Spektakël në Shkodër, por festohet në Korçë

590
Sigal

Skënderbeu, një pikë larg për të fituar titullin e tretë rresht. Lufta “europiane” për vendin e dytë

Vllaznia triumfoi 2-0 ndaj Teutës në “Loro Boriçi”, por festa e vërtetë nuk ishte në Shkodër, por në Korçë, pasi Skënderbeu është tani +12 pikë nga vendi i dytë që mbahet nga Kukësi, kur kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi i Kampionatit të 74-t Kombëtar të Kategorisë Superiore. Korçarëve u mjafton vetëm një pikë nga katër ndeshjet e mbetura, që të fitojnë titullin e tretë rresht dhe të katërtin në histori. Korçarët mbajnë flamurin financiar, që u shpërblyen me tituj kampion dhe pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve. Investimet e jashtëzakonshme të ish-presidentit Agim Zeqo dhe ato të atij aktual, Artan Takaj, i siguruan jo vetëm titullin e parë pas 78 vjetësh skuadrës korçar, ai i sezonit 2010-2011, i ndjekur nga ai edicionit 2011-2012, dhe tani është në rrugën e mbarë për titullin e tretë rresht dhe të katërtin në histori, çka do ta bënte Skënderbeun klubin ekipi e pestë me më shumë tituj, pas Tiranës (24), Dinamos (18), Partizanit (15) dhe Vllaznisë (9).

VLLAZNIA-TEUTA 2-0

Heroi në “Loro Boriçi” nuk mund të jetë askush tjetër, përveç mbrojtësit Dritan Smajli. Ishte lezhjani i fuqishëm, ai që i shënoi dy golat në fitoren bindëse të Vllaznisë, pavarësisht se që të dy rrjetat u realizuan nga pika e bardhë e penalltisë: në minutat 40 dhe 44. Protagonisti i dytë ishte portieri malazez i Vllaznisë, Vujadinoviç, por dhe Kruja, që të tregoi se është e ardhmja e shkodranëve, së bashku edhe me Barduëlln. Me tri pikët e mara, Vllaznia u ngjit në vendin e pestë, në kuotën e 35 pikëve, po aq sa Tirana, me të cilën do të përballet javën e ardhshme, në luftë për vendin e tretë. Humbja e Teutës e zbriti atë në vendin e katërt, me 39 pikë, po aq sa Flamurtari, që humbi nga ana e tij 3-0 me Kastriotin. Me fat, Kukësi që përfitoi jo vetëm nga fitorja me Tiranë, por dhe nga humbjet e rivalëve, dhe tani e sheh veten në vendin e dytë me 40 pikë.

LUFTA PËR EUROPËN

Nëse do të mbyllej kampionati tani, me renditjen aktuale: Kukësi, Flamurtari, Teuta, atëherë jashtë pjesëmarrjes në Ligën e Europës do të ishte Teuta, si skuadër e vendit të katërt. Kukësi ka shanse të kalojë edhe përmes Kupës, gjithmonë nëse eliminon Laçin dhe Skënderbeu eliminon Bylisin. Për Flamurtarin detyra është shumë e vështirë, pasi do t’i duhet të përabllojë fillimisht Skënderbeun, më pas do të udhëtojë në Kukës, për të pritur në javën e parafundit Vllazninë. Ndeshja përmbyllës me Apoloninë e rënë është thjesht një shëtitje. Teuta duhet të luftojë fort, në javët e mbetura, pavarësisht se ka një kalendar shumë të lehtë. Kukësi ka sfida të vështira përpara, boll të kujtojmë se do të luajë kundër Flamurtarit dhe Skënderbeut.

  KAMPION NË VLORË!

Flamurtari-Skënderbeu është një nga duelet më të shumëpritur të javës së 23-të të Kategorisë Superiore, kjo për vetë rivalitetin që kanë prodhuar sezonet e fundit përballje midis dy ekipeve. Ironia e fatit ka bërë që ndeshja e javës së ardhshme në Vlorë të jetë vendimtare për fatin e titullit të katërt kampion të Skënderbeut. Që korçarët do të ngrenë trofeun në maj, kjo është e padiskutueshme, por mund të shpallen matematikisht që në javën e ardhshme, në rast se marrin një pikë kundër Flamurtarit, por edhe në rast humbjeje, nëse Kukësi nuk arrin të fitojë ndeshjen e tij, kundër Besës, në Kavajë.

  SKËNDERBEU I YJEVE

Skënderbeu ka në portë prej tre sezonesh, Orges Shehin, të shpallur si lojtari më i mirë i vitit 2012,  të mbështetur nga një mbrojtës gjigant si Ditmar Bici, shpesh herë përcaktues në fatet e takimit. Kapiteni Bledi Shkëmbi është dhe “misionari” i klubit më të vjetër në Shqipëri (në logon e klubit datohet viti 1909, ndërkohë që Vllaznia e ka në vitin 1919 dhe Tirana në vitin 1920). Me një Sabien Lilaj, që shfaqi talentin e tij kur luante për Tiranën, përpara se të transferohej në Kroaci, Skënderbeu jo vetëm që ka rekrutuar një “djalë të talentuar”, por ia ka ofruar edhe Kombëtares së Xhani De Biazit. Në “rozën” e italianit është dhe mbrojtësi Renato Arapi. “Bomberi” kroat, Pero Pejiç, pas eksperiencave të tij të jashtëzakonshme me Dinamon, Tiranën dhe Flamurtarin, tashmë po tregon vlerat e tij me Skënderbeun, ku jo vetëm është golashënuesi më i mirë, por pret të marrë edhe medaljen e dytë si kampion, pas asaj me Dinamon. Sebino Plaku, Erbim Fagu, Endri Vrapi.

 Skuadër kozmpolite

 Të huajt kanë një rol përcaktues në ecurinë e Skënderbeut. Gjeografia e lojtarëve prek tre kontinente: Europë, Amerikën e Jugut dhe Afrikën. Në efektivin e korçarëve janë gjashtë kombëësi: shqiptare, kroate, serbe, braziliane, nigeriane dhe maleze. Kështu te bardhekuqtë janë kroatët Pero Pejiç (ish-Tirana), Marko Radash dhe Zheljko Tomiç, brazilianët Ademir dhe Fernando, serbi Ivan Gvozdenoviç (ish-Tirana), nigeriani Nurudin Orelesi si dhe malezi Bakari Nimaga janë një luks për skuadrën më të financuar të momentit në Shqipëri.  Pero Pejiç është lojtari më i shtrenjtë i korçarëve dhe një ndër më të paguarit në Shqipëri.

 Shpërthejnë rrjetet sociale

 Pas humbjes së Teutës me Vllazninë, faqet e ndryshme sociale mbështetëse të Skënderbeut kryesisht “Facebook” kanë shpërthyer në komente të shumta. Dominimi i Skënderbeut është më i dukshëm në rrjetet sociale. Janë disa faqe (jo zyrtare) të dy klubeve. “E duam Skënderbeun”, “Ujqërit e dëborës”, “Skënderbeu kampion”, “KF Skënderbeu” janë disa nga faqet, ndërkohë që më e madhja është “KF Skënderbeu Korçë”, me 38 217 ndjekës. “Urime ekipit kampion”, ishte e përbashkëta e komenteve të tyre.

 Trofeu i dytë i Mirel Josës

 Mirel Josa do të hyjë në historinë e klubit korçar, si i katërti trajner që ka fituar një titull me Skënderbeun. Tre titujt e tjerë mbajnë emrat e Qemal Omarit (1933), Shpëtim Duros (2010-2011), çekut Stanislav Levit (2011-2012). Për Mirel Josën ky do të jetë titulli i dytë kampion si trajner, pasi në parë ka dalë kampion me Tiranën në sezonin 2003-2004.  Në atë kohë, në radhët e skuadrës ishin midis të tjerëve, Alban Tafaj, Nevil Dede, Elvis Sina, Rezart Dabulla, Luan Pinari, Alban Muca, Suad Lici, Ansi Agolli, Saimir Patushi, Sokol Bulku, Devi Muka, Indrit Fortuzi, Mahir Halili, Eldorado Merkoçi, Fjodor Xhafa. Ai ishte titulli i 21-të nga 24 që kanë koleksionuar bardheblutë. Mirel Josa ka fituar tre tituj kampion si lojtar me Tiranën: në sezonin 1984-1985 (trajner Enver Shehu); 1987-1988 (trajner Shyqyri Rreli); 1988-1989 (trajner Shyqyri Rreli).

