Skënderbeu nuk thyen mitin shqiptar, renditet i fundit në grup

665
Nga Agron KAJA
UEFA EUROPA LIGË/ U mbyllën dje aventurat e ndeshjeve në grupe, korçarët humbën 2-1 në Zvicër me Jang Bojsin, Dinamo e Kievit shkatërron Partizanin
E enjte 7 dhjetor 2017, ora 19:00 në stadiumin “Stade de Suisse” të Bernës, ndeshje e fazës në grupe 
JANG BOJS-SKËNDERBEU 2-1
Shënues: Horau 54’/ Gavazaj 51’ 
Jang Bojs (1-4-3-1-2): Volfli; Mbabu, Uthtriç, Burki, Jos; Shik, Abisher (Bertone 71’), Ngamaleu; Tekseira; Nsame, Horau (Asale 82’). Trajner: Adi Huter
Skënderbeu (1-4-3-3): Shehi; Vangjeli, Jashanica, Aliti, Mici; Muzaka (Taku 75’), Lilaj, Nimaga; Gavazaj, Sahiti (Osmani 68’), Demte. Trajner: Ilir Daja
Gjyqtarët: Kryesor Li Evans; Asistentë P. Thomas, I. Bird (Uells)
Kartonët e verdhë: Ngamaleu, Jos, Horau/ Aliti, Demte, Nimaga
MINUTAT E GOLAVE
51’ GOL 0-1 Pas një depërtimi të bukur të Demte, ai bllokohet në fillim nga mbrojtësit e Jang Bojs, por nga pas vjen Gavaza, i cili me portën e boshatisur e kalon Skënderbeun në avantazh.

54’ GOL 1-1 Barazon Jang Bojs. Horau me një gjuajtje të kalibruar e dërgon topin në cepin tjetër të Shehit, i cili nuk kishte asnjë mundësi për ta shmangur prekjen e rrjetës së tij.
90+5’ GOL 2-1 Asale shënon pak minuta pasi u fut në lojë. Pas një harkimi nga goditja e këndit, një rrëmujë në zonë dhe afrikani shënon golin e dytë për Jang Bojsin.
Me një stadium jo fort të frekuentuar nga zviceranët, dje sfida Jang Bojs-Skënderbeu u kthye në dramë për korçarët. Katër minutat shtesë kishin kaluar, por për abritrin uellsian duhej edhe një tjetër shtesë, aq sa zviceranët të shënonin golin e fitores në ekstremin, jo zyrtar. Madje u luajtën 7 minuta shtesë, çka ndoshta hedh edhe dyshimin se këto minuta ishin në favorin e Jang Bojs, e cila gjithsesi, e fitoi 2-1 ndeshjen, njëherësh edhe kaloi në vendin e 3-të në Grupin B. Në të ftohtin e Bernës, në një ndeshje ku pikët nuk kishin shumë vlerë për renditjen finale të grupit por për prestigj dhe financa të larta, Jang Bojs ka e mundur Skënderbeun në një ndeshje ku në pjesën e parë u duk si e fjetur, ndërsa në të dytën u kthye në spektakël. Skënderbeu luajti pa asnjë sulmues të mirëfilltë në këtë ndeshje, pasi edhe Xhejms që ishte në formë të plotë fizike nuk e mori vizën zvicerane. Kështu që trajneri Daja zgjodhi të riun Demte, i cili në debutimin e tij ndërkombëtar bëri figurë shumë të mirë, edhe pse është vetëm 18 vjeç. Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës korçare ishte ajo e zakonshmja, duke përjashtuar të dëmtuarit Radas e Soue, dhe nga ana tjetër, Jang Bojs mendonte për kampionatin dhe la jashtë shumë titullarë. Duke ju referuar kronikës së ndeshjes, duhet thënë se pjesa e parë nuk ofroi mundësi të pastra, dhe Skënderbeu e mbajti ndeshjen në ritmin e ulët që dëshironte, por në të dytën ndeshja u “shpua” me 3 gola. Ishte Gavazaj i Skënderbeut në minutën e 51-të që shënoi golin e avantazhit për korçarët, pas rrëmujës së krijuar nga Demte. U duk se Skënderbeu po shkonte drejt fitores, por avantazhi zgjati vetëm 4 minuta, sepse sulmuesi veteran Hoaro barazoi me kokë. Më pas, zviceranët e kontrolluan më mirë lojën, madje disa herë ishin pranë golit, por pritjet e Shehit e shtyllat nuk e prekën rrjetën. Sepse duhet të vinte edhe një shtesë mbi shtesën nga arbitri uellsian Li Evans, që Jang Bojs të gjente golin e fitores. Pas 4 minutave shtesë, ishte një goditje këndi për zviceranët që rezultoi fatale për korçarët, sepse topi mbeti në zonë dhe fati ndihmoi Asalen, i cili afër shënoi golin e fitores. Një humbje në ekstrem, ndoshta e pamerituar, por që ndodh edhe kështu, edhe pse krenari për Skënderbeun, ai nuk e thyu mitin shqiptar, renditet i fundit në grup. Për t’u veçuar fakti se në stadiumin e Jang Bojsit, shihen flamuj shqiptar në çdo sektor të stadiumit.
Sigal