Skënderbeu “peshkon” BATE Borisovin, shanse minimale

84

Bjellorusët kanë mundur dy vjet më parë Bajernin e Munihut dhe barazuar dy herë me Juventusin

Short i mallkuar! Skënderbeu do ta nisë aventurën europiane të Ligës Kampioneve me një kundërshtare tepër të vështirë, pikërisht kundër kampionëve të Bjellorusisë, BATE Borisov, me një eksperiencë të madhe ndërkombëtare (102 ndeshje), kundrejt vetëm 10 të Skënderbeut, ndërkohë që ka në listën e kundërshtarëve ekipet më të mëdha të kontinentit: Barcelona, Real Madrid, Bajern Munih, Juventus, etj.. BATE që është një prej skuadrave më të njohura të vendeve lindore në vitet e fundit, ka marrë pjesë edhe në fazën e grupeve, ndërsa fitoren më të madhe në Evropë regjistron atë kundër Bajern Munih dy sezone më parë. Ndeshja e parë do të luhet në 15 ose 16 korrik dhe ajo e kthimit një javë më pas. BATE Borisov është e vetmja skuadër bjelloruse që është kualifikuar në fazën e grupeve te Ligës së Kampioneve, pikërisht në sezonet 2008-2009, 2011-2012 dhe 2012-2013. BATE është themeluar ne vitin 1973 dhe ka fituar 10 here Superligen Bjelloruse. Gjithashtu është e ka fituar dy herë Kupën e Bjellorusisë dhe katër herë Superkupës. Vlen të përmendet fakti se, në vitin 2009 ne grupet e Ligës së Kampioneve kanë barazuar dy here me Juventus (2-2 dhe 0-0). Paraqitjen e tyre më të mirë në Ligën e Kampioneve e kanë bërë në edicionin 2012-2013, kur në fazën e grupeve kanë arritur dy fitore: ndaj Lilës 3-1 dhe ndaj Bajern Munih 3-1. Edicionin e kaluar janë eliminuar në raundin e dytë nga ekipi i Kazakistanit Shakhter Karagandy me rezultatin e përgjithshëm 2-0, pikërisht nga skuadra që eliminoi edhe Skënderbeun. Në fakt, ekipi sezonin e fundit ka humbur shume nga titullarët e tij përfshi këtu dhe ish-lojtarin e Barcelonës, Aleksadër Hleb, i larguar ne Superligën turke. Kampionati bjellorus ka disa muaj qe ka filluar dhe momentalisht Bate Borisov ndodhet ne vendin e 2-te me 31 pike vetëm një më pak se Dinamo Minsk i vendit të parë. Në 14 ndeshje të luajtura ka realizuar 28 gola dhe ka pësuar vetëm 7.

 Miqësoret në Austri

 Skënderbeu është duke kryer fazën përgatitore në Austri. Në tri ndeshjet miqësore kanë humbur me dy ekipet austriake Vaker Insbruk dhe SV Ried, me rezultatin e njëjtë 2-0. Dje fitoi 1-0 me ekipin sllovak, FK Senica.

Yjet e BATE-s

 Dy janë yjet e BATE Borisovit: sulmuesi Vitali Rodionov (30 vjeç) me 46 paraqitje me Bjellorusinë (ka realizuar 10 gola), si dhe mesfushori i talentuar Sergey Krivets ish shok skuadre i Hamdi Salihi tek Jiangsu Sainty.

Liga e Kampioneve

14 korrik 2014

BATE Borisov-Skënderbeu

21 korrik 2014

Skënderbeu-BATE Borisov

ECURIA E SKËNDERBEUT

LIGA E KAMPIONEVE

Sezoni 2001-2012

Skënderbeu-Apoel 0-2, 0-4

Sezoni 2012-2013

Sënderbeu-Debrecen 1-0, 0-3

SEZONI 2013-2014

LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë eliminator

Skënderbeu-Neftçi     1-0, 0-0

Turi i tretë eliminator

Shahkter-Skënderbeu       3-2, 0-3

LIGA E EUROPËS

Çernomerets-Skënderbeu 1-0, 0-1

(Çernomerets fitoi 7-6 me pen.)

 

Bilanci: 10 ndeshje, 4 fitore, 1 barazim, 5 humbje

“Tulipanët” thyejnë 2-0 kilianët. Spanja fiton 3-0 ndeshjen e lamtumirës nga Botërori

