Skënderbeu në fushë, si Skënderbeu në histori!

532
Nga Agron KAJA
KOMENT/ Me rezultatet që po arrin skuadra korçare në futboll, krahasimet figurative si pjesë e motivimit për vazhdimësinë
Java e kaluar, ndoshta do të jetë një nga më të veçantat e historisë së futbollit shqiptar, sa i përket paraqitjeve të skuadrave tona në kompeticionet evropiane. Skuadra e Skënderbeut ka kaluar në turin play-off të kompeticionit UEFA Evropa Ligë, një sukses ky që për korçarët është i përsëritur. Kur kemi lexuar në historinë e futbollit shqiptar se, skuadrat si Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia, Elbasani, Teuta, Flamurtari, Laçi, etj kanë luajtur në këto veprimtari, natyrisht që jemi ndjerë mirë, për faktin e mbylljes që ka patur Shqipëria komuniste në 50 vite diktaturë. Kur flitej e shkruhej për skuadrat e kryeqytetit në atë sistem, ndoshta na dukej se kishim të bënim me “gjigantët” e asaj kohe, pse jo ashtu ka qenë. Ato eliminoheshin që në turet paraeliminatore, në ndonjë rast kanë kaluar edhe dy ture, apo kanë zhvilluar ndeshje të mëdha, si Flamurtari-Barcelona, dhe anasjelltas. Një kohë ajo, që jo vetëm është përjetuar si e tillë në këtë aspekt, por ndoshta edhe është “mitizuar” me skuadrat, ku flitej vetëm për tre të tilla: Partizani, Dinamo e më pas 17 Nëntori(sot Tirana). Po sot, pas 25 viteve ndryshimi të atij sistemi, çfarë po jetojmë në futbollin shqiptar? Shumë ndryshime, që nga infrastruktura, në përbërjet e skuadrave, në organizimin, drejtimin e menaxhimin e tyre në bankina dhe në zyra. Dhe ndryshimi është i dukshëm, nëse i referohemi kryesisht pjesëmarrjes së skuadrave shqiptare të futbollit në kompeticionet evropiane. Janë edhe ato të mëdhatë e dikurshme, të cilat sot janë bërë të vogla, në raport me aktualitetin. Partizani, Dinamo dhe Tirana kanë pasur edhe rënie në kategoritë inferiore, kanë luajtur edhe në Evropë, por si Skënderbeu i Korçës, asnjëra prej tyre nuk ka mundur që të ketë sukses. E provoi Kukësi tri sezone më parë, por nuk eci kaq sa skuadra korçare. Në 6 sezone resht doli Kampione e Shqipërisë, ndërsa ju hoq një titull për akuza të manipulimit të ndeshjeve në basteve, por kjo nuk e ndali. Nga sezoni 2012-2013, Skënderbeu ka luajtur 30 ndeshje në Evropë, me Dinamon e Zagrebit më 17 gusht është e 31-ta, dhe këtë shifër, asnjë nga skuadrat e quajtura të mëdha në futbollin shqiptar, nuk e kanë arritur në një periudhë kohore kaq të shkurtër. Me 11 fitore, 4 barazime dhe 15 humbje, futbolli shqiptar të tilla statistika i ka pasur ëndërr. Dhe pse po e trajtoj kështu këtë Skënderbe sot? Sepse realisht është maja e futbollit shqiptar në Evropë, është një Skënderbe në fushë, dhe një Skënderbe në histori, në Shqipëri dhe Evropë. Kaq meriton të respektohet dhe të krahasohet me figurën emblematike të historisë së Shqipërisë, Skënderbeun.
Ndryshimi është i dukshëm, nëse i referohemi kryesisht pjesëmarrjes së skuadrave shqiptare të futbollit në kompeticionet evropiane. Janë edhe ato të mëdhatë e dikurshme, të cilat sot janë bërë të vogla, në raport me aktualitetin. Partizani, Dinamo dhe Tirana kanë pasur edhe rënie në kategoritë inferiore, kanë luajtur edhe në Evropë, por si Skënderbeu i Korçës, asnjëra prej tyre nuk ka mundur që të ketë sukses

SKËNDERBEU/ HISTORIA 
NDESHJET NË EVROPË
Liga e Kampioneve
Nd 18, F6, B3, H9, G 19:27
UEFA Evropa Ligë
Nd 12, F5, B1, H6, G 16:17
NË TOTAL
Nd 30, F11, B4, H15, G 35:44
Sigal