Sokol Kushta: UEFA loboi me Serbinë, për të dënuar Shqipërinë

577
Sigal

Intervistë ekskluzive me Sokol Kushtën, një nga legjendat e futbollit shqiptar: Roli i Dukës në FSHF është vendimtar dhe i padiskutueshëm

Sokol Kushta është nja nga legjendat e futbollit shqiptar, që ka shkëlqyer edhe në kampionatet europiane. Goli i tij, i cili i dha edhe kualifikimin “Flamurtarit” shënuar në Beograd, kundër “Partizanit” serb në kupën “UEFA”, është skalitur në memorien e krenarisë të të gjithë shqiptarëve. Kushta, i cili ishte në stadiumin e Beogradit më 14 tetor 2014, në ndeshjen Serbi-Shqipëri, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” pohon se ngjarjet që ndodhën në atë ndeshje ishin të inskenuara, pasi, kur lojtarët e shoqëruesit në shëtitjet e tyre në Beograd, nuk i ngacmoi askush. Askush nga organizatorët dhe të deleguarit e UEFA, thotë Kushta, nuk pyetën drejtuesit e Kombëtares tonë , për të rifilluar ndeshja, por edhe askush nuk garantoi sigurinë e jetës të lojtarëve, nëse ndeshja rifillonte. Kushta pohon se UEFA e dënoi Shqipërinë, ngaqë loboi me Serbinë. Sipas Kushtës, FSHF-ja bëri gjithçka të mundshme, dhe po përpiqet sërish, që Shqipëria në opinionin ndërkombëtar të ketë prestigj. Për rolin e A. Dukës, si Presidenti i FSHF-së, Kushta jep këtë mendim. “Për mua, që në vitin e parë e deri më sot asnjë kandidat s’ka qenë më i zoti se Duka”. Kushta diagnostikon edhe sëmundjen e futbollit shqiptar, dhe jep alarmin, që kombëtarja jonë nuk mund të ketë të ardhme, me këtë gjendje të sotme të futbollit profesionist në Shqipëri.

– Zoti Kushta, ato që ndodhën në ndeshjen Serbi-Shqipëri a ishin të inskenuara, apo ishte një ngjarje e papritur?

– Për mua ishte e përgatitur që diçka do të  bëhej, po çfarë asnjë s’mund të gjykoj përpara. Ne vajtëm pothuajse dy ditë para dhe dolëm qytetit, hëngrëm jashtë, pimë, pamë qytetin dhe nuk pamë njerëz të na godisnin, të na shanin dhe të na ofendonin.

– Duhej të ishte e përgatitur përfaqësuesja jonë dhe drejtuesit e saj, për skenarë dhune, pikërisht në stadiumin e Beogradit?

– FSHF-ja  si mund të jetë e përgatitur, kur dhuna ndaj nesh bëhet nga të tjerët dhe kur pjesë bëhet edhe kupola drejtuese e UEFA-s. Domethënës, pro këtij argumenti që ju them është edhe fakti, që pas mbledhjes së fundit dhe vënies me shpatulla tek murit, arbitri pranoi, qoftë edhe pak, që e kishte gabim. Nuk është se gjyqtari i ndeshjes doli në fushë, pas ndërprerjes të ndeshjes dhe urdhëroi skuadrat të dilnin në fushë për rifillimin e ndeshjes, por vajti dhe mori thjeshtë një mendim, kur dihet se mendimi i fundit është ai. Por tani që jemi të qetë, FSHF-ja thotë që të dilnin në fushën e lojës, por të garantoj që pasojat do ishin jetike.

A provokoi Shqipëria me dronin në stadiumin e Beogradit?

– Përsa i përket dronit, unë jam akoma i paqartë si na faturohet, me tërë atë rrethim ushtarako-policor të ngrihet droni, pa u kapur asnjë person. Më duket çudi, në atë moment, në prag të takimit me Putinin, në ndeshje me Shqipërinë pa tifozë, për mua do ngelet një çudi që vështirë ta besoj. Shteti shqiptar, për se ta bënte? Çfarë fitimi kishte? Mos shteti serb kishte më shumë përfitime?

