Sot Partizani-Tirana, derbi i historisë

494
Derbi i kryeqytetit Partizani – Tirana është një histori dashurie dhe pasioni, që e ka zanafillën pas luftës së dytë Botërore, atëherë kur regjimi i asaj kohe vendosi të krijonte skuadrën e ushtrisë, që do të mbante emrin Partizani. Tirana ishte themeluar në vitin 1920, pra dy dekada e gjysmë më parë. Në atë kohë ndoshta ky derbi nuk ishte projektuar për të pushtuar skenën e futbollit tonë, por të qenit dy skuadra të kryeqytetit dhe ndër më cilësoret në Shqipëri e shndërruar këtë përplasje në simbol të antagonizmit sportiv.
Më 30 Mars të 1947, vetëm pak kohë pasi ishte themeluar, Partizani arriti fitoren më të thellë në derbi me rezultatin 8-0. Hakmarrja e Tiranës, nëse do mund të quhet e tillë, erdhi thuajse 3 dekada më vonë, pikërisht më 22 Shtator të vitit 1985, me fitoren 7-3 në “Qemal Stafa”, në një sfidë që ka mbetur në memorien e fansave bardheblu.
Tirana mbyll përgatitjet
Tirana ka zhvilluar dje pasdite në “Skënder Halili”stërvitjen e fundit përgatitore në prag të derbit me Partizanin, që do të luhet sot në mbrëmje në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Më parë, që prej mesditës, bardheblutë janë grumbulluar në periferi të kryeqytetit për të drekuar fillimisht e për të pushuar para përgatitjeve të pasdites. Dhe skuadra do të qëndrojë e grumbulluar për të qenë sa më e qetë në prag të derbit me Partizanin. Ajo që duhet theksuar është fakti se në tre derbi Tirana ka dalë pa “bereqet”, sepse ka barazuar një herë e më pas është mundur dy herë. E ky derb vlen shumë për bardheblutë, të cilët nëse do të fitojnë do të mbajnë ritmin e Skënderbeut kryesues për të pritur sfidën direkte të javës së ardhshme me korçarët në “Qemal Stafa”. Në stërvitjen e fundit të gjithë futbollistët kanë qenë të gatshëm dhe në formë të mirë. Në “Skënder Halili” interesimi i tifozëve ka qenë i madh para një ndeshje që duhet fituar për titullin. Pas seancës përgatitore bardheblute janë grumbulluar në periferi të kryeqytetit për të pushuar. Kapiteni Ervin Bulku dhe portieri Edvan Bakaj, që kanë shfaqur probleme gjatë javës, një ditë para ndeshjes janë ne formë të mire dhe nuk kanë shqetësime. Ndërkohë në kampin e Partizani ka rënë qetësia, kurse të gjithë janë të përqendruar për ta nxjerrë me sukses këtë derbi, si dhe për të fituar e për të vazhduar rrugën e vajtjes në Ligën e Evropës. Pra një derb historik, që mbart shumë të papritura sonte. 
Java e 33-të (2-4 maj 2015)
Elbasani – Vllaznia 1-1
Laçi – Flamurtari 2-1
Kukësi – Apolonia 2-1
Skënderbeu – Teuta 4-2
Partizani – Tirana ora 20:45
Renditja
Skuadra N F B H G+/_ P
Skënderbeu 33 22 6 5 54-18 72
Kukësi 33 20 6 7 50-23 66
Tirana 32 20 6 6 43-21 66
Partizani 32 19 6 7 35-22 63
Laçi 33 17 9 7 39-18 60
Flamurtari 33 10 8 15 28-32 38
Vllaznia 33 11 5 17 27-37 35
Teuta 33 8 2 23 28-50 26
Apolonia 33 6 4 23 14-50 22
Elbasani 33 4 2 27 18-65 14
Kuqezinjtë, më shumë jashtë se brenda fushës së lojës
Lojtarët e kombëtares sonë në Itali, Greqi e Zvicër duket se janë më shumë jashtë fushës së lojës se sa brenda saj. Në Serinë A, në ndeshjen Atalanta-Lacio 1-1, Cana nuk ka luajtur për arsye dëmtimi, kurse Berisha e Strakosha kanë qenë në stol. Në takimin tjetër Inter-Kievo 0-0, Vajushi vazhdon të ngrohë stolin. Ndërkohë në Serinë B, Memushaj ka luajtur 90 minuta në ndeshjen Avelino-Peskara 3-2, por është ndëshkuar me karton të verdhë. Sakaq në Greqi, Kaçe ka luajtur 90 minuta në ndeshjen Paok-Levadhiakos 1-0. Në Zvicër, në ndeshjen Aarau-Luzernë 2-6, as Aliti e as Hyka s’kanë luajtur asnjë minutë, ndërsa Sadiku në ndeshjen Zyrih – Jong Bojs 0-1, ka luajtur vetëm dhjetë minuta. 
