Spiro Shano, një “Dino Menegini” i basketbollit shqiptar

598
Nga Ilir MBORJA
CEREMONIA/ Kur Gaz Çaçi titullohej “Qytetar Nderi” në Përmet, numri 11 në fanellë “ristarton” kujtesën te Dinamo e Partizani
Fanellën time tek Dinamo, kur u largova, ia dorëzova Edi Ramës. Atë ditë në Përmet, atë fanellë e rivesha vetë, dhe kjo ishte arsyeja pse Edi nuk ishte i veshur me uniformën e Dinamos. Një ishte e tillë dhe, Edit i uroj të mbetet “Dino Menegini” i qeverisë
Në një foto që u shkrep në Përmet para pak ditësh me rastin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” basketbollistit të shquar Gazmend Çaçi, mes personaliteteve të shtetit dhe të Federatës, ishin edhe disa miq të tij, që ai i ka njohur në Pallatin e Sportit. Pranë tij qëndronte edhe ish basketbollisti Edi Rama, por në këtë foto, ai nuk kishte pozuar i veshur me fanellën e Dinamos. Mos vallë e bëri këtë për ta nderuar mikun e tij me staturën e kryeministrit të Shqipërisë?.. Por, mesa duket, nuk ka qenë vetëm kjo arsyeja. Ajo qëndronte tek numri “11” që mbante fanella e një dinamoviti tjetër atë ditë në Përmet. Po mundohem t’jua shpjegoj më poshtë: Në këtë foto, tek fanella e Çaçit dallohet qartë numri “11”. Edhe tek ajo e Spiro Shanos (i pari duke filluar nga e majta) vërehet po numri “11”. Rasti e solli, që duke u interesuar për një shkrim për Theodhori Shanon, një emër të madh të Derviçanit e të mbarë minoritetit grek në LANÇ dhe më pas (themeluesi i gazetës “Llaiko Vima”), pra, në kërkim të materialeve dokumentare për një figurë të lënë padrejtësisht në harresë, takova të birin e tij, Spiro Shanon. Shfrytëzova rastin dhe e pyeta atë se, përse, si ai për Dinamon, edhe Çaçi për Partizanin, kishin zgjedhur të vishnin fanellën me numrin “11”?.. Në bisedën e gjatë me këtë legjendë të basketbollit tonë mësova se, numri “11” që ai kishte mbajtur gjatë jetës së tij sportive, ishte i basketbollistit të madh italian Dino Meneginit, bashkëkohës i tij (1950) që luante në qendër dhe ishte idhulli i gjithë basketbollistëve. Ai është konsideruar gjerësisht si lojtari më i mirë italian ndonjëherë, si dhe një nga më të mëdhenjtë e atyre kohërave në Evropë e në botë… Të mbaje numrin “11” në basketboll, ishte si të mbaje numrin “10” në futboll, që nënkuptonte lojtarin më të mirë të pesëshes. Por, kjo sigurisht nuk ishte e lehtë për cilindo… Duke kujtuar rrugën sesi mbërriti tek fanella me numrin “11”, Spiro Shano e nis bisedën duke shprehur bindjen e tij se: “Çdo njeriu që të jetë I suksesshëm, si p.sh Dino Menegini, i nevojiten tri gjëra: Talenti, Fati dhe Puna. Dy të parat janë dhuratë e natyrës. Vetëm puna është ajo që ka në dorë të vet njeriu.” …Duke u njohur me dokumentet për jetën dhe veprimtarinë e të atit të Spiros, krijova bindjen se ADN-ja dhe gjaku që rridhte në damarët e tij, shpjegonin karakterin e fortë e të guximshëm të tij… Ky karakter i trashëguar ishte mesa duket talenti që natyra i kishte bërë dhuratë. Vetëm puna ishte ajo që i mbetej atij të bënte … Por, që të zbulohej dhe t’i jepej mundësia talentit të tij të zhvillohej, djaloshit, të cilin Theodhoriu e la shumë herët jetim, i duhej edhe pak fat. Spiro Shano kujton se rruga e tij drejt “Mjeshtrit të Madh” ka pasur një pikënisje fatlume dhe, kur njihesh me historinë e tij, kupton se rasti është treguar shumë bujar, si për atë, edhe për historinë e