– Sipas jush, përse UEFA nuk dha drejtësi për ato çfarë ndodhën në ndeshjen Serbi-Shqipëri?

– UEFA nuk mundi të jepte drejtësi, kur ajo e mbrojti dhunën në stadiumin e Beogradit, si edhe autorët e dhunës, derisa nuk dënoi dhunën.

– Përse UEFA mbrojti dhunën, siç thoni ju, në stadiumin e Beogradit, ose përse nuk dënoi dhunën? Cila është arsyeja? Sponsori i saj Gazpromi? Lobi serb në UEFA?

– Ta thashë, lobingjet i kishin më të forta, Presidenti serb tha vetë: “më mori Blateri. Fola me Platinin, erdhi Putini, tani kush ka mend e kupton se sa  të varfër jemi ne shqiptarët në lobingje në institucionet ndërkombëtare të Futbollit. Po prapë, ne kemi fituar dhe nga kjo betejë, sepse  shumë lojtarë e shtete në futboll na kanë dhënë mbështetje. Kjo gjë është shumë  pozitive për një shtet dhe ekip të vogël si Shqipëria.

– Shumë yje të futbollit të sotëm europian, që ende luajnë, apo kanë luajtur, publikisht kritikuan Serbinë si fajtore për ngjarjet në Beograd. Ju si e shpjegoni që 2 komisionet e UEFA-s i shpërfillën edhe këta yje të Futbollit, sikurse Ronaldo, dhe dhanë atë vendim kundër Shqipërisë?

– Serbinë dhe vetë Presidenti tyre e kritikoi, po problemi është që Platini vendosi dhe ky qe një precedent që dëmton futbollin, në një kohë që Evropa dhe bota i ka hapur luftë racizmit. Kohët kanë ndryshuar, lufta që po bën Federata jonë tregon që ne nuk jemi të vegjël më, pasi kemi dhe mbështetjen e shumë figurave dhe federatave ne Evropë dhe botë. Nganjëherë jeta është dhe jashtë me lobingje.

– Mendoni se FSHF-ja bëri gjithçka të mundur për të drejtën e Kombëtares Shqiptare?

– Unë besoj se FSHF-ja po bën të gjitha veprimet ligjore për të mbrojtur futbollin shqiptar dhe të vërë në vend dinjitetin tonë, që ne mos të jemi të vegjël më. FSHF-ja do të  gabonte nëqoftëse nuk do kërkonte të drejtën e saj, por në këtë moment që ajo po ndjek linjën ligjore, besoj se është në rregull.

– Sipas jush, dhuna në stadiume që është shfaqur shpesh në stadiumet tona, cilave interesa u shërben dhe kush i nxit?

– Dhuna në stadiume nuk ka qenë fenomen te ne për kaq vjet, po fillon të aktivizohet dhe të gjitha instancat duhet të kontribuojnë që ky fenomen të mos përhapet si hobi, pasi ne marrim shpejt zjarr për fenomene negative, për pozitive me vështirësi bashkëjetojmë. Për mua FSHF-ja duhet shpejt, sa nuk është vonë, me presidentët e skuadrave të bashkëbisedojnë dhe të rakordojnë për atë masë të vogël tifozësh, që prishin këtë pak bukuri që ka futbolli ynë. Duhen masat të jenë ekonomike, që presidentët ta ndjejnë dhimbjen ekonomike të gjobave dhe të marrin masat që kjo pjesë të normalizohet, pasi dihet që këta, ose kjo bërthamë është pjesë e presidentëve, këta e sponsorizojnë për momentin.

– Futbolli profesionist shqiptar, a ka vizion, organizim, apo ecën në shinat e spontanitetit dhe në përshtatje me interesat e çastit të atyre që e duan futbollin vetëm për suport personal?