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 22

Të shtuën, 12.04.2013

Luftëtari-Laçi  0-3

Bylis-Tomori    4-1

Të dielën, 13.04.2013

Apolonia-Shkumbini   1-1

Kukësi-Tirana        2-1

Skënderbeu-Besa      2-0

Kastrioti-Flamurtari 3-0

Dje, 14.04.2013

Vllaznia-Teuta       2-0

RENDITJA

1    Skënderbeu      22   +28  52

2    Kukësi          22   +13  40

3    Flamurtari      22   +18  39

4    Teuta           22   +8   39

5    Vllaznia        22   +6   35

6    Tirana          22   +5   35

7    Laçi            22   +3   34

8    Kastrioti       22   -4   31

9    Bylis           22   +6   29

10   Besa            22   -2   27

11   Shkumbini       22   -17  20

12   Luftëtari       22   -17  18

13   Tomori          22   -24  12

14   Apolonia        22   -23  10

JAVA 23/ 20.04.2013

Kastrioti-Luftëtari

Flamurtari-Skënderbeu

Besa-Kukësi

Tirana-Vllaznia

Teuta-Apolonia

Shkumbini-Bylis

Tomori-Laçi

JAVA 24/ 27.04.2013

Luftëtari-Tomori

Laçi-Shkumbini

Bylis-Teuta

Apolonia-Tirana

Vllaznia-Besa

Kukësi-Flamurtari

Skënderbeu-Kastrioti

JAVA 25/ 04.05.2013

Skënderbeu-Luftëtari

Kastrioti-Kukësi

Flamurtari-Vllaznia

Besa-Apolonia

Tirana-Bylis

Teuta-Laçi

Shkumbini-Tomori

JAVA 26/ 11.05.2013

Luftëtari-Shkumbini

Tomori-Teuta

Laçi-Tirana

Bylis-Besa

Apolonia-Flamurtari

Vllaznia-Kastrioti

Kukësi-Skënderbeu

  E bujshme/ Më 20 qershor 2011, Shqipëria humbi 4-0 me amerikanojugorët në Buenos Aires

 Argjentina e Mesit, miqësore me Kosovën

 Përfaqësuesja e Argjentinës me 14 qershor do ta zhvillojë një ndeshje miqësore kundër Kosovës. Sipas mediave nga Amerika Latine, kjo përballje do të luhet në Cancun të Meksikës. Por, kosovarët thonë se ende ende nuk janë në dijeni për këtë.

Duket e pabesueshme. Por, sipas uebfaqes meksikane Record, përfaqësuesja e Kosovës pritet ta zhvillojë një ndeshje miqësore me Argjentinën. Sipas këtyre mediave, kjo përballje pritet të luhet me 14 qershor në Cancun të Meksikës, respektivisht në stadiumin Andres Quintana Roo. “Përfaqësuesja e Argjentinës pritet ta zhvillojë një ndeshje miqësore kundër Përfaqësueses së Kosovës më 14 qershor në Cancun. Kjo pritet të zyrtarizohet brenda pak ditësh, pasi Federata e Futbollit e Argjentinës është pajtuar për këtë”, shkruhet në shkrimin e publikuar nga Record.

Gjithnjë sipas këtyre mediave, organizimin e kësaj përballjeje është duke e aranzhuar kompania “Ëorld Eleven”. Kjo e fundit i ka të gjitha të drejtat për organizimin e miqësoreve të Përfaqësueses së Argjentinës. Por, mediat nga Amerika Latine raportojnë se kjo ndeshje nuk do të jetë zyrtare, pasi Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ende nuk është e anëtarësuar në FIFA.

Në anën tjetër, zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) kanë thënë se nuk janë në dijeni për një gjë të tillë.

“Deri më tani nuk kemi asnjë informatë për këtë mundësi”, ka thënë shkurt Eroll Salihu, i cili ka bërë të ditur se FFK ka disa menaxherë që merren me organizmin e ndeshjeve miqësore.

Aktualisht përfaqësuesja A e Kosovës nuk ka të drejt të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, pasi një gjë të tillë nuk po ia lejon FIFA. Megjithëkëtë, drejtuesit e futbollit kosovar besojnë se ky problem do të zgjidhet shumë shpejt, dhe se Kosova do të ketë të drejt të luajë me çdo përfaqësuese të huaj.

Tani mbetet të shihet se a do të përballën kosovaret me yjet e futbollit argjentinas si: Mesi, Laveci, Higuain e të tjerë, apo edhe kjo miqësore e paraparë do të dështojë sikur ajo me Brazilin në vitin 2008. Më 20 qershor 2011, Shqipëria humbi 4-0 me amerikanojugorët në Buenos Aires