Spektakël në Durrës, por nuk ka fitues

552
Sigal

Tirana barazon 1-1 me Teutën. Supergol i Erando Karabecit nga rreth 30 metra. Barazoi Hoxha

Tirana mori një tjetër rezultat pozitiv në barazimin 1-1 me Teutën në “Niko Dovana”, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 23-të, duke dalë nga zona e “kuqe”. Erando Karabeci shënoi një eurogol nga rreth 30 metra, ndërkohë që, i bukur ishte dhe goli i barazimit të Hoxhës për Teutën. Për durrsakët ky ishte barazimi i dytë rresht me shifrat 1-1, pas atij me Partizanin vetëm katër ditë më parë. Bardheblutë e drejtuar nga Gugash Magani regjistruan kështu ndeshen e shtatë pa humbje, ndërkohë që duhet pranuar se durrsakët, të cilët janë ende pa një trajner zyrtar – pas shkarkimit të italianit Roberto Sorrentino – largohen akoma më shumë nga zona e Europës. Një atmosferë shumë e bukur shfaqur nga tifozët e pranishëm në stadium, spektakli nuk ka munguar dhe në fushë. Në minutat e para të lojës skuadrat janë treguar të kujdesshme ku kanë studiuar njëra tjetrën. Me kalimin e kohës loja është hapur dhe Tirana është shfaqur rrezikshëm me Gilberton, por nuk ka arritur të shënojë. Minuta e 37-të: Tirana këmbënguli nga e djathta e sulmit të saj, topin mbërriti te Erando Karabeci dhe zëvendëskapiteni bardheblu lëshoi një silurë nga rreth 30 metra me të majtën, me topin që mori një trajektore të lartë e që përfundoi ngjitur me shtyllën e majtë pingule. Një supergol i 24 herë kampionëve. Goli i dedikohet trajnerit Gugash Magani, i cili për ironi të fatit në fazën e parë drejtoi pikërisht Teutën, përpara se t’ia linte vendin italianit Sorrentino. Kur pritej që, pjesa e parë të mbyllej me avantazhin e 24 herë kampionëve, Teuta gjeti golin e barazimit në minutën e 44-t. “Djemtë e detit” ekzekutuan një goditje dënimi nga e djathta e sulmit të saj. Hoxha kërceu bukur me kokë, duke shënuar një gol mjaft të bukur e duke barazuar kështu shifrat në 1-1 dhe rihapur takimin në “Niko Dovana”. Pjesa e dytë nuk e kishte ritmin e së parës, por gjithsesi krijoi momente të bukura dhe emocionuese në të dyja portat. Vlen të theksohet, se ky ishte barazimi i dytë rresht 1-1 në transfertë i Tiranës, pas atij me Flamurtarin. Në takimet e së mërkurës, Skënderbeu fitoi 3-1 me Kastriotin, Partizani fitoi 2-0 me Bylisin; Laçi 1-0 me Lushnjën, ndërsa takimi Kukësi-Vllaznia u mbyll në barazim 1-1. Java e 24-t do të luhet të dielën. Kampionati kryesohet bindshëm nga Skënderbeu, me 48 pikë, 11 më shumë se Laçi i vendit të dytë. Superliga mbyllet me Kastriotin në kufirin e 22 pikëve.

 0-1

Min. 37’ – Erando Karabec lëshoi një silurë nga rreth 30 metra me të majtën, me topin që mori një trajektore të lartë e që përfundoi ngjitur me shtyllën e majtë pingule.

 1-1

Min 44’  – Teuta ekzekutoi një goditje dënimi nga e djathta e sulmit të saj. Hoxha kërceu bukur me kokë, duke shënuar një gol mjaft të bukur e duke barazuar kështu shifrat në 1-1.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XXIII

Dje, 13 mars

Besa-Flamurtari 3-1

Teuta-Tirana 1-1

Të mërkurën, 12 mars

Skënderbeu-Kastrioti 3-1

Laçi-Lushnja 1-0

Kukësi-Vllaznia 1-1

Partizani-Bylis 2-0

RENDITJA

1     Skënderbeu         23   +18 48

2     Laçi                     23   +5   37

3     Partizani             23   +6   36

4     Kukësi         23   -1    34

5     Besa                    23   +3   33

6     Teuta            22   +3   32

7     Flamurtari           22   0     30

8     Tirana          23   -6    27

9     Vllaznia       23   -1    26

10   Bylis                   23   -4    24

11   Lushnja        23   -13  23

12   Kastrioti             23   -10  22

Kuqezinjtë e De Biazit pozicionohen tani në vendin e 54-t me 569 pikë

 Shqipëria ngjitet një vend në FIFA

 Fitorja 2-0 ndaj në miqësoren ndaj Maltës e ngjiti Kombëtaren tonë një vend më lart në renditjen e muajit mars, të hartuar nga FIFA. Shqipëria tani pozicionet në vendin e 54-t me 569 pikë, duke u vendosur midis Guinesë (53) dhe Uzbekistanit (55). Në renditjen europiane, Shqipëria është sërish në vendin e 30-të, midis Islandës (29) dhe Norvegjisë (31). Ndeshja miqësore e radhës është ajo me Hungarinë në Budapest, të programuar më 4 qershor. Renditjen botërore e kryeson Spanja. Kundërshtarët e Shqipërisë në “Euro 2016” janë në këto pozicione: Portugalia (4, e pandryshuar në renditje); Danimarka (22, -2), Serbia (28, +1) dhe Armenia (41, -11). Për pozicionimet e muajit mars u morën në konsideratë 67 ndeshje, 57 prej të cilave ishin miqësore.

RENDITJA NË BOTË

53 Guineja          572

54 Shqipëria 569

55 Uzbekistan     565

RENDITJA NË EUROPË

29 Islanda    582

30 Shqipëria 569

31 Norvegjia       559

Kavajasit i kanë fituar të tria ndeshjet sezonale me Flamurtarin me golaverazhin e përgjithshëm 9-2

 Besa, “macja e zezë” për vlonjatët

 Besa shkatërroi 3-1 Flamurtarin e reduktuar në dhjetë lojtarë në ndeshjen përmbyllëse të javës së 23-të, duke regjistruar fitoren e tretë në po aq përballje sezonale me vlonjatët. Një fitore me shumë vlera për kavajasit, të siguruar falë dopjetës së kosovarit Vedat Murriqi dhe lushnjarit Fatjon Sefa, me këtë të fundit që ka shënuar katër gola në të tre sfidat e këtij edicioni ndaj Flamurtarit. Takimi në stadiumin “Besa” ishte i gjithë nën dominimin e kavajsve, të cilët nuk fitonin prej tri ndeshjesh. Madje djemtë e Artan Mergjyshit shënuan një gol të shpejtë, qysh në minutën e nëntë të ndeshjes. Besa ekzekutoi një goditje dënimi, topi mbërriti te Vedat Muriqi, i cili i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes vlonjate dhe, i ndodhur i vetëm përballë portierit Moçka shënoi nga një distancë e afërt. Kosovari gjunjëzohet dhe puth tokën, për ta festuar në mënyrën e tij golin e realizuar. Pesëmbëdhjeta minuta më pas, Besa fitoi një goditje këndi. Topi i harkuar mbërrin në zonën e vogël të Flamurtarit, dhe atje Fatjon Sefa kërceu fuqishëm me kokë, duke shënuar golin e dytë për kavajasit edhe pse ishte i rrethuar nga vlonjatët Dushku dhe Beqiri. 2-0 për kavajasit që, dëshmuan se ishin në një ditë shumë të mirë. Ofensiva e Besës është e pandalshme. Minuta e 32-të sjell golin e tretë. Sërish protagonist është Vedat Muriqi. Një top i gjatë diagonal nga e djathta e mesfushës kavajase, i cili kontrollohet nga Sefa, ky i fundit gjuajti rreptësisht, por gjeti reagimin e Shpëtim Moçkës, me topin e kthyer ne këmbët e Muriqit që nuk fali. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-0, ndërsa presioni ndaj Flamurtarit është i madh. Gjithsesi, pjesa e dytë ka dy momente kulmore për vlonjatët. Arbër Abilaliaj tregoi se po kalon një formë të shkëlqyer, teksa sulmuesi vlonjat realizoi një gol me të vërtetë të bukur, kur kishin kaluar vetëm dy minuta nga pjesa e dytë. Abilaliaj e kontrolli bukur topin dhe realizoi nga rreth 25 metra. Por, njëzet minuta më pas, Flamurtari mbeti me dhjetë lojtarë, teksa gjyqtari Enea Jorgji ndëshkoi me kartonin e kuq mbrojtësin Dushku (67’). Me diferencë golash dhe numerike lojtarësh, Flamurtari është i pafuqishëm të ndryshojë rrjedhën e lojës, duke u dorëzuar në “Besa” dhe pësuar humbjen e 8-të sezonale. Tre golat e pësuar në Kavajë e çuan në 30 numrin, po aq sa të shënuar. Verdhezinjtë e Artan Mërgjyshit u ngjitën tashmë në kuotën e 33 pikëve, ndërkohë që kuqezinjtë e drejtuar nga Ernest Gjoka kanë tri pikë më pak. Nëntë gola të shënuar në 270 minuta ndaj Flamurtarit, tregojnë se Besa ia ka marrë dorën vlonjatëve, të cilët nuk arritën të marrën qoftë dhe një pikë të vetme ndaj kavajasve në këtë kampionat. Në javën e 24-t, Besa pret Kastriotin e vendit të fundit, ndërkohë që, Flamurtari do të përballet me Teutën.

Në sezonin aktual

Faza e parë

Besa-Flamurtari 2-0

Shënues: Sefa 25’, Guri 63’

Faza e dytë

Flamurtari-Besa 1-4

Shënues: Liçaj 2’ / Haliti 30’, Sefa 61’, 93’, Deliallisi 91’

Faza e tretë

Besa-Flamurtari 3-1

Shënuës: Muriqi 7’, 32’, Sefa 23’ / Abilaliaj 47’

Golat

1-0

Min. 9’ – Besa ekzekutoi një goditje dënimi, topi mbërriti te Vedat Muriqi, i cili shënoi nga një distancë e afërt.

2-0

Min. 24’- Goditje këndi për Besën. Topi mbërrin te Fatjon Sefa, i cili kërceu fuqishëm me kokë, duke shënuar golin e dytë.

3-0

Min. 32’ – Sefa gjuajti fort, reagoi mirë Moçka, por topi u rikthye te këmbët e Muriqit, i cili nuk e pati vështirë.

3-1

Min. 47’ – Arbër Abilaliaj realizoi një gol me të vërtetë të bukur, me një gjuajtje të bukur nga rreth 25 metra.