Spanja dominon ndaj Argjentinës, shpallet kampione e Botës në basketboll për meshkuj

581
Sigal

Pas 13 vitesh Spanja fiton sërish kampionatin Botëror të basketbollit për meshkuj, duke festuar titullin e saj të dytë pas atij të vitit 2006.

Në “Cadillac Arena” në kryeqytetin e Kinës, Pekin, La Roja dominoi në lojë dhe rezultat ndaj Argjentinës në ndeshjen përmbyllëse të kampionatit të 18-të Botëror, me basketbollistët spanjollë që bënë të tyret medaljet e arta.

95-75 ishte rezultati final i kësaj përballjeje në favor të skuadrës së drejtuar nga trajneri italian Sergio Scariolo, me Ricky Rubion që në fund fitoi betejën personale me shokun e skuadrës Marc Gasol, pasi Mvp-ja i Kupës së Botës u shpall 28-vjeçari që luan me Phoenix Suns.

Ricky Rubio shënoi në total 20 pikë, ndërkohë që koleksionoi edhe 7 rebound e 3 asiste, duke rezultuar edhe pikëshënuesi më i mirë i Spanjës, pasi Marc Gasol dhe Sergio Llull shënuan respektivisht 14 dhe 15 pikë secili.

Tek Argjentina spikati Gabriel Deck me 24 pikë, të pamjaftueshme gjithsesi për të vënë në vështirësi Spanjën, që nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren.