Sokol Kushta: Në tre fazat e para, Kampionatin e prishën arbitrat, në fazën e katërt pritet i egër dhe i diskutueshëm

798
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Flet për “Telegraf” ish-sulmuesi i Flamurtarit, Partizanit dhe i Kombëtares, ja skaneri i tij për 27 ndeshjet e luajtura dhe vazhdimësinë
Kategoria Superiore ka mbyllur tre fazat e para të saj, dhe në 27 javë, të gjitha skuadrat janë munduar të tregojnë vlerat më të mira të tyre, njëherësh edhe nivelin e punës së bërë. Për një skaner të këtyre javëve, dje për gazetën “Telegraf” foli ish-sulmuesi i Flamurtarit, Partizanit dhe i Kombëtares, Sokol Kushta, i cili fokusin e tij e kanalizoi në tre momente, mes të cilave, konkluzioni i tij ishte se gara ka ndryshuar shumë nga faza në fazë. “Ka pasur edhe ndeshje të bukura, por ato janë të pakta, në dy apo tre ndeshje, Skënderbeu, Flamurtari e Partizani mbeten skuadrat për tu mbajtur mend në këto ndeshje. Por e përsëris, bukurinë dhe ecurinë e garës, më shumë e kanë prishur arbitrat. Por, për fazën e katërt unë mendoj se do të bëhet edhe më i egër, por edhe më i diskutueshëm. Një problem që ka funksionuar periodikisht në vitet e fundit, është se gara do të jetë e egër dhe e diskutueshme, sepse aleancat e shitblerjet e ndeshjeve do të bëhen më evidente”, kështu theksoi Sokol Kushta dje në deklarimin e tij për gazetën “Telegraf”.
Aktualiteti dhe pritshmëritë në tre fazat e para
“Të tria fazat e luajtura në Kategorinë Superiore kanë veçori të ndryshme nga njëra-tjetra. Ka nisur një kampionat normal, por gradualisht mendoj se është prishur, në kuptimin e ecurisë e bukurisë së garës. Sidomos pas Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së, kanë filluar lobingjet, ku fshehtas ka skuadra që e kanë ndihmuar njëra-tjetrën në ndeshje të veçanta. Këtë e paralajmëroi kryebashkiaku i Kamzës ditë më parë, dhe ashtu ndodhi në ndeshjen Teuta-Laçi 1-0, por gjatë këtyre tre fazave kemi parë edhe arbitrime të dobëta, në ndonjë rast edhe të qëllimshme. Nga ky fenomen vuajti Tirana në sezonin e kaluar, e kështu ndoshta do ta pësojë ndonjë skuadër tjetër. Në tërësi, janë luajtur tre faza me defekte thuajse në të gjithë treguesit e garës. Pasi ky Kampionat ka pasur ndryshime fazë pas faze, për fazën e katërt unë mendoj se do të bëhet edhe më i egër, por edhe më i diskutueshëm”. 
Dukuritë më evidente në 27 ndeshjet e luajtura
“Mendoj se dukuria e parë që mbetet më evidente për tre fazat e para, është arbitrimi në një nivel shumë të dobët. Prishja e garës prej tyre në disa ndeshje dhe, jo nga gabimet njerëzore por me dashje, ka prishur ekuilibrat e garës. Po ndalem vetëm në golin e Teutës me Laçin, më thoni, ishte gol ai? Për mua jo, sepse, jo vetëm që nuk e kaloi vijën fatale, por më parë se topi të shkonte te zona durrsake, kishte disa raste faulli për t’u dhënë në favor të Laçit. Kësisoj unë jam skeptik, dhe mendoj se në Shqipëri futbolli nuk luhet, por vendoset, dhe këtë po ta shohim vetëm në javën e 27-të, se po t’i marrim të gjitha javët në tërësi, mendoj se dalin shumë mangësi. Ka pasur edhe ndeshje të bukura, por ato janë të pakta, në dy apo tre ndeshje, Skënderbeu, Flamurtari e Partizani mbeten skuadrat për t’u mbajtur mend në këto ndeshje. Por e përsëris, bukurinë dhe ecurinë e garës, më shumë e kanë prishur arbitrat”.
Faza e katërt pritet e egër dhe e diskutueshme
“Faza e katërt ka disa probleme. I pari është se, nuk dihet se si do të funksionojë FSHF-ja pas vendimit të Gjykatës së Tiranës. Një tjetër problem që ka funksionuar periodikisht në vitet e fundit, është se gara do të jetë e keqe, e egër dhe e diskutueshme, sepse aleancat e shitblerjet e ndeshjeve do të bëhen më evidente. Unë do ta quaja korrupsion, ndoshta nuk po di t’i vendos fjalën e duhur, por në fakt kështu ka funksionuar, dhe këtu po veçoj Flamurtarin që e ka pësuar në këtë garë, me shkaktarët kryesorë arbitrat. Për Flamurtarin në fazën e katërt do të uroja që të ketë një ecuri të mirë, sikundër edhe e nisi këtë Kampionat. Edhe pse unë jam shumë skeptik, pasi në fazën e dytë dhe të tretë ky Flamurtar ka zhgënjyer, do të besoja, jo nga sa folëm më sipër, por nga dëshira e mirë dhe për mundësitë reale që ka kjo skuadër, së cilës asgjë nuk i ka munguar, si në menaxhim, në financa apo edhe në drejtim. Por, optimist nuk jam”. 
Bukurinë dhe ecurinë e garës, më shumë e kanë prishur arbitrat. Për fazën e katërt unë mendoj se do të bëhet edhe më i egër, por edhe më i diskutueshëm. Një problem që ka funksionuar periodikisht në vitet e fundit, është se gara do të jetë e egër dhe e diskutueshme
3 faza
Në Kategorinë Superiore të edicionit 2017-2018, janë luajtur tre fazat e para, ku në 27 javë janë zhvilluar 135 ndeshje
2 skuadra
Në 27 ndeshjet e tre fazave të para të Kategorisë Superiore, Skënderbeu dhe Lushnja kanë “çimentuar” renditjet e tyre
Ndeshjet-Java e 28-të
Të shtunën, 7 prill 2018 
Vllaznia-Lushnja 14:00
Luftëtari-Teuta 14:00
Të dielën, 8 prill 2018 
Kamza-Kukësi 14:00
Laçi-Partizani 14:00
Flamurtari-Skënderbe.17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 27 60
2. Kukësi 27 48
3. Laçi 27 42
4. Partizani 27 42
5. Luftëtari 27 40
6. Flamurtari 27 37
7. Kamza 27 34
8. Vllaznia 27 30
9. Teuta 27 29
10. Lushnja 27 10
Sigal