basketbollit shqiptar… Shano tregon se në adoleshencën e hershme të tij, një mbrëmje të 1965-s ishte ndodhur në një nga sallat pas Pallatit të Bashkimeve Profesionale “Ali Kelmendi”, duke luajtur ping-pong përballë një djali më të rritur. Rivali i tij qëlloi të ishte i shoqëruar me disa tipa të njohur për karshillëkun e “të fortëve” që bënin tek moshatarët e tyre në Tiranë. Në lojë e sipër, konfliktohet me ta për punë të rezultatit dhe përleshet i vetëm deri në mposhtjen e tyre. Guximi, vendosmëria e tij, bie në sy dhe i bën përshtypje ish trajnerit të basketbollit të Dinamos, Muhamet Përmeti, që ndodhej rastësisht në ato çaste duke luajtur aty pranë me shokë të tij dhe e kish ndjekur gjithë skenën me vëmendje. Ky është çasti për të cilin mund të thuhet me plot gojën se “Rasti është mbret i botës”… Mbasi “qëron hesapet” me “të fortët”, djaloshi i gjakosur, Spiro Shano, largohet kryelartë drejt daljes nga salla. Muhamet Përmeti, me biçikletën e tij “Diamant”, i vihet pas dhe ndjek “Mifa”-n e djaloshit të çartur në këmbënguljen e tij. Pasi i mëson fillimisht shtëpinë, e ndal tek dera dhe e pyet për emrin dhe se ku mësonte. “Më quajnë Spiro Shano. Jam nxënës në vitin e parë në Politeknikum.” – i përgjigjet djaloshi interesimit të tij… Kaq ishte. Tranieri i Dinamos, i shkon në shkollë, e takon atje dhe e fton diku në zyrat e klubit. E josh djaloshin me një komplet tutash dhe atletesh të reja kineze dhe i merr firmën (“për të justifikuar materialet”) duke e bërë fakt të kryer federimin e tij tek klubi sportiv “Dinamo”… Fati për zbulimin e talentit këtu ndalet për t’ia lënë radhën asaj që quhet punë. Që nga ajo ditë historia e Spiro Shanos do të dëshmojë vetëm për punë, punë dhe vetëm punë. Punë dhe sakrifica të jashtëzakonshme, lumenj të tërë djerse, për të arritur në vitet ‘70 –’80 legjendën e qendrës së basketbollit shqiptar, “Mjeshtrin e Madh” Spiro Shano. Më parë, më 1974-n, me rastin e 30 Vjetorit të Çlirimit, në një kohë me dy shokët e tij dinamovitë, legjendën e volejbollit Asllan Rusin dhe atë të futbollit Iliaz Çeçon, u nderua me titullin “Mjeshtër Sporti”… Pra, meritën për zbulimin e talentit të tij, vetë Spiro Shano, ia njeh të paharruarit Muhamet Përmeti. Spiro Shano, i datëlindjes 1951, u shfaq në basketbollin shqiptar në vitin 1966 me ekipin e të rinjve të Dinamos që drejtohej nga tranieri Esat Beliu, ndërsa të rriturit nga Muhamet Përmeti. Ishte koha kur në kampionatin shqiptar flitej kryesisht vetëm për dy ekipe: Partizanin dhe Tiranën. Qëlloi që në ato vite Dinamo do të riorganizohej dhe do të shfaqej si një rival me ambicie për të qenë i denjë për t’u ndeshur e shpesh për të triumfuar mbi to. Pikërisht, në kampionatin 1967-1968, kur 16 vjeçari Spiro Shano nga të rinjtë kalon tek të rriturit dhe, pas largimit të Bardh Angjelit, i bashkohet Viktor Papavangjelit, Rami Rusit e Ilia Janit… Drejtimi plot profesionalizëm i Dinamos do t’i kalonte Feti Borovës… Vitet ’70 do të ishin edhe vitet kur historia e basketbollit tonë për meshkuj fillon e ballafaqohet me dinjitet edhe në arenën ndërkombëtare. U lanë pasë humbjet e thella, madje fitoheshin ndeshje edhe jashtë. Edhe kur ndeshjet me ekipe të mëdha nuk fitoheshin, diferenca bëhej jo më shumë se me dy – tre kosha. Ndërsa, renditja në vendin e tretë në Eliminatoret e Kampionatit Evropian që u zhvilluan në Gjermaninë