Skënderbeu, si Barcelona, asnjë humbje në këtë sezon

569
Sigal

UEFA i ka futur kampionët e Shqipërisë në një listë me Barçën, Porton, Benkifën dhe Olimpiakosin

 Skënderbeu është vërtet një skuadër e vogël në arenën botërore, -korçarët renditen si skuadra e 245-të më e mirë në planet (për periudhën 1 dhjetor 2011-30 nëntor 2012), kjo sipas Institutit Ndërkombëtar të Statistikave dhe Historisë në Futboll, por për këtë pjesë  të parë të sezonit, statistikat e “qeverisë” së futbollit europian, UEFA-s, i kanë bashkuar kampionët e Shqipërisë me formacionin më të mirë në botë. “Ujqërit e dëborës”’, siç thirret nga tifozët skuadra e Mirel Josës, nuk ka pësuar asnjë humbje në kampionat, duke qenë midis gjashtë skuadrave të vetme që e kanë ende të pastër kolonën “zero” të humbjeve. Sipas UEFA-s, pa humbje sezonale janë dhe Barcelona në Spanjë; Porto dhe Benfika në Portugali, Olimpiakosit në Greqi dhe Anorthosis Famagusta në Qirpo. Në përfundim të 13 ndeshjeve të fazës së parë, Skënderbeu regjistroi 10 fitore, 3 barazime dhe 0 humbje, duke grumbulluar 33 pikë, dhjetë më shumë se Teuta e vendit të dytë, dhe duke qenë kështu në një rrugë të mbarë drejt fitimimit të titullit të tretë rresht dhe të katërtin në histori, pas atyre në vitin 1933, 2010 dhe 2011. Barcelona nuk ka humbur asnjë nga 15 ndeshjet në Primera Divizion (14 fitore, 1 barazim), duke hedhur hapa të sigurt drejt titullin kampion në Spanjë, pasi Reali i Madridit ndodhet për momentin në vendin e tretë, me 11 pikë larg nga katalanisit. Benfika dhe Porto, dy bashkëkryesueset e kampionati portugez, Primiera Liga, nuk kanë humbur asnjë nga 11 ndeshjet e para (kanë nga nëntë fitore dhe dy humbje). Po, kështu në Super Ligën greke, Olimpikosi, rekordmeni absolut përsa u përket trofeve në Greqi, nuk ka humbur asnjë nga 14 ndeshje në kampionatin grek, duke pasur 11 fitore dhe 3 barazime, si dhe një diferencë prej gjashtë pikësh nga PAOK-u i vendit të dytë. Edhe Anorthosis Famagusta, ekip me të cilin dikur ka luajtur ish-portieri i Kombëtares sonë, Arjan Beqaj, nuk ka humbur asnjë prej 13 ndeshjeve (11 fitore dhe 2 barazime), duke krijuar një diferencë prej katër pikësh nga APOEL-i.

 STATISTIKAT – Skënderbeu, pas fitimit të titujve në sezonet 2010-2011 dhe 2011-2012, duket se do të fitojë një kurrorë të tretë rresht, duke barazuar kështu suksesin e trefishtë të Tiranës në vitet 2002-2005. Me “djemtë” e Mirel Josës, që janë dhjetë pikë përpara vendit të dytë përpara pushimeve dimërore, dhe për më tepër të pamundur në 13 ndeshjet e Superligës, detyra duket e lehtë. “Ky ekip është deri tani më i talentuari, që unë kam parë këtë sezon”, – tha trajneri Josa për faqen zyrtare të UEFA-s, Uefa.com. “Me ardhjen e disa lojtarëve kyç ne u bëmë më të fuqishëm dhe do të jetë shumë e vështirë për çdo ekip për të na mundur ne. Ne kemi qenë shumë konstitentë dhe e kemi ruajtur grupin tonë gjatë pjesës së parë të këtij sezoni. Nëse ne do të qendrojmë të fokusuar dhe nuk do të shqetësohemi rreth ekipeve tjera, ne do të jemi shumë mirë”. Statistikat, sigurisht e justifikojnë këtë lloj qëndrimi. Skënderbeu ka një golaverazh +24, ndërkohë që dhe golashënuesin më të mirë të kampionatit, kroatin Pero Pejiç, i cili ka realizuar deri tani dhjetë gola. Nga ana tjetër, duke pësuar vetëm pesë gola (me një mesatare, një gol çdo 234 minuta), skuadra korçare ka një prej mbrojtjeve më të mira në Europë në kampionatet maksimale për sezonin 2012-2013: vetëm Bajerni i Munihut dhe malazezët e FK Grbajl janë më mirë. “Është e vështirë ta ruash formën, kur këtu askush nuk na sfidone ne”, – tha Josa, 49 vjeç, i cili e ka drejtuar Skënderbeun edhe në sezonet 2005-2006 dhe 2010-2011. “Lojtarët  kanë bërë saktësisht atë që unë u kam kërkuar gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve. Ata e dinë mirë sesa i vogël është kufiri midis suksesit dhe dështimit dhe përgatiten gjithmonë për këtë”. Vetë Josa e ka fituar titullin e tij, me Tiranën, në sezonin 2003-2004. “Ekipi është shumë i fuqishëm dhe ne deri tani i kemi mundur të gjithë rivalët tanë: Tiranën, Teutën, Kukësin dhe Flamurtarin, me të paktën dy gola diferencë. Për momentin, ne mund të mundim këdo. Ne mund të humbasim vetëm me veten tonë”.