Nisin punimet e “Loro Boriçit”
Dje kanë nisur zyrtarisht punimet e stadiumit “Loro Boriçi”në Shkodër, ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në prezencë të presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe ministres së Arsimit dhe Sporti, Lindita Nikolla, ka deklaruar se më 8 tetor ky impiant do të jetë gati për ndeshjen me Serbinë. Do të ketë një kapacitet prej 17 mijë vendesh të ulura, ndërsa do të shpenzohen 10 milion euro për këtë impian, që vjen pas atij të Elbasanit. 
Kombëtarja U-16, dy fitore në turne
Që nga dita e shtunë ka nisur në vendin tonë turneu ndërkombëtar “UEFA Development”, ndërsa në të marrin pjesë katër kombëtare U-16. Shqipëria U-16 në ditën e parë ka mundur 3-1 Malin e Zi, ndërsa për kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi kanë shënuar Kendezi dopjetë dhe Balla. Ndërkohë që dje po kjo kombëtare ka fituar 1-0 me Armeninë, ndërsa golin e ka shënuar Llanaj. Tashmë të martën do të përballen me Qipron për t’u shpallur fitues të turneut. 
U-17 e mbyll me barazim ndaj Arabisë
Kombëtarja U-17 e trajnerit Xhemal Mustedanagiç e ka mbyllur me barazimin turneun miqësor në Austri, ndërsa ka barazuar 3-3 me Arabinë Saudite. Për tanët kanë shënuar Gjerko, Kastrati dhe Bitaku, kurse në fund tanët kanë triumfuar me penallti. Në Austri tanët kanë barazuar 0-0 me Meksikën, 1-1 me Brazilin, 1-1 me Kosta Rikën, si dhe janë mundur 0-2 me Austrinë. E në përgjithësi ka qenë një turne i suksesshëm për tanët.
Teuta-Apolonia, edhe tri finale per mbijetesën
Edhe tri finale për të siguruar mbijetesën për Teutën dhe Apoloninë. Java e 33-të e Superiores ruajti pozicionet për të dyja skuadrat që viojnë ethshëm garën për të qëndruar mes më të mirave të futbollit shqiptar. 4 pikë më shumë për durrsakët mund të mos kenë asnjë vlerë nëse ata nuk fitojnë përballjen direkte të javës së parafaundit, që do të luhet në “Niko Dovana”. Me të drejtë “Djemtë e Detit”mbeten favoritë nga faktori fushë, por lojërat cilësore të Apolonisë në pjesën e dytë të sezonit, të shoqëruara në disa takime edhe me rezultatet të mira, premtojnë një betejë deri në pikën e fundit të djersës. Si Teuta, ashtu edhe Apolonia, nuk mundën të merrnin pikë në transfertat respektive me Skënderbeun dhe Kukësin, duke e ruajtur në 4 pikë diferencën mes tyre, që mund të ngushtohet pas javës së 34. Teuta do të presë në “Niko Dovana Kukësin, ndërsa Apolonia, Elbasanin. Verilindorët synojnë të mos rrëshqasin në vendin e katërt në Superiore, pozicion që do t’i nxirrte jashtë Evropës nëse Laci fiton Kupën e Shqipërisë. Për këtë arsye, objektivi i vetëm i formacionit të Radanovic në “Niko Dovana” do të jetë fitorja. Në “Loni Papuciu”, Elbasani nuk ka arsye për t’i prishur punë skuadrës së Mërgjyshit. Ndaj parashikohet që diferenca mes Teutës dhe Apolonisë, para përballjes së “Niko Dovanës”, të jetë jo më shumë se 3 pikë. Ky skenar i mundshëm e detyron Teutën ta sigurojë mbijetesën në përballjen direkte, pasi në rast barazimi me pikë gjithçka do të vendosej në javën e fundit me durrsakët që luajnë në transfertë me Tiranën, ndërsa fierakët presin Laçin.
Sigal