– Shiko, vizioni është një shprehje madhe dhe nuk bëhet me fjalë, po me punë dhe vepra, nga moshat dhe më lart në shikojmë spontanitet, sepse ka dëshirë për organizime por s’ke kushte, shikohet kampionatizëm i madh, shikohet një dhunë te moshat. Kjo po të vazhdojë, ai lojtar do rritet dhe këtë edukatë do tregojë në ekipet më lart. Tjetra, shikojmë një mungesë furnizimi për ekipet zinxhir, deri te kombëtarja e madhe, dhe kemi kaq kohë që furnizuesit më të mëdhenj janë kampionatet dhe lojtarët shqiptarë nga jashtë vendit. Kjo shpreh atë që këtu s’ka nivel, cilësi, futbolli shqiptar do ligje, do biznesmen të fuqishëm për të ngritur  cilësinë dhe organizimin profesional të klubeve. Duke qenë në dorë të bashkive, ose individëve pa asnjë objektiv, futbolli nuk ka për të ecur përpara.

– Shumë herë dhe nga shumë persona,  roli që luan zoti Duka, si kryetar i FSHF, ka qenë objekt i kritikave të ashpra. Ju, mund të shprehni opinionin tuaj për rolin që luan zoti Duka?

– Unë jam nga ata që e kam kritikuar për disa veprime zotin Duka. Besoj se ai mbase nuk ka qenë dakord me kritikat e mia, sepse është mësuar për shumë vjet të rrethohet me servilë. Po unë shikoj që disa gjëra i ka ndryshuar dhe i ndryshon, se zoti Duka  është një biznesmen i zoti, i aftë, por jo i pagabueshëm. Unë doja të bëja një pyetje, se gjithmonë kam dalë dhe them disa gjera që shqetësojnë futbollin shqiptar. Kush nga ata që ka kritikuar zotin Duka e ka pasur me sinqeritet kritikën? Kush e ka dashur me zemër? Gjoja për kundërpedal e kanë kritikuar dhe, kur ka ardhur puna për votime, të gjithë kanë ngritur, jo një, po dy duar për zotin Duka! Hipokritë, që vetë Armando Duka i njeh dhe me forma të ndryshme i tall. Për mua, që në vitin e parë e deri më sot asnjë kandidat s’ka qenë më i zoti se Duka, dhe kjo është treguar në votime, që kandidatët që kanë garuar, i kanë kërkuar Armandos t’i jepte ky ndonjë votë, mos të turpëroheshin. I thashë këto që janë të vërteta.

– Cila do të ishte këshilla e Sokol Kushtës për zotin Duka?

– Unë tani, në këtë moment e këshilloj Presidentin Duka që të bashkëpunojë me kryeministrin, pasi shikoj një dëshirë të tij për të ndihmuar në ngritjen e terreneve sportive, në bërjen e ligjeve për sportin. Ndërtimi i stadiumit në Elbasan dhe premtimi për atë të Shkodrës janë fakte. Do dëshiroja dhe në Tiranë dhe në Vlorë të ndërtoheshin këto impiante, probleme ka plot, po puna është se sa kontribuojnë për këtë gjë që të ecë para.

–  Në shumë skuadra profesioniste sot ka prirje që të sjellin lojtarë të huaj, të cilët nuk bëjnë dot dallimin dhe ndryshimin. Kjo ndodh vetëm për arsye dhe marketing ekonomik, ngaqë këta kanë karton të lirë?

– Shiko, të gjithë me lek blihen, po tema është si na serviren ne, në momentin që s’ke strategji për lojtarë të rinj, ti merr një lojtar të huaj të bërë, pavarësisht jo shumë cilësor, që e mban një vit, ose me pak, kjo rregullohet me ligj që cakton një moshë 18 vjeç me detyrim, dhe tre të huaj dhe ky 18 vjeçar të ndërrohet me një 18 vjeçar tjetër, kjo do bëjë më të ndërgjegjshëm klubet, për të rritur cilësinë e moshave, sjell një sistem zinxhir pozitiv, pasi shumica e presidentëve të skuadrave nuk dinë nga futbolli, se ngatërrojnë të parin me të diturin dhe, sa të kthejnë kokën djathtas, për të rinjtë, marrin ca jashtë, sa të hedhin lumin, por harrojnë që lum do kenë tërë jetën para.

– Disa rezultate që ka arritur aktualisht Kombëtarja jonë, kanë rritur edhe pritshmërinë tonë ndaj saj. Mirëpo, duke parë që te ne mungojnë ekipet zinxhirë, a mendoni se ka të ardhme futbolli ynë, apo e tanishmja është një rastësi e këndshme?

– Kjo është sëmundja jonë, po ne po ngushëllohemi dhe do vazhdojë kjo, sepse ka shumë emigrantë që stërviten mirë dhe cilësorë jashtë, kjo është kambanë për moshat këtu, që të rritin cilësinë, se kombëtarja duhet të  ketë prurje.

-Po për hetimet e UEFA-s për manipulime të rezultateve, për të përfituar në bastet sportive?

– Për manipulime  rezultatesh  do ketë, derisa ekzistojnë lotot, derisa ekzistojnë presidentët pa lek, derisa nuk ka dënime për këto veprime. Nuk është dënuar asnjë ekip dhe kjo tregon që o ne jemi të pastër, ose prokuroria nuk vepron kur ka indice. Kampionati sivjet ka ndryshim dhe në nivel dhe në tifozë e sportdashës që po afrohen. Tani i del detyra që t’i mbajmë këta sportdashës mos largohen, me lojëra të bukur dhe pa kompromise. Jo për gjithçka gabon Armand Duka dhe FSHF-ja. Kur shiten ndeshjet, janë presidentët që bëjnë kompromiset dhe kur iu del jashtë kontrolli gjendja fillojnë dhe kërkojnë te Presidenti Duka. Jemi prezent në kampionate me para, kur tifozët kanë bërtitur “e shitët, e shitët”. Kush e shiti? Duka? Po prokuroria, kur dëgjon, nuk është indice për nisje penale, prandaj është deri  këtu kjo temë.

– Luan Shabani, me iniciativën e tij ju afroi kombëtares tonë të peshëngritjes, që të stërviteshin në Greqi dhe t’i stërviste edhe ai, njëkohësisht me kombëtaren greke. Ndërsa tani, këtu thonë që Luan Shabani këtë nuk e bëri me dashamirësi, por për konspiracion, t’u jepte doping peshëngritësve tanë. Ju e besoni këtë akuzë ndaj Shabanit?

– Dëgjo, nuk jam dakord që kombëtarja ka qenë bashkë me kombëtaren greke, për stërvitje. Luani nuk i mori me zor. Kjo është papërgjegjshmëri totale e FSHP-së. Aludimet vijnë pas garave. Para garave folën me superlativa për Luanin. Gabim i yni, mos të gjejmë fajtorë në lagje. Njerku asnjëherë s’të do si babai i vërtetë.

Dopingun te peshëngritja ta kërkojmë te vetja dhe jo te konspiracioni i të të huajve

 – Për dopingun e peshëngritësve tanë, janë ngritur disa teori, që thonë se kjo histori  është e qëllimshme si rezultat i konspiracionit të disa shteteve që duan të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. Cili është mendimi juaj?

– Shiko, unë luajta vite në Greqi dhe vitin e parë unë kam bërë mbi shtatë herë kontroll antidoping. Bota ka rregulla, ka dhe një listë për çfarë nuk duhet të pish. Këto gjëra më duken si filma me Xheims Bondin, nuk mund të jap një mendim për gjera që supozohen. Kur del kampion, bravo neve, kur del ndryshe, fajin e kanë ata. Gjerat bëhen hapur dhe thuhen hapur. Si ka mundësi që nuk kemi mjek, nuk kemi analiza para garave. Ne duhet të jemi më të përgjegjshëm për veprimet tona. po kur vajtën në Botëror, këtë djallëzinë, nuk e menduan, që këta do na dëmtonin imazhin? Apo, kur u bë gjëma,  thamë të gjithë që merren me sport, aq më shumë shtanga, që ka që në kohën para 1990-s me të tilla fenomene, duhet të bëjnë të paditurin pas garave? Duhet hetim për të zhdukur fenomenin, që mos të ndodhin gjëra më në të ardhme. Kombëtarja nuk është pronë e disa individëve të veprojnë për vendime individuale për stërvitje diku që s’na takon. Kombëtarja është përfaqësuesja më e lartë e kombit. Çdo gjë pozitive, ose negative, na takon të gjithëve,  ndaj është papjekuri totale e të gjithë segmenteve të sportit të Peshëngritjes.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA