Spanja, ekipi më shtrenjtë i Botërorit

581
Sigal

Kampionët e Botës vlejnë 668 milionë euro. Gjermania, 604 mln. Mesi,  më i shtrenjti me 130

Spanja, Kampione e Botës (2010) dhe Europës (1964, 2008, 2012), është skuadra më e shtrenjtë në Botërorin “Brazil 2014”, kompeticion që nis të enjten me ndeshjen hapesë Brazil-Kroaci (22:00). Revista e njohur amerikane “Time” ka publikuar vlerat e 32 skuadrave dhe 736 lojtarëve që marrin pjesë në Kampionatin e 20-të Botëror të Futbollit. Lojtarët spanjollë që me vlerën e tyre e bëjnë përfaqësuesen “Furive të kuqe” të kapë shifrën e 668 milionë eurove, duke qenë ajo “mbretëresha” midis 32 skuadrave. në Botërorin e Brazilit. Kështu të grumbulluarit e Joakim Lëv, nëse do të nxirreshin në këto momente në merkato, të gjithë bashkë do të vlenin 604 milionë Euro, ndërsa brazilianët vlejnë 502 milionë euro. Kombëtarja franceze pason listën me futbollistët e saj që kanë një vlerë prej 443 milionë eurosh, ndërsa Argjentina vlen 421 milionë, por këtu peshën më të madhe e ka Lionel Mesi, pasi vetëm kartoni i tij llogaritet në rreth 130 milionë Euro, ose më saktë 129.737.460 euro. Përfaqësuesja e Hondurasit modest që vlen më pak në këtë edicion të 20-të të Botërorit dhe nuk e kalon shifrën e 22 milionë eurove. Në aspektin individual, pas Lionel Mesit është ylli i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo i dyti që vlerësohet 107 milionë Euro dhe zë gati 1/3 e gjithë vlerës në kombëtaren portugeze. Tek kampionët spanjollë, të cilët mbërritën në orët e para të mëngjesit të së Hënës në Brazil, janë Iniesta, Fabregas, Buskuets, Ramos e Juan Mata, më të vlerësuarit në kuotën e 40-50 milionë Eurove. Me përcaktimin e listave zyrtare prej 23 futbollistësh nga 32 kombëtaret që do të marrin pjesë në Botëror dalin në pah edhe disa statistika interesante përsa i përket moshës së skuadrave pjesëmarrëse. Përfaqësuesja më e re që do të marrë pjesë në Brazil është Gana. Kombëtarja afrikane ka një moshë mesatare prej 25,44 vitesh. Lojtari më i ri në grupin e “Yjeve të zinj” është Rashid Sumalia vetëm 21 vjec ndërsa më i vjetri është Michael Essein, 31-vjeçar. Përfaqësuesja e dytë me moshën më të re është Belgjika. “Djajtë e kuq” kanë një moshë mesatare prej 25,66 vjeç ndërsa lojtari më i ri në grupin e skuadrës së drejtuar nga Marc Viltmots është sulmuesi i Lilës, Divok Origi, vetëm 19-vjeçar ndërsa pas tij vjen kosovari Adnan Januzaj po 19 vjeç, por dy muaj e gjysmë më i madh se Origi. Futbollisti më i vjetër në grupin e Belgjikës është mbrojtësi i Bajernit, Daniel Van Buyten. Sa i përket skuadrave me moshën më të re pas Ganës dhe Belgjikës vijnë me radhë kombëtare të tilla si Nigeria, Zvicra, Korea e Jugut e Gjermania ndërsa renditja mbyllet me Hondurasin dhe Argjentinën. Është pikërisht përfaqësuesja “albiceleste” kombëtarja me moshën më të madhe që do të marrë pjesë në Botëror. Mosha mesatare e grupit të drejtuar nga Alehandro Sabella është prej 28,92 vjeç. Lojtari më i ri i Argjentinës është mbrojtësi i Sportingut të Lisbonës Marcos Rojo vetëm 24 vjeç ndërsa më i vjetri është futbollisti i Interit Hugo Campagnaro 33-vjeçar. Nga 736 futbollistët që janë grumbulluar në Botëror lojtari me moshën më të re bën pjesë në kombëtaren e Kamerunit dhe ai quhet Fabrice Olinga. Lojtari i Malagas, por që sezonin e fundit luajti në huazim te belgët e Zulte Varegem vetëm rreth një muaj më parë ka mbushur moshën 18-vjeç. I dyti futbollist më I ri në moshë është talenti anglez Luke Shau 10 muaj më i madh se Olinga. Ndërkohë që futbollisti me moshën më të madhe në Brazil do të jetë portieri i Kolumbisë, Farid Mondragon aktulisht 42 vjeç, por që në datën 21 Qershor  do të mbushë moshën 43-vjeçare

Vlerat e ekipeve

Spanja   668

Gjermania    604

Brazili   502

Franca   443

Argjentina    421

Belgjika 374

Anglia   359

Portugalia 319

Uruguai 234

Holanda 223

Kroacia 208

Kolumbia     204

Rusia     197

Zvicra   191

Kili       149

Bregu Fil.     130

Kameruni     127

Bosnja-H.    123

Japonia 105

Meksika       103

Gana            103

Nigeria  93

Greqia   86

Ekuadori      67

SHBA          62

Algjeria 61

Koreja V.     55

Kosta Rika   31

Irani             25

Australia      22

Hondurasi    22

Di Maria: “Mesi, një kapiten i madh!”

 Rivalë në futbollin e klubeve, por në Brazil i bashkon fanella Albiceleste e kombëtares. Mesfushori i Realit të Madridit, Angel di Maria foli me fjalët më të mira për yllin e Barcelonës, Leo Messi, në prag të këtij Botërori, ndërsa komentoi edhe shanset e Argjentinës. “Na takonte neve të vendosnim se kush do ta mbante shiritin e kapitenit dhe zgjodhëm Mesin. Ai është një lojtar fantastik, një shok i mirë dhe një kapiten i madh. Shpresoj që ky të jetë Botërori i tij. E mbaj mend shumë mirë ditën kur kam luajtur për herë të parë përkrah tij. Ishte shumë i fortë dhe të gjithë flisnin vetëm për të. Tani më thonë se jam me shumë fat që kam mundësinë të luaj me Ronaldon e Messin. Pa dyshim që të dy janë lojtarë të mëdhenj dhe për fat i kam të dy në ekipet ku luaj”. Për Di Marian, “La Seleçion” e ka detyrim fitoren në Kupën e Botës dhe për shkak të historisë, gjithmonë renditet mes skuadrave favorite.

Xhenifer Lopez heq dorë nga Kupa e Botës

 Këngëtarja Xhenifer Lopez i ka thënë “Jo” pjesëmarrjes në ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror në Brazil.

Ajo ishte ftuar për të kënduar këngën zyrtare të kampionatit së bashku me Pitbull dhe Clauda Leitte. Burimet zyrtare të FIFA kanë dhënë lajmin se Jennifer Lopez nuk do të jetë gjatë ceremonisë, ashtu siç ishte planifikuar. FIFA tha në një deklaratë për shtyp se Pitbull dhe Claudia Leitte do të jenë të vetmit artistë performues. Nuk ka asnjë të dhënë zyrtare se pse këngëtarja 44-vjeçare nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Kupës së Botës. Ndërkohë sipas “The Guardian” kënga zyrtare e këtij viti ka zhgënjyer brazilianët, të cilët ankohen duke thënë se ka tinguj shumë të zakonshëm.

  

