Spanja rrezikon të përjashtohet nga Botërori “Rusi 2018”, ja arsyeja

120
FIFA ka paralajmëruar Spanjën se rrezikon të largohet nga Kampionati Botëror “Rusi 2018” për shkak të ndërhyrjeve të mundshme politike në çështjen “Villar”. Kështu shkruan prestigjiozja “El Pais”, sipas të cilës në Federatën Spanjolle të futbollit ka mbërritur një dokument nga FIFA, ku shkruhet se ndërhyrjet e qeverisë mund të çojnë në këtë vendim ekstrem, pra në përjashtimit e futbollit spanjoll nga të gjitha kompeticionet ndërkombëtare.
Megjithatë, ky sanksion do të merret nga FIFA nëse qeveria spanjolle vazhdon me planet për të emëruar një President të ri të Federatës Spanjolle të Futbollit.
Gjithçka lidhet rreth emrit të Angel Maria Villar, president i Federatës Spanjolle të Futbollit, i arrestuar gjatë muajit korrik me akuzën e përvetësimit të paligjshëm të fondeve dhe falsifikim dokumentash.
FIFA e drejton gishtin nga Qeveria e Spanjës, që me akuzat e ngritura thjesht kërkon të largojë nga detyra presidentin Villar. Ndërhyrja e qeverisë, sipas FIFA-s, konsiderohet dhunim i pavarësisë së FFS-së.
Ky paralajmërim duhet të merret me seriozitet nga krerët e shtetit spanjoll, pasi në të kundërt “La roja” mund të mos jetë në garën më të madhe të kombëtareve. Për motive të njëjta, FFS-ja rrezikoi të përjashtohej edhe në prag të Europianit të Vitit 2008, turne që u fitua pikërisht nga Spanja.