Spanjë në majën e Botës, Iniesta thyen Holandën

2342
Sigal

Afrika e Jugut 2010/ Botërori i vuvuzelave. Spanjollët nën drejtimin e Del Boskes fitojnë titullin

 Kampionati Botëror 2010, i 19-ti, u zhvillua në Afrikën e Jugut nga 11 qershori deri më 11 korrik 2010. Kampione e Botës doli Spanja që mundi në finale 1-0 Holandën pas kohës shtesë me golin e Andres Iniestës në minutën e 116-të. Ky ishte kampionati i parë që zhvillohej në kontinentin afrikan. Ndeshjet e luajtën në 10 stadiume, pesë prej tyre të rinj, me finalen që u zhvillua në “Sokër Siti” në Johanesburg. Kostoja e punimeve dhe infrastrukturës shkoi në 1 miliard dollarë. Në finalet e Botërorit morën pjesë 32 ekipe, ndërkohë që në kualifikuese morën pjesë 204 skuadra nga 208 që aderojnë në FIFA, përfshirë dhe Shqipërinë. Vendi organizator, Afrika e Jugut; kampionia e vitit 2006, Italia dhe nënkampionia, Franca, u eliminuan në raundin e parë. Ishte hera e parë që, vendi organizator nuk e kalonte fazën e grupeve. Zelanda e Re me tre barazimet e saj ishte ekipi i vetëm që nuk pësoi humbje, por ajo u eliminua qysh në raundin e parë. Në çerekfinale, Holanda mundi 2-1 Brazilin; Uruguai fitoi 4-2 me penallti pas rezultatit 1-1 ndaj Ganës, Gjermania shpartalloi 4-0 Argjentinën në një ndeshje të madhe dhe Spanja mundi 1-0 Paraguain. Në gjysmëfinale, Holanda mposhti 3-2 Uruguain, ndërsa Spanja fitoi 1-0 me Gjermaninë (gol i Pujolit 73’). Finalja foli për Spanjën, që mundi në 1-0 Holandën. Heroi i mbrëmjes është Iniesta, i cili shënoi golin historik në minutën e 116-të. Takimi i shumëpritur kryesor i Botërorit “Afrika e Jugut 2010” nxori fitues ekipin iberik, pas një loje të ashpër në të dy pjesët e para dhe në 30 minutat shtesë, është shoqëruar me plot kartonë të verdhë, 8 për Holandën dhe 5 për Spanjën. Në minutën e 110-të pas kartonit të dytë të verdhë, Hetinga del nga loja duke e lënë Holandën me 10 lojtarë. Spanja tashmë ndodhet në majën e botës duke rikonfirmuar suksesin dhe forcën e saj të arritur në kampionatin Europian 2008. “Afrika e Jugut 2010” dhuroi plot emocione, ndeshje të bukura, “finale” të parakohshme dhe eliminime të papritura. FIFA akordoi 420 milionë dollarë për ekipet Kombëtare, përfshirë dhe 40 milionë për klubet të cilat kishin lojtarët e tyre në Botëror. Fituesi mori 30 milionë dollarë, ndërsa nënkampioni 24 milionë dollarë. Çdo skuadër kishte 23 lojtarë, ndërsa në total morën pjesë 736 futbollistë, gjysma e të cilëve luanin në Angli (117), Gjermani (84), Itali (80), Spanjë (59) dhe Francë (46). Barcelona ishte klubi që kishte më shumë lojtarë në Botëror: 13.

 Gjysmëfinalet

Uruguai-Holandë 2-3

Gjermani-Spanjë 0-1

Vendi i tretë

Uruguai-Gjermani 2-3

Finalja

Johaneburg, 11 korrik 2010

Spanjë-Holandë 1-0

Shënues: Iniesta 116’

Parashikimet e oktapodit Pol

I kthyer në një fenomen të Kampionatit Botëror të Futbollit, oktapodi Pol bëri parashikime të sakta. Për ndeshjen finale ai zgjodhi Spanjën si “Kampione e Botes 2010”. Ashtu si për ndeshjet e tjera, për të cilat parashikimet kane qenë totalisht te sakta, tentakulat e oktapodit Pol zgjodhën mes kutive me flamurin holandez dhe spanjoll, këtë të fundit. Pas parashikimit të papagallit Mani, tani spanjollet kishin një arsye të fortë për të festuar, pasi oktapodi Pol është më i saktë. Përpara se të zgjidhte Spanjën, gjallesës nënujore iu vunë përpara dy kuti të tjera, ku zgjodhi atë me flamurin e Gjermanisë, si fituese të ndeshjes për vendin e tretë dhe të katërt kundër Uruguait.

Maskoti Zakumi

Maskoti zyrtar i Botërorit 2010 ishte Zakumi, një leopard afrikan me flokë jeshile. Emri i tij vinte nga “ZA” (shkurtimi ndërkombëtar për Afrikën e Jugut” dhe “Kumi” (“dhjetë”, në gjuhët e ndryshme afrikane).

Kënga zyrtare

Kënga zyrtare e Botërorit ishte “Waka Waka”, e kënduar nga këngëtarja kolumbiane Shakira dhe grupi Freshlyground ng Afrik e Jugut. Himni zyrtar ishte “Shenja e fitores” e kënduar nga Kelli dhe Soveto Spiritual.

Vuvuzelat

Botërori 2010 do të mbahet mend edhe për vuvuzelat, një borie e gjatë plastike me kumbim të fuqishëm. Në fakt, pati shumë ankesa për zhurmën që prodhonin ato, pasi pengonin komunikimin midis lojtarëve në fushë.

