Sot në “Uembli” miqësore luksi, 84 mijë tifozë për Angli-Itali

767
Nga Agron KAJA
NDESHJE MIQËSORE / Luhen katër “përplasje” të mëdha, në Gjermani e Spanjë janë “mysafirë” Brazili dhe Argjentina, Franca luan në vendin e Botërorit
Sot luhen rreth 30 ndeshje miqësore, në të cilat skuadrat kombëtare nga e gjithë Bota, kërkojnë të testojnë skuadrat e tyre në prag të sfidave të Botërorit 2018, e më tej. Ndoshta vëmendja do të përqendrohet në katër prej tyre, aty ku kampionët e Botës ndeshen mes tyre, për të dhënë njëherësh edhe minuta interesante për tifozët që do të kenë mundësinë t’i ndjekin. Por mes katër prej tyre: Spanjë-Argjentinë, Gjermani-Brazil, Angli-Itali dhe Rusi-Francë, natyrisht që diferencat janë, sa të vështira, aq edhe të ngushta mes këtyre çifteve. Edhe pse nuk do të jetë në finalet e Botërorit 2018, Italia ka zgjuar kureshtjen e 84 mijë shikuesve në “Uembli” të Londrës, aty ku sot anglezët do të testohen live në prag të “Rusi 2018”. Të gjitha biletat janë të shitura për këtë ndeshje, edhe pse është vetëm një miqësore, dhe vendasit kanë konfirmuar dje se do të jenë 84 mijë spektatorë të pranishëm në shkallët e “Uembli”-t për këtë ndeshjes mes dy nga skuadrave më të mëdha evropiane, pavarësisht krizës së Italisë, që i kushtoi edhe mungesën në Botërorin e “Rusi 2018”. Italianët nuk kanë ende një trajner dhe drejtohen përkohësisht nga Luixhi Di Biaxho, por edhe pse kështu, interesimi i tifozëve për një ndeshje të tillë mbetet maksimal, çka e vërteton qartë edhe numri i biletave të shitura. Nga ana tjetër, skuadra angleze kërkon vetëm një riformatim të saj, pasi me skuadra si Italia, testi drejt Botërorit është më i plotë. Një tjetër miqësore luksi do të luhet sot, e fjala është për ndeshjen Gjermani-Brazil. Kjo ishte gjysmëfinalja e Botërorit të kaluar, ku Gjermania e shkatërroi Brazilin 7-1 më 8 korrik 2014. Ky rezultat ndoshta ka mbetur edhe si një plagë e hapur për kombëtaren braziliane, pasi u turpërua para tifozëve të saj në mënyrën më të pabesueshme. Sot “Seleçao” do të ndeshet sërish me Gjermaninë, për herë të parë pas atij “tërmeti” të fortë, dhe në fushë do të jetë formacioni që mundi bindshëm Rusinë pak ditë më parë, me ndryshimin e vetëm se Fernandinjo do të marrë vendin e Dagllas Kostës. Mesfushori ishte në fushë edhe në humbjen e katër viteve më parë, pasi ai është një nga katër protagonistët negativë të asaj ndeshjeje dhe sot, sërish pjesë e Brazilit. Tre të tjerët janë Marselo, Paulinjo dhe Uillian, por pjesë e asaj skuadra ishin edhe Dani Alvesh e Tiago Silva, të cilët nuk u aktivizuan për arsye teknike dhe skualifikim. Të dy këta të fundit do të jenë në fushë sot në Berlin, ku një fitore e mundshme do të zbuste sadopak dhimbjen e asaj humbjeje dramatike për Brazilin. Një tjetër ndeshje e madhe luhet sot, në Spanjë, vendasit presin Argjentinën, ku lajmi se do të luajë Lionel Mesi ka ngjallur interesin e spanjollëve. Kjo sfidë do të luhet sot në stadiumin e Atletiko Madrid.
Sot “Seleçao” do të ndeshet sërish me Gjermaninë, për herë të parë pas atij “tërmeti” të fortë, dhe në fushë do të jetë formacioni që mundi bindshëm Rusinë pak ditë më parë, me ndryshimin e vetëm se Fernandinjo do të marrë vendin e Dagllas Kostës
Rusi-Francë, testi i organizatorëve të Botërorit
Nga 15 qershori e deri më 14 korrik 2018, në tetë stadiume të Rusisë do të luhen ndeshjet finale të Kampionatit Botëror, dhe ndeshja e sotme mes Rusisë e Francës, duket më shumë edhe si një test për Rusinë organizatore të këtyre finaleve. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin “Krestovsky” në Sant Petersburg, por interesimi i vendasve është në pikun e tij, ndërsa policia vendase ka marrë të gjitha masat që kjo ndeshje të luhet në normalitetin e duhur.
MIQËSORE SOT
Datë 27 mars 2018
Armeni-Lituani 14:00
Japoni-Ukrainë 14:20
Gjeorgji-Estoni 17:00
Rusi-Francë 17:50
Azerbajxhan-Maqedoni 18:00
Iran-Algjeri 18:00
Irak-Siri 18:00
Kosovë-Burkina Faso 19:00
Zvicër-Panama 19:00
Mali Zi-Turqi 19:10
Bosnje H-Senegal 20:00
Danimarkë-Kili 20:00
Angli-Itali 20:00
Greqi-Egjypt 20:00
Hungari-Skoci 20:00
Br. Fildishtë-Moldavi 20:00
Spanjë-Argjentinë 20:00
Tunizi-Kosta Rika 20:00
Luksemburg-Austri 20:15
Rumani-Suedi 20:30
Belgjikë-A. Saudite 20:45
Gjermani-Brazil 20:45
Poloni-Korea Jugut 20:45
Nigeri-Serbi 21:00
Sigal