Perëndimore më 1975-n, ishte rezultati më i lartë ndërkombëtar në historinë 70 vjeçare të basketbollit shqiptar dhe, padyshim, lojtari me numrin “11” Spiro Shano, kishte meritën e tij të padiskutueshme në atë trofe. Në vitin 1973, në ekipin e të rriturve të Dinamos do të shfaqej plot shkëlqim edhe Ilir Trebicka, i cili më pas, në vitin 1976 do të zëvendësonte në rolin e tij, legjendën tjetër të basketbollit tonë në ekipin kombëtar, Agim Fagun e madh. Ndërsa shiriti i kapitenit të kombëtares do t’i kalonte për shumë vjet Spiro Shanos, i cili tregon se, qysh në fillimet e jetës sportive, do të vazhdonte individualisht stërvitjen, edhe pasi trajneri dhe shokët e tij largoheshin me përfundimin e orarit të programuar. Pas stërvitjes, të gjithë iknin në shtëpi, por Spiro Shano jo. Dino Menegini, idhulli italian një vit më i madh se ai, fanella e lakmuar me numrin “11”, nuk mund ta linte të largohej si të tjerët. Ishte radha e 100 kërcimeve tek shkallët e betonit, dhe jo pa ngarkesë. Të njëqindta me një shtangë mbi shpinë. Një shtangë e krijuar duke salduar tek një hekur dy rrota vagoni, të siguruara nga vetë ai në stacionin e trenit. Me një punë të tillë ai arriti të ishte lojtari me treguesit fizikë më të mirë të kohës. Deri në 17 herë arrinte ta prekte koshin me të dy duart dhe arrinte lartësinë 3 metër e 41 cm, duke kërcyer nga vendi. Kështu shpjegohej pse Spiro Shano mbeti për vite e vite, (nga 1970-1980) si qendra e padiskutueshme e kombëtares, sepse ishte lojtari shqiptar më rezultativ i zotërimit të topave në tabelë, si në sulm edhe në mbrojtje. “Dino Menegini” shqiptar, asnjëherë nuk largohej për në shtëpi si shokët pa realizuar edhe 100 personale. Çdo natë, një djalë poshtë koshit që t’i ofronte topin dhe dritat e Pallatit të Sportit, rrinin ndezur vetëm për të. Ato shuheshin vetëm kur largoheshin Spiro Shano dhe tifozi i vogël që “shpërblehej” duke i mbajtur çantën atij… Prandaj, në vitet që thamë, ai ishte lojtari i mbi 100 ndeshjeve ndërkombëtare. Kapiteni i Dinamos dhe qendra e padiskutueshme e kombëtares Spiro Shano, për shumë vite do ta merrte kudo me vete fanellën me numrin e Dino Meneginit. Edhe kur e federonte “Tirana”, “Partizani” apo “Vllaznia” në ndeshjet ndërkombëtare, fanella e tij shënonte numrin “11”. Lufta për të ruajtur dhe për të zënë vendin në pesëshen e parë të kombëtares mes brezave, veç parketit poshtë koshave, për hiç mos gjë (kinse: “pse më shtyve?”), kthehej në një përleshje të vërtetë mes tyre në dhomat e zhveshjes. Brezi i Vaso Shakës e kishte të vështirë t’i lëshonte vendin më të rinjve plot ambicie, dhe Spiro Shano kishte dhënë prova se nuk ia përtonte grushtin askujt për të marrë me çdo kusht atë që i takonte. Punë dhe luftë, djersë e gjak bashkë, është historia e “Dino Meneginit” tonë… “Pas largimit tim në vitet 1982-1983, në rolin tim (të qendrës) në ekipin kombëtar erdhi Gaz Çaçi, i cili luajti deri në vitet ’90-të dhe demonstroi një nivel shumë të lartë. Edhe tek Partizani ai mbante numrin “11”, ndërsa fanellën time tek Dinamo, kur u largova, ia dorëzova Edi Ramës. Atë ditë në Përmet, atë fanellë e rivesha vetë. Kjo ishte arsyeja pse Edi Rama nuk ishte i veshur me uniformën e Dinamos. Një ishte e tillë dhe, Edit i uroj të mbetet “Dino Menegini” i qeverisë”, kështu tregon Spiro Shano, për historinë e fotos me Gaz Çaçin në Përmet.