Skuadrat në “lupën” e ndeshjeve të para, gabimet nuk “tolerohen”

502
Sigal

Më në fund i thuhet “fund” edhe fazës pothuaj një mujore të zbrazëtisë në arenën e futbollit shqiptar. Gjashtë nga skuadrat e Superligës tregojnë vëmendjen e tyre ndaj rifillimit të kampionatit, ku edhe një herë do ndeshen me njëra-tjetrën ekipe që gjatë këtij sezoni janë ndeshur edhe dy herë të tjera. Situatat për shumë skuadra kanë ndryshuar, duke rritur nivelin e njërës apo tjetrës, kjo në bazë të ndryshimeve që ka bërë secila. Çdo skuadër tani ka më në fund mundësinë për të treguar realisht përmirësimet që kanë bërë, duke mos u ndalur vetëm tek blerjet dhe shitjet e lojtarëve, por edhe tek afirmimi i grupit dhe frytet që vijnë nga gjithë ajo stërvitje që është bërë nga skuadrat. E shtuna flet vetëm për gjashtë ekipe, ku edhe një herë do të shohim të luajnë për të tretën herë gjatë sezonit dhe për të parën herë gjatë vitit 2015, Tirana-Apolonia, Flamurtari-Teuta dhe Vllaznia-Kukësi

Tirana-Apolonia: Një takim që nuk duhet të ketë komplikacione për kryeqytetasit, takim që nuk duhet të ketë rezultat tjetër përveç fitores pasi po ndeshen me ekipin e fundit në renditje, ekip që pak ka mundësi që të ndryshojë nga gjysma e parë e sezonit, përveç se kanë afruar një trajner të ri, në pjesën tjetër kanë qëndruar shumë “statik”. Tirana në fakt ka mundësinë që ta nisë shumë mirë këtë sezon, duke marrë parasysh edhe përforcimet që ka bërë, e të mos ndiejë presion që në fillim. Ndërkohë, ashtu siç u tha, kjo ndeshje do të luhet në Durrës, në “Niko Dovana”, duke qenë se “Qemal Stafa” nuk do të jetë gati për fillimin e sezonit. Në dy ndeshjet e kaluara, Tirana ia ka dalë që të fitojë me të njëjtin rezultat, 3-0, diçka që nuk duket edhe aq e vështirë që të përsëritet edhe një herë.

Flamurtari-Teuta: Kjo është ndeshja që do të bëjë shumë që të flasin, si në rastin se fiton Flamurtari ashtu edhe nëse fiton Teuta. Pse? Sepse në të dy rastet për Flamurtarin do të flitet dhe do të flitet shumë. Nëse fiton Flamurtari do të vihet padyshim etiketa tek ndryshimet në skuadër, e nëse humbasin vlonjatët, përsëri për këtë skuadër do flitet, ngaqë përsëri ndryshimet e bëra nuk sollën ndryshim. Teuta do të harrohet! Kjo ndeshje është thikë me dy presa për Flamurtarin që nëse do të fillojë jo vetëm me këmbën e mbarë kampionatin, por edhe larg syrit të kritikave, i duhet pa dyshim që t’i heshtë ato nëpërmjet fitores, e ku më mirë ae në Vlorë mund të fillohet. Në dy ndeshjet e para, njërën e ka fituar Flamurtari në fazën e parë 2-1 ndërsa takimi i luajtur në Durrës në fazën e dytë është mbyllur me fitoren e durrsakëve 1-0.

Vllaznia-Kukësi: Sa shumë mund të thuhet për këtë ndeshje dhe për këto dy skuadra. Nga njëra anë kemi vendin e parë në renditje në këtë kampionat dhe nga ana tjetër kemi skuadrën që po bënte shumë por shumë mirë para se të fillonin pushimet, duke e ndalur hovin vetëm në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut, pas pesë fitoreve radhazi. Kukësi rikthehet përsëri në Shkodër me synimin për të fituar, e kjo fitore i nevojitet shumë, përndryshe vendin të parë, të paktën përkohësisht, do i thoshte lamtumirë, ndërkohë që edhe shkodranët kanë si synim që të ngjiten sa më lart në renditje, që të lënë pas vetes si Laçin ashtu edhe Flamurtarin, ndërkohë që ia kanë “borxh” një fitore kuksianëve, që në të dy ndeshjet e luajtura këtë sezon, të dyja i ka fituar Kukësi me të njëjtin rezultat 2-1, si në Shkodër ashtu edhe në Kukës.

