Skuadrat e bashkive, futboll nga e keqja!

Të mërkurën pasdite, në Shkodër u zhvillua miqësorja Vllaznia-Kastrioti. Shkodranët e fituan këtë ndeshje, por në këto radhë, ajo është prezente për një tjetër dukuri, sepse ende vazhdon të jetë skuadër elitare që administrohet e financohet nga Bashkia Shkodër. Veç Vllaznisë, e legalizuar e tillë është edhe Lushnja, e kështu ka vite që shumë skuadra që financoheshin nga bashkitë, i kanë dhënë “lamtumirën” Superiores vetëm në një sezon, madje me një “grusht” pikësh në katër faza. Në kategoritë e tjera të futbollit shqiptar janë shumë skuadra bashkiake, por duke qëndruar në Kategorinë Superiore, këtu le të themi se këto skuadra bëjnë futboll nga e keqia. Vetëm të vlerësojmë ato fjalë që thotë trajneri i Vllaznisë Armando Cungu, dhe do të kuptojmë se çfarë futbolli po mbajmë në këmbë. Sepse, kur shohim që skuadra si Partizani, Kukësi e Skënderbeu kanë marrë futbollistë, të cilët në një muaj paguhen sa buxheti mujor i skuadrave si Lushnja, Vllaznia, Laçi, Kamza e Luftëtari, pse jo edhe ndonjë skuadër tjetër, atëhere nënkuptimi për produktin e këtyre skuadrave, e më pas të të gjithë futbollin superior, nuk mundet të jetë profesionist, kurrësesi. Jo vetëm për financat e dobët, por edhe për ngatërrimin e politikës me futbollin, këtu nuk ka asnjë vend të thuash se kemi futboll profesionist, me flamujt e partive politike në zyra e stadiume!