Skënderbeun s’ka Luftëtar që ta ndalë

528
Sigal

Liderët e kampionatit e çojnë në +9 pikë diferencën me Kukësin e vendit të dytë. Vendos Plaku

Skënderbeu vazhdon të ecë i sigurt drejt titullit të tretë rresht kampion, pas fitores 1-0 me Luftëtarin në Gjirokastër, duke e çuar në +9 pikë diferencën me Kukësin e vendit të dytë, skuadër ndaj së cilës do të luajë në Korçë, në përfundim të fazës së parë. Një trepikësh i radhës i skuadrëës së Mirel Josës- fitorja e 9-të në 12 ndeshje, –  duke e konsoliduar vendin e parë, ndërkohë që ekipet e tjera që e ndjekin duket se do të luftojnë për vendet e Ligës së Europës. Trajneri Mirel Josa kishte bërë dy ndryshime në formacion në krahasim me ndeshjen e mesjavës me Flamurtarin, ku në vend të Sabien Lilajt të dëmtuar kishte aktivizuar Çaushajn, ndërsa në qendër të mbrojtjes rikthehet Bicaj, duke lënë në stol Endri Vrapin. Ndërsa nga ana tjetër, Edi Martini ka në dispozicion Fejzo Shenaj, i cili është rikuperuar nga dëmtimi, ndërsa në sulm i beson eksperiencës së Arlind Norës, që mbështetet nga Caco. Të mbështetur dhe nga tifozëria e tyre, gjirokastritet janë më kërkues në minutat e para, krijojnë presing mbi kundërshtarin, por pa mundur të kalojnë mbrojtjen mike dhe portierin Orges Shehi. Madje, në minutën e 25-të vendësit pretendojnë për një 11-metërsh, pasi topi i krosuar nga këndi kalon nëpër dorën e Pejiçit, i kthyer në mbrojtje, por kryesori Enea Jorgji nuk është i këtij mendimi. Miqtë gradualisht e përmirësojnë lojën e tyre deri sa ndëshkojnë në minutën e 30-të. Plaku gjuan saktë me kokë, duke e dërguar topin në rrjetë, por aksioni i këtij goli shkaktoi polemika dhe kontestime nga kampi gjirokastrit, të cilët pretendojnë se topi i fituar nga Pejiç ishte si rrjedhojë e një ndërhyrje të gabuar të kroatit. Gjithsesi gjyqtari Jorgji vendos nisjen e lojës nga rrethi i mesit të fushës dhe korçarët, që sigurojnë avantazhin, mendojnë ta ruajnë deri në fund. Në pjesën e dytë trajneri Martini bën ndryshime në formacion dhe në skemën e lojës, djemtë e tij përpiqen me të gjitha mundësitë të shënojnë golin e barazimit, i afrohen portës së Shehit, por “gardiani” durrsak i korçarëve është i pakalueshëm. Rastet janë të shumta për bluzinjtë, por goli nuk del në dritë. Skënderbeu mbrohet mirë, mundohet që të ulë ritmin e lojës së vendësve dhe nuk shpenzon shumë energji, pasi me eksperiencën e tij arrin të ruajë avantazhin e krijuar në pjesën e parë. Kësisoj, kampionët arrijnë të fitojnë edhe këtë transfertë aspak të lehtë dhe hedhin një tjetër hap të sigurt drejt titullit, ndërsa Luftëtari vazhdon të mbetet në zonën e ftohtë, ku pas 12 javëve ndodhet në vend të 11-të me 11 pikë. Gjithsesi gjirokastritët kanë shumë shpresa për mbijetesë, pasi distanca me vendin e 10-të, që shmang rënien direkte nga elita e futbollit shqiptar është vetëm 1 pikë larg. Në javën e fundit të fazës së parë, Luftëtari do të luajë në Peqin kundër Shkumbinit.