 Të kujtojmë dhe vështrojmë se çfarë ka ndodhur e po ndodh në Shqipëri

 Nga Viron Bezhani

 Tranzicioni i gjatë dhe i vështirë i Shqipërisë  duket se më në fund po shkon drejt fundit, pas lajmeve të mira se edhe vendi i shqiponjave do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Një periudhë trazicioni me shumë ngjarje, që kanë lënë shenjë tek ky vend i pushtuar nga njerëz që më së shumti e kanë konsideruar veten mbi ligjin, duke e përdorur atë sipas dëshirës së tyre dhe duke mos dhënë kurrrë llogari për gabimet e bëra. Çfarë i ka ndodhur Shqipërisë në këto vite të vështira tranzicioni? Duke nisur që nga fillimet e saj, me vrasjet në kufi e duke vazhduar me problemet e pronësisë së tokës, ku ajo është grabitur dhe nuk po i shkon të zotit. Duke vazhduar me ngjarjet dramatike të kallashnikovit, që na dhuroi viti famëkeq 1997, me ngjarjet e rënda të mbytjes së skafeve në detin Adriatik e duke vazhduar me vrasjen e njerëzve të ndershëm si dhe me vlerat njerëzore e morale. Një vend ku ka rrezik që vesi të kthehet në virtyt dhe virtyti në ves. Pse gjithë ky tranzicion, kush duhet të përgjigjet për të dhe nga se vjen? Çdo gjë vjen nga moszbatimi i ligjit, pasi ligji është shkalla më e lartë e politikës, që cilindo shtetas dhe funksionar i sheh si të barabartë dhe duhet të zbatohet nga të gjithë. Në demokraci ligji duhet të jetë në shërbim të popullit, të mbrojë të drejtat e qytetarit dhe të mos ketë asnjë lloj përjashtimi për të gjithë pushtetarët. Vetëm duke zbatuar ligjin ne mund të arrijmë ato standarde europiane që dëshirojmë. Ne nuk mund ta kërkojmë Europën si një “dhuratë të ëmbël” nga europianët, kur ne vetë nuk zbatojmë ligjin. Vetë Europa është në vetvete një unison, ku njerëzit zbatojnë ligjet. Edhe në marrëveshjet që bëhen herë pas here mes partive ka shkelje ligji. Ato bëhen për interesa të vogla, të momentit dhe që u shërbejnë palëve, por kurrë nuk janë afatgjata dhe në shërbim të qytetarit. Pse? Sepse për të qenë të tilla ata që i hartojnë këto ligje duhet t’i zbatojnë vetë ato, gjë e cila realisht nuk ndodh në Shqipëri. Ky moszbatim i ligjit dhe prania e njerëzve mbi ligjin ndodh kudo, në çdo fushë të jetës dhe për fat të keq këto probleme të shkaktuara nga këta njerëz lënë gjurmë dhe asnjëherë nuk harrohen. Në vitin 2007, zv.ministri i asaj kohe për Kulturën, Rininë dhe Sportet, Ekrem Spahia, erdhi duke mos zbatuar ligjin, por duke zbatuar Maliqin, duke thënë se çfarë janë njerëz të PS-së duhet të largohen nga drejtimi i sportit. Duke nisur nga mua personalisht, që më konsideronte komunist e më pas duke ndërhyrë në të gjitha federatat. Në të gjitha mënyrat, me qëllimin e vetëm për të marrë Komitetin Olimpik. Disa Federata ai arriti t’i marrë dhe ç’është më e turpshmja këtë e bëri me armë zjarri. Ajo që dua unë është jo të kujtoj atë kohë, por mënyrën se si mund ta nisë punën një ministër i ri në këtë fushë, pasi të gjitha këto veprime të jashtëligjshme duhet t’i kalojnë ligjit. Dhe ata persona që arritën të zaptojnë sportin më armë duhet të penalizohen e të largohen përgjithmonë nga fusha e sportit e t’i jepen drejtësisë. Ky duhet të ishte veprimi më i pakët dhe më i drejtë i çdo ministri të ri, nëse do të dëshironte ta niste punën për së mbari e duke respektuar ligjin. Edhe pse kemi 8-9 muaj një gjë e tillë nuk po ndodh. A mos vallë edhe këta që janë sot në pushtet kërkojnë të ecin në rrugën e paraardhësve, duke përsëritur të njëjtat gabime, duke mbuluar gabimet tyre? Jam i sigurt se nëse nuk do të zbatohet ligji përsëri do të ketë një Spahia tjetër, kësaj radhe do ta ketë ndryshuar emrin në Ndreca. Pak rëndësi ka emri, për mua rëndësi ka ligji dhe zbatimi i tij. E në rast se kjo nuk ndodh do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë të gabuar. Një fushë tjetër, që për mua është një nga pikat më të dobëta në një qeverisje të pastër, është ajo e Lojërave të Fatit. Kam punuar aty dhe kam parë me sytë e mi se si abuzohej me miliarda lekë në kurriz të shtetit shqiptar. Megjithëse u mundova të bëja maksimumin tim, si në punë ashtu dhe në denoncimin e akteve jo të ligjshme e kuptova se çdo përpjekje imja për drejtësi ishte e kotë. Letra të kota denoncimi për ish-ministrin e saj kohe, z.Bode, që për mua ishte strumbullari, ish-Kryeministrin Berisha, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë dhe në fund fare  Presidentit të Republikës. Pasi si shqiptar por edhe si njeri i rritur me botëkuptimin e ligjit, mendova se mund t’i shërbeja sadopak qeverisjes së re. Çfarë kam unë që mendoj se nuk po bëhet mirë? Me marrjen e pushtetit nga qeveria e majtë, gjëja më e paktë është se këta njerëz të përgjigjen para ligjit për miliardat e lekëve që i kanë përvetësuar shtetit shqiptar, lekë që do të shkonin për qytetarin. Por përsëri nuk ka asnjë lëvizje. Lind pyetja: A mos vallë edhe të rinjtë do të vazhdojnë në gjurmët e tyre? Për të nisur një punë të re duhet patjetër që të ecet në shina ligjore. Kush nuk zbaton ligjin, 100% do të jetë joshur me të mirat e saj. Këto pak shembuj e fakte për të kuptuar se ka pushtetarë që qëndrojnë mbi ligjin. Por a do të vazhdojmë në këtë shtet ku ende ligji nuk zbatohet, ku sundon “Maliqi” dhe Prokuroria nuk vepron për të zbatuar ligjin? Ku ish-ministra ulërasin e pëllasin në mënyrën më vulgare në parlament. Është mëse e qartë se me këta njerëz dhe me këtë organizim të shtetit të së drejtës ne nuk mund të krijojmë kurrë një shtet ligjor. Dhe nuk mund të hyjmë si të duam në Europë. E vetmja rrugë është zbatimi i ligjit, sipas parimit të Theodor Rosvelt:  “Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin e askush jashtë tij.  Por as edhe t’i kërkohet leje kurrkujt, kur kërkohet zbatimi e bindja ndaj ligjit”.