 Gjoka: “Djem kam shumë besim se, do ta bëni Vlorën!”

 Trajneri i ri Flamurtarit, Ernest Gjoka, nisi aventurën e tij në drejtimin e Flamurtarit. I shoqëruar nga drejtuesit më të lartë të klubit vlonjat, trajneri kryeqytetas u prezantua dje me futbollistët, që do të ketë nën urdhrat e tij, dhe në fjalët e para, ish-trajneri i Apolonisë, Kamzës dhe Tomorit, ka shprehur besimin për një bashkëpunim të frytshëm. “Kam ardhur këtu që ju të kuptoni dhe unë të kuptoj që do të bëjmë atë që kërkohet nga të gjithë ne. Kam shumë besim tek ju. Do të kërkoj maksimumin, duhet të ndryshojmë disa gjëra që unë kërkoj në aspektin tekniko-taktik. Jam shumë kërkues në aspektin e taktikës dhe këto gjëra do t’i bëjmë hap pas hapi”, iu drejtua trajneri i ri grupit të futbollistëve në prezantimin e tij. Interesimit të mediave për vështirësitë e drejtimit tek Flamurtari, stoli i të cilit ka ndjerë peshën e emrave shumë të njohur, Gjoka është munduar ta driblojë me diplomaci. “Gjithmonë ka një fillim. Edhe ata profesorët e vjetër kanë qenë dikur të rinj, kështu që edhe ne të rinjtë do të bëhemi të vjetër, ky është edhe rotacioni i jetës. Për mua është një hov shumë i madh, për një Flamurtar të madh. Unë e kam marrë pa frikë drejtimin e kësaj skuadre, duke patur parasysh se cilët kam në organikë dhe së bashku do të kalojmë pa “ngrënë koka njerëzish”,- tha trajneri Gjoka për mediat.

 Gjermanët kanë në dorë “Qemal Stafën”

 Në kuadër të punës për projektin e rikonstruksionit të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, pak ditë më parë vizituan Federatën Shqiptare të Futbollit, përfaqësuesit e “WWMD WorldWide Finance”, një agjenci gjermane e specializuar për mbështetjen e projekteve të llojeve të ndryshme me financim të plotë dhe në kushte të përshtatshme sipas projektit. Pas takimit me personelin e projektit të stadiumit të ri dhe njohjes me konkluzionet e studimeve dhe synimet e FSHF, zotërinjtë Vinkevos dhe Vit takuan dhe me Presidentin Armand Duka. Në këtë takim ata u shprehën se, bazuar në fizibilitetin ekonomik dhe natyrën e projektit, ËVMD WorldWide Finance e shikon plotësisht të mundshëm sigurimin në një kohë të shkurtër të 100% të financimit që i nevojitet FSHF-së për ndërtimin e stadiumit të ri. Nga ana e tij, Presidenti Duka pasi i njohu me preferencat e FSHF-së për mënyren e financimit dhe zbatimit të këtij projekti të rëndësishëm për futbollin Shqiptar, u shpreh i gatshëm që të fillohet me procedurat e sugjeruara nga ËVMD-ja. Pavarësisht negociatave që vijojnë me grupe të tjera të interesuara, në këtë mënyrë FSHF-ja do të ketë në dispozicion një opsion tjetër financimi që do ta lejonte të bënte zgjedhjen alternative më të përshtatshme pa humbur kohë. Gjatë qëndrimit te tyre ne Shqipëri, Vinkelvoss dhe Ëitt paten takime me Ministrin e Ekonomisë, këshilltarë të Kryeministrit, Presidentin e Dhomës së Tregëtisë grupe sipërmarësish privatë, etj.. Një pjesë të parave do ta japë dhe Qeveria Shqiptare, një shumë prej 300 milionë lekësh.

