Sokol Branica: Me Pogradecin, sfida për ngjitje në renditje, synojmë pesëshen e parë

575
NGA Agron KAJA
KATEGORIA E PARË/ Flet për “Telegraf” trajneri i skuadrës së peqinase, e quan si detyrim fitoren në javën e tetë ndaj “liqenorëve”
Kategoria e Parë është duke bërë një pushim dy-javor, si ndikon kjo te skuadrat?
Një shkëputje tillë ishte e paralajmëruar dhe atë e shfrytëzon çdo skuadër sipas mundësive që ka. Për ne, kjo hapësirë pa ndeshje zyrtare shërbeu për rikuperimin e dy lojtarëve të dëmtuar, njëherësh edhe në rritjen e ngarkesës stërvitore.

Në shtatë javë, Shkumbini ka marrë vetëm 8 pikë, ishte kjo në pritshmëritë tuaja?
Jo, nuk është ajo që ne mendonim, por gjithsesi, skuadra ka luajtur mirë në të gjitha ndeshjet. Grupi ynë ka rivalë të fortë, të mos harrojmë se luajmë ndaj Tiranës 24 herë Kampione në Superiore, Bylisit, Tomorit e Apolonisë, skuadra që kanë qenë protagoniste në elitë.

Në tërësi, si mendoni ju për ndeshjet e luajtura në këtë sezon në Kategorinë e Parë?
Në fakt, duke qenë në stolin e Shkumbinit, unë mund të flas kryesisht për skuadrën time, por edhe për ato me të cilat ne jemi ndeshur në shtatë javë. Unë them se ka rivalitet, ka skuadra të mirëorganizuara dhe të përforcuara, dhe e mendoj një kampionat shumë të fortë.

Çfarë i ka munguar Shkumbinit në këtë gjysmë të fazës së parë?
Ne jemi munduar të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje, por ende nuk mund të them se përshtatja është e plotë për çdo futbollist. Ndoshta edhe me fatin nuk kemi qenë shumë mirë, ndaj, jo për justifikim, por në këtë situatë vetëm kjo na ka munguar.

Në këtë fundjavë luani me Pogradecin, si e keni përgatitur skuadrën tuaj?
Skuadra është e plotë për këtë ndeshje, pasi ju deklarova më sipër se edhe dy lojtarët që ishin të dëmtuar, deri të shtunën janë të rikuperuar plotësisht e të gatshëm të jenë titullarë. Ngarkesat kanë qenë diçka më të larta në anën fizike, por kemi punuar edhe për tregues të tjerë. 

Në Peqin është vështirë të fitojnë skuadrat, pse ky mendim?
Ndoshta nga që Shkumbini për shumë vite ka qenë protagonist në Kategorinë Superiore, sepse ka pasur e ka futbollistë me grintë që e vlerësojnë shumë fanellën. Një skuadër që 20 vite më parë erdhi nga inferioriteti, nuk mund ti përballonte ndryshe më të fortat e kësaj kategorie.

Kështu do të ndodhë edhe nesër (sot) në përballjen me Pogradecin?
Tradicionalisht, Shkumbini në të gjitha ndeshjet që luan në fushën e tij, me cilëndo skuadër që ndeshet, nuk mendon synim tjetër veç fitores. Kështu edhe me Pogradecin, që është skuadër rivale me ne për të hyrë në pesë skuadrat e para të grupit.

Që njëherësh ky është edhe synimi i Shkumbinit në këtë sezon?
Kemi dy synime në këtë sezon. Së pari, ne do luftojmë që të jemi në pesë skuadrat e para të Grupit B, që të mos kemi ato telashet për të diskutuar mbijetesën. Së dyti, në ndeshjet e skuadrave të kreut të marrim sa më shumë pikë, dhe të renditemi në më të mirën e mundshme.
Formatohet “Kupa Pavarësia”, Tirana përfaqësuese e Shqipërisë
Dje, FK Tirana ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në turneun e përvitshëm “Kupa Pavarësia”, e cila organizohet nga FSHF-ja, në kuadër të Festave të Nëntorit. Si fituese e Kupës së Shqipërisë, ekipi bardheblu është ftuar në turneun që këtë vit do të zhvillohet në Korçë, në datën 28 nëntor. Bashkë me ekipin e Tiranës, do të jenë edhe tre skuadra të tjera, nga të gjitha trevat shqiptare. KF Shkëndija nga Tetova e Maqedonisë, Besa nga Peja e Kosovës, dhe Ontrant nga Ulqini i Malit të Zi.
Ndeshjet-Java e tetë

GRUPI A
Të shtunën, 18.11.2017 
Besëlidhja-Korabi 14:00
Erzeni-Vllania B 14:00
Burreli-Egnatia 14:00
Tërbuni-Dinamo 14:00
Datë 19 nëntor 2017 
Besa-Kastrioti 14:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Kastrioti 7 17
2.Besa 7 12
3.Besëlidhja 7 11
4.Erzeni 7 11
5.Egnatia 7 11
6.Korabi 7 11
7.Dinamo 7 8
8.Tërbuni 7 5
9.Vllaznia B 7 5
10.Burreli 7 3
Ndeshjet-Java e tetë
GRUPI B
Të shtunën, 18.11.2017 
Shkumbini-Pogradeci 14:00
Turbina-Iliria 14:00
Tomori-Shënkolli 14:00
Tirana-Apolonia 14:00
Bylis-Naftëtari 14:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Tirana 7 18
2.Bylis 7 15
3.Apolonia 7 11
4.Tomori 7 11
5.Shënkolli 7 10
6.Iliria 7 9
7.Pogradeci 7 9
8.Shkumbini 7 8
9.Turbina 7 4
10.Naftëtari 7 3
Sigal