Të shtunën

Tirana-Apolonia

Flamurtari-Teuta

Vllaznia-Kukësi

Të dielën

Laçi-Partizani

Elbasani-Skënderbeu

  Skuadra ND F B H GSH GP P
1 Kukësi 18 12 2 4 21 10 38
2 Skënderbeu 18 11 3 4 26 9 36
3 Partizani 18 11 3 4 16 7 36
4 Tirana 18 10 5 3 24 12 35
5 Laçi 18 7 6 5 19 12 27
6 Vllaznia 18 8 2 8 16 17 23
7 Flamurtari 18 5 7 6 14 12 22
8 Teuta 18 5 1 12 16 26 16
9 Elbasani 18 3 0 15 10 31 9
10 Apolonia 18 2 3 13 4 30 9

  Partizani nuk ndalet në merkato, merr sulmuesin e Lituanisë, Darvidas Sernas

 Kur ishte menduar që skuadra e Partizanit e kishte mbyllur “hesapin” me merkaton, vjen një lajm tjetër që bëhet i ditur nga vetë klubi mbi blerjen e sulmuesit të Kombëtares Lituaneze të futbollit, Darvidas Sernas, i cili ka luajtur r5 ndeshje me përfaqësuesen duke shënuar 5 gola, ndër të cilit edhe portierit Casillas të Spanjës. 30 vjeçari lituanes ka luajtur më përpara tek skuadra turke e Gaziantepsporit dhe Ëidzeë Lodz. Blerja e këtij sulmuesi, siç duket shuan përfundimisht zërat e afrimit të sulmuesit të Laçit James (Xhejms), që pëlqehej shumë nga trajneri Duro dhe i kërkoi drejtpërdrejtë blerjen e tij presidentit të Partizanit.

 Kombëtarja U21 ndeshet sot me Kombëtaren e Ukrainës

Shpresa e futbollit shiptar, Kombëtarja U21, po zhvillon aktualisht një fazë përgatitore në Turqi, duke rregulluar madje edhe disa ndeshje miqësore, një të cilën do ta luajë pikërisht sot ndaj Ukrainës ku pritet që të synojnë fitoren e parë në këtë “tur” miqësor. Ndeshja e parë ndaj Iranit, u humb nga të besuarit e Gegës me rezultatin 2-1, duke i vënë forcat tek takimi i sotëm ndaj Ukrainës. Ndërkohë që kjo fazë përgatitore bëhet me qëllimin e vetëm për të konsoliduar grupin e futbollistëve që do të bëhen pjesë e thirrjes së trajnerit për Eliminatoret e Kampionatit të ardhshëm Europian, shorti i të cilit do të hidhet me 4 shkurt.

Fat i keq për Lenjanin, dëmtohet para ndeshjes

 Deri më tani nuk është se i ka prirë fati futbollistit të Kombëtares Shqiptare që luan për Rene në Francë, Emir Lenjani, i cili u dëmtua duke mos mundur që të aktivizohet për klubin e tij në ndeshjen për Kupën e Francës. Dëmtimi i mesfushorit ka ardhur gjatë stërvitjes, çka ka bërë që trajneri të mos e përfshijë në planet e tij. I pyetur lidhur me këtë, Lenjani u shpreh: “Kam pësuar një lëndim në muskul dhe kjo ka bërë që mos të luaj ndaj Reims. Më vjen keq që nuk mund të luaj, por kështu e paska futbolli dhe vijnë lëndimet”. Kujtojmë që edhe në ndeshjen e parë që luajti me ekipin e tij, mesfushori u ndëshkua me karton të kuq, duke mos e përfunduar takimin e parë si lojtar i kësaj skuadre.

Lojtarët më të mirë në Zvicër për 2014-ën, në garë vetëm Abrashi

 U shpall dje edhe lista e futbollistëve që do të votohen si më të mirët e 2014-ës nga të gjitha skuadrat dhe si për çudi shihen mungesa të mëdha në emrat përfundimtar, ku mungojnë si Taulant Xhaka, së fundmi i votuar edhe nga UEFA, por edhe Shkëlzen Gashi që u cilësua si më i miri nga opinionet e ndryshme. Në garë, nga shqiptarët, ka ngelur vetëm Amir Abrashi i Grasshopersit, ku ia ka dalë që të shkojë deri në fund të renditjes për skuadrën e vet. Janë nga tre futbollistë që zgjidhen për çdo skuadër, e tek Bazeli çuditërish nuk figurojnë ata të dy që më shumë dhanë për ekipin e tyre në vitin që lamë pas, por gjithsesi ku është një sondazh që bëhet nga gazeta “Blick”, ndërkohë që futbollistët në fjalë kanë marrë çmime të shumta. Në këtë, mbetet vetëm t’i urojmë fat Abrashit që të jetë ai që shpallet në fund si më i votuari në këtë sondazh.