 Vllaznia jepet në “përdorim”

 Drejtusit e Bashkisë Shkodër e kanë vendosur tashmë që ta kalojnë në përdorim klubin e futbollit Vllaznia. Ata, kanë pasur problemin e gjetjes së rrugës ligjore për ta bërë këtë gjë dhe kanë shfrytëzuar ligjin e Qeverisjes Vendore, nenin 8 të tij që thotë se Bashkisë kanë mundësi të blejnë, të shesin ose të japin në përdorim pronat dhe asetet e saj. Vllaznia siç është dihet është tashmë një shoqëri aksionare me kapital 100 për qind të Bashkisë. Prandaj, është e sigurt që në mbledhjen e fundit të këtij viti, pikërisht më 27 dhjetor, Këshilli Bashkiak do të miratojë këtë kalim për transferimin e klubit tek duart e ndonjë biznesmeni sipas një kontrate të caktuar për periudhën 2013-2015.

 Tafaj: “Rrogat do të jepen shumë shpejt”

 E eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, dhe pa një impenjim zyrtar deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm, Tirana po vazhdon përgatitjet me seanca stërvitore të rregullta, ndërkohë që në program janë dhe disa ndeshje me miqësore. Këtë fundjavë do të luajë me Vllazninë, ndërsa javën tjetër mund të luhet me Partizanin. Trajneri Alban Tafaj tha për mediat: “Skuadra ka vazhduar rregullisht përgatitjet me cikël javor, duke e mbyllur me një ndeshje miqësore. Për këtë fundjavë është planifikuar një ndeshje kontrolli me Vllazninë, të mërkurën që vjen do të luajmë me Tërbunin e Pukës, ndërsa mbase në fundjavën e ardhshme një derbi me Partizanin, i cili edhe vetë është në riorganizim e sipër”, pohoi tekniku i kryeqytetasve. Një nga problemet kryesore tek Tirana është ngërçi financiar, që kulmon me mungesën e pagave për futbollistët dhe stafin teknik. “Timonieri” i 24 herë kampionëve të Shqipërisë pranon se pret një zgjidhje të shpejtë, duke theksuar se kërkon një fazë përgatitore jashtë vendit, në mënyrë që ekipi të jetë në gjendje sa më të mirë për fazën e dytë. “Për hir të së vërtetës lojtarët kanë pa marrë dhe pagat e tetorit. Besoj se mundësitë më të mëdha janë që të shlyhen brenda kësaj jave apo deri javën që vjen. Me t’u zgjidhur ky problem, unë kërkoj një fazë përgatitore që të zhvillohet jashtë vendit, jo këtu, sepse të tilla janë dhe kushtet në Shqipëri. Duam të zhvillojmë një fazë përgatitore me kushte komode, me një regjim absolut të lojtarëve, që do të shërbente për konsolidimin e vendit të dytë dhe të shpresojmë në hapat fals të Skënderbeut”, shtoi tekniku i bardhebluve. Merkato e janarit pritet të sjellë ndryshime tek Tirana. Tafaj bën të ditur se klubi ka shënjestruar objektivat për të afruar lojtarë cilësorë, por më e rëndësishme është që të ruhet grupi i titullarëve e të mos ketë largime që do të krijonin boshllëk të madh. Në lidhje me një largim të mundshëm të mbrojtësit Erjon Dushku, Tafaj tha: “Nëse Dushku nëse do të insistojë për t’u larguar, do të zgjidhet çdo gjë sipas procedurave ligjore, pasi ai është në kontratë me klubin e Tiranës dhe nëse do të paguajë dëmshpërblimin si në rastin e Balës, është i lirë”.