Shqipëri e vogël

 Në eliminatoret e Botërorit 2010, Shqipëria bënte pjesë në një grup me Danimarkën, Portugalinë, Suedinë, Hungarinë dhe Maltën. Shtatë ndeshje u drejtuan nga holandezi Ari Han dhe tri nga kroati Josip Kuzhe. Vetëm një fitore (3-0 me Maltën), 4 barazime (Suedinë, Portugalinë, Maltën dhe Danimarkën) si dhe 5 humbje (Hungari 2, Portugali, Suedi dhe Danimarkë). Vendi i parafundit në përfundim të eliminatoreve.

Rezultatet e të gjitha finaleve

 1930 URUGUAI-Argjentinë 4-2

1934 ITALI-Çekosllovaki 2-1,

1938 ITALI-Hungari 4-2,

1950 URUGUAI-Brazil 2-1

1954 GJERMANI-Hungari 3-2

1958 BRAZIL-Suedi 5-2

1962 BRAZIL-Çekosllovaki 3-1

1966 ANGLI-Gjermani 4-2

1970 BRAZIL-Itali 4-1

1974 GJERMANI-Holandë 2-1

1978 ARGJENTINË-Holandë 3-1

1982 ITALI-Gjermani 3-1

1986 ARGJENTINË-Gjermani 3-2

1990 GJERMANI-Argjentinë 1-0

1994 BRAZIL-Itali 0-0 (3-2 p).

1998 FRANCË-Brazil 3-0

2002 BRAZIL-Gjermani 2-0

2006 ITALI-Francë 1-1 (5-3 p)

2010 SPANJË-Holandë 1-0

2014 ???

Shifra dhe kuriozitete nga Botërorët e kaluar

 Për herë të parë në këtë edicion do të jenë prezent të 8-ta Kombëtaret që e kanë fituar të paktën një herë Kupën e Botës, (Uruguai, Italia, Gjermania, Brazili, Anglia, Argjentina, Franca e Spanja). Ka ndodhur në 2002-n dhe 2010-n, por atëherë skuadrat kampione ishin vetëm 7. Në “Brazil 2014” do të ketë vetëm një skuadër debutuese, pikërisht Bosnje-Hercegovina, e cila u kualifikua direkt për në Botëror. Brazili është skuadra që e ka fituar më shumë herë Kupën e Botës, plot 5 herë. Gjithashtu është e vetmja skuadër që ka marrë pjesë në të gjitha Botëroret që nga 1930 deri më sot. Në “Brazil 2014” do të zhvillohet edicioni i 20-të i Kupës së Botës. Në 19 të parat, kombëtaret europiane dominojnë me 10 trofe të fituar, kundrejt 9 të Amerikës së Jugut.

Ish-sulmuesi brazilian, Ronaldo, është golashënuesi më i mirë në historinë e Botëroreve, me 15 gola të shënuar. Pas tij vjen Gerd Myler dhe Miroslav Klose me nga 14 gola. Paolo Maldini, ish-mbrojtësi i Italisë, është lojtari që ka luajtur më shumë minuta në historinë e Botëroreve, plot 2216 minuta. Roxher Milla i Kamerunit është futbollisti më i vjetër që ka luajtur në Kupën e Botës. Në SHBA 1994, Milla luajti ndaj Brazilit kur ishte 42 vjeç e 35 ditë. Legjenda Pele është shënuesi më i ri në historinë e Kupës së Botës. Në 1958-n, Pele i shënoi Uellsit kur ishte 17 vjeç e 239 ditë. Valter Zenga është portieri që ka qëndruar më shumë kohë pa pësuar gol në Botëror, plot 518 minuta. – Gjermania dhe Brazili janë dy skuadrat që kanë luajtur më shumë finale të Kupës së Botës, plot 7 të tilla. Gjermania është skuadra me më shumë ndeshje të luajtura në historinë e Botëroreve, plot 99 të tilla. “Francë 1998” është Botërori me më shumë gola të shënuar, plot 171. Rekordin e golave të shënuar në një ndeshje të vetme e mban Zvicër-Austri 7-5, në 1954-n, në çerekfinale. Rekordi i kartonëve të verdhë në një ndeshje Botërori mbahet nga Portugali-Holandë në 2006-n, ku u dhanë plot 16 kartonë. Lojtarët me më shumë pjesëmarrje: Lotar Mateus (Gjermani) 5 herë (1982, 1986, 1990, 1994, 1998); Antonio Karbahal (Meksikë) 5 herë (1950, 1954, 1958, 1962, 1966). Lojtarët me më shumë ndeshje: Lotar Mateus (Gjermani) 25; Paolo Maldini (Itali) 23; Uve Zeler (Gjermani P) 21; Vladislav Zmuda (Polonia) 21; Diego Maradona (Argjentina) 21. Lojtarët me më shumë kartonë: Kafu (Brazil) 6 të verdhë; Zidan (Francë) 4 të verdhë, 2 të kuq. Kjo do të jetë hera e dytë që Brazili do të organizojë Kupën e Botës. E para ka ndodhur në vitin 1950, ku Brazili u mund në finale nga Uruguai. Stadiumi “Marakana”, i ndërtuar në vitin 1950 dhe i rimodeluar aktualisht, do të presë finalen e Botërorit, duke u bërë kështu stadiumi i tyre që pret dy finale të këtij kompeticioni. Ka një kapacitet prej 76 804 spektatorësh.

Golat më të shpejtë

11 sekonda

Hakan Shukur (Turqi)

15 sekonda

Vaclav Mashek (Çeki)

23 sekonda

Pak Seung (Koreja V.)