 Diktaturë “portokalli”, Holanda likuidon Kilin

 Holanda dëshmoi forcën e saj edhe ndaj Kilit, me një fitore të pastër 2-0, duke e mbyllur fazën e grupeve  me tri fitore në apo aq ndeshje. Pas triumfit ndaj Spanjës (5-1) dhe Australisë (3-2), dje “tulipanët” e Luis Van Galit likuiduan edhe kilianët, duke dëshmuar se janë një nga ekipet kryesore për fitimin e këtij Botërori. Sfida në “Arena Corinthians” të Sao Paolos ishte një ndeshje tërheqëse. Te Kili peshonte mungesa e Vidal ndërsa Van Gaal i duhej të bënte pa bomberin Van Persie të skualifikuar dhe të zëvendësuar nga Dirk Kuijt. Në minutën e 36-të u pa protesta e Kilit, kur Sançhez u prek në zonë nga Kuyt i cili ishte në vonesë në aksionin e krosimit nga e majta të Menas, por për arbitrin nga Gambia Bakari Papa Gasama ishte gjithçka e rregullt. Në minutën e  76-të, trajneri Luis van Gal vendosi të çonte në stol një Sneijder në hije për t’i bërë vend Leri Fer, dhe rezultoi një lëvizje fituese pasi mesfushori i Noruiç Siti e shpërbleu vetëm një minutë pasi u fut në fushë, krosim nga e djathta dhe me Roben që tërhoqi vëmendjen në qendër 24-vjeçari kërceu pas shpatullave të të gjithëve për një goditje fantastike me kokë që i dha avantazhin Holandës. Trajneri i Kilit, Sampaoli kërkoi të ndryshonte diçka me zëvendësimet, por duke u hedhur përpara La Roja pësoi sërish në një kundërsulm fatal në minutën e 92,. Top perfekt i Roben dhe Depay vulosi gjithçka, 2-0 për Holandën, që nuk ofron bukuri vetëm në futboll. Një sfidë perfekte pa rrezikuar thuajse asgjë për djemtë e Van Gal që blinduan vendin e parë. Të gjithë pretendentët janë të paralajmëruar. Në ndeshjen tjetër të grupit B, Spanja fitoi 3-0 me Australinë me golat e David Vija (36’), Fernando Torres (69’) dhe Huan Mata (82’). Gjithsesi, kjo ishte një lamtumirë ngushëlluese për ish-Kampionët e Botës.

Parashikimet e ndeshjeve të sotme

 Kompanitë më të mëdha të basteve parashikojnë fitoret e Anglisë me Kosta Rikën dhe Italisë me Urugain (ndeshje të grupit D), si edhe të Bregut të Fildishtë ndaj Greqisë e Kolumbisë ndaj Japonisë (ndeshje të grupit A). Kosta Rika (6 pikë) dhe Kolumbia (6 pikë) janë kualifikuar në grupet e tyre, për vendet e dyta luftojnë Italia (3 pikë) me Kosta Rikën (3 pikë) Në grupin C, kanë ende shanse të tre ekipet: Bregu, Japonia e Greqia.

Parashikimet e basteve 1X2

18:00     Kosta Rika-Angli     4.21       3.17              1.85

18:00 Itali-Uruguai          2.69       3.17              2.70

22:00     Greqi-Bregu F.         3.62              3.43              2.05

22:00     Japoni-Kolumbi       3.02       3.39              2.33

Parashikimet e “Telegraf”

18:00     Kosta Rika-Angli     (fiton Anglia)

18:00 Itali-Uruguai          (fiton Italia)

22:00     Greqi-Bregu F.         (fiton Bregu i Fildishtë)

22:00     Japoni-Kolumbi       (fiton Kolumbia)

Klinsman sulmon FIFA-n

 Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përballen në një ndeshje shumë emocionuese të enjten. Sfida është e veçantë, pasi trajneri i skuadrës amerikane është gjermani Jurgen Klinsman, i cili gjatë Botërorit 2006 drejtoi “Dia Nationalmanschaft”, duke pasur si ndihmës pikërisht trajnerin aktual të “pancerave”, Johakim Lëvin. Pas barazimeve 2-2 të Gjermanisë me Ganën dhe të SHBA-ve me Portugalinë, ndeshjet e treta do të vendosin për fatin e dy skuadrave që do të kalojnë në fazën e 1/8-ave. Klinsman akuzoi FIFA-n, për kalendarin e ndeshjeve: “Ne kemi një ditë më pak, për t’u çlodhur sesa gjermanët. Ata luajtën të shtunën, ne të dielën. Nga ana tjetër, ne do të luajmë në rajonin e Amazonës, ndërkohë që gjermanët e kanë shumë afër atë”. SHBA-të kanë zgjedhur itinerarin më të gjatë nga të gjithë në këtë Botëror: 14 500 km, ndërkohë që gjermanët për ndeshjet e tyre do të udhëtojnë vetëm 7300 km. Ndihmësi i Johakim Lëvit, Hansi Flik, duke komentuar deklarimet e Klinsmanit, tha: “Ne dinim të gjithë programin e ndeshjeve pas shortit. Ne e zgjodhëm kështu rezidencën tonë, që të ishte optimale për ne. Çdo ekip kishte mundësinë që, të zgjidhte atë që ishte më e mira për të”. Gjermania kualifikohet si kokë e grupit, në rast fitoreje apo barazimi me SHBA-të, ndërsa si vendi i dytë nëse humbet me SHBA-të dhe Gana me Portugalinë dalin barazim.