovare ka shpartalluar një grup tifozësh ultras çekë që të shtyrë nga ndjenjat serbo-nacionaliste kërkonin të imitonin në një farë mënyre ndeshjen e 14 Tetorit 2014 Serbi –Shqipëri me atë dron dhe parullën “Kosova është Serbi”. Një motiv më shumë ky që i mobilizonte edhe më shumë djemtë dardanë për të marrë suksesin e radhës. Një stadium i tejmbushur ishte “Fadil Vokri” ku së bashku me tifozët vendas janë bashkuar dhe tifozët e ardhur për këtë ndeshje nga Shqipëria. Prishtina dhe rrethinat e saj kishin shtruar siç di ata sofrën e mikpritjes bujare. Aksi rrugës Tiranë-Prishtinë ka njohur të shtunën një ngarkesë të madhe. Të gjithë stadium, të gjithë për fitore. Diku në tribunë për këtë ndeshje dhe Presidenti Republikës z.Ilir Meta. “Prania e Presidentit Meta iu ka sjellë fat futbollistëve kosovarë” –kështu shkruante pas kësaj ndeshje të fituar me meritë shtypi vendas. Në një farë mënyre kjo “vizitë” e Presidentit Meta përqaset diçka me atë prani të ish-Presidentit Nishani në ndeshjen e 13 Qershorit 2016 në ndeshjen Francë –Shqipëri, por me ndryshimin se këtu në Prishtinë ka fitore, kurse në atë ndeshje Shqipëria humbiste me rezultatin 2-0. Dhe të gjitha këto e kanë detyruar komentatorin e ndeshjes të shpërthente në momentin e golit të dytë, atë të fitores të shënuar nga ekipi kosovar kur e shoqëroi me togfjalëshin “Keni ardhur me këmbë të mbarë Zoti president Meta!” Gjithsesi, Kosova fiton dhe bën historinë. Po , po bënë historinë e saj të bukur dhe pasur sportive. Dhe në këtë ndeshje kështu e ka kryer detyrën, edhe pse kishin përballë skuadrën e fortë çeke të pagëzuar ndryshe si “skoda çeke”. Edhe pse janë gjendur në disavantazh që në minutën ë 16`, me atë gol të shënuar për miqtë nga Schick, përsëri besimi dhe mobilizimi “dardanëve” nuk është ndalur. Pas katër minutave, në të 20` do jetë Vedat Muriqi, ky sulmues potent që aktivizohet tek Fernebaçe në kampionatin turk që do barazojë në 1-1! Një gol për shumë entuziazëm. Në pjesën e dytë skuadra e Kosovës kërkon me çdo kusht fitoren dhe tre pikët e kësaj ndeshjeje përpara publikut të saj të zjarrtë. Këngët himn “Xhamdani vija -vija” dhe “Shqipëri, o nana ime” si dhe thirrjet korale “O sa mirë me qenë shqiptar” e shpërndajnë jehonën e tyre deri larg në bjeshkët e Sharrit e luginën e Pashtrikut dhe kudo banojnë shqiptarë. Goli dytë, që është dhe goli fitores do të shënohet në 67` nga mbrojtësi Mërgim Vojovoda. Një entuziazëm tepër i zjarrtë, tepër i ligjshëm që ndryshe do thotë sukses. Fundi ndeshjes ka bërë që të gjithë qytetet e rrethinat e Kosovës të festojnë gjatë, bukur dhe me tërë ngjyrat kombëtare këtë fitore të skuadrës tyre që në katër ndeshjet e zhvilluara deri tani në grupin e saj ka dy fitore dhe dy barazime me golavarazhin 7-5. Dhe personazhet e këtij suksesi janë Arjanet Muriqi, Vojvoda, Rrahmani, Aliti, Hadergjonaj, Voca, Halimi, Zhegrova, Celina, Rashani, Vedat Muriqi, Valon Berisha, Muslija dhe Reskja. Trajneri zviceran i Kosovës Shaland, edhe pse e ndiente jo pak mungesën e Zenelit, Rashicës dhe Kryeziut përsëri besoi fortë dhe e shijoi si asnjëherë tjetër këtë fitore të skuadrës që drejton. Dhe kur flitet për sukses nuk është pak, kur një skuadër e re si Kosova me rezultatet që po merr nga ndeshja në ndeshje, kërkon të shkruajë një histori të madhe. Ndaj nuk është e pamundur që nesër përballë Anglisë skuadra e Kosovës të marrë një rezultat pozitiv. Por nuk është dhe ndonjë çudi që Kosova të jetë pjesë e skuadrave pjesëmarrëse në finalet e evropianit Euro -2020!

