Sot në FSHF, tryeza “Gjithçka për fëmijët”

137
Futbolli i fëmijëve mbetet një prioritet absolut i FSHF-së, e cila ka në planin e saj afatgjatë projekte ambicioze dhe me një shtrirje të madhe kombëtare për futbollin e fëmijëve, futbollin e femrave dhe futbollin amator. Për këtë qëllim, sot në Hotel “Tirana”, FSHF do të organizojë një tryezë bashkëbisedimi me prindër dhe trajnerë, pikërisht për futbollin e moshave, për të rrahur mendimet dhe opinionet respektive në lidhje me perspektivat e zhvillimit të futbollit të fëmijëve në vend. Projektet “Grou” dhe “Grassroots” janë në implementim e sipër për futbollin e fëmijëve, në një kohë që FSHF ka një strategji të sajën për masivizimin në futbollin e fëmijëve. Kjo tryezë do të pasojë me shumë evente të tjera, si në shkolla, por nuk do të ndalet vetëm në Tiranë, por do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. FSHF është plotësisht e angazhuar në zbatimin e menjëhershëm të kësaj strategjie e cila mbetet një prioritet absolut për institucionin.