Sot Superliga, duelojnë Partizani-Teuta dhe Skënderbeu-Kukësi

550
Sigal

Java e pestë e Superligës hapet sot me ndeshjet e orës 19:00 Partizani-Teuta dhe Skënderbeu-Kukësi, të dyja këto përballje  paraqesin një interes të veçantë  si për vetë skuadrat që kërkojnë fitore ashtu edhe për renditjen në kampionat me Partizanin, Skënderbeun dhe Kukësin që ndodhen në kuotë të barabartë pikësh. Partizani do të masë forcat me durrsakët për të arritur fitoren e tretë rresht dhe të ruajë pozitën e mirë që ka fituar në renditje ndërsa Teuta do përpiqet të kompensojë rezultatin e munguar me Laçin javën e kaluar. Ndërsa në ndeshjen tjetër, Skënderbeu-Kukësi, që është edhe superpërballja e kësaj jave të pestë do të luhet për pikë, prestigj dhe titull. Janë kampionët dhe nën kampionët në fuqi që do të ndeshen në Korçë vetëm për të arritur fitoren. Duket se Skënderbeu edhe pse me pikë të barabarta me Kukësin ka një problem më shumë, golat. Sulmi i Skënderbeut aktualisht nuk po funksionon si duhet pasi kanë shënuar në katër ndeshje vetëm tre gola, që për kampionët në fuqi janë shumë pak, gjithashtu edhe Kukësi, si Skënderbeu, ka dy ndeshje që nuk merr rezultatet e dëshiruara me një fitore dhe një humbje e padyshim që do shohim një ndeshje të luftuar në fushë nga të dyja skuadrat pasi humbja do vendoste secilën në një situatë afër krizës. Ndeshjet që do të luhen të nesërmen do jenë ato mes Elbasani-Flamurtari, Vllaznia-Apolonia dhe Laçi-Tirana të gjitha në të njëjtin orar 14:00.

Ndeshjet e sotme

Partizani 19:00 Teuta

Skënderbeu 19:00 Kukësi

Ndeshjet e nesërme

Elbasani 14:00 Flamurtari

Vllaznia 14:00 Apolonia

Laçi 14:00 Tirana

Nr Skuadra Nd F B H P
1 FK Tirana 4 3 1 0 10
2 KF Flamurtari 4 2 1 1 7
3 KF Kukësi 4 2 1 1 7
4 KF Skënderbeu 4 2 1 1 7
5 KF Partizani 4 2 1 1 7
6 KF Teuta 4 1 1 2 4
7 KF Apolonia 4 1 1 2 4
8 KF Laci 4 0 3 1 3
9 KF Vllaznia 4 1 2 1 2
10 KF Elbasani 4 0 0 4 0

Kundër dhunës në sport, Komisioni propozon gjobë për tifozët

 Komisioni kundër dhunës në sport ka bërë një propozim për parandalimin e dhunës në stadiume, marrë shkak nga ndeshja Vllaznia-Tirana. Komisioni shprehet se një masë efikase do të ishte gjobitja e drejtpërdrejtë e tifozëve që shkaktojnë trazira në stadiume , përkatësisht me 5 milionë lekë dhe të mos lejohet të futet në ambientet e stadiumeve për të paktën një vit. Këto masa të rrepta duhet të merren në bashkëpunim edhe me policinë dhe gjithashtu u propozua që të instaloheshin nëpër stadiume kamera sigurie që do të bënin të mundur identifikimin e autorëve të trazirave.

Vllaznia-Tirana, takohen drejtuesit për të vendosur ‘paqen’

 Duket se nuk është lënë asgjë në dorën e Komisionit të Disiplinës për sheshimin e konflikteve që kapluan dy skuadrat e mësipërme, pasi ishin vetë përfaqësuesit që  i shtrinë dorën njëri-tjetrit miqësisht, si gjithmonë. Pas faljes publike që kërkoi donatori i Tiranës, Refik Halili, ndaj tifozerisë shkodrane dhe premtimit për dëmshpërblimin e dëmeve vjen përsëri një lëvizje tjetër nga klubi i Tiranës me përfaqësues të vet që  kërkuan të hedhin pas krahëve ngjarjet e shëmtuara të një jave më përpara. Dje u bë një vizitë nga përfaqësues të klubit të Tiranës dhe  të Vllaznisë për arritjen e një gjuhe të përbashkët komunikimi, ku kryesorja ishte të hidhnin pas krahëve mëritë që nuk u takojnë këtyre dy klubeve. Duket se në fund është arritur qëllimi i takimit dhe përfaqësuesit e skuadrave bashkë me ish-futbollistë dhe veteranë të lojës kanë rënë dakord për rëndësinë e marrëdhënieve të mira mes klubeve dhe jo trazirave të mëtejshme.