Sot luhet futboll jashtë fushe, delegatët; jo lojtarë të trukuar nga politika

619
Nga Agron KAJA
ASAMBLEJA/ Në ora 09:00 fillon “lufta e yjeve” për postet drejtuese, nga Durrësi do të përcaktohen forumet e FSHF-së 
E mërkura e sotme sikur erdhi më shpejt nga sa e kishim pritur, natyrisht, pas një periudhe intensive dhe të tensionuar fushate, e cila ndoshta nuk na la shumë kohë që të përqendroheshim tek 7 shkurti. Gjithsesi, ora 09:00 që shënon edhe fillimin zyrtar të punimeve të Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së, kur do të bjerrë edhe gongu për “ringun” që tashmë pret vetëm fituesit, do të ngrejë siparin e forumit më të lartë të futbollit shqiptar. Aty janë 66 kandidatë me të drejtë vote, të cilët për një mandat 4-vjeçar do të zgjedhin Presidentin e FSHF-së dhe 9 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Të zgjedhur për të votuar në këtë Asamble, delegatët vijnë nga e gjithë Shqipërisë, por brenda gjeografisë sportive jo asaj administrative. Sepse ka edhe nga ata klube futbolli në aktivitet që sot nuk do të përfaqësohen me delegatin e tyre, por ka edhe të tjerë që delegatët i kanë parë më shumë në tribuna partiake, apo në kolltukë kryebashkiakësh. Dhe më evidentja është se, sot në Asamble do të ulen delegatë me mendjen e një kongresi partie, jo si të thirrur aty nga komuniteti i futbollit, në shërbim të progresit të tij. Prej shumë kandidatëve për postet drejtuese në FSHF, por edhe nga delegatët e Asamblesë së sotme, natyrisht që është folur për trukimin e ndeshjeve. Madje ka edhe prej tyre që kanë akuzuar drejtuesit e FSHF-së, se kanë trukuar ndeshje në futbollin shqiptar. Dhe mirë kanë bërë, edhe pse në mënyrë abstrakte, asnjëherë konkrete dhe për fushatizëm, prej tyre nuk kemi ndonjë kallëzim me ndeshje të cilësuara si të tilla. Dhe ata sot ata kanë në dorë ta luftojnë më live shit-blerjen e votës, duke mos e hedhur votën të trukuar nga politika. Sot ata kanë në dorë që futbollit ti thonë “futboll”, dhe politikën në këtë rast ta nxjerrin ofsajd nga ky sport. Natyrisht që sot ata kanë mbi shpinë trukimin e tyre nga politika, sepse nuk mund të ndodhë ndryshe që të jenë delegatë në një forum sportiv mbi 20 kryebashkiakë, që në qytetet e tyre janë zgjedhur për të drejtuar komunitetin, jo si specialistë të futbollit, apo si drejtues të drejtpërdrejtë të tij. Ligji për Sportin u jep përparësi bashkive që të mbajnë sportet e tyre si një detyrim qytetar, por nuk ju heq të drejtën që në çdo klub futbolli të ngrenë Asamblenë e tij, të kenë njerëz përfaqësues në të, dhe prej tyre të dalë delegati i Asamblesë Zgjedhore në FSHF. Në dyshim mund të jetë sot zbatimi i kësaj kërkese të rregullores, ndaj kryebashkiakët kanë vënë teserën e partisë në xhep, dhe janë sulur që të forcojnë besimin te udhëheqësve, pse jo për mandatin e tyre në bashki. Pra, vota e tyre nuk përkthehet si votë për futbollin, por si një votë e trukuar nga politika. Ky është futbolli jashtë fushe, të cilin politika e bëri më të trukuar se sa ato ndeshje që janë përfolur për vite me radhë. 
Ndoshta prej shumë kandidatëve për postet drejtuese në FSHF, por edhe nga delegatët e Asamblesë së sotme, është folur për trukimin e ndeshjeve. Dhe mirë kanë bërë, por sot ata kanë në dorë ta luftojnë më live shit-blerjen e votës, duke mos e hedhur votën të trukuar nga politika. Sot ata kanë në dorë që futbollit ti thonë “futboll”, dhe politikën në këtë rast ta nxjerrin ofsajd nga ky sport
Sfidë në periudhën e sukseseve të FSHF-së!
