Sot vendimi i Komisionit të Apelit pranë UEFA-s, Shqipëria do tre pikët

486
Sigal

Ashtu siç ishte parashikuar nga UEFA, sot do të mbahet mbledhja mbi vendimin e Komisionit të Apelit për ndryshimin ose jo të vendimit të mëparshëm të Komisionit të Disiplinës pranë UEFA-s në lidhje me dhunën që përfshiu ndeshjen Serbi-Shqipëri për kualifikueset e EURO 2016. Vendimi i parë i Komisionit, dënoi Shqipërinë me humbje në tavolinë dhe me një gjobë 100 mijë euro, gjobë që çuditërisht është e njëjtë edhe me atë të Serbisë. Avokatët që përfaqësojnë interesat e Shqipërisë në këtë çështje kanë dy kërkesa, siç është fitorja në tavolinë dhe sigurisht heqja e gjobës. Serbia nga ana tjetër mendohet se ka si kërkesë që ndeshje të përsëritet, dhe  nëse ndodh një gjë e tillë do të luhet në një fushë asnjanëse dhe pa tifozë. Shpresa e palës shqiptare është të gjejnë të meta në vendimin e parë, që për hir të së vërtetës ka shumë, që të mund të arrijnë të përmbushin pretendimet e tyre, dhe më kryesorja është që të arrihet fitorja në tavolinë. Në vendimin e parë që mori Komisioni u vunë re shumë gabime në gjykim, e sidomos në pjesën që u  ndërpre ndeshja, duke marrë vendimin se Kombëtarja shqiptare kishte refuzuar të futej në fushë. Ky vendim erdhi falë edhe deklaratave që bëri gjyqtari i ndeshjes Atkinson dhe shefi i gjyqtarëve Frohlisch, deklarata që ishin shumë negative. Ata thanë se kapiteni Cana  u ka argumentuar pamundësinë e skuadrës për tu rifutur në lojë, por gjithsesi në raportin e zyrtar kanë dorëzuar shkrimin se skuadra ka refuzuar të kthehet në lojë. Në këtë pikë do të kapen edhe avokatët, pasi sipas të gjithë lojtarëve apo anëtarëve të FSHF Shqipërisë asnjëherë nuk ju kërkua kthimi në fushat e lojës, çka e bën shumë të vështirë për tu besuar se pikërisht për këtë shkak u mor edhe një vendim aq arbitrar nga Komisioni.  deklaruar vetë Cana dhe zyrtarët më të lartë të FSHF-së, Shqipërisë asnjëherë nuk i është kërkuar nga arbitri i ndeshjes kthimi në fushë dhe ajo asnjëherë nuk ka pasur rast të artikulojë asnjë refuzim të prerë. Vendimet e mundshme që do të merren sot janë tre, ose të mos ndryshohet aspak vendimi, ose të ndryshohet në favor të njërës apo tjetrës palë ose, ashtu siç dëshiron edhe Serbia, të riluhet takimi. Nuk ka asnjë orar të saktë se kur do të merret një vendim, duke e lënë çdo gjë në pritje dhe sigurisht edhe në heshtje, pasi kujtojmë që FSHF nuk ka bërë asnjë deklaratë mbi këtë çështje duke e kaluar në hije, ashtu si edhe homologët serbë. Nëse edhe këtu nuk merret vendimi që pala shqiptare dëshiron, çdo gjë do të shkojë drejtë Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, diçka që e kishte paralajmëruar edhe vetë presidenti Duka, por shpresohet që mos të jetë e nevojshme dhe çdo gjë të mbyllet me drejtësi nga vetë institucionet e UEFA-s me drejtësi, diçka që mungoi herën e parë.

 Ndeshja Partizani-Tirana do të transmetohet nga “SkyItalia”

 Ishte parashikuar që ndeshja mes Tiranës dhe Partizanit për javën e 15-ë të Superligës të luhej në fundjavë, por në fakt është ndërruar programi dhe kjo ndeshje është dërguar për tu luajtur ditën e hënë. Akoma nuk është bërë e qartë nga FSHF se pse u mor një vendim i tillë, por sipas tyre nuk ka ndonjë arsye të veçantë. Në fakt dje, gjithë ditën ka qarkulluar lajmi se ky takim do të transmetohet edhe në televizioni Sky në Itali, duke e bërë këtë ndeshjen e parë të kampionatit shqiptar që transmetohet në vendin e fqinjëvë përtej detit. Duke qenë se nuk ka asnjë lajm të konfirmuar as nga FSHF as nga vetë televizioni, çdo gjë mbetet për tu parë në ditët në vijim.

