Sokol Jareci: “Mos i paragjykoni arbitrat!”

139

Ish-gjyqtari i FIFA-s Flet për “Telegraf”: “Pakënaqësia nga klubet është e pashmangshme”

Sokol Jareci, ish-arbitër i FIFA-s për një periudhë 10-vjeçare (2000-2010), aktualisht anëtar i Komisionit të Caktimit Arbitrave pranë FSHF-së, analizoi një “Telegraf” punën e bërë nga gjyqtarët gjatë pjesës së parë të sezonit, praninë në rritje të femrave, si dhe angazhimin e “xhaketave të zeza” në ndeshjet ndërkombëtar.

“Mendoj se, është rritur niveli i arbitrimit shqiptar, kemi më shumë cilësi në gjykim e më pak kontestime. Natyrisht, ka pasur edhe pakënaqësi nga klube të ndryshme, por kjo është e pashmangshme, por ato kanë qenë brenda kufijve dhe tolerancës së arsyeshme. përgjithshmja është që, gjykimi në Shqipëri ka pësuar një rritje të ndjeshme edhe këtë sezon”, – tha ai për gazetën.

Jareci, i cili gjatë karrierës së tij ka gjykuar ndeshjen miqësore Spanjë-SHBA në vitin 2008, është aktualisht vëzhgues ndërkombëtar për arbitrat pranë UEFA-s. Ai ka marrë shpesh pjesë si i deleguari i UEFA-s për arbitrat në ndeshjet ndërkombëtare.

 – Zoti Jareci, futbolli shqiptar i të gjitha niveleve mbylli pjesën e parë të sezonit. Duke e parë atë në aspektin e gjykimit, si do ta vlerësonit atë?

– Do ta konsideroja pozitive. Mendoj se, është rritur niveli i arbitrimit shqiptar, kemi më shumë cilësi në gjykim e më pak kontestime. Natyrisht, ka pasur edhe pakënaqësi nga klube të ndryshme, por kjo është e pashmangshme, por ato kanë qenë brenda kufijve dhe tolerancës së arsyeshme. përgjithshmja është që, gjykimi në Shqipëri ka pësuar një rritje të ndjeshme edhe këtë sezon. Gjithsesi, në datën 20 janar do të zhvillohet me arbitrat seminari “dimëror”, ku do të bëhet analiza e fazës së parë, ndërkohë që ata do t’u nënshtrohen testeve vizuale dhe fizike. I pranishëm do të edhe Kyros Vasaras nga Greqia,  i cili është përgjegjës për Shqipërinë në UEFA.

– Statistikat ofrojnë më pak kartonë të verdhë e të kuq këtë sezon. A mund të flasim për një futboll më të pastër?

– Po, ka një rënie të numrit. Nga ana tjetër, dua të theksoj faktin se lojtarët në fushë tashmë janë më “fair” në lojën e tyre gjë që ja lehtëson punën arbitrave.

– Arbitrimi shqiptar ka qenë i pranishëm edhe në ndeshjet ndërkombëtare të niveleve të ndryshme. Cila ka qenë vlerësimi për ta?

– Është një gjë shumë e mirë, që është rritur numri i ndeshjeve të gjykuara nga arbitrat shqiptarë, të cilat vazhdojnë të vlerësohen me nota të mira. Vlen të përmendet vlerësimi i arbitrit Enea Jorgji nga ana e UEFA-s të cilin e përzgjodhi në grupin e arbitrave talente të cilët mund të përzgjidhen më vonë në evenimente të rëndësishme. Ata kanë gjykuar në Ligën e Europës, në ndeshjet eliminatore të U-21. Gjithsesi, arbitri Bardhyl Pashaj gjykoi këtë vit ndeshjen e Ligës së Kampioneve midis polakëve të Legias së Varshavës dhe kampiones së Uellsit, The Neë Saints (24 korrik 2013), i ndihmuar nga asistentët, Ridiger Çokaj, Gëzim Koka, ndërsa gjyqtari i katërt ishte Emirion Sino.

– Puna e gjyqtarit është sa interesante aq dhe e vështirë. A ka interesim për të veshur “xhaketën e zezë”?

– Pa dyshim. Vazhdon të ketë mjaft interesim nga moshat e reja për kursin e arbitrave, pra të rinj të cilët duan të fillojnë rrugën e arbitrimit. Vetëm gjatë kohës që, është krijuar Komitetit i Arbitrave, pra në tre sezonet e fundit janë shtuar 100 arbitrave. Tashmë janë mbi 400 arbitra në Shqipëri.

– Sa gjyqtare femra ka në Shqipëri?

– Është rritur numri i arbitreve femra gjatë vitit 2013. Ato gjykojnë kryesisht në kampionatin e femrave, por dëshira jonë është t’i hedhim edhe në kampionatet e tjera, në rolin e asistenteve apo të arbitrit të katërt. Gjyqtaret femra bëjnë pjesë në kolegjiumet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës. Gjyqtaret femra arbitrojnë në kampionatet e moshave nga U-17, U-19. Dua të përmend këtu arbitrimet cilësore të Erinda Kumes, Mirela Çemeri, Suela Peca, Fatjona Borova, Medina Kelaj, Griselda Krymi, Klista Gjylit, kjo e fundit sezonin e kaluar ishte pjesë e gjyqtarëve në Kategorinë Superiore, në takimin Skënderbeu-Luftëtari. E konsideroj të rëndësishme, edhe krijimin e kolegjiumit të arbitrave femra. Brenda një kohë shumë të shkurtër kemi bërë seminare speciale me to në FSHF, apo në qytetet e tyre.