Jo vetëm në katër mandatet e kaluara të Armand Dukës si President në FSHF, por konkretisht në mandatin e fundit katërvjeçar 2014-2018, është arritur suksesi më i madh në historinë e futbollit shqiptar, i cili ka brenda tij edhe meritat e Dukës, si një menaxher VIP në këtë arritje. Në futboll ka edhe problematika, të cilat nuk lindën në këtë periudhë, por që edhe nuk do të zhdukeshin tërësisht gjatë kësaj hapësire kohe. Por, FSHF-ja në këtë mandat është kthyer në një institucion modern i administrimit të punëve, ku brezi aktual në Kombëtare, dhe ata në skuadra të veçanta, po bëhen faktor në këtë progres, që natyrisht paraardhësit e Dukës nuk i kishin ëndërruar, nuk ishin përpjekur të shkonin drejt tyre, dhe jo më t’i arrinin ato. Ndaj sot, në këndvështrimin e ndërhyrjes së politikës, votimi në Asamble vjen si një sfidë e këtyre sukseseve. Këtë futbolli i vërtetë nuk e ka kërkuar, sepse nuk i nevojitet! 
66 delegatë
Ky është numri i delegatëve që sot do të votojnë në Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së për forumet drejtuese të saj në mandatin katërvjeçar, 2018-2022
Sondazhi mediatik favorizon Dukën
Në këtë sondazh është përfshirë edhe gazeta “Telegraf”, në të cilën kanë ardhur mendime Pro dhe Kundër kandidatëve për President në FSHF. Por, duke ju referuar vetëm shifrave të mediave e portaleve sportive, avantazhi i Armand Dukës është në 20-22% para rivalit Bashkim Fino (55% me 33%), ndërkohë që kandidati i tretë, Shpëtim Hala shikohet te 2-3%. Ndërsa rreth 10% kanë qenë të lëkundur, duke mos deklaruar votë konkrete.
Dje në Tiranë, monitoruesit e FIFA-s dhe të UEFA-s
Kanë mbërritur dje në Tiranë vëzhguesit e dërguar nga FIFA dhe UEFA, posaçërisht për Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së, e cila do të zhvillohet sot datë 7 shkurt 2018 në Durrës. Ndërsa dy janë përfaqësuesit e UEFA-s, Zëvendëspresidenti Surkis dhe drejtori i divizionit të federatave kombëtare në këtë institucion, Lakoviç. Së bashku me ta ka ardhur në Tiranë edhe Luca Nicola si përfaqësues i FIFA-s në këtë Asamble të futbollit shqiptar.
FSHF-ja e ftoi Finon në darkën mikpritëse
Dje në mbrëmje, në Hotel Adriatik në Durrës, FSHF-ja organizoi një darkë mikpritëse me 
Anëtarët e kandidatë e saj në Asamblenë e sotme. Kandidati për President, Bashkim Fino, një ditë më parë kishte shprehur keqardhjen që nuk ishte ftuar në të, dhe çiltërsia e drejtuesve të FSHF-së është demonstruar duke e ftuar me kërkesën e tij.
Kandidatët për President në FSHF
1. Armand Duka*/ 2. Bashkim Fino/ 3. Shpëtim Hala
Kandidatët për Anëtarë KE në FSHF
1. Abdyl Kuriu*/ 2. Arben Dervishaj*/ 3. Albert Lenja/ 4. Aldiona Sylaj/ 5. Artan Shytaj/ 6. Bardhyl Minxhozi*/ 7. Bardhyl Jera*/ 8. Eduard Prodani/ 9. Edmond Spahiu/ 10. Edvin Libohova*/ 11. Ekrem Spahiu/ 12. Enkeleid Aliabeaj/ 13. Erald Kapri/ 14. Eridjan Salianji/ 15.E rvin Baku/ 16. Lutfi Nuriu*/ 17. Kristjan Gjidodaj/ 18. Gazmend Kadi/ 19. Genci Gjylshemi/ 20. Gëzim Podgorica/ 21. Shkëlqim Muça/ 22. Theodhori Sollaku/ 23. Vasil Bici*
*Persona që rikandidojnë
Rendi i ditës në Asamble
# Përshëndetja e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka.
# Verifikimi i përbërjes së Asamblesë.
# Zgjedhja e Komisionit të verifikimit dhe numërimit të votave.
# Zgjedhja e delegatëve që do të verifikojnë procesverbalin e Asamblesë.
# Miratimi i procesverbalit të Asamblesë.
# Raporti i Presidentit të FSHF-së për aktivitetin e KE-së.
# Miratimi i llogarive financiare për periudhën 1 janar-31 dhjetor 2017.
# Pranimi i raportit të auditit “Deloitte Albania”.
# Propozim për shoqërinë audituese në FSHF për vitin 2018.
# Miratimi i buxhetit të FSHF-së për vitin 2018.
# Raport mbi Ligën Profesioniste të Futbollit.
# Zgjedhjet (votimi) për Presidentin e FSHF-së.
# Zgjedhjet (votimi) për kandidatët e KE-së.
Sigal