 Shqipëria merr një humbje të turpshme

Francë 4

Shqipëri 1

Golat: K. Koman 8` 68`, Giroud 27`, Ikone 85`/ S. Cikalleshi 90` me (11m).

Në minutën e 37` Grizman nuk shenon nga gjuatja e 11(m)

E Shtunë, 7 shtator 2019, ora 20.45 në “Stad de France “ të Parisit

Franca: Loris , Pavar, Varan, Lengle, Hernadez,(Digne 80`) Toliso, Matudi, Lemar,(Fekir 84`), Grizman, Koman, (Ikone 77`), Giroud. Trj: Didier Deshamps

Shqiperia: Th. Strakosha, Hysaj, Ismajli, Mavraj, Gjimshiti, Roshi, Bare, Ramadani, (Gjasula 52`) Abrashi,(T. Xhaka 73`), Balaj, (Cikalleshi 62`), Uzuni.Trj: Edi Reja

Gjyqtarë: H.Gil – Manzano, D.Barbero -Sevija, A.Nevado -Rodrigez (Spanjë)

Kartona të verdhë Loris /Gjasula., T. Xhaka

Spektatorë:

Vetëm kështu mund ta vlerësosh këtë humbje të thellë me rezultati n 4-1 të skuadrës sonë në ndeshjen e radhës në grup përball Francës në “Stad de France “ të Parisit. Edhe pse pas asaj fitoreje të Kosovës ndaj Çekisë të gjithëve na pushtoi dëshira e madhe të përjetonim një ndeshje ku të merrnim një rezultat pozitiv, ku dhe barazimi do ishte më shumë se një fitore. Me këtë ndjesi dhe këtë perceptim njerëzor mendonim se e shtuna e futbollit nacional do t’i dhuronte dhe Shqipërisë një mbrëmje rezultative. Dhe në krye të kësaj prag ndeshjeje qëndronte “epopeja mediatike” që me zhurmën e bërë përpara ndeshjes, edhe pse përballë kishim kampionen botërore në fuqi Francën, përsëri habisnin me optimizmin e tepruar dhe euforinë e shfrenuar se “Mund të ndodhte qe me një fitore do ndizej shkëndija e duhur për të menduar kualifikimin në finalet e Euro-2020 siç ka ndodhur dhe më 2016”. Dhe për të mbushur disi mendjen e atyre që një ndeshje e quajnë të fituar, pa u zhvilluar ajo, sillnin si shembuj krahasimi “se kemi trajner italian Reja” , ose “se kemi lojtarë si Mavraj që kanë shënuar edhe gol Francës”. Për fat të keq të dy këta personazhe ishin dhe më negativët për ekipin tonë në këtë ndeshje. Dhe kur mundesh me një rezultat të tillë 4-1, por që mund të ishte dhe më e thellë se kaq po mos të ishte fati me ekipin tonë dhe portierin Strakosha në rastin e penalltisë dhe rastet e tjera për gol të humbura. Por dikush shkonte dhe me tej kur mendonte dhe thoshte se “do të marrim rezultat pozitiv, sepse Francës do ti mungojë Mbape, Dembele, Lagezet, Payet dhe Pogba”,duke mos menduar se Franca si një nga trevat me më shumë talente futbolli do kishte zgjidhje dhe alternativa të tjera cilësore. Dhe pjesë e asaj që mund të quhet e turpshme filloi me momentin e ekzekutimit të himnit tonë kombëtar ku në vend të tij për disa minuta është dëgjuar një kolazh me muzikë dhome që më vonë o morë vesh se kishte qenë himni Armenisë, duke habitur dhe vetë mbi 75 mijë francezët e pranishëm në stadium. Por më keq janë ndier ata një mijë tifozët shqiptarë në pranishëm në stadium, që me flamujt kombëtar në duar nuk kanë besuar se çfarë po ndodhte me himnin e tyre kombëtar. Të gjithë nuk e kuptuam se ky ishte një gabim njerëzor i organizatorëve të ndeshjes apo paaftësi e atyre të F.SH.F- së që e kanë detyrë ta kryejnë mirë këtë punë. Gjithsesi gjithçka u zgjidh pas disa minutave me ndërhyrjen e delegatit të U.E.F.A-s së kësaj ndeshjeje, letonezit Janic Mezeckis, ku të dyja skuadrat u rireshtuan përsëri për ekzekutimin e himnit shqiptar. Dhe ndeshja ka filluar duke hedhur në sulm që në minutat e para të ndeshjes francezët. Dhe goli parë do vijë që minutën e 8` ku Kuman nuk fal gabimin e mbrojtësve tanë duke shënuar me qetësi të admirueshme nga brenda zonës. Kaq është dashur që tek skuadra jonë të dalin në sipërfaqe gabimet në rreshtimin taktik, mungesa e organizimit të manovrës sulmuese, gjendja jo e mirë fizike e shumë futbollistëve dhe shumë detaje të tjera që më mirë do ishte që fushën e lojës të ishin futbollistë amatorë dhe jo këta që e mbajnë veten për profesionist. Goli dytë i pësuar ka për autor Giroud në minutën e 27`që kurorëzon saktë shërbimin me vlera të mbrojtësit majtë Hernadez. Skuadra në prag të pësimit të një humbje të turpshme. Trajneri 73-vjeçar Reja nuk vepron por e përjeton këtë lojë të skuadrës sipas mënyrës vet. Siç duket as “recetat profesionale” të marra nga kolegët e vet Fabio Kapelo dhe De Biassi nuk i bëjnë punë për të gjetur ata “11 luanët” që i duheshin për të mundur këtë Francë të uritur për fitore të thellë dhe të “pa mëshirë” nga gabimet që bëjmë vetë ne si skuadër. Por Grizman duket se e fal Shqipërinë në minutën e 37` kur nga pika e bardhë e penalltisë nuk shënon. Në pjesën e parë asnjë gjuajtje nga skuadra jonë në portën e “vizitorit” Loris që me këtë ndeshje bëhet me gjashtë ndeshje përballë Shqipërisë në karrierën e tij. Ndoshta kapiteni i “gjelave” mendon se mund të përsëritet ndeshja e 30 Marsit 1991, kur Franca fitonte me rezultatin 5-0. Pjesa e dytë nis pa ndryshime në përbërjet e dyja skuadrave. Trajneri Reja iu beson përsëri atyre që në pjesën e parë dukeshin se ecnin me hap në fushën e lojës. Nga ana tjetër Franca vazhdon të luajë në sulm dhe në minutën e 68 Koman gjen golin e tretë për skuadrën e tij dhe të dytin personal. Shqipëria kërkon të ndryshojë me hedhjen në Fushë të Cikalleshit, Gjasulës dhe T. Xhakës, por nuk ka forcë, nuk ka moral, nuk ka modul loje se si luan. Në minutën e 85` Inkone sulmuesi që pak minuta më parë kishte zëvendësuar Koman ka gjetur dhe golin e katërt për skuadrën e vet. Shqipëria përjeton një humbje tenistike dhe të turpshme. Për të zbutur diçka nga gjithë ai “ortek” me gola të pësuar ka menduar vetëm sulmuesi Cikalleshi që në minutën e 90` penalltinë e marrë vet e ka ekzekutuar po vetë. Dhe vërshëllima e fundit fikson rezultatin Francë 4-1 Shqipëria. Brneda këtyre shifrave janë gjithçka duke filluar nga ato që u panë në fushën e lojës dhe deri tek “justifikmet” pas ndeshjes dhe bashkë me të dhe futbolli i luajtur në këtë ndeshje nga ata që e quajnë veten pjesë dhe drejtues të skuadrës kombëtare të Shqipërisë. Këtë e konstatuan dhe e vlerësuam të tillë të gjithë.

 

Kartona të verdhë:

Spektatorë:

Tetë përballjet midis skuadrave

17.11.1990

Shqipëri –Francë 0-1

30.03.1991

Francë –Shqipëri 5-0

02.09.2011

Shqipëri-Francë 1-2

07.10.2011

Francë-Shqipëri 3-0

14.11.2014

Francë –Shqipëri 1-1

13.06.2015

Shqipëri-Francë 1-0

15.06.2016

Francë-Shqipëri 2-0

07.09.2019

Francë –Shqipëri 4-1