 Neuer, Messi dhe Ronaldo janë më të mirët e 2014-ës

 Tre më të mirët e botës për sezonin futbollistik që po lëmë pas janë: Messi, Ronaldo dhe Manuel Neuer, portieri që po bën diferencën jo vetëm në kuadratin e portës por edhe në fushë. Të gjithë jemi mësuar që të dëgjojmë tek flitet për Messin dhe Ronaldon, dy futbollistët më të mirë në botë aktualisht, por është e rrallë që mes tyre të futet as më pak e as më shumë por një portier. Titujt që Gjermania dhe Bajerni kanë fituar, në përbërje kanë një ndihmë të madhe nga ky lojtar, si në Brazil me Kombëtaren ashtu edhe në Gjermani me Bajernin. Sa i përket Messit dhe Ronaldos, magjia dhe ndikimi i tyre, jo vetëm në skuadrat e tyre përkatëse, por në gjithë botën e futbollit është gjerësisht i ditur, prandaj edhe fjalët për këta futbollistë janë të tepërta, diçka që ka filluar të bëhet e tepërt edhe për tjetrin  më të mirin e botës, portierin-mesfushor Manuel Neuer. Përpos futbollistëve, është caktuar edhe trioja më e mirë e trajnerëve ku sigurisht konkurron Jogi Lëv i Gjermanisë, Karlo Ançeloti i Real Madrid dhe Diego Simeone i Atletiko Madrid. Si favorit për të fituar shihet trajneri i Gjermanisë që udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores në Brazil 2014, duke u shpallur kështu për të katërtën herë kampione bote. Nuk ngel pas as Ançeloti, që ka krijuar një skuadër pothuaj perfekte tek Real Madrid, duke fituar kështu Ligen e Kampioneve. Nuk lihet pas as Simeone që arriti ta shpallte skuadrën e tij kampione të Spanjës pas shumë kohësh duke kaluar kështu dominimin Real-Barcelona.

Flamurtari-Elbasani mbyllin javën e 14-ë, vlonjatët kthehen tek fitorja

  Java e 14-ë e Superligës u mbyll me takimin mes Flamurtarit dhe Elbasanit, me një fitore të merituar të vlonjatëve në një ndeshje jo edhe aq të lehtë përballë një Elbasani shumë të karikuar pas asaj ndeshjeje ndaj Tiranës. Ky takim u duk se do të mbyllej pa gola, pas asaj pjese të parë shumë të “thatë” por që përsëri në fillim pjesën e dytë, vlonjatët ia dolën të korrnin një fitore shumë të vlefshme duke parë edhe situatën në të cilën ndodheshin. Këto dy skuadra ishin në situatë shumë të vështirë përsa i përket rezultateve, me vlonjatët që siç duket po marrin një tjetër drejtim duke arritur më në fund tek fitorja. Sa i përket Elbasanit,  këta të fundit  duket se nuk do bëjnë mirë përsëri në një situatë që i ndjek që në fillim të sezonit duke humbur rresht në shumë nga ndeshjet e luajtura, ku kanë fituar vetëm dy dhe kanë humbur 12 të tjera. Takimi i djeshëm, përmbyllësi i kësaj jave vlen shumë për Flamurtarin, sidomos pas asaj humbjeje që morën në Shkodër, ndërsa në fundjavën që vjen do të ndeshen pikërisht me Laçin, e kjo skuadër është përsëri një provë shumë e fortë për vlonjate. Java e 14-ë pa të rikthehej në krye edhe skuadra e Partizanit që fitoi në ndeshjen ndaj Teutës, duke pasur edhe favorizimin jo të qëllimshëm që i bëri Tirana me barazimin që mori ndaj Laçit në Tiranë. Situata në renditje është e atillë që lejon katër skuadra të dalin në vendet e para, në qoftë se hidhet një hap i gabuar nga secila, pasi duke pasur parasysh se nga vendi i katërt e deri tek vendi i parë janë vetëm tre pikë që i ndajnë secilën. Si Skënderbeu ashtu edhe Tirana humbën rastin që të ecnin përpara, duke ju lënë një dorë të lirë, të paktën për këtë javë, Kukësit dhe Partizanit që morën fitore shumë të vyera në kampionat. Java e ardhshme do të jetë përsëri vendimtare për kreun pasi do të ndeshen Partizani dhe Tirana, me këta të fundit që shkojnë si miq në “Qemal Stafa” duke mos pasur të drejtën të ndiqen nga tifozët e tyre për shkak të dënimit që këta morën për zhvillimet në ndeshjen Elbasani-Tirana.

Ndeshja e ditës së hënë

Flamurtari-Elbasani       2-0