SKEDA

Sokol Jareci

Anëtar i Komisionit Teknik të Gjykimit pranë FSHF-së

Vëzhgues ndërkombëtar për arbitrat pranë UEFA-s

Periudha e gjykimit: 1993-2000

Ndeshje të gjykuara në total: 538

Ndeshje ndërkombëtare: 58

Gjyqtar i FIFA-s: 2000-2010

Si është një gjyqtar perfekt

 “Duhet t’i ketë të gjitha, – thotë Sokol Jareci. – Të jetë një njohës shumë i mirë i rregullores së lojës dhe di të dijë të interpretojë atë në çdo situatë. Mbi të gjitha të ketë personalitet dhe të dijë të menaxhojë lojën, pasi loja nuk ka vetëm zbatim strikt të rregullores, por dhe anë të tjerë dhe të ketë përgatitjen e duhur fizike”.

 Kur Jareci arbitronte Spanjën

 Sokol Jareci ka arbitruar ndeshjen miqësore Spanjë-SHBA (1-0, 4 qershor 2008) njëherësh edhe takimi i tretë historik midis dy ekipeve, pas dy të parave në vitin 1950 dhe në vitin 1992, të dyja të fituara nga Spanja respektivisht 3-1 në Botërorin e Brazilit dhe 2-0 në miqësoren e luajtur në Valadolid.  Ai ishte testi i fundit për skuadrën iberike të Luis Aragonesit, përpara se të fillonte aventurën në Euro 2008, të kurorëzuar më pas me titullin kampion. “Kulmin” e tij Jareci e ka në ndeshjen e parë të tij ndërkombëtare për klubet: në raundin e parë eliminator të Kupës UEFA, në sezonin 2001-2002, kur në takimin Sliema Uonderes-Matad Puchov (2-1) nxori 12 kartonë të verdhë (5-7) dhe 3 kartonë të kuq (1-2).

 Arbitrat shqiptarë të FIFA-s

 Shqipëria merr pjesë në Europë me tre arbitra dhe gjashtë asistentë: Gjyqtarë janë Lorenc Jemini (nga viti 2005), Bardhyl Pashaj (nga 2011) dhe Enea Jorgji (nga viti 2012). Asistentë janë: Rejdi Avdo, Ridiger Çokaj, Ermal Barushi, Egin Doda, Denis Rexha dhe Ilir Tafaraj. Sipas Sokol Jarecit, po të shohësh të gjitha vlerësimet e pikëve që kanë marrë arbitrat shqiptarë pas gjykimeve të tyre në Europë, mesatarja aktuale e notave shkon te 8.3-8.4, e që vlerësohen si shumë të mira.

 Dy brazilianë dhe dy francezë presin miratimin e trajnerit Gugash Magani

 Katër lojtarë të huaj në provë te Tirana

 Tirana ka nevojë urgjente për përforcime, për të shpëtuar nga rënia në Kategorinë e Parë. Këtë më mirë se kushdo tjetër e di trajneri Gugash Magani, tekniku i katërt sezonal i bardhebluve pas Nevil Dedes, Alpin Gallos e Sokol Bulkut. Tirana vjen me tjetër fytyrë në 2014, ku spikasin ndryshime të rëndësishme në organikë që imponohen nga pozicioni në vendin e fundit në tabelën e renditjes. Në seancën e parë stërvitore që u zhvillua në Skënder Halili ra në sy prania e katër futbollistë të huaj që mendohet se do të jenë disa nga përforcimet kryesore të merkatos së janarit, pa harruar portierin Ilion Lika që është afrimi i parë zyrtar i merkatos. Ndërsa të paktën 8 futbollistë nga grupi që mbylli 2013 janë larguar përfundimisht nga skuadra. Mbetet në dorë të trajnerit Gugash Magani nëse brazilianët Lenadro Mathias Moris e Gilberto Fortunato apo Amik Ciani e Amadou Sidibe që vijnë nga futbolli francez, do të nënshkruajnë me 24 herë kampionët e Shqipërisë. Gjithsesi përshtypja e parë, të paktën për dy brazilianët, është mjaft pozitive, edhe pse fjala e fundit i përket teknikut peqinas. Drejtuesit bardheblu presin edhe dy përforcime shumë cilësore nga kategoria superiore, por Magani shfaqet i rezervuar kur pyetet për emra konkretë. I pyetur për mundësitë që kanë bardheblutë për të qëndruar në Superiore, Magani tha se ka gjithmonë shpresa për të mbijetuar.

Tirana do t’i vijojë përgatitjet edhe për disa ditë në kryeqytet, ndërsa faza përgatitore do të zhvillohet në Turqi ose në kompleksin Tropikal në Durrës